“Urdhri kishte shumë anëtarë, në çdo shtet e
qytet të botës. Anëtarët zgjidheshin qysh në vegjëli, në bazë të një parimi, të
cilin anëtarët e zbulonin vetëm kur arrinin pjekurinë e plotë dhe kur dëshmonin
se ishin të aftë për çdo vetëmohim, se mund të zgjidhnin anëtarë të tjerë, t'i
stërvitnin, t'i udhëzonin, t'i mbronin gjer edhe me jetën e tyre. Pas Luftës së
Dytë Botërore, Urdhri kish ndryshuar. Lidhjet mes anëtarëve nuk ishin mbajtur
më drejtpërdrejt, ose përmes lajmësve, po përmes letrave. Urdhri nuk i ndruhej
hapjes së mundshme të letrave nga ana e shërbimeve të fshehta, sepse kumtet
ishin "të përkthyer", domethënë të fshehur. Vetëm anëtari që merrte
letrën, pak para se ta digjte, ishte i aftë të zbërthente kumtin përkatës. Nëse
letra mbërrinte gabimisht, ta zëmë, tek një anëtar tjetër i Urdhrit, ky i
fundit e digjte pa kuptuar për çfarë bëhej fjalë. E nëse anëtari të cilit i qe
drejtuar letra nuk vepronte, nuk përmbushte misionin e ngarkuar, në një kohë të
shkurtër Urdhri i dërgonte një letër tjetër. E kështu derisa misioni të kryhej.
Asnjëri nga anëtarët nuk merrte detyra e letra pas vdekjes, ngaqë Urdhri dinte
me një saktësi, - shajnitëse për të pabetuarit, - gjithçka rreth jetës së
anëtarëve”.
Bukuresht, shkurt 2003