Showing posts with label Mitrush Kuteli. Show all posts
Showing posts with label Mitrush Kuteli. Show all posts

Prof.univ.dr. Ardian Kyçyku: Disa veçanti të botimeve shqip në Hapësirën Rumune


Përmbajtje

Synopsis. 2
Fjalë-kyçe 
  • Gadishull që ngjiz një kontinent
  • Rilindja jashtë trojeve, ose Atdheu ngjizet më parë në letërsi
  • Interbellum
  • Diktatura – një diktat pa ura
  • Kaosi që ngulmon të zëvendësojë arsyen dhe vlerat
  • Revista Haemus ose Esse non videre
  • Librarium Haemus 

Bibliografi e përzgjedhur 
Listë e pjesëshme alfabetike e autorëve të Revistës Haemus* 
Curriculum Vitae [FR] 


Synopsis


Historia e botimeve shqip në Hapësirën Rrumune është shumëvjeçare dhe tejet e pasur. Botimet e disa prej kryeveprave të letërsisë shqipe dhe zhvillimi i pazakontë i shtypit qysh nga gjysma e dytë e shekullit XIX, dëshmojnë se hapësira rumune mund të këqyret si një gadishull nga i cili ngjizet një kontinent i tërë. Gjatë periudhave të ndryshme historike, botimet shqip iu nënshtruan synimesh që kulmuan jo vetëm me krijimin dhe forcimin e Shtetit Shqiptar, por edhe me ruajtjen dhe pasurimin e shqipes së gjithëkohëshme, që, përmes librash e autorësh të zgjedhur, zhvillohet edhe sot në të njëjtën hulli. Kësaj shqipeje, të përfshirë tashmë me të drejta të plota në vargun e gjuhëve të tjera evropiane e më gjerë, të aftë për vepra me vlera të përbotëshme edhe nëse nuk përkthehen në gjuhë të tjera, i shërben edhe Revista Haemus, themeluar në Bukuresht në vitin 1998.

Fjalë-kyçe


Gjuha shqipe, botime shqip, Hapësira Rumune, Rilindja Kombëtare Shqiptare, libra shqip, shtypi shqip në Rumani, Revista Haemus, Librarium Haemus


Gadishull që ngjiz një kontinent


Historia e botimeve shqip në hapësirën rumune është shumëvjeçare, tejet e pasur dhe padyshim njihet mirë jo vetëm nga historiografia franceze, por edhe nga degë të caktuara të historisë së letërsisë dhe të shtypit, për më tepër që një pjesë e autorëve të shquar shqiptarë me banim të përkohshëm në Rumani kishin lidhje të thella me kulturën dhe qytetërimin frëng. Por mbase njihet më pak e vërteta që Hapësira Rumune (e cilësuar shpesh si “hapësira mioritike”), me një elitë dikur gati krejt frankofone e frankofile, ka qenë për shqiptarët e mërguar dhe sidomos për letërsinë shqipe njëra nga qendrat themelore të frymëzimit e të arritjeve, njëlloj sikur të ndodhej në libra e jo në realitet. Fjala “mioritic” rrjedh prej baladës popullore rumune „Mioriţa” (Shqerrkëza) – një kryevepër e ndjeshmërisë artistike dhe e gërshetimit të së këtushmes me të përtejmen. Nga pikëpamja artistike, kjo hapësirë, falë këmbimit shajnitës të maleve me honet, të kodrave me luginat, të detit me liqenet e lumenjtë, të vapës me thëllimin etj krijon një baraspeshë, një dhimbsuri dhe një gjendje të veçantë përmallimi e besimi në botën e padukshme, një përftim befasues të jetës, dramave, vdekjes, përjetësisë, me vlera të pangjashme sidomos për poezinë.

“Bukuri tmerrisht e dashur / Llaftari tmerrisht e bukur…”

Lasgush Poradeci - 30 vjet pas “kthimit” (12 nëntor 1987)

