Buk(ë)uri...


Pakica
 [Ngjarje me 15 pamje dhe me disa lloje perdesh]

Një grup pleqsh me prejardhje shqiptare vendosin të mësojnë gjuhën amtare, të cilën e kanë harruar, ose nuk e kanë folur kurrë. Mësuesi i gjuhës është një i ri që ka mërguar në fillim të viteve '90 dhe që merret me studimin e poezisë ballkanike. Orët zhvillohen në selinë e Bashkësisë. Një mbrëmje, për të fituar kohë dhe për t’ua lehtësuar mundimet, Mësuesi vendos të përdorë kryevepra të poezisë shqipe. Me atë rast nxënësve u vjen një ide e thjeshtë, por befasuese, e cila besojnë se do t’i shquajë qartë nga pakicat e tjera kombëtare, por edhe nga shumica. Askush nuk parandjen se, pasi të lexojnë dhe të përkthejnë, - bashkërisht, por edhe secili më vete, - „Vdekjen e Nositit”, ngjarja do të shkasë në(n) ca hapësira të panjohura, ku pakkush arrin të njohë veten dhe të tjerët.

Skenat: I. Buk(ë)uri... / II. Me qëllim që kafkat tona... / III. Zanore, bashkëtingëllore, aroma / IV. Uni-versum / V. Mbiemra zogjsh / VI. Kocka & ëmbëlsira / VII. Le-gjen-da / VIII. Dhe lashë një pikë gjak nga gjaku im... / IX. Minim minimorum / X. Thjesht / XI. Shpirti i atij poetit / XII. Dita e Shpalljes së Poezisë / XIII. Me ti, jo me ju / XIV. Sine ira et studio / XV. Të gjitha perdet

*

Një dhomë e madhe, me tavan të lartë, nga ku varet një llampadar i kaltëryer që nuk është pastruar prej kohësh. Përtej dritares gati sa krejt faqja e murit përballë duken fjollat e dëborës që bie ngadalë dhe disa sorra që sikur kanë ngrirë në degët e pemës së vetme të oborrit. Djathtas dritares është dera e zyrës.

Jashtë po ulet muzgu.

Majtas ndodhen: një tryezë e vogël dhe një karrike druri, ku Mësuesi i Gjuhës Amtare ulet kur nxënësit mbajnë shënim, ose bëjnë detyrat. Në mes të dhomës janë mbi dhjetë stola druri pa mbështetëse, renditur në trajtë gjysmërrethi, me kujdes, gati sikur të jenë gurë varresh, ose kryevepra ende të pakuptuara skulpture. Mbi mure rrinë varur disa fotografi të mëdha me pamje nga deti, nga malet, në të gjitha stinët, dhe copëza vallesh të hershme. Kornizat e fotografive janë të lyera me varak. Mes fotografive është një tabelë e zezë shkolle. Rrëzë murit të djathtë ndodhet një raft i vogël librash, pa asnjë libër.

Miki po bën pastrim me një leckë të lagur.

 

MIKI

Uri e madhe, zoti Mësues, uri e madhe...

 

MËSUESI (Me të qeshur)

S’ka vdekur njeri nga kjo... E dini që, në shqip, fjalët uri dhe bukuri rimojnë? U-ri – buk-uri. Madje fjala bukuri ka brenda edhe bukën, edhe urinë.

 

MIKI

Sa gjë e bukur të mësosh gjuhë të huaja! Kur isha e vogël, ëndërroja të mësoja nja dhjetë gjuhë të huaja, por s’më lanë hallet. Erdhi martesa, fëmijët, vdekjet e prindërve... Si përfundim, po harroj edhe gjuhën amtare... Tani rri e pyes veten se mos jam pjellë kështu...

 

MËSUESI

Si kështu?!

 

MIKI

Së-prapthi, pra. Pa prindër, e martuar, me fëmijë, e robtuar... I bie që fëminia të vijë pas vdekjes së këtyre, Zot na ruaj, ose pas vdekjes sime...

 

MËSUESI

Po sa bukur është kur e mëson më mirë gjuhën tënde në prani të njerëzve që nuk e dinë. Kam kaluar vite me uri e bukuri, por s’më kish vajtur mendja se kishin një lidhje kaq të thellë...

 

MIKI

Po si s’kanë?! Ndryshe e shijon bukurinë kur ke uri, dhe ndryshe e ndjen urinë kur ke bukuri... Do të të bjerë bretku, më thoshte murga gjyshe, se mendon shumë...

 

MËSUESI

Po edhe gjyshet gabojnë ndonjëherë. Gjyshja ime qante hallin se me ç’punë do merresha unë kur të rritesha, se si shumë mendoja...

