"Si" - teatër

[onLine]

Synopsis


Gjatë një mbrëmjeje të rëndomtë, me fara, birrë e thashetheme, anëtarët e familjes së z. Gani gjenden të ngujuar në shtëpi. I çuditshmi Ani i ka mbyllur brenda dhe synon të sqarohet me Ganiun për një firmë që ky e ka vënë vite më parë, në njërën nga zyrat e shumta ku ka punuar. Ani nuk le të kuptohet nëse vjen nga jashtë shtetit, apo nga një lagje tjetër e kryeqytetit, por ka sjellë me vete një si-libër që mund të jetë minë me sahat, ose një si minë që ka trajtë libri. 
Dramë e paaftësisë në pushtet dhe pas tij, “Si” është edhe një himn kushtuar Metaforës dhe atyre që i shërbejnë, jo rrallë duke u flijuar, të paktën metaforikisht.
Deri në mbyllje të ngjarjes nuk vdes asnjëri nga të pranishmit, mbase as në sallë.

Autori


/ II.

ANI
Kjo ngjarje nisi shumë kohë më parë, ndonëse sot gati të gjitha ngjarjet janë pa rrënjë. Ato nisin sot dhe mbyllen pas një ore, ose e shumta nesër, a pas një jave... Për fat, ngjarja ime filloi qysh kur isha në kopësht dhe u thashë bashkëmoshatarëve se qielli është det dhe deti qiell. Nuk e di më erdhi, por ashtu besoja. Ata s’para i dinin këto fjalë, por nuk i gjykoj. Vitet kaluan shpejt dhe njerëzia më damkosi të shkalluar. Bota mbarë kish marrë tatëpjetën dhe, po ta mendosh me qetësi, ata kishin gjithnjë e më pak gjëra që t’i ndihnin të ndiheshin mirë. Një nga këto gjëra ishte çmenduria ime... Besoj se isha në gjimnaz, kur e dashura e parë më bëri lanet për të njëjtin shkak, - po e quaj tepri metaforash, - ndonëse pó ajo tepri e pat hedhur në krahët e mi... (Ndez një cigare pa e lëshuar librin nga sqetulla) Kështu ndodh në shumicën e rasteve, dihet. Në fillim i magjeps fjala, por pastaj nuk ngopen as me vepra... Nejse... Është e vërtetë që unë shpikja ngjarje dhe qënie, aq sa ndonjëherë më vinte ndoht nga vetja, por e them hapur se as nuk rrezikoja kënd, as nuk më kishte njeri halë në sy. E megjithatë pyes veten: çfarë tmerri i mundshëm, çfarë makthi më bindi se duhej edhe të nisja të hiqesha si i çmendur?! Gjatë viteve të mërgimit kam gjetur përgjigje të ndryshme.

RUDOLFI (Ngrihet dhe i avitet anash, me shumë mirësjellje)
Ai libri që keni aty...

ANI
Po, po, nuk ju kanë gënjyer. (Me vete) E adhuroj këtë lloj shumësi! (Rudolfit) E kam hartuar me duart e mia. Kuptohet: e kam punuar fillimisht në kokë, gjatë netëve të stërgjata, ose tejet të shkurtra, të mërgimit. Mbase nuk e keni parasysh. Koha më e durueshme në mërgim është muzgu, ulja e mbrëmjes. Se atëhere gjërat dhe qëniet duken më pak të huaja... Por as gjatë atyre çasteve kafazi rreth teje nuk është krejt i durueshëm. Se të batërdisin malli, pamundësia për të qënë atje ku do, ose pranë atyre që do... Keni vuajtur ndonjëherë qençe që nuk jeni zogj?! (Ul kokën dhe vështron këmbët e veta) Si libër e kam hartuar. Si kryvepër me dashuri, me mall, me mërgim e kthim. E hartova atje, por e mishërova këtu, si me thënë. Nuk them se, po të mos më kishit shitur, nuk do ta kisha hartuar edhe këtu. Por ndodhi ta hartoja atje. Edhe që të mos ma kapnin në doganë, edhe ngaqë besoj me gjithë shpirt se arma e rëndë në vend të vet... (Tregon drejt Ganiut dhe Nexhit) Të parët tuaj, por ndoshta edhe ju, nuk donit të jetonim në të njëjtin vend, ndonëse nuk më njihnit; nuk besoj se doni që ta flemë të madhë në të njëjtën kohë... Se ky si-libri ka një fuqi që... Më saktë: ky libri është si minë – dhe kjo mina është si libër...

RUDOLFI
Aha, e qartë... Nuk e kisha me...

ANI
Dhe s’do ta kesh kurrë. (Me vete) Njëra nga arsyet ishte dhuna e kësaj hapësire. Dhuna dhe servilizmi i frikshëm. Dhuna që ushtronin njerëzit pikërisht me mënyrat që kishin zgjedhur për t’iu shmangur asaj dhune. Dhe servilizmi që përdornin për t’u shkatërruar mesveti... dhuna që hiqej si jetë, dhe servilizmi që trajtohej si mirëkuptim... Por mund t’i emërtojmë edhe egërsi, djegie etapash, etje e pakontrollueshme për t’u dukur, ose për të fshehur atë që duhej nxjerrë në pah... (Të tjerëve) Po më ndiqni?

RENATA
Po, po...

ANI
Herë të tjera bindesha se më shtyu arti... Një art që vlonte brenda meje, por të cilin nuk e shprehja dot as me shkrim, as me ngjyra, as me nota muzike, as në shtrat... me të dashurat... (Ganiut) Ty mund të ta zgjojë kërshërinë përmbajtja e si-librit,profesor... E di si e hartova? Siç u mblodhët ju të rëndomtët dhe u bëtë trup i vetëm... për të degdisur sa më larg e sa më gjatë aq të panjohur, shumica pa u dirsul mustaqja... ashtu i mblodha unë mbeturina, erëza, lëngje... dhe ja ku kemi në mest tënë këtë kryeveprë... (Të tjerëve) Si edhe ju, secili përbërës më vete është të paktën i pranueshëm. Si çdo ushqim i marrë veçmas. Ama, po i bashkove në një mënyrë të caktuar... Mos harroni një mësim të madh nga mërgimi jashtë a brenda, ju lutem: Nuk ka rëndësi çfarë e kë përdor, por si e vendos... A nuk kemi ne tani të drejtë, rrezik edhe detyrë, që të bindemi se autorë janë (Me ton anglishteje) shoku Gun-i me shokë dhe jo unë?! /