"Liriku më i shquar i shqipes dhe njëri nga më të panjohurit shkrimtarë të Evropës, u lind më 27 dhejtor 1899 në qytetin e Pogradecit, në Shqipëri, buzë Liqenit të Ohrit. Të paktë janë shkrimtarët që kanë pasur fatin të linden në një hapësirë kaq të bukur. Duke njohur mërgimin qysh në fëmini, fillimisht nëpër Manastir (Bitola)[1] e Athinë, poeti i ardhshëm do ta shndërronte mbiemrin në hapësirë dhe anasjelltas, për të shmangur çdo ndarje të Bukurisë lindëse nga Vuajtja krijuese. Llazar Gusho do të bëhet Lasgush Poradeci. Në Qytezën e Zotave, i rrethuar nga fantazma të lashta që pëshpëritnin në të hamendësuarën gjuhë mbarëballkanike, Lasgush Poradeci përvetësoi mënyrën e të jetuarit sipas Ataraksisë[2] - parimi filozofik i Sextus Empiricus-it të Romës së lashtë. Mësoi të rronte i shkëputur edhe nga vuajtjet e veta të përditshme, nga himerat, nga mallet dërrmues; u stërvit të jetonte mbi ta, përndryshe ndjeshmëria e jashtëzakonshme mund ta nxirrte mendsh. Kjo ishte e papranueshme, përderisa ai ende nuk i pat shkruar kryeveprat. Ataraksia[3] e mbronte nga vuajtjet tepër vetjake dhe joprodhimtare, por edhe e detyronte të vuante bukur në vend të atyre që nuk janë në gjendje ta shndërrojnë vuajtjen në jetë të epërme / letërsi. Shpirti i tij u zhvillua aq shpejt, saqë do t’i lypte një gjobë të hidhur trupit: një tuberkuloz eshtrash. Me vdekjen e shkallëzuar të lëndës në trup dhe me pavdekësinë e fjalës në mendim, Poradeci mbërrin në kryeqytetin e botës trako-latine, në Bukuresht - një tokë e premtuar për shqiptarët e breznive të ndryshme. “Kryeqyteti i bukur i Vllahisë, i cili me kaq nderim për veten e vet mban emrin më bujar të të folurit shqip[4] e pret sikur të ishte një mërgimtar i thjeshtë, pa emër. Me gjithë sprovat dhe shijet jo përherë të këndshme[5], Bukureshti do të mbetet vazhdimisht për poetin si një lot malli, me madhësinë e zemrës, e me këtë zemër të dytë, nga largësitë, ai do të rijetojë çastet më të bukura të të gjitha trojeve të huaja nëpër të cilat pat kaluar e ku, me mund pa fund, pat shndërruar çdo vuajtje në art magjie. Heraherës merr arratinë drejt Câmpulung Muscel-it, qytezë gati përrallore, ku bashkëshortja e të vëllait, Vangjel Gushos, Lucia, kishte shtëpinë e prindërve[6].

Mitrush Kuteli, ose Kulme dhe cepa në Ilirinë e Poshtme

Lidhjet mes letërsive rumune dhe shqiptare ishin gjithashtu të thella. Veç Poradecit dhe Emineskut që mund të këqyren si binjakë shpirtërorë të lindur në epoka e gjuhë të ndryshme amtare, gati e njëjta lidhje (marrëdhënie) mund të vërehet edhe ndërmjet Mitrush Kutelit dhe klasikut të prozës rumune Ion Creangă (1837-1889). Prozator, eseist, poet, kritik letrar dhe shqipërues i shquar, pasi kalon nga Manastiri (Bitola) e Selaniku, Kuteli dëshmon në kujtimet e veta se nisi të shkruajë për të fashitur mallin ndaj vendlindjes dhe gjuhës amtare. Po rijap disa copëza që përfaqësojnë rrëfimin e fshehur të nëntekstit:
1. „Kjo që po lëçitni është jeta ime. Vetë e rrojta, vetë e shkrojta. Me gazet e saj, me helmet e saj. Të gjitha të perënduara sot e kaqe të larguara sa më duken sikur s’patnë qënë kurrë. Por dyke i shkruar tani, në vitin e tridhjetë e shtatë të jetës, i rrojta edhe një herë. Dhe qesha, dhe qava[1];
2. „Neve, kur dëgjuam shqipen e shqipëtuar, mbetmë të velur e të tronditur edhe përgjigja na u pengua në gurmaz[2];
3. „Si pata shënuar në botimin e parë, rrëfimet e mbledhur në këtë vepërzë janë shkruar midis 1925 dhe 1930 edhe plotësuar më 1938. Disa prej tyre janë filluar në Pogradec dhe mbaruar në Selanik e Bukuresht dhe pjesa m’e madhe janë shkruar drejt për drejt në këto vise, me mallin e shqipes dhe të Shqipërisë në zembër“[3].