Ai – i gjatë, i bëshëm dhe i palodhur në shtrat, por edhe i brishtë, kuptues, kavaler, hyri në shtëpi dhe e puthi. Ajo i mori xhaketën, ia vari në portmanto, vajti të shtronte tryezën. Ai hoqi këpucët dhe nxorri një ofshamë çlodhjeje. Nuk i mbanin erë çorapet. Pasi ajo shtroi tryezën dhe shtiri gjellën dhe preu bukën dhe solli ujin, ai lau duart me sapun, veshi rrobat që mbante në shtëpi, lau duart për së dyti, u ul në karrike.
Teksa hanin, ai tha:
Ç’bëre sot jam lodhur vapë e tmerrshme dimër qensh shi i qelbur ç’të sëmës ptu nuk ia vlen barra qiranë ku është birra që bleva dje pse nuk është piceta ime jo çorapet nuk mbajnë erë ç’është kjo mjaullimë ku e ke mendjen ata të punës më mbajnë nëpër gojë të zotin e mbajnë nëpër gojë kjo është e qartë hm sill ca kripë kripa duhet të jetë këtu ku e ke kokën dëgjon si ia kalove sot ëhë më ka dalë shpirti me ata tuhafë ç’të sëmës do t’u le shëndenë gjakpirësave nuk rrihet më ka marrë fund ai muhabet më shumë merr një fshesaxhi ptu të vjen t’ia heqësh vetes sill ca ujë mineral hm.
Pasi mbaruan së ngrëni, ai u shtri dhe mori një sy gjumë.
Pasi fjeti tri orë e një çerek, ai kërkoi një kafe.
Kur ajo i çoi kafen, ai nxori një cigare dhe e ndezi.
Ai piu dy cigare duke rrufitur kafenë. Gjatë dy cigareve, tha:
S’ke ku mbytesh parqet janë plot me çifte e me baxhella hm kinematë japin vetëm filma mizerje të vjen t’ia heqësh vetes restorantet kanë ca çmime që t’i ngrenë leshtë përpjetë në ç’të sëmës po na çojnë kështu pthu kafeja ishte ca e ëmbël rrezik i ke shtënë dy herë sheqer të kam thënë se dua gjysmë luçke sheqer në kafe asnjë kokrrizë më shumë hm po ti e ke kokën shkëmb bën si di vetë mos më hesht kështu si gur varri.
Pas bisedës, u bë natë dhe shkuan të flinin.
Gjatë natës, ai e zhveshi dhe bëri dashuri.
Pasi bëri dashuri, ai veshi brekët, u kthye në anën tjetër dhe ra në gjumë. Ai nuk gërrhiste shpesh, nuk fliste asnjëherë në gjumë. Shikonte vetëm ëndrra me pendë zogjsh të zbutur. Nganjëherë rrotullohej sa në një anë në tjetrën, hidhte kuturu ndonjë shkelm, pastaj platitej. Ajo ngrihej në majë të gishtave, e kujdesshme që të mos ia cënonte gjumin, dhe hapte sirtarin e komodinës së vet. Merrte që atje një bllok të zi, me kapakë lëkure, mbi të cilët ish vulosur urimi për një nga vitet e rinj që kishin kaluar, nxirrte nga çanta një stilolaps dhe shkruante. Ishte blloku i fjalëve dhe i shprehjeve të reja. Gjatë aq viteve martesë kishte mbushur katër faqe e treçerek.
Atë natë shtoi edhe tri fjalë e shprehje të reja:
1. ptu
2. hm
3. ç’të sëmës
1991