Zhvendosja e shkrimtarit: mes dëbimit dhe dërgimit / Trialog



I. 1. Mërgimi është sot ngjarja kryesore që shndërron e përcakton jo vetëm ecurinë e jetës së një njeriu, apo të një bashkësie, jashtë e brenda trojeve të lindjes, por edhe të disa popujve që, sikurse shqiptarët, kanë histori të rëndë, gjuhë të lashtë dhe letërsi të re. 
Në lashtësi, vrasësve, ose fajtorëve që as mund të dënoheshin, as të faleshin, u jepej si një mundësi (jetë) e dytë largimi nga trualli, nga bashkësia, nga vështrimi i sivëllezërve. Rrugëtimi i fajtorit përkatës duhej të kalonte përmes zonash krejt të pashkelura, ose plot me kafshë të egra, hone, shkrepa, shkretëtira, bashkësi të huaja në gjuhë e sjellje etj, me detyrim kthimin gjallë. Nëse arrinte të kthehej gjallë, dëshmonte se nuk pat qënë fajtor, ose jo aq fajtor sa dyshohej. Në të kundërtën, vdekja, pavarësisht nga trajta e saj, përfshi arratinë apo fshehjen gjer në vdekje, pra moskthimin, ishin dëshmi të pakundërshtueshme të fajit.
Mendësia e sotme mund ta damkosë si të çuditshëm ndëshkimin me mërgim, - ndonëse shpesh krerët shtetit e kanë përdorur dëbimin për të shpëtuar nga prania / hija e rivalëve, pa njollosur ndërgjegjen duke i vrarë, por kjo dëshmon se sa afër, madje sa e ndërthurur ishte mençuria njerëzore e lashtësisë me natyrën dhe me forcën e gjërave, që shpesh emërtohet fat. Kur risia në mendim, art e besim, bashkë me forcën e mirëfilltë të letërsisë, nisën të shqetësonin vërtet pushtetin, ndëshkimi i mësipërm u ushtrua edhe mbi mendimtarë, shkrimtarë, murgj etj.
Mërgimi mund të jetë ikje, arrati, dëbim, ose dërgim, por në çdo rast zhvendosja nga gjiri i bashkësisë dhe dalja e dikujt në krejt pjesën tjetër të botës, - në mes të katër udhëve, thotë populli, ndonëse janë më tepër se katër dhe jo gjithmonë të drejta, - mund të jetë më shumë se vdekje, dhe, të paktën në fillim, mbetet më pak se jetë. 


Shkrimtari i parë që thuhet se u ndëshkua me syrgjyn nga Oktavian Augusti[1] për shkak të një vëllimi poetik (Ars amandi) ishte romaku Ovid (Ovidiu Publius Naso). Të dhënat dëshmojnë se asnjëherë ky lloj dënimi, - me pasoja të papritura e shpesh vegimtare për letërsinë, - nuk ka vetëm një shkak. Faji i vërtetë rëndom fshihet përtej arsyeve të shpallura publikisht, por letërsia që buron gjatë dhe pas ngjarjes ia shndërrojnë vlerën dhe e përfshijnë brenda fatit letrar. Edhe për dëbimin e Ovidit qarkullojnë bindje se poezia e tij shqetësonte më pak në krahasim me dyshimet ndaj zotave të sajuar dhe me besimin në një Zot të vetëm, të gjallë e pa mort. Duke gjykuar nga veprat që shkroi si mbi një urë të lëvizëshme (dhe / ose pezullí) gjatë udhëtimit[2] drejt tokës së detyruar, - që iu duk vendi më i trishtëm në botë, - por edhe pas mbërritjes, vihet re se Ovidit nuk iu fashit për asnjë çast malli ndaj Romës dhe jetës nga e patën shkulur. Duket se ai e parandjeu vdekjen larg vendlindjes, përderisa vargjet e parë të Elegjisë I, në vëllimin „Të trishtmet“ (këngët) [Nisu, libërthi im, drejt atdheut! Shko! / Kështu paska qënë e thënë, të kthehesh vetëm ti / E unë të mbes po vetëm, unë – autori yt / Përmbysur krejt nga malli e nga keqardhjet varg][3] përshfaqin një arrati të brendshme, plot hidhërim, por edhe vetëdijë, drejt shndërrimit nga shkrimtar në libër, gjë që u ndodh edhe sot jo pak autorëve të mërguar.

