Mitrush Kuteli, ose Kulme dhe cepa në Ilirinë e Poshtme

Lidhjet mes letërsive rumune dhe shqiptare ishin gjithashtu të thella. Veç Poradecit dhe Emineskut që mund të këqyren si binjakë shpirtërorë të lindur në epoka e gjuhë të ndryshme amtare, gati e njëjta lidhje (marrëdhënie) mund të vërehet edhe ndërmjet Mitrush Kutelit dhe klasikut të prozës rumune Ion Creangă (1837-1889). Prozator, eseist, poet, kritik letrar dhe shqipërues i shquar, pasi kalon nga Manastiri (Bitola) e Selaniku, Kuteli dëshmon në kujtimet e veta se nisi të shkruajë për të fashitur mallin ndaj vendlindjes dhe gjuhës amtare. Po rijap disa copëza që përfaqësojnë rrëfimin e fshehur të nëntekstit:
1. „Kjo që po lëçitni është jeta ime. Vetë e rrojta, vetë e shkrojta. Me gazet e saj, me helmet e saj. Të gjitha të perënduara sot e kaqe të larguara sa më duken sikur s’patnë qënë kurrë. Por dyke i shkruar tani, në vitin e tridhjetë e shtatë të jetës, i rrojta edhe një herë. Dhe qesha, dhe qava[1];
2. „Neve, kur dëgjuam shqipen e shqipëtuar, mbetmë të velur e të tronditur edhe përgjigja na u pengua në gurmaz[2];
3. „Si pata shënuar në botimin e parë, rrëfimet e mbledhur në këtë vepërzë janë shkruar midis 1925 dhe 1930 edhe plotësuar më 1938. Disa prej tyre janë filluar në Pogradec dhe mbaruar në Selanik e Bukuresht dhe pjesa m’e madhe janë shkruar drejt për drejt në këto vise, me mallin e shqipes dhe të Shqipërisë në zembër“[3].
Jo rastësisht Vepërzat e Kutelit nëntitullohen rrëfime (pronjë letrare) e jo tregime, novela etj. Ato mbeten themelvënëse për prozën moderne shqipe edhe falë gërshetimit jetik mes së vërtetës dhe letërsisë. Ashtu siç shkroi Creangă në një rumanishte rrënjore, veçmas në „Kujtime nga fëminia” (Amintiri din copilărie, 1881-1888) edhe Kuteli përdori shqipen e përhershme, duke i nënshtresuar së folmes popullore një kulturë të thellë botërore.
Ndër shkrimtarët shqiptarë, Kuteli është i pari që vetëdijësohet mbi synimin e letërsisë për të ruajtur Kujtesën dhe për të mbajtur sa më gjatë në (për)jetë njerëz e ngjarje që i duken thelbësore. Pó ai solli së pari në letrat shqipe atë që mund të emërtohet realizëm mistik, i gërshetuar me paralelizmin historik: një gjueti poetike e reales brenda magjisë dhe e magjikes brenda realitetit (ngjarje me të vdekur e të gjallë, që takohen nëpër dasma, bisedojnë; me hazna të fshehura nën tokë, me magji e bestytni, me kohë që relativizohet në varësi të dendësisë së ngjarjeve, me botë që herë përplasen e herë shkrihen në një ndërjoshje rrënqethëse) – dhe hapjen e bravave të historisë së sotme me çelësat e së shkuarës. Kuteli shkoi deri në cakun nga ku për Mërgimin do të mund të shkruhej edhe metaforikisht dhe ku Mërgimi nuk do të shihej më vetëm si një tragjedi që gjymtonte e mpinte fatin e një populli, por edhe si një lloj ringjalljeje (e dhimbshme dhe e dhimbsur) për letërsinë.
Temat e Kutelit mbi shkretinë që sjellin luftrat dhe gjakmarrjet, mbi kalbjen e brendshme të pushtetit që del binarësh, mbi shijen përmallëse të fëminisë dhe të një jete palcërisht[4] shqiptare (shih edhe ‚Lugetërit e fshatit tonë‘ – njefarë twilight zone, ose bëmat e botës fqinjë, që shpesh bën fole brenda nesh, apo ‚Gjonomadhë e Gjatollinj[5] – zinxhiri i gjakmarrjeve dhe i pajtimeve, nxitur e zgjidhur nga gruaja, në një shoqëri ku tepria e mashkullores burrëzon, jo burrëron, gruan dhe rrënon burrin nga shumë pikëpamje) u rimorën dhe u përdorën më pas nga disa autorë me emër të realizmit socialist, duke u shërbyer këtyre si alibi ideore e stilistike përballë paranojave të diktaturës.
_____________
[1] "Fije nga jeta e Theofil Kostorit", në Ago Jakupi e të tjera rrëfime, pronjë letrare, botim i autorit, Tiranë 1943, f. 43. Shih edhe Më kot… (përça, vetëpërçahu e sundo / sundohu në Ballkan), Vjeshta e Xheladin Beut (vesi dhe pasojat e pushtetit të trashëguar biologjikisht e të përdorur keq), Vendosa të shkoj n’Amerikë (fëminia si kopje e panjollosur e së ardhmes dhe mërgimi i disafishtë) dhe Në rrugë përtej Tiraspolit (tragjedia e detyruar, por edhe detyrë e qënies ballkanike).
[2]Natë qershori”, në Netë Shqiptare, vep. cit., f. 45.
[3] Shpjegim i botimit të dytë, në Netë Shqiptare, rrëfime, vep cit., f. 138.
[4] Fjalë e përdorur fillimisht nga Lasgush Poradeci në kujtimet rreth Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, Vepra Letrare…, Tiranë, 1990, vep. cit.
[5] Mitrush Kuteli, Tregime të zgjedhura, STZ, Tiranë 1972, dhe Ago Jakupi e të tjera rrëfime, Pronjë letrare, Tiranë 1943.

  • Foto: Mitrush Kuteli me bashkëshorten dhe fëmijët në Pogradec. Copyright: Familja Pasko Kuteli. 
  • Homo Balcanicus - eseu în limbile română și albaneză 
  • [Fragment nga Prof. dr. Ardian Kyçyku, Trialog [Ese ndërdisiplinore mbi lidhjet e letërsisë me mërgimin dhe me gjuhët që ajo zgjedh për të ruajtur Kujtesën dhe Metaforën], Kapitulli Gjuha e Trojeve, trojet e Gjuhës, nënkapitulli Sa atdhe mund të jetë një gjuhë dhe anasjelltas, Librarium Haemus, Bukuresht 2016]
  • Din opera lui Mitrush Kuteli în limba română: Primăvară în Transilvania