"M’u fanit në mendje fytyra vërtet e paharrueshme, prej rosaku të shartuar me mëz, e Ujerës, fytyrë që, s’di pse, më zgjonte njëfarë malli. Edhe fundërrinat mbajnë më pak erë të qelbur kur i sheh të gërshetuar në nyjen e madhe të një jete që ka qënë edhe e jotja. Nuk e kishte vrarë askush. Kish ikur Haki dhe qe kthyer pas ca kohësh Alberto. Askush nuk e kërcënoi me vdekje, por ai iku sërish. Heraherës dërgonte karta. Po digjem në Romë. Po digjem në Milano. Po digjem në Vjenë. Kish ikur Alberto dhe qe kthyer për disa ditë si Hans. Pastaj kish ikur Hans e qe kthyer Habib. Kish ikur Habib e qe kthyer Alqiviadh. Ndërkaq, pati kohë e përkushtim të digjej therrorisht në Stamboll, Sofje, Bukuresht, Riad, Bon e ashtu me radhë. Pati kohë të kthehej herë i rrasur në raso, - e të shpërndante Biblën në ca zona të thella, ku kishte më shumë kisha e famulli, se banorë, - herë i fundosur në xhybe, - e të përhapte Kur’anin Glorioz në ca zona të thella, ku kishte më shumë muezinë, xhami, tyrbe e dervishë, se sa besimtarë, - herë në kostume ngjyrash e trajtash të ndryshme, me jakat plot stema shoqërish bamirëse, okulte, aristokratike, blerë nëpër tregjet me vjeturina. Pastaj kish ikur Leonidhë e qe kthyer John. Kish ikur John e s’po kthehej. U gjysmua numuri i pleqve, u trefishuan plehërat - ai hiç. As karta, as habere, as të fala, as ndonjë fjollë hiri nga altari ku, logjikisht, duhej të digjej ato kohë. Ca sehirxhinj të realiteteve historike kishin vënë baste të majmë se, po të kthehej, kësaj here do të vinte si Yamamoto, Prishnamurti, Ha Ki Neng, ose diçka e ngjashme. Do t’i jetë mbaruar ajo lafsha sa një çitjane, qe zgërdhirë atëhere njëri nga nëpunësit pa emër të Doganave. E përethur, e pashtershmja gurrë popullore, nisi atëbotë në kërkim të tij një përrua plot flluska të ylberta:
Përroi e kërkoi gjer në bythë të dreqit, si i thonë, e kërkoi gjer i plasën flluskat, por s’i ra që s’i ra dot në gjurmë. Qe ngujuar atje ku as plumbi, as loti, as syri i vdekatarit dhe i jetëmëdhenjve s’të gjen. E kur vërtet askush s’e priste më Haki Ujerën, kur askush s’kish ndërmend t’i zinte pusí, u kthye. Cullufet e iriqta anës veshëve dhe rrëzë qafës i kishin marrë ngjyrën e një zjarri të butë, mençurak, huajtur nga altari. Krenar dhe i vetëdijshëm për vlerat e veta si gjeldeti për gushën e mbushur me popla bukëmisri, veshur shik, me një tog diplomash e medaljesh në trastë, i përvëluar për fatin e kombit e të shqiptarizmës, por edhe për fatin e mërgatës së përçarë si mos më keq, me dhjetë vëllime poetike në një tjetër torbë, me celular e unaza floriri, nismëtar, krijues dhe pronar i vetëm i një perandorie të vërtetë internetike, me gjuhën që kish mësuar tanimë të mos fryhej verbtazi, me vend e pa vend, - ndonëse papagalli Tarzan i pat lënë pendët me kohë, - por edhe me një pullë pakashumë të qelbëzuar në çip të ballit, njëfarë ylli cepashkrirë, të cilin e ngjyente ditenatë me një pomadë xherahësh dhe që siduket ishte shortcut-i i të pamposhturit pediculis pubis, që ia kish vënë vulën e përjetshme në ndonjë nga kuplaratë e panumurta të rruzullit. E prapë s’e vranë. Por të paktën i kishin thurrur një këngë. Atëhere, i zvjerdhur dhe i helmuar nga shpërfillja e trutharëve të shitur që mbanin mëmëdheun peng, Shkrumbehija u turr ta bënte shkrumb e hi vetë fatin nëpërmjet Internetit. Ishte i thyer në moshë tani, mbështjellë nga ajo suvá e rreme rinie të pambarueshme e një pjese të mirë meshkujsh që s’kanë kaluar mes tirës së skëterrshme të martesës. Por mosha dhe pamja nuk e stepën të mësonte një anglishte mjaftueshëm të çalë, por edhe pleshtane, të padënueshme, dhe të bëhej usta i rrallë në lëmin e internetit, në atë rruzull hiri vezullues, aromatik e magjepsës, ku nuk ngurroi të sajonte njërën nga më të fuqishmet kështjella-shtet të internetit. Ishte po aq e fuqishme, sa ç’ishte edhe e rreme. Po të ikte korrenti, ose po të çartej kompjuteri, kështjella-shtet të linte shëndenë. www.haku.al - kështu ia vuri emrin. Po të mos kishte qënë gjithaq i rremë sa edhe në mëshirë të korrentit dhe të babëzisë së viruseve, shteti i Shkrumbehisë do të ishte bërë mishërim i ëndrrave të gjithëkohëshme të njerëzimit. Kishte themele të pamatshëm, mure të trashë, të patundur, flamur mbarëkombëtar, stemë, kuvend popullor, parlament, presidencë, komitete, komisione, ngrehina të panumurta, tempuj fetarë, ushtri dhe disa zgjoje shërbimesh të fshehta. Kishte dalje të fshehta, depo armësh nga më të koklaviturat, përfshi ato baktereologjike dhe me kufoma kafshësh të helmuara, depo mallrash, depo ushqimesh, si dhe një rrjetë tunelesh, daljesh të fshehta, bunkerësh nëntokësorë e qiellorë, që vetëm ai dinte ku dilnin. Të gjitha i drejtonte dhe i popullonte i vetëm. Kishte përvojë sa të gjithë ata që i patën qarë hallet gjatë jetës dhe që i pat përjetësuar nëpër dosje. Shteti kishte edhe agjencinë e vet të lajmeve, e cila ndëshkonte në anglisht bashkatdhetarët që s’dinin gjuhë të huaja dhe përbaltte në shqip mërgimtarët që kishin harruar gjuhën amtare dhe të huajt që e mbanin me bukë të farmakosur kurbeti. Tashmë kishte bindjen e hekurt se në ekranet e NASA-s, që s’linin gjë pa parë mbi e nën tokë, njeriu-shtet Haki.Al kishte trajtën e një yllke shkëndijuese. Po cila të jetë, vallë, kjo yllkë, habiteshin Nasaistëst e rregjur dhe iu vinte të bënin kryqin apo shenja të tjera mahnitjeje. Duhet të jetë ndonjë togë ëngjëjsh, apo njerëzish mjaft të përkorë. Se aq dritë, aq dritë e kësaj natyre, s’ka ndodhur gjer më sot të burojë nga një qënie e vetme. Dhe emrat e nofkat brenda tetë lëkurëve të rrogozta të Hakiut kërcenin e kërcisnin si gështenjat mbi mangall". (...)
- Definitively closed!
Ku të mbyteshe?"
(...)