Nuk është e gabuar bindja se shpërngulja e autorit më tepër ka zgjeruar hapësirë dhe ka shtuar paqen e atyre që nuk e kanë dashur mes tyre, se sa ka trishtuar me mungesë të tjerët. Pakti i zgjerimit të hapësirës për të parët nënkupton gjithmonë zgjerimin e hapësirës krijuese për shkrimtarin. Sidoqoftë, edhe kur ka vuajtur pa shërim gjer në fund, edhe kur është tunduar me mirëqënie nga ajo që mpin çdo aftësi a etje për pushtet politik, edhe kur është kthyer kohë më vonë në trojet e lindjes, mërgimi (syrgjyni) ia ka shpëtuar autorit jetën, ia ka trandur veprën, herë duke e pasuruar, herë duke e fikur.

Para e pas Ovidit, për shkaqe kryesisht historike, popullsi të tëra u detyruan të braktisnin trojet dhe ta rindërtonin jetën e dikurshme në hapësira të huaja, shpesh kryekëput të ndryshme nga vendlindja. Për disa syresh, mërgimi zbuloi thesare mbijetese, që i frymëzuan zëdhënësit e tyre të ngulmonin se vetë Zoti, para se të krijonte botën, fillimisht u mërgua prej saj. Në esenë e tij kushtuar Kabalës lurianike, Gershom Scholem-i[4] shkruan se Isaac Luria[5] guxoi të shprehej se vetë Zoti e pat bekuar Mërgimin, duke qenë i gatshëm të mërgonte. „Luria ishte më kategorik se marksizmi dhe ekzistencializmi, që u përqëndruan gjerësisht mbi arsyen e mërgimit dhe të huajsisë në art. Ai mendonte se pasoja e drejtpërdrejtë e mërgimit të Zotit, e tërheqjes së Tij në brendinë e Vet, ishte Krijimi. Teologët tradicionalistë shpjeguan edhe thelbin dramatik të Krijimit si një rrezatim, përjashtësim, projektim në hapësirë i energjisë hyjnore, creatio ex nihilo. Duke ndjekur logjikën e konceptit të Luria-s, ngujimi, mbyllja e Zotit në Vetvete, çuan në çlirimin e hapësirës së parme nga ku mori jetë bota konkret-ndjesore. Përmes mitit të tërheqjes së demiurgut në vete, Luria dhe dishepujt e tij zbërthyen nga ana teologjike një sërë ngjarjesh e dukurish dramatike, me pasoja tragjike: vendosjen e Inkuizicionit, dëbimin e hebrenjve nga Spanja në vitin 1492 etj[6].
Në mesin e shekullit XX, Vintilă Horia, në romanin vegimtar „Zoti është lindur në mërgim[7], duke hartuar një ditar apokrif të Ovidit, u shpreh se Zoti është lindur në mërgim dhe nxori me atë rast në pah edhe thelbin e shpirtërimit ballkanas, ku Zoti s’mund të lindej, sepse s’kish kush ta kryqëzonte.
Veç hebrenjve, - që patën forcën të mblidhnin për shekuj me radhë perlat e mendimit dhe të besimit njëzotësh dhe të hartonin “Talmudin” e libra të tjerë me vlera themeltare për qytetërimin, - armenët, grekët, italianët dhe popuj të tjerë i ‚pushtuan‘ trojet e premtuara / detyruara, secili me mënyrat e veta, por duke përdorur në radhë të parë gjuhën, si ana e dukshme / e dëgjueshme e Kujtesës. Sepse s’mund të ringjizësh një jetë nga e para pa ndihmën vendimtare të Kujtesës, madje as kur nis ta ngjizësh atë jetë  e me një gjuhë të huaj. Pikërisht për këtë arsye, toka pritëse quhet E Premtuar edhe kur është E Detyruar: shumica e mërgimtarëve jetojnë mbi të, ose varrosen nën të, duke qënë me shpirt, me gjuhë e me kujtesë në tokën nga janë shpërngulur. Ndoshta si një dëshmi e rëndësisë që ka lidhja mes truallit të lindjes dhe njeriut që mërgohet, është çmimi tejet i lartë për kthimin e trupave të atyre që vdesin në dhé të huaj.

