75.
Për
fat të mirë, falë dyndjes së ndryshimeve dhe jermit në të cilin qenë zgjeruar,
hapësira e humbur m'u vegua gati më e plotë e më dhemshurisht e gjallë nga
ç'pat qënë dikur, në fëmininë dhe rininë e parë, bashkë me zërat dhe aromën e
njerëzve të dashur, të pandryshueshëm (disa ngaqë kishin vdekur në kohën e
duhur) me ankthet e makthet plot vezullime dëborërash, madje edhe me
fishkëllimat e gjakut të paprishur në vena. Vetëm vajzat që pata synuar dikur
nuk ishin të gjitha njëlloj.
Ata vazhdonin të më tregonin
mrekullitë e reja, - caknaltat, dyqanet, mall-et, aeroportet, ngrehinat
qeveritare, spitalet, çezmat prej guri e mermeri, pistat për ski, shtatoret e
heronjve e të martirëve, të shtetarëve të huaj që na ishin gjendur në çaste te
vështira, - me gjestet dhe gazmendin e zaharosur të udhëheqësve të dikurshëm,
dhe nuk pushonin së shari pushtetarët. Nuk qe koha të thellohesha në mllefin
stërgjyshor për të sharë atë që të bën sadopak mirë, ose sa më pak keq. As në
atë zjarrmi të errët gëzimi që shkaktohej nga inati ndaj pafuqisë për t’i
ruajtur gjërat si dikur. Pak prej tyre e kuptonin se, me ato shembje e
rindërtime, patën shfarosur atë që dikur quhej atdhe, mëmëdhe,
vendlindje etj dhe njëherazi na i kishin vrarë për së gjalli prindërit, dhe për
së vdekuri gjyshërit e më tej ne të munguarve. As në fjalimet me vete prej
rojeje, apo në numërimet që bëheshin lutje dhe anasjelltas, nuk e kisha dëgjuar
aq shpesh fjalën hap. Në një hap me Evropën, në një hap me kohën, në
një hap me zhvillimet më të reja... Ishte vetëm një hap, asnjëherë dy, ose
tre hapa. Njëkohësisht, të mëdyshur, - se edhe kishin prishur, edhe nuk kishin
rindërtuar të vetëm, - si shumica e njerëzve që s’kanë ndenjur kurrë roje dhe
që s’kanë pasur kurrë pushtet të mirëfilltë, ata flisnin e shanin pa pushim, me
shkrim e me gojë. Pavetëdijshëm, gati si fëmijët që, kur luajnë luftrash,
gjakosen e mbushen me gunga vetëm për të fituar, edhe ata luftonin të kishin sa
më shumë pushtet, pa e ditur se pikërisht asisoj pushteti i kishte dhe do
t’i kishte – dhe kjo dëshmonte se nuk kishin në vete aq dashuri e empati,
sa të dinin ta çmonin lirinë e kulluar. Apo nuk mund të ishin të lirë veçse
duke sharë pushtetin?!
Po ku ka më mirë se kjo vetmi prej
rojesh, u thosha me vete, pa pushtet mbi askënd, as mbi të mirë, as mbi të liq,
as mbi të shartuar... Mos më shikoni me ata sy, se unë s’mund t’ju prij, se jam
roje. Unë, e shumta mund t’ju ruaj, në heshtje, se s’kam pushtet.
Nuk i ndërprisnin sharjet, derisa të
bindesha se, të paktën ai që shante, kishte hak një jetë shumë më të këndshme.
I vështroja fshehurazi, si nga frëngjia e një bunkeri, dhe më vinte të qaja.
Këta ishin ata, apo ata ishin këta?! Kaluan pak vite derisa u
binda se, në fakt, tani askush s'ishte më njëlloj, madje as xhaxhi
apo teta. Gjërat qenë thjeshtuar: ata dhe këta ishin gjallë. Shumica e
shihnin plakjen si shkatërrim të botës, dhe shkatërrimin e botës si plakje, por
plakje pa trandje e lartime idesh, pa shijen e flijimit të shkallëzuar. Ishte
vetëm lëshimi i mishrave rreth kockave që mykeshin, hepimi i tyre drejt
nëntokës, ose poçeve ku do t’u prehej hiri. Qenë mësuar me të gjitha dhe mbase
nuk vrisnin veten nga kurreshtja se mos ndoshta kish mbetur ndonjë gjëmë, si
punë thashethemi, e pamësuar. M’i besonin hallet sikur të isha i vetmi që mund
t’ua zgjidhja, - e kur s’ua zgjidhja në vend, dëshmoja se unë ua
shkaktoja; dhe m’i rrëfenin arritjet sikur donin të më vrisnin me to.
· Fragment
nga Incógnito [Copëza nga jeta e
rojeve dhe anasjelltas] R o m a n, botoi Naimi, Tiranë 2016