[Prozë
e thyer]
Shtëpiza për qirinj – po ai vit
Kur më qëndruan pranë
vetëm Zoti dhe muzika
Udhëtimi i tim eti
Zgjati sa kalimi
I një qiriri
Nga tryeza për „të gjallë”
Tek tryeza e „të fjeturve”.
Pët disa grima u enda symbyllur
Me qiririn në dorë, si lutje,
mes dy botësh.
Zgjidhe
vetë ku dëshiron të digjesh, i thashë pa zë
M'u kujtua këshilla e shitësit plak të qirinjve:
Mos
ndizni qirinj të mëdhenj pranë të vegjëlve, zotni, ju lutem,
Se
i djegin në brinjë dhe i përkulin,
i
gjunjëzojnë... para se ta përmbushin flijimin...
dhe
ua çojnë dëm dritën e papërdorur
Më erdhi rëndë të dilja:
Nuk qan burri në këtë moshë.
Kur lotët u kthyen mbrapsht
Për t'u dhënë edhe një kuptim
Gjakut e bojës
Jashtë qënkej dyndur shtrëngata
Me dëborë e breshër si sy smirëzinjsh,
me gjilpëra të akullta shiu, me
trungje të çartur e kujë zogjsh a shpirtrash
Ftohtë sa s'dilej as nga varri
Por të paktën kish mure dhe hije drite
Mbi çatinë e shtëpizës së qirinjve
Ra pa frymë edhe një zog
Vrarë nga bubullimat
Dy pleq të kërrusur dhe një fëmijë si pa kokë
Hynë brenda verbtazi
Dhe gjetën me nuhatje nga një cep ku të
Ndreqnin frymëmarrjet
S'kishin qirinj
Por të paktën suferina ende s'i kish
Shembur muret – as dritën e hijes
Ku do të isha mbytur, po të mos hyja këtu për t'u
çmallur
Me tim atë
Vallë si jetonin këta vdekatarë
Që i kishin shpëtuar shqotës
Po s'kishin qirinj
Apo
E dija se plakja mbulonte me pikëpyetje
të gjitha shenjat e pikësimit
Nisën të ngrohnin duart dhe të thithnin
Nga pak tym apo hije flakëzash
S'dilej as nga varri
Hytë këtu që të shpëtonit, me shpresën se
shtrëngata dikur do të ndalet.
Po sikur të vazhdojë pa fund
Mos
ikni nga vendi ku fati turret t’ju rrënojë,
sepse
aty vetë Zoti lufton për ju.
E kur ke Zotin me vete, kush,
çfarë mund të të mungojë
Belbëzova: Merrni ju duarzbrazurit
qiririn e ndonjë të panjohuri
Për të ndriçuar sadopak rrugicat e shpresës
Se koha nën sprovë s'dihet sa zgjat
E me sa ta shkurton jetën
A dritën
Po ata jashtë
Dikur të dëbonin qençe nga jetët e tyre; tani
Shisnin gjithçka për të të thithur në to. Endeshin e
hanin e pinin
E gajaseshin e bërtisnin e ndukeshin e plekseshin
E shkruanin e ndanin çmime e dekorata
E mbanin fjalime e mbushnin ajrin me kërpudha lajkash
apo
Nguteshin të pagojë e me sytë
Ngulur mbi telefona
O sikur s’do vdisnin kurrë, o si
Robër që as vdekja s'ka ç't'u marrë
Më patën shajnitur kaherë guximi dhe lirshmëria e tyre
–
në zgrip të pavetëdijës
A thua se isha ai fëmija pa kokë
që dridhej mes qirinjve
Aq herë pata ëndërruar t'u ngjaja
Si ndonjë i vdekur para kohe
Me fytyrën ngjitur pas qelqit që ndan vdekjen nga jeta
Pse rrufetë s'ishin krisje të atij qelqi
E dija se plakja
rrallonte
shenjat e pikësimit. Ose i fshinte
fare.
Me qiririn e tim eti nisa të ndizja
Qirinjtë që qenë fikur mbase nga lodhja
Kështu sikur pata mbetur edhe në mërgim
Fund nëntori '91
Pinim kafen e rrugës së mbarë
Ikja dihej, kthimi – as pas vdekjes
Ju lutem mos qani, tha Nëna, se djali është për udhë
Dhe tri pika loti i ranë mbi filxhan. Po qan, e pyeti
im atë me të qeshur,
Dhe iu mbushën sytë
Të mbahemi, thashë unë duke vënë buzën në gaz,
Dhe u shkreha në lot
U bëtë fëmijë fare, qeshi im vëlla
Dhe ktheu kokën në anën tjetër
Na mbështolli një frymëtim qirinjsh
Pastaj aq e përdhosura „qesh me lot”
s’u bë dot kurrë më e vërtetë
Qe varfëri vegimtare dhe mot për festë mbi Tiranë
Betoheshe se asgjë nuk kujiste: Të
Hëngshin
udhët e huaja (Se tonat
Janë
ngopur)
Siç ju ha smira mëlçitë, u gjegja,
Që të vdesë urie ajo shkaba e gojëdhanave
Mos vallë duhej të isha kthyer
- Si po ju duket
atdheu, zotni
- Pa baba
Kurrë s'më ka dhembur shpirti kështu, po s'jam i
dëshpëruar.
Të paktën m’u dëshmua sërish se
Paskam shpirt
Dhe
kjo vetmi…, iu drejtova tim eti
Por, të qahesh nga vetmia, është si të qahesh
Që ke në jetë vetë Zotin,
Do gjë në vend të Tij
më tepër njerëz
Nga ç'të ka falur
Flakëzat e fikura u sosën
Ç’mbeti për t’u ndezur, ç’mbeti për t’u fikur
Po ndihesha peng si në ndonjë libër timin
Po mbase vetëm kështu, autor pengu e peng autori,
ose autor-e-peng do të mund të zgjedhësh
Një vdekje të bukur
Si e tim eti
Dikur pyeta veten: tani po rri ngaqë e do çnjerëzisht
lëkurën;
I trembesh një shtrëngate si aq të tjera, apo ngaqë
ndihesh Në Shtëpi
Tridhjetë e kusur vjet u le peng mungesën
Tani tërhiqe si me grep
U shua zëri i errët
që të pëshpëriste
Se ua lije mungesën
që të mos hanin kokat
Merre e ndoshta do të jesh i dukshëm vetëm për
Të fjeturit e pagjumë
Shqova shkarazi mahnitjen
Plot pezm të fshehur të vetëtimave
Vetë-ti, qesha me vete
Vétë-tí. Ti vetë (e parë, e dytë, e tretë)
Ti me vete. As hije
S'do të kisha pasur
Pa këto flakëza
S’mbahet jeta me vetëtima
E as vjen drita me një vetëtimë. As me dy a tri
Ja: thyhen e humbin në çngjyrosje
Para flakëzave si buzëqeshje
Që s'kanë kufij
Ndoshta moti do të zbutej
Pasi të fikej flakëza që ndizte të tjerat
Shpesh kaq zgjaste një jetë
Disi më pak një dashuri
Ose anasjelltas