Një rast krejt i veçantë në historinë e Mërgimit është eksodi[8] i arbëreshëve, që vinte si pasojë e dyndjes osmane dhe që, nga një pikëpamje, u shpëtonte gjuhën, kujtesën dhe lirinë, me çmimin e ikjes nga trojet. Mërgimi arbëresh u shndërrua në një mundim shekullor për ri-krijimin e dyfishtë të atdheut: në një truall tjetër dhe në një ëndërr për rindërtimin e tij atje ku mbeti, pavarësisht se mes ëndrrës dhe atdheut ndehej deti. Nëse do të hartohej ndonjë enciklopedi vetëm e Mërgimit, arbëreshët do të duhej të zinin atje një vend nderi, ndonëse edhe enciklopeditë, sikurse historitë, zakonisht shkruhen nga fitimtarët. Shkëputur dhunshëm nga trupi i kombit, me detin[9] mes një ëndrre të humbur dhe një ëndrre për kthim, ose për mbijetesë, mendësia e një bote që nuk e njeh sa duhet Mërgimin do t’i kish përfshirë arbëreshët ndër të mundurit. Mirpo Mërgimi – ngjarje e shumëfishtë, me rrënjët njëherazi në tokë e në qiell, ka tjetër fjalor, ku shpesh, në leximin e një fjale apo fjalie duhet kuptuar e kundërta, ose të paktën zgjatimi i saj metaforik dhe / ose poetik. Arbëreshët patën bekimin të nisin një tjetër histori të kombit, si një ishull shqiptarie në vorbullën e detit latin, duke e kthyer Detin Adriatik në një metaforë, duke ruajtur e përkryer gjuhën amtare, doket, themelet shpirtërore dhe mjeshtërinë, ose dhuntinë e shqiptarit për t’u përshtatur e për ta marrë shpesh jetën nga e para.
Kur sjell ndërmend letërsinë e jashtëzakonshme të arbëreshëve, thesarin e tyre me fjalë të urta, metaforat që nuk gjenden në asnjë letërsi tjetër, shkëlqimin e tyre të brendshëm që i mban gati në një kohë me lashtësinë greke e romake, apo me klasicizmin evropian, më vijnë në mendje pashmangshëm edhe dy vargje të Jeronim de Radës, rreth një vajze që pat ikur matanë një lumi (të kohës, të historisë?!): Siç jeton ajo andej / ashtu rrojmë ne pas vdekjes...
Në njëfarë mënyre, arbëreshët rrojnë si ne pas vdekjes sonë, ose si shqiptarët në një të ardhme globale, dhe ne tani rrojmë si ata pas vdekjes së tyre, bashkuar në shqipen e përhershme dhe në të njëjtin shpirt që nuk njeh dasi gjeografike, apo historike.

Dihet se çdo mërgimtar merr me vete në kujtesë jetën e tij të para-çrrënjosjes, qëniet, shijet dhe pamjet e shtrenjta, dhembjet, pamundësitë, ciflat e ëndrrave të paplotësuara, fjalët, por edhe mënitë, faljet e padhëna e të pakërkuara etj. Malli, ose Mërgimi, përmbysin gjithçka, e nxjerrin mërgimtarin nga e përditshmja dhe e ndihmojnë të hyjë në të përhershmen e kombit të vet, duke e kthyer edhe çrrënjosjen në një tjetër lloj rrënjosjeje. Kufij e mënyra jetese ndryshojnë; brezni të tëra ikin nga kjo botë sikur të mos paskëshin jetuar kurrë; ngrehina e rrugë, ujra e trajta të tjera lënde bëhen pluhur, ose zëvendësohen nga trajta shpesh të pakuptueshme dhe / ose të papranueshme – dhe atëhere bota e parme, ajo me ngjarje e njerëz që vërtet nuk janë pjella të kinemasë, thërret në ndihmë Kujtesën. Në kushte të tilla, veç ndjeshmërisë që kap maja e skaje të papërfytyrueshme, brenda shkrimtarit zgjohet empatia, - gjendje vendimtare për kahun dhe vlerën letrare, - dhe autori mund të ndodhet në trojet e lindjes më tepër se ata që mirëfilli vazhdojnë të jetojnë atje. Ai nuk i ngjan aspak sehirxhiut apo përgjuesit të një loje shahu, sepse çdo lëvizje, ndryshim, rezultat, ndikojnë drejtpërdrejt mbi fatin e tij, por edhe të librave që shkruan. Kësisoj çdo ngjallje për së gjalli në troje të huaja është edhe një ringjallje e Kujtesës, një pasurim i saj përmes udhëtimeve dhe reagimeve empatike, një mjet i pashitshëm për ruajtjen e shpirtit[10]. Arbëreshët nuk u kthyen më, sepse nuk e humbën gjuhën dhe ngjizën në dhé të huaj një letërsi e një Shqipëri që sot gjendet kryesisht vetëm përtej detit. Ndoshta ruajtja e gjuhës dhe rrjedhimisht e Kujtesës e anashkalon kthimin e domosdoshëm me trup në vendlindje, çka u ndodh njëfarësoj edhe njerëzve që shpërngulen nga një krahinë e të njëjtit vend në tjetrën. I përmenda arbëreshët për të dëshmuar se jo çdo shpërngulje është vetëm ndëshkim, e aq më pak frikë, dredhi, shmangie e tragjedisë, apo dëshmi e një faji të paqartë.

