
Ditë më parë, në Bukuresht të Rumanisë, në edicionin “Librarium Haemus”, pa dritën e botimit romani voluminoz me 375 faqe, “Puthmë skelet”. Autorin e këtij romani, shkrimtarin e ri pogradecar, Ardian-Christian Kyçykun, që tani e disa vjet jeton dhe krijon në kryeqytetin rumun, në emër të lexuesve të gazetës sonë dhe të shumë e shumë lexuesve që besojmë se do t’i ketë, në ditët që vijnë, kjo vepër e tij monumentale letrare, e lutëm që të bëjë një zbërthim, ose një si dëshmi, ekskluzivisht lidhur me këtë roman të madh. Gjithnjë të vetëdijshëm se, si për akëcilin shkrimtar, edhe për Ardianin, një gjë e tillë është e mundimshme. Megjithatë, për hir të lexuesve të veprës se tij, në Tiranë, në Prishtinë dhe kudo tjetër, në botën shqiptare a të huaj, ky shkrimtar i shquar shqiptar iu përgjigj pozitivisht lutjes sonë. Në rrëfimin e tij nuk ndërhymë me pyetje në asnjë shteg të rrjedhës se tij. E lamë të ecë, si një lumë vërshues..., ashtu siç është edhe vetë romani “Puthmë skelet”. (Bajram Sefaj)