Lasgush Poradeci - 30 vjet pas “kthimit” (12 nëntor 1987)
"Liriku më i shquar i shqipes dhe njëri nga më të panjohurit shkrimtarë të Evropës, u lind më 27 dhejtor 1899 në qytetin e Pogradecit, në Shqipëri, buzë Liqenit të Ohrit. Të paktë janë shkrimtarët që kanë pasur fatin të linden në një hapësirë kaq të bukur. Duke njohur mërgimin qysh në fëmini, fillimisht nëpër Manastir (Bitola)[1] e Athinë, poeti i ardhshëm do ta shndërronte mbiemrin në hapësirë dhe anasjelltas, për të shmangur çdo ndarje të Bukurisë lindëse nga Vuajtja krijuese. Llazar Gusho do të bëhet Lasgush Poradeci. Në Qytezën e Zotave, i rrethuar nga fantazma të lashta që pëshpëritnin në të hamendësuarën gjuhë mbarëballkanike, Lasgush Poradeci përvetësoi mënyrën e të jetuarit sipas Ataraksisë[2] - parimi filozofik i Sextus Empiricus-it të Romës së lashtë. Mësoi të rronte i shkëputur edhe nga vuajtjet e veta të përditshme, nga himerat, nga mallet dërrmues; u stërvit të jetonte mbi ta, përndryshe ndjeshmëria e jashtëzakonshme mund ta nxirrte mendsh. Kjo ishte e papranueshme, përderisa ai ende nuk i pat shkruar kryeveprat. Ataraksia[3] e mbronte nga vuajtjet tepër vetjake dhe joprodhimtare, por edhe e detyronte të vuante bukur në vend të atyre që nuk janë në gjendje ta shndërrojnë vuajtjen në jetë të epërme / letërsi. Shpirti i tij u zhvillua aq shpejt, saqë do t’i lypte një gjobë të hidhur trupit: një tuberkuloz eshtrash. Me vdekjen e shkallëzuar të lëndës në trup dhe me pavdekësinë e fjalës në mendim, Poradeci mbërrin në kryeqytetin e botës trako-latine, në Bukuresht - një tokë e premtuar për shqiptarët e breznive të ndryshme. “Kryeqyteti i bukur i Vllahisë, i cili me kaq nderim për veten e vet mban emrin më bujar të të folurit shqip”[4] e pret sikur të ishte një mërgimtar i thjeshtë, pa emër. Me gjithë sprovat dhe shijet jo përherë të këndshme[5], Bukureshti do të mbetet vazhdimisht për poetin si një lot malli, me madhësinë e zemrës, e me këtë zemër të dytë, nga largësitë, ai do të rijetojë çastet më të bukura të të gjitha trojeve të huaja nëpër të cilat pat kaluar e ku, me mund pa fund, pat shndërruar çdo vuajtje në art magjie. Heraherës merr arratinë drejt Câmpulung Muscel-it, qytezë gati përrallore, ku bashkëshortja e të vëllait, Vangjel Gushos, Lucia, kishte shtëpinë e prindërve[6].