Gjatë këtij çerekshekulli, veç bindjes së patundshme se, në varësi të lidhjeve gjuhë-truall-kujtesë, për disa të ikur (dhe / ose të dëbuar) vitet e mërgimit maten si vite burgu, kurse për disa të tjerë – si vite lirie, më ka ndodhur të dëgjoj edhe një shprehje që plotëson njohuritë shpirtërore mbi mërgimin. Për të ikur ika, - më tha gjatë një bisede skulptori dhe poeti rumun Gavril Şedran (l. 1941), me banim në kufirin mes Francës e Zvicrës, - por për të mbërritur s’kam mbërritur ende. Kjo pezulli e përnjimendtë, - që mposht metaforën, ndonëse mbin pó prej saj, - si dhe gjendja vetjake e një mërgimi që nuk është sëmundje, por që as për t’u shëruar nuk shërohet ndonjëherë[11], më duken tejet të përshtatshme për letërsinë, veçmas kur ajo shkruhet njëherazi në dy gjuhë, jashtë truallit nga ku je nisur dhe brenda një trualli ku nuk ke për të mbërritur ndonjëherë. Ky truall ka thelb metaforik dhe, në njëfarë mase, ngjan me atë kryeveprën që nuk do të shkruhet ndonjëherë.

I. 2. Qysh në fillesat letrare të shqipes, Mërgimi ka pasur një vend dhe rol vendimtar. Ai tashmë bën pjesë në rrënjët e saj, madje mbetet ende njëra nga pak hyrje-daljet shpëtimtare (shpirtërore e gjuhësore) në raste gjëmash të papritura, apo të shkallëzuara. Mërgimi mund të këqyret edhe si mishërim i Kujtesës vepruese, një pastrim i saj jashtë lëndës ku u lind e u pasurua, një lutje e gjatë në rrafshin e padukshëm, që mund të riparojë jo vetëm të ardhmen, por edhe të shkuarën, jo përmes sajesave, por përmes baraspeshimit. Sepse, sa i përket letërsisë, shpesh pastrimi dhe ruajtja e Kujtesës kanë më tepër rëndësi se çdo vënie në vend e disa të drejtave. 
Në vitet 430 ‚i ndershmi dhe Zot-mbartësi‘ Mark Oshënari[12] rikujtonte Shkrimin e Shenjtë: ''Ferri dhe rrënimi nuk i fshihen dot Zotit. Këto i them për padijën dhe harresën e zemrës. Se ferr është padija, ngaqë të dyja janë të errëta. Dhe rrënim është harresa; sepse për shkak të tyre humbëm ato që kishim“[13]. Meqë Mërgimi ringjall kujtesën e zemrës, - shpesh përmes zemrës që thyen shpërngulja, - ka një rol vendimtar edhe për letërsinë. Sidomos në trojet që kanë duruar për vite me radhë trysnitë e utopi-ideologjive shkatërrimtare dhe ku ende sundon ‚kujtesa‘ e përpunuar, e rreme, (ajo që ngulmon ta besosh pa e hulumtuar), ndërsa Kujtesa mbahet nën mbikëqyrje, kjo e fundit plotësohet dhe rikrijohet në gjuhë të huaj. Kujtesa mund të cilësohet e plotë dhe vepruese vetëm kur breza të largët në moshë e mendësi, pavarësisht nga gjaku dhe gjuha e përbashkët, e shohin dhe e përdorin atë njëlloj, edhe kur disa i shqetëson, ndërkohë që disa i le shpërfillës. Nuk duket e largët dita kur do të pranohet se, sa më tepër Fshati Global të zgjerohet mbi rrënojat e Fshatit Arketipal, Kujtesa do të ketë një fuqi më të madhe në shpëtimin e qënies njerëzore se çdo ideologji, plan bindës ekonomiko-strategjik, paqe e mirëqenie. Mjafton të dëshmoj se, gjatë endjeve të gjata shpirtërore, si shkrimtar ende krejt i panjohur, pjesëtar i një bashkësie të vogël mërgimtarësh pa emra, ndjeja se, për të mos u tjetërsuar dhe për të pasur ku të shkonim më tej, na duhej medoemos të kuptonim nga vinim, cila pat qenë historia e vërtetë që na pat shpërngulur aty-tani, dhe kjo njohje shpesh bëhej më mirë duke përdorur gjuhën e huaj, ndoshta për të mos u coptuar nga dhembjet e zbulimeve dhe të zhgënjimeve.