 

MIKI

E, plaka ime dinte ç’thoshte, Zoti e ndjeftë. Nuk e shqetësonte fakti që unë mendoj, por se po mendon një njeri që ka tjetër punë për të bërë. Mendimtarët nuk dalin nga familje si e imja. Ne pillemi për të bërë pastrim, për të ndenjur gatitú, për ta mbajtur kokën ulur... Jo për ta lodhur me mendime...

 

MËSUESI

Puna e rinisë – gëzimi i pleqërisë.

 

MIKI

As e kundërta s’mund të hidhet poshtë... Zaten, kur shoh sa të plogët janë fëmijët e mi, Zoti më faltë, mendoj se vërtet janë pjellë pa fëmini, pa rini. Atëhere ia hyj punës me themel, si i thonë, bile me mllef, se më duket sikur plehërat ma kanë fajin. Ashtu edhe heq mendjen...

 

MËSUESI

Uri – bukuri... Ta mbaj shënim, se kam filluar të harroj...

 

MIKI

Po akoma s’keni moshë për harresë, zoti Mësues...

 

MËSUESI

Moshë s’kam, por plehërat shtohen me shpejtësi marramendëse.

 

MIKI

Po, pra, me gjithë mend... Vjet sikur robtohesha më pak... Kurse kur isha e re... vallzoja, nuk pastroja... Por do jetë ca edhe punë kockash, besoj...

 

MËSUESI

Edhe punë kockash, patjetër. Unë... që jetoj në mërgim... e njoh mirë këtë punën e kockave... Ka një shprehje shqipja: mblodhi kockat në shtëpi...

 

MIKI

Ua, sa bukur! Si me qenë fjala për kockat e ndonjë shënjtori...

 

MËSUESI

Stolat i keni fshirë edhe dje, mund t’i lini ashtu...

 

MIKI

Jo, jo, se m’i heq veshët shefi. Pale po kërcen edhe ndonjë nga këta plakushët dhe më padit se bën punën time kur ulet. E kisha fjalën për zonjat dhe zotërinjtë...

 

Mësuesi buzëqesh.

 

MIKI

Edhe dy minuta, mbarova.

 

MËSUESI

Jeni në kohë.

 

MIKI

Jo, jo, se këta janë të përpiktë si mortja, Zoti më faltë. Vijnë në kohë, se nuk rrinë dot në shtëpi.

 

MËSUESI

E kam dëgjuar atë fjalën e këtushme: „Mortja të kërkon në shtëpi, ti bredh udhëve...” E përsosur.

 

MIKI

Jo, zoti Mësues, nuk i kërkon vdekja asgjëkundi. Nuk vdesin kollaj të këtillët, se janë regjur nën komunizëm... Vuajnë se, duke ndenjur në shtëpi, u kujtohen të gjitha borxhet, faturat, këstet... Po sidomos ëndrrat që kanë vrarë vetë dhe tani u dhembin sikur t’ua ketë vrarë tjetërkush... Edhe unë kështu bëj. Nuk më vjen fare të kthehem në shtëpi. Ose kthehem duke menduar se po shkoj të mbyllem në qivur.

 

MËSUESI

Mbledhje kockash...

 

MIKI

Po, po, mbledhje.

 

Dëgjohet një këmbanë sahati.

 

MËSUESI

As që e dija se paskemi edhe sahat këtu... Apo tingëlloi në ndonjë zyrë tjetër?

 

MIKI

Po si mendoni, zoti Mësues: ka kuptim t’ia hyj mësimit të ndonjë gjuhe të huaj? E di që s’ka vend për pastruese jashtë shtetit, por mbase im bir, ose ime bijë... martohen me të huaj... dhe atëhere... Mbase do kem nipër a mbesa dygjuhësh...

 

MËSUESI

Gjuha e huaj mësohet më mirë në dimër, në mërgim dhe në burg. Por ndodh që të tria bashkë të quhen thjesht jetë dhe të mos i ndjesh si të ndara... Çështja është se ende nuk dini gjuhën e dhëndrrit dhe të nuses së djalit...

 

MIKI

Ashtu është. Tani kam vetëm dimrin dhe jetën si burg. Po m’u rrit edhe kësti i çatisë që ndreqa vjet, do ndihem tamam si në mërgim...

 

MËSUESI

E tillë është kjo jetë: metaforat na mbajnë, metaforat na rrënojnë...

 

MIKI

Se i shoh nxënësit tuaj çdo javë, si të them... E kanë një hall këta njerëz, mendoj, përderisa dalin në mot të tillë. Hall më të madh se tmerri nga ëndërrat e bjerrura... Se kjo ciknë e mban mbyllur edhe mortjen, apo jo? Sidomos tani në dimër, kur dita zgjat sa një teshtimë...