"Liriku më i shquar i shqipes dhe njëri nga më të panjohurit shkrimtarë të Evropës, u lind më 27 dhejtor 1899 në qytetin e Pogradecit, në Shqipëri, buzë Liqenit të Ohrit. Të paktë janë shkrimtarët që kanë pasur fatin të linden në një hapësirë kaq të bukur. Duke njohur mërgimin qysh në fëmini, fillimisht nëpër Manastir (Bitola)[1] e Athinë, poeti i ardhshëm do ta shndërronte mbiemrin në hapësirë dhe anasjelltas, për të shmangur çdo ndarje të Bukurisë lindëse nga Vuajtja krijuese. Llazar Gusho do të bëhet Lasgush Poradeci. Në Qytezën e Zotave, i rrethuar nga fantazma të lashta që pëshpëritnin në të hamendësuarën gjuhë mbarëballkanike, Lasgush Poradeci përvetësoi mënyrën e të jetuarit sipas Ataraksisë[2] - parimi filozofik i Sextus Empiricus-it të Romës së lashtë. Mësoi të rronte i shkëputur edhe nga vuajtjet e veta të përditshme, nga himerat, nga mallet dërrmues; u stërvit të jetonte mbi ta, përndryshe ndjeshmëria e jashtëzakonshme mund ta nxirrte mendsh. Kjo ishte e papranueshme, përderisa ai ende nuk i pat shkruar kryeveprat. Ataraksia[3] e mbronte nga vuajtjet tepër vetjake dhe joprodhimtare, por edhe e detyronte të vuante bukur në vend të atyre që nuk janë në gjendje ta shndërrojnë vuajtjen në jetë të epërme / letërsi. Shpirti i tij u zhvillua aq shpejt, saqë do t’i lypte një gjobë të hidhur trupit: një tuberkuloz eshtrash. Me vdekjen e shkallëzuar të lëndës në trup dhe me pavdekësinë e fjalës në mendim, Poradeci mbërrin në kryeqytetin e botës trako-latine, në Bukuresht - një tokë e premtuar për shqiptarët e breznive të ndryshme. “Kryeqyteti i bukur i Vllahisë, i cili me kaq nderim për veten e vet mban emrin më bujar të të folurit shqip”[4] e pret sikur të ishte një mërgimtar i thjeshtë, pa emër. Me gjithë sprovat dhe shijet jo përherë të këndshme[5], Bukureshti do të mbetet vazhdimisht për poetin si një lot malli, me madhësinë e zemrës, e me këtë zemër të dytë, nga largësitë, ai do të rijetojë çastet më të bukura të të gjitha trojeve të huaja nëpër të cilat pat kaluar e ku, me mund pa fund, pat shndërruar çdo vuajtje në art magjie. Heraherës merr arratinë drejt Câmpulung Muscel-it, qytezë gati përrallore, ku bashkëshortja e të vëllait, Vangjel Gushos, Lucia, kishte shtëpinë e prindërve[6].
Më vonë, gjatë viteve të diktaturës, kur kufijtë dhe udhëtimet (i) qenë
mbyllur si përfundimisht, Poradeci do të përballonte makthe për të cilët la vetëm
pak shënime, të tërthorta, - edhe ngaqë u ngujua në poezinë e epërme, damkosur
si Kullë Fildishi nga kritika
mendjengushtë e kohës, - dhe të cilët e detyruan disa herë të vepronte si
vetëvrasës ndaj bindjeve e shijeve të veta (shih djegien e librave të Fishtës në bodrumin
nëntokësor të shtëpisë në Tiranë, dëshmuar nga bisedat me Petraq Kolevicën[7]). Por jo aq mundimet e as
lëvizja e natyrshme e shpirtit për të korrigjuar të kaluarën ia ringjizën
Vllahinë e dikurshme në
kujtesë, duke i përtërirë prore mallin për të. Si një nga shumë mrekullitë e vogla të poetit, vuajtjet e futën
përfundimisht Poradecin në të përhershmen e kulturës rumune, që mishërohej më së
miri nga poezia e Emineskut. E njëjta gjë do të ndodhte edhe ndaj kulturës gjermane,
ndonëse jo në të njëjtën kohë e as në të njëjtën përmasë. Mes pasurisë së
