Pakica [Ngjarje me 15 pamje dhe me disa lloje perdesh]
Një grup pleqsh me prejardhje shqiptare vendosin të mësojnë gjuhën amtare, të cilën e kanë harruar, ose nuk e kanë folur kurrë. Mësuesi i gjuhës është një i ri që ka mërguar në fillim të viteve '90 dhe që merret me studimin e poezisë ballkanike. Orët zhvillohen në selinë e Bashkësisë. Një mbrëmje, për të fituar kohë dhe për t’ua lehtësuar mundimet, Mësuesi vendos të përdorë kryevepra të poezisë shqipe. Me atë rast nxënësve u vjen një ide e thjeshtë, por befasuese, e cila besojnë se do t’i shquajë qartë nga pakicat e tjera kombëtare, por edhe nga shumica. Askush nuk parandjen se, pasi të lexojnë dhe të përkthejnë, - bashkërisht, por edhe secili më vete, - „Vdekjen e Nositit”, ngjarja do të shkasë në(n) ca hapësira të panjohura, ku pakkush arrin të njohë veten dhe të tjerët.
Skenat: I. Buk(ë)uri... / II. Me qëllim që kafkat tona... / III. Zanore, bashkëtingëllore, aroma / IV. Uni-versum / V. Mbiemra zogjsh / VI. Kocka & ëmbëlsira / VII. Le-gjen-da / VIII. Dhe lashë një pikë gjak nga gjaku im... / IX. Minim minimorum / X. Thjesht / XI. Shpirti i atij poetit / XII. Dita e Shpalljes së Poezisë / XIII. Me ti, jo me ju / XIV. Sine ira et studio / XV. Të gjitha perdet
*
Një dhomë e madhe, me tavan të lartë, nga ku varet një llampadar i kaltëryer që
nuk është pastruar prej kohësh. Përtej dritares gati sa krejt faqja e murit
përballë duken fjollat e dëborës që bie ngadalë dhe disa sorra që sikur kanë
ngrirë në degët e pemës së vetme të oborrit. Djathtas dritares është dera e
zyrës.
Jashtë po ulet muzgu.
Majtas ndodhen: një tryezë e vogël dhe një karrike druri, ku
Mësuesi i Gjuhës Amtare ulet kur nxënësit mbajnë shënim, ose bëjnë detyrat. Në
mes të dhomës janë mbi dhjetë stola druri pa mbështetëse, renditur në trajtë
gjysmërrethi, me kujdes, gati sikur të jenë gurë varresh, ose kryevepra
ende të pakuptuara skulpture. Mbi mure rrinë varur disa fotografi të mëdha me
pamje nga deti, nga malet, në të gjitha stinët, dhe copëza vallesh të hershme.
Kornizat e fotografive janë të lyera me
varak. Mes fotografive është një tabelë e zezë shkolle. Rrëzë murit të
djathtë ndodhet një raft i vogël librash, pa asnjë libër.
Miki po bën pastrim me një leckë të lagur.
MIKI
Uri e madhe, zoti Mësues, uri e madhe...
MËSUESI (Me të qeshur)
S’ka vdekur njeri nga kjo... E dini që, në shqip, fjalët uri dhe bukuri rimojnë? U-ri
– buk-uri. Madje fjala bukuri ka brenda edhe bukën,
edhe urinë.
MIKI
Sa gjë e bukur të mësosh gjuhë të huaja! Kur isha e vogël,
ëndërroja të mësoja nja dhjetë gjuhë të huaja, por s’më lanë hallet. Erdhi martesa,
fëmijët, vdekjet e prindërve... Si përfundim, po harroj edhe gjuhën amtare...
Tani rri e pyes veten se mos jam pjellë kështu...
MËSUESI
Si kështu?!
MIKI
Së-prapthi, pra. Pa prindër, e martuar, me fëmijë, e robtuar... I bie që
fëminia të vijë pas vdekjes së këtyre, Zot na ruaj, ose pas vdekjes sime...