 

MËSUESI

Shkruani poezi?

 

MIKI

Jo, por lexoj ndonjëherë për të hequr mendjen. Pastaj çuditem ku e çojmë mendjen, se vetëm e heqim...

 

Mësuesi pohon njëfarësoj i mahnitur nga mençuria e Mikit.

 

MIKI

Po nga këta plakushët nuk e heq dot mendjen. Edhe tani pyes veten: është uri, apo lakmi? Se atje ku s’ka uri, ka lakmi... (Tund kokën me njëfarë zvjerdhjeje) Se ç’ne kjo gjuhë e huaj me një këmbë në varr tani?! Ç’u duhet?! Për botën tjetër?

 

MËSUESI

Për të gjitha botët e mundshme. Gjuhën duhet ta dinë, se përndryshe del ndokush dhe i padit që s’janë, por vetëm hiqen si shtetas me prejardhje të huaj.

 

MIKI

Lëmsh janë bërë gjërat tani. Robi mund të hiqet e të shpallet çfarë t’i vijë për mbarë.

 

MËSUESI

Por kanë edhe një arsye tjetër. Të parët e tyre, që tashmë ndodhen matanëkëtë kanë gjuhë amtare. Është një ndarje e dhimbshme. Se këta i duan me shpirt ata të ikurit dhe shpresojnë t’i takojnë matanë. Përfytyroni sikur po takohen dhe nuk dinë gjuhën e shoshoqit.

 

MIKI

Po unë kam lexuar se vetëm tetë-për-qind e gjërave shprehen me fjalë, zoti Mësues. Gënjejnë revistat dhe gazetat?

 

MËSUESI

Kurrë!

 

MIKI

Pjesën tjetër e shprehim me shenja. Le të merren vesh me shenja.

 

MËSUESI

Atëhere kundërshtarët do t’i paditin pó me shenja...

 

MIKI

E dini se edhe unë u flas me shenja ca njerëzve që i kam dashur?

 

MËSUESI

Me ndonjë aktor të famshëm, ose poet, ma ha mendja...

 

MIKI

Uaaa, po nga e kuptuat, zoti Mësues?!

 

MËSUESI

Nga shenjat tuaja...

 

Qeshin dhe ndezin nga një cigare.

 

MIKI

Si shumë po vonohen nxënësit sot...

 

MËSUESI

Kanë kaluar vetëm tri minuta nga ora e takimit.

 

MIKI

Tri, tri, por këto janë minuta Ballkani. Të shpresojmë se s’ka ndodhur ndonjë...

 

MËSUESI

Të gjithëve në të njëjtën kohë?!

 

MIKI

Po këta janë të lidhur si me mallkim, zoti Mësues. Kur këputet njëri, mblidhen të gjithë. Ne të tjerët jemi përçarë si mos më keq.

 

MËSUESI

Kështu ndodh ndonjëherë: disa njerëz nisin e kuptohen aq mirë me shoshoqin, sa një ditë gdhihen të gjithë njëlloj...

 

MIKI

Shumë e fortë. Tuajën e keni, apo nga leximet?

 

MËSUESI

Hëpërhë e kam timen. Por pas ca vjetësh mund të shkruhet se, para meje, e kanë zbuluar disa profesorë të famshëm perëndimorë, ose e ka thënë zoti Kryetar i Bashkësisë, Kimet poeti, zv.kryetari Tiku etj... Pa llogaritur zonjat...

 

MIKI (Buzëqesh)

Por as e kundërta s’duhet përjashtuar.

 

MËSUESI

Domethënë?

 

MIKI

Që gdhihen njëlloj edhe pasi s’janë marrë vesh kurrë gjatë jetës.

 

MËSUESI

Atëhere nuk e përjashtojmë. Ndoshta të kuptohesh dhe të grindesh janë e njëjta gjë...

 

MIKI

E bukur, e bukur... Ika, se ju lashë pa punë.

 

MËSUESI

Pa pritje.

 

MIKI

Ditë të mbarë ju uroj. Herën tjetër do t’ju bëj një kafe të paharrueshme.

 

MËSUESI

Meqe ra fjala për kafe... Pashë se ka mbetur në sirtar një pako kafe, s’di kush e ka sjellë.

 

MIKI

E ka sjellë ndonjë dallkauk, se është kafja më e lirë që gjendet. As derrat s’e pijnë dot... Do t’ju bëj kafe nga e imja, s’e ka shoqen. Se kaq jam robtuar unë në këtë jetë, sa t’i lejoj vetes kafe mbretërish. Apo jo?!

 

Del.

 

Ulet një perde e bardhë, me shenja e simbole.

(...)


Homo ex machina