jashtëzakonshme shpirtërore që duhej të ruante e shpëtonte dhe rreziqeve ku e
mbante ajo pasuri, Poradeci do të zhvendosë në
shqipen e tij një thesar të tërë poetik rumun e gjerman. Bashkë me Kutelin, por veç e veç, Poradeci, - si “mjeshtër i pianos, të cilit i kërkohej t’i binte daulles, kur ai dinte
të luante vetem në piano”, - do t’i kundërvinte realizmit socialist jo
vetëm mijëra vargje e kryevepra të plota poetike nga jashtë (brenda Letërsisë
së Madhe), por edhe kode poetikë dhe parime të shijes së zgjedhur letrare. Parë
nga larg në kohë, reagimi i Poradecit dhe i Kutelit kanë edhe një hije
sarkazme të shkallëzuar e shfarosëse, e cila, duhet thënë, nuhatej e shijohej
vetëm nga të ngjashmit e tyre, jo edhe nga lexuesi i gjerë. Por as kjo s’është
pak. Vegimtare në këtë
betejë të stërgjatë është edhe një letër e shkurtër të cilën Poradeci ia dërgon
Shevqet Musarajt, njeheresh me një antologji të poezisë rumune. “Kam bërë një shqipërim izometrik, izoritmik,
izosinual dhe izoasonal poezi për poezi dhe varg për varg, - shkruan
Poradeci. Edhe atje ku rima ose asonanca
është divizionale (dy fjalëshe[8]) kam ruajtur në shqipet intencionin formal të autorit. Kjo metodë e
iso-ve kërkon, siç e di, 20 herë punë më shumë dhe 20 herë më shumë mundim më
të madh se sa metoda pa iso. Po pasi e mendova çështjen, një vetëdije arti më
tha: Më mirë mundim dhe poezi, sesa lehtësirë – dhe non-poezi. Dhe kështu bëra.
Dorëshkrimi është gati për shtyp, pa asnjë gabim nga ana ime”[9].
Vuajtjet e Poradecit në Bukuresht mund të njihen sadopak nga letërkëmbimi me
Asdrenin: ”Sepse
mu në valët e zeza me ushëtim të egër të atij deti pa anë ku gjendesha unë që
më 1921 e tëhu, ndihmat e tua të panumëruara morale dhe materiale reprezentonin
me të vërtetë vlerat e një harmonie gjer atëhere të padëgjuar për veshin tim.
Se kur më shkojnë varg e varg përpara sysh përkujdesjet me të cilat një herë ma
ke ngritur shpirtin e zi dhe m’i ke ndërtuar kockat e trupit tim të tretur nga
skamja (...) më rekomandove në familje shqiptare për të dhënë mësime private,
më ndive shumë herë me hua personale, bëre të mundur që të më jepet nga arka e
Kolonisë së Bukureshtit një ndihmë e përmuajshme prej 500
lei (shumë jo e
vogël për kohën – sh. im. A. K.) për më tepër se një mot, rrëfeve aktivitet që të emërohem sekretar i
Komitetit të Shoqërisë, më dhe një ‚odë’ ku të fle (me fjalë të tjera: ku ta
fut kokën sidokudo, ndonëse me tavan të shpuar me qoshe plot merimanga, me mure
aq të ndyra, sa nëntë herë u desh t’i lyeja me gëlqere, gjersa kjo e fundit
fundit të ‚zerë’ e të zbardhë pak), në dimër ma mbushnje krahun me dru afër
natë për natë kur hiqesha nga ‚salloni’ yt në ‚odiçkën’ time, më jepje të
redaktoj prokura (të cilat mund t’i bëje edhe vetë) që të nxjerr ndonjë dyçkë
sikur të thuash nga dheri ‚në favorin e barkut tim’ të bërë plloçë nga sëmundja
e nga e pangrëna, - e të tjerat, e të tjerat, që s’numërohen, as kujtohen dot
nje e nga një. Kjo është vepra mirëbërëse, i dashur dhe i ndritur, në atë
shkretëtirën e frikshme të vendit të huaj që quhet shqip Vllahi”.
Poradeci ia del mbanë të mbijetojë dhe të pushtojë
kulmet e ndjeshmërisë poetike në shqip, sepse është plotësisht i bindur: Zoti,
ashtu si Dashuria dhe Vuajtja, nuk do ta braktisë[11].