[1] Gaius Octavius (63 para Krishtit - Nola, 19 gusht 14 pas Krishtit), cilësohet si perandori i parë i Romës (-27 - 14).
[2] Nëpër detra e troje të panjohura, ku „Zemra dhe Deti shkundulluan aq fort, sa habitem se si s’ma vranë gjeninë”, OvidiuTristele (Të trishtmet), Elegjia XI, f. 63, kolana Cele mai frumoase poezi (Poezitë më të bukurapërshtatur në rumanisht nga Eusebiu Camilar, Editura Tineretului, Bukuresht 1957.
[3] OvidiuTristele, vep. cit. Elegjia I, f. 23.
[4] Gerhard (Gershom) Scholem / גרשום שלום (Berlin, 5 dhjetor 1897 - Jerusalem, 21 shkurt 1982) profesor i shquar i mistikës judaike.
[5] Isaac ben Solomon Luria Ashkenazi, 1534-25 korrik 1572, hebraisht יִצְחָק בן שלמה לוּרְיָא אשכנזי, i njohur edhe si "Ha'ARI", Luani, rabin dhe mistik hebré në Galilea, rajon i Sirisë Otomane, cilësuar edhe si ati i Kabbala-s bashkëkohore.
[6] Shih Dan Shafran, “Mërgimi si forcë krijuese”, rumanisht, në Revista Gjuha Rumune / Revista Limba Română Nr. 11, viti XIV, 2004, anglisht në Eastern European Messenger, Londër, 2010.
[7] Romani Zoti është lindur në mërgim hap serinë e veprave përmes të cilave Vintilă Horia ringjiz epoka krize nga historia e Evropës, “mbyllje ciklesh”, ku zbulon tipare të ngjashme që thelbësojnë epokën e tanishme. I joshur njëherazi nga historia dhe nga çështjet madhore të fatit e të jetës, prozatori thyen murin e kohës dhe njësohet me personazhe që kanë njohur thellësitë e mërgimit. Bëhet fjalë për romane simboliko-kulturorë (polihistorikë, i cilëson Herman Broch-u), në të cilët ndodh ndërvendosja dhe gërshetimi i pyetjeve historike me ato jetike, në një përpjekje për të zbardhur të fshehta përjetësisht aktuale të qënies njerëzore, për të tejshkuar atë që është tipike, deri në kapjen e arketipales (Varr në qiejNjë grua për Apokalipsin, Mbi mesnatë, Përndiqeni Boetiusin etj). Për më tepër shih kapitullin Uni-versum të këtij libri.
[8] Një nga kuptimet e hershme të fjalës është pjesa përmbyllëse e një tragjedie greke, që përfshin zbërthimin e konfliktit dhe daljen nga skena, në rresht, si për varrim, e aktorëve. Kuptimi i parë vjen nga ἔξοδος (éksodhos), ἐξ (eks, “jashtë”) + ὁδός (odhos, “udhë / rrugë”) – gr. / Dalja nga rruga është gjithmonë hyrje në një rrugë tjetër, me, ose pa kthim, por padyshim hyrje në një metaforë. – sh. im, A. K.
[9] Deti si metaforë, është i pranishëm në thelbin e jetës së mjaft shkrimtarëve të mërguar.
[10] “Kisha si Kujtesë dhe anasjelltasparathënie e librit La Chiesa dei profughi Microstorie della Calabria Citra (sec. xvII-xx) Dalla confraternità La Venerabile Cappella del Purgatorio all’utopia del Monte Frumentario di San Basilio, Mario Bellizzi, Librarium Haemus, Bukureshtshkurt 2014.
[11] “Një gramatikë e mërgimit në dy gjuhë ‘të huaja’, Bukuresht, 2011; Shqip-ëri nga Shqip-ja”, video, Bukuresht, 2012, në www.arkycyku.info
[12] Dijetar, shkrimtar dhe murg ortodoks (rreth viteve 430), njohës pa të dytë i Dhjatës së Vjetër e të Re; disa thonë se ishte nxënës i Shën Joan Gojartit. U tërhoq në Ancira, Azi e Vogël, ku ndërroi jetë në moshën 100 vjeçare. Autor, mes të tjerash i “Për ligjin e perëndishëm në 200 zëra” / Despre legea duhovnicească, în 200 de capete, shqip nga Kopi Kyçyku në Revista Haemus Nr. 36-40 / 2009.
[13] Mark OshënariFilocalia në gjuhën rumune, Shkrime, 28, shih www.filocalia.ro