Om cu capul în nori / Njeri me kokën në re - Photo A.-Ch. Kyçyku, Paris 2019 |
I moshuari Pano Mima, - që shpesh paraqitet si “Armiku më i rrezikshëm, ose Ai që harrohet”,
- hedh në gjyq shtetin për mospërfillje, kur zbulon se dosja e tij prej
shtetasi ende gjallë nuk ka më tepër
se tri fletë. “Njëra faqe
përmban një jetëshkrim që ia kishin kërkuar kur e merrnin në punë. Aq. Asnjeri
nuk e kish ndjekur, asnjeri nuk e kish spiunuar, asgjë. Sikur të mos qe pjellë
kurrë. Këto fletë janë njëra pjesë e dëshmisë sime, tha, ndërsa pjesa tjetër
jam unë. Peshojeni vetë çështjen: më një anë tri fletë, më anën tjetër unë...
Jam gjallë, i kam kaluar të shtatëdhjetat, jam i martuar, kam grua e fëmijë
tashmë të rritur, nipër, mbesa; kam komshinj prej një jete, kunetër, kunata,
baxhanakë, ish-shokë shkolle e pune, disa smirëzinj (por as këta nuk më kanë
paditur për gjësendi) dhe ca miq që, njëlloj si armiqtë, nuk kanë shkruar asgjë
kundër, apo pro meje...”
Pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh, Pano Mima e fiton gjyqin dhe duhet të marrë
një dëmshpërblim prej 300 mijë eurosh. Por atij nuk i duhen të hollat. Pas
bisedash të fshehta, bie në ujdi me zyrtarët që, në vend të parave, t’i plotësohet
dosja. Për këtë zgjidhet Rrok Tupana, një shkrimtar mesatar, që dikur hartonte kujtimet
e udhëheqësve dhe të veteranëve me famë.
Në plotësimin e dosjes përfshihen hap pas hapi, herë vullnetarisht e herë
me mëditje, fqinjë, të njohur, të afërm, bashkëshortet, prindërit që kanë ndërruar
jetë dhe e dashura e parë e Pano Mimës.
Nuk dihet sa ditënetë a vite kalojnë, mes mëdyshjesh e hamendjesh,
derisa protagonistët kuptojnë se sa peshë ka arritur të ketë fjala dhe se sa e ç’fjalë
ka në këto kohëra pesha e ngjarjeve, emrave, njerëzve. Pjesa e padukëshme e
fjalëve i ndihmon të mos vdesin më “të
paditur se kaq”, por jo më të ditur nga sa duhet.
Autori
Bukuresht 2019
* Së shpejti