Në Bukuresht Poradeci do të ndjekë njëherazi disa fakultete, do
marrë njohuri në sanskritisht e hebraisht dhe, si Mihai Eminesku kohë më parë, do të dashurohet me artin e Vedave indiane[12]. Në vitin 1924, qeveria e
drejtuar nga Fan Noli i jep një bursë për të studjuar në
Universitetin e Gracit, në periudhën kur bota austriake
po shndërrohej në qëndër me rëndësi themeltare të paktën për kulturën shqiptare
moderne, vend ku u formuan intelektualë, shkencëtarë dhe artistë të shquar
shqiptarë (mes të cilëve gjuhëtari i përmasave evropiane, akademiku Eqrem Çabej, autor edhe i një mini-enciklopedie të marrëdhënieve Lindje-Perëndim;
doktori Jani Basho, gjuhëtari
Gjergj Pekmezi, kritiku Krist Maloki, Skënder Luarasi në Vjenë e të tjerë). Poradeci pat ëndërruar të përgatiste një doktoratë në
letërsi ose në gjuhësi nën drejtimin e albanologut Norbert Jokl, por nuk qe e thënë.
Duhet theksuar se zhvendosja nga Lindja në Perëndim, duke kaluar përmes
Portave të Lindjes, - ndonëse poeti nuk bën pjesë as në grupin e atyre që e
kërkojnë Lindjen në Perëndim dhe anasjelltas, as të atyre që e harrojnë
Perëndimin në Lindje dhe anasjelltas, - nuk i pakësoi vuajtjet e Poradecit. Vetëm trajta e tyre ndryshoi,
sidomos ngaqë poeti pat shpresuar sadopak në mirëqënien e domosdoshme, jo të
tepërt, perëndimore. Duket se bestytnia e hershme rumune Alt loc, alt noroc (Tjetër vend, tjetër fat) nuk ndikon ndjeshëm në fatin e poetëve të
papërsëritshëm. Por vuajtjet e ndihmuan ta shihte me një sy tjetër Vllahinë, ku, sado keq të ndihej, kurrë nuk do të
arrinte të merrte hua me 50%, apo të linte peng pallton, kostumin, librat, gjer
edhe pasaportën. „Mezi sot munda (fjali-formimi
vjen nga rumanishtja Abia azi am putut,
sh. im. A. K.) të të dërgoj disa fjalë. Cili është shkaku i mbodhisjes? Më dhimbte...
dora! Përse? Sepse... s’kisha ngrënë! – Pse po të shkruaj sot? Se ‚hëngra’...
Ku i gjeta që ‚hëngra’? Arritën bursat! Dua të them arritën bursat mbas një
mbodhisjeje prej 6 javësh; 6 javë janë për një student sa 6 vjet të tërë. Se me
se rrojtëm këto 6 javë, s’dihet”. (...)
Po nga Graci: „Gjer atëhere, ka kohë; dhe ç’është më tepër, unë do kem fuqinë që t’i
ruaj mendtë e pacenuara në mes këtyre vuajtjeve të cilat të torollosin fare.
Qeni tërbohet, domethënë prishte menç, kur ha bukë shumë; njeriu prishet menç,
domethënë tërbohet kur s’ka me se të hajë, aq sa duhet të hajë. Të hajë! Të
hajë! Të hajë! – se ç’fjalë e ndyrë! Që më 18 të vjeshtës 1918 e gjer më sot,
kurrë s’kam mundur ta ndiej veten të ngopur”. (...) „Jam i dëshpëruar. Drejtoria e shëronjëtoreve më lajmëroi më 17 gusht
se, në mos pagofsha me kohë, do shtrëngohet të më nxjerrë jashtë (...) Ah, un’i
mjeri, sa liksht qenkej në vend të huaj, pa miq, e pa shpresë, i sëmurë në
spital si mos më keq. (...) bëra, me fjalë të tjera, si ai i kondamnuari
(nga rumanishtja: condamnat – i dënuar)
për vdekje, i cili vrau veten, përpara se
ta vrisnin të tjerët. I dëshpëruar erdha këtu në Graz, ku shpresonja se do marr
për së shpejti (d.m.th. më çdo ditë, më çdo orë e më çdo minutë) ndihmat e ‚shumanshme’ të atyre që
kishin berë aq bujë rreth e përqark jetës sime të mjerë, të tretur nga një
sëmundje e pamëshirshme (...) po ndihmat nuk i mora kurrë, sepse s’u dërguan
kurrë, sepse s’desh të dërgojë asnjeri, sepse secili priste të dërgojë ‚ai
tjetri’...; po edhe ‚ai tjetri’ nuk dërgoi, sepse shpresonte të dërgojë ‚ai
tjetri’ ‚tjetër’”[13].
Por në thelb, takimi i Poradecit me botën gjermanofone doli fatlum. Bukureshti
dhe Graci kanë edhe sot e kësaj dite të ngjashme bukurinë dhe mjeshtërinë me të
cilën një qytet e frymëzon poetin sa më tepër e pa bujë e bën të ndihet askush
si njeri. Poradeci rigjen në Grac atë lloj vetmie që di tashmë se e përdorin jo
vetëm pjesë të ndryshme të Bukureshtit, por edhe disa qytete rumune të
Transilvanisë, ku janë gërshetuar e bashkëjetojnë prej shekujsh disa kultura (Sibiu / Hermannstadt, Brașov-i / Kronstadt, Sighișoara / Schäßburg, Cluj-Napoka / Klausenburg, Timișoara / Temeschwar, Bistrița / Kreis Bistritz-Nassod etj). Njëherazi, tekstet dhe hijet e
ndritshme të Gëtes, Shilerit, Novalisit, Hëlderlinit, Rilkes, Traklit etj, qetësia gati e mbinatyrshme e trevave styri-ane, pastërtia e rrugëve, e
parqeve, serioziteti dhe mirësjellja e njerëzve, me gjithë tronditjen e
padukshme të afrimit të një kasaphane tjetër botërore, e magjepsin djaloshin
shqiptar, të cilin asgjë në botë nuk mundi ta lëvizte nga shkëmbi i shpirtit
të vet, ia thyejnë jetën më dysh, duke e detyruar të rrojë në dhe nga
dy jetë njëheresh. Ka mbushur 25 vjeç dhe është pothuajse i panjohur edhe
nga të vetët. Joshja e të qënit ende një
askush, i papërfillur nga vetëdija letrare e kohës, por i zgjedhur nga
hyjnorja, i zgjon mallin për Ballkanin. Një mall vegimtar, që
shndërrohet në njëfarë hijeje me bukuri e dhembshuri të pathënshme, ku
gjithësia merr pamjen e një gjiri të perëndishëm të cfilitur nga pritja jonë
për t’u rikthyer në shpirtra".
[1] Në të njëjtin gjimnaz pat ndjekur studimet edhe Leon
(Nida) Boga (Veles, 1886-Vaslui, 1974), autori i poemës epike “Voshopolea”, kushtuar ngritjes dhe shkatërrimit të Voskopojës, e
cilësuar si Iliada e arumunëve,
shkruar në arumanisht. / Bashkëkohës dhe shpesh banor në të njëjtin qytet me
Panait Istratin, Viktor Eftimiun, Monsinjorin Vladimir Gjika e të tjerë, i
detyruar ta ndërpriste dy herë shkollën e mesme për shkaqe shëndetësore, ka të
dhëna se Lasgushi do t’i marrë provimet e maturës në Silistra, qytet që asokohe i përkiste Rumanisë.
[2] Sipas fjalorëve, në
mjekësi, ataraksia përfaqëson një “Gjendje të sëmurë mpirjeje të një organi,
ose të një funksioni”. Ndërsa në thelb është ”Një koncept filozofik idealist i lashtësisë, në përputhje me të cilin
njeriu duhet të synojë drejt një gjendjeje të përkryer qetësie shpirtërore
përmes ngritjes mbi shqetësimet e botës”. Shih edhe Dicționarul Explicativ al Limbii Române / www.dexonline.ro
[3] Eminesku do ta ngjizë dëshirën e tij për të përvetësuar
ataraksinë në poemën „Glossă”, tek e
cila çdo varg i strofës së parë mbyll strofat që pasojnë dhe, në fund, strofa e
parë shkruhet nga vargu i fundit tek i pari: „Koha ikën, koha vjen / Gjithë të rejat s’janë veç rite / Mirë e kaq në
jetë ç’vjen / Veten pyet dhe
llogarite. / Mos shpreso e mos ki
frikë / Ç’është valë si vala shkon / Në të dhënçin ngasjen prikë / Ti i ftohë
rri gjithmonë”. Si plotësim-sqarime vijnë vargjet (...) „Vuajtje, ti, dhembshurisht e ëmbël! / Gjer
në fund piva epshin e vdekjes / së Pamëshirshme. /... / Nga ëndrra ime
përvëluar vajtoj / Në zjarr të vetes tretem... / A mund të ringjallem
shkëlqimtar prej tij si / Zogu Feniks? / U borën sytë e mi nga udha / Eja
sërish në gji, shpërfillje e trishtme / Që të mund të vdes i qetë, veten time /
Mua nëma”, Ode në metër antik
(Shqipërime të miat, A. K., të periudhës 1989/1997/2001.
Poezitë janë përfshirë në vëllimin Eminescu peste nemărginirea timpului –
Propagarea operei în 64 de limbi şi literaturi / Eminesku përtej pafundësisë së kohës –
Përhapja e veprës në 64 gjuhë dhe letërsi, Editura Litera-David 2000).
[4] Shih letrën e Poradecit për Asdrenin, dërguar nga Graci më 19 të
dhjetorit 1924, L. Poradeci, Vepra Letrare, vep. cit., f. 453.
[5] „Shumë i lig është Bukureshti i shqiptarëve, i trazuar e i ndotur
si mos më keq. Po kur mendojmë se pikërisht mu në gjirin e tij të farmakosur
pati mbirë lulja e parë e bukurisë së shpirtit shqiptar (Krijimet e Naim Frashërit, që u botuan për herë të parë
nga Shtypshkronja e Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit – shënim i Frida Idrizit), kur mendojmë se në prozën e përditshme të zemërngushtëve pati hapur fletët
zogu i bukur e i lehtë i vjershës sonë kombëtare, atëhere helmi s’është më
helm, po është gaz. Një gaz i pikëlluar...”, L. Poradeci, Vepra Letrare, vep. cit., f. 454.
[6] Vangjel Gushoja doli në pension dhe vdiq në Bukuresht si oficer i lartë i
Ushtrisë Rumune. Sipas një bisede që kam bërë me Kol Kocin në vitin 1987,
Lasgushi shkroi në
Câmpulung Muscel të famshmen “Ku shtrohet vala”. Pak vite më vonë,
Kuteli, - i cili iu kushtua mbledhjes dhe botimit të poezisë
lasgushjane, - vajti posaçërisht ta shihte vajzën rumune që pat frymëzuar
poetin, por nuk ia gjeti dot fuqinë magjike, mbase edhe ngaqë nuk kishte sytë e
Lasgushit.
[7] Shih Petraq Kolevica, Lasgushi më ka thënë – shënime
nga bisedat me Lasgush Poradecin, Sh. B. 8 Nëntori, Tiranë, 1992. Petraq Kolevica, shqipërues, poet, arkitekt,
memorialist lindur në Korçë më 11 janar 1934, autor, mes të tjerash, i
vëllimeve Këngë nga koha e keqe
(1992) dhe Të korrat e vona (2013).
[8] Ndonjëherë, për të piperosur
shijen, nevojiten shqipërime (sic!)
[9] Lasgush Poradeci, Vepra Letrare, vep. cit., f. 487. Ndoshta Poradeci përdor shqipet
në vend të shqipes, ngaqë në epokën
përkatëse ndesheshin dy shqipe, njëra e poezisë dhe tjetra e zyrtarisë. Duke iu
përcjellë bindjen e tij se, pa mund pa
fund, s’ka art magjie, madje as në shqipërim, Poradeci iu kujton
përfaqësuesve të lehtësirës sqimën që
duhet të kenë ndaj tekstit letrar, por edhe qëndrimin e vet ndaj editing-ut. Jo
rastësisht, në shfrimet e veta përmes bejteve për përdorim të brendshëm, me një hidhërim shkëlqimtar aq të
pranishëm në pleqtë poradecarë, Poradeci shprehej: „Redaktorët
trukokallë / Redaktojnë vjershëtorët...”
[10] Shih L. Poradeci, Vepra Letrare, kapitulli Nga
letërkëmbimi, vep. cit., f. 451-489. Sipas të bijave, Kostandina dhe Marie Gusho, Lasgush Poradeci përsëriste shpesh se „varfëria nuk është turp, por as ndonjë nder i madh nuk është”. Ai
diti gjatë gjithë jetës që vuajtjet tepër tokësore t’i zhvendoste në
letërkëmbim, në rrëfime brenda rrethit të ngushtë familjar dhe në heshtje, duke
ruajtur vetëm dhimbjet që mund të shndërroheshin në poezi (Ja dy kahet e
lëvizjes së tij të brendshme: 1. „Si
s’mund ah, si nuk mund / Ta them me emër, / Një brengë që mun në fund / Duroj
në zemër”, dhe 2. „Përndrite me lavdi
/ Shpirtin e nxirë / Që breng e dhemshuri / Pat psheretirë; // Që ndezi yj e
diej / Të dashurisë, / Dh’i vari nëpër qiej / Të gjithësisë”, në Kamadeva, Vepra Letrare, vep. cit., f. 324-348.
[11] Për më tepër shih A. K., Hyu epigon (në
rumanisht), Presa Universitara Romana, Timishoara, 2000.
[12] Në disa shkrime, Eminesku dhe Poradeci janë paraqitur si ithtarë të hinduizmit,
budizmit, politeizmit apo animizmit. Duhet theksuar se, megjithë disa trajta
shprehjeje dhe detaje nga mençuria indiane e më gjerë, të dy mbetën në thelb
njëzotësh (Shih, për shembull, poezinë Shpirtit,
ode, që nis me vargjet “Të lus, o Lajmës,
qielluar! / O Frym’ e Zotit, Vetë Zot”, ose poezitë e Emineskut kushtuar Shën Mërisë).
[13] Shih L. Poradeci, Vepra Letrare, kapitulli Nga
letërkëmbimi, vep. cit., f. 451-489. [Vihet re një ndryshim i madh midis
shqipes që përdor Poradeci në poezi dhe asaj që përdor në letërkëmbim dhe
sidomos në shkrimet eseistike. Këto të fundit përmbajnë mjaft rumanizma e
latinizma, edhe si dëshmi se proza shqipe ishte ende në kristalizim e sipër (në
mungesë të një proze gojore po aq të zhviluar sa poezia), edhe si zgjedhje e
Poradecit për të mos i trajtuar gjërat e përditshme, joprodhimtare për poezinë, me një gjuhë
që s’e meritonin].
- Fragment nga: Prof.univ.dr. Ardian Kyçyku, Trialog [Ese ndërdisiplinore mbi lidhjet e letërsisë me mërgimin dhe me gjuhët që ajo zgjedh për të ruajtur Kujtesën dhe Metaforën] ISBN: 978-606-8093-97-0, botoi Librarium Haemus, Bukuresht 2016. All rights reserved.
- Fotografia: nga filmi dokumentar Lasgush Poradeci, Kinostudio "Shqipëria e Re", skenar: Kopi Kyçyku, regjia: Endri Keko, 1976
- Poezii ale lui Lasgush Poradeci în limba română