[Ardian-Christian Kyçyku, “Ati”, roman, Botimet Poeteka, Tiranë 2017, Çmimi i Akademisë Kult "Libri artistik i vitit / Shkrimtari i vitit", 2018] |
Gazeta “Dielli” - Për ne do të
kishte interes të shkruajmë diçka rreth librit tuaj “Ati”...
Ardian-Christian Kyçyku: Ngaqë në kohën e sotme lexohet pak, autori ndihet
shpesh si ndonjëri nga ata mashtruesit tek “Rrobat e reja të mbretit”. Ndaj
edhe jam i detyruar të them dy fjalë për ngjarjen. Një baba shqiptar, i varfër
dhe i trajtuar si shumë “askushë” të tjerë, befas blindon derën, i thyen këmbën
djalit të vetëm, Adriatikut, dhe e mbyll në shtëpi, duke i dhënë të përkthejë
në anglisht, sipas porosive të një urdhëri të fshehtë, “Kanunin” e Lek
Dukagjinit. Ndërkaq, Ati lyen flokët, vishet dhe sillet si i biri, duke ua bërë
të njohur sa më shumë vetëve rrugët ku do të endet çdo ditë, kafenetë a
dyqanet, ku do të ndalet, orët kur do të ndodhet në një vend a në tjetrin.
Vazhdimi mund t’i japë secilit lexues një “çelës” të vetin për zbërthimin e
kësaj tragjedie që, në trajta të ndryshme, vijon të rrënojë kudo fate familjesh
e farefisesh.
- Ati, me emrin Zef,
ç’do të thotë ky personazh për lexuesit?
- Është një baba shqiptar plot halle nga
ata që, sipas ligjeve të jetës, duhet të mbyllen pas vdekjes, dhe me gëzime që
mjaftojnë për ta mbajtur shpirtin gjallë. Vetëm se, në rastin e Atit, tragjedia
që synon të shmangë mund t’ia pakësojë vdekjes fuqinë për të mbyllur halle. Ati
bën çmos të shpëtojë mbiemrin dhe vijimësinë e farefisit nga rrjedh. Librin e
kam shkruar në vitin 2003. Për të davaritur çdo hije dyshimi mbi ndonjë
blasfemi të tërthortë, po shënoj se Zefi nuk është Jozefi apo Josifi i Dhjatës
së Re. Nëse ndërkohë nuk e kanë vrarë, - Zot na ruaj! - në vend të të birit,
ose nuk ka vdekur nga pleqëria, Ati vazhdon të endet nëpër Tiranë, duke pritur
ta vrasin. Nuk dua t’i fryj përtej caqeve rolin dhe ndikimin e letërsisë, por
duhet të dëshmoj se, mes rreshtave të librit ka disa “kode” që, po të jenë
zbërthyer si duhet nga pjesëmarrësit në ngjarje, mund t’ia kenë ndërruar
mendjen gjakësit, ose të paktën ta kenë stepur të mendohet edhe një herë. Se
mrekullitë janë të mundshme gjer edhe kur thjesht i ëndërrojmë në frymë
fëminie. Ky libër më ka shtyrë të dëshiroj me gjithë shpirt që të bëhet sa më i
njohur, kurrsesi jo për shitje e bujë, por thjesht se ndoshta shpëton, ose
zgjat të paktën një jetë.
- Si shkrihet në romanin tuaj
instikti i mbrojtjes së pasardhësit?
- Ngjarja zgjon mendime dhe ndjenja që
s’para i lakmojnë shpesh bashkëkohësit, ose që dynden vetëm të tjetërsuara.
Duke zëvendësuar të birin në jetën e përditshme, Ati, në fakt, i “merr” jetën
dhe ngulmon t’ia heqë familjes / farefisit fatin që, për shkak të përsëritjes
së gjërave brez pas brezi, duket më i drejti dhe i pashmangshëm. I “merr jetën”
të birit dhe nxjerr jetën e vet në “mejdan”, që t’ia ndërpresin pikërisht për
të zgjatur jetën e fisit.
- Cila
është drama dhe cili është tensioni i brëndshëm i personazhit kryesor?
- Në rastin e Atit,
drama është vetë jeta. Mund të duket e stisur, por kjo jetë e tij është plot
dritë dhe vë në lëvizje një përfytyrim që do t’ia kishte zili çdo artist. Krejt
qënia e Atit, ndonëse endet mes një bote tejet të prekshme e madje të rëndomtë,
bart një poezi të epërme, që nuk bëhet për art a zbavitje, por për mbijetesë.
- … shëndërrimi
i njeriut, si akt i vijimësisë…
- Njeriu që gjithë jetën ka qenë
degdisur në skaj të vëmendjes, trajtuar gati nga të gjithë si numër pa kuptim,
magjeps e shtang kur niset të shpëtojë emrin. Veç të tjerash, për shembull, Ati
sajon edhe ekzistencën e një urdhëri të fshehtë, shumëshekullor, me anëtarë në
mbarë rruzullin, dhe i cili ndoshta duhet themeluar vërtet. Në prag pleqërie,
Ati bindet se, më bukur e më me kuptim se aq, s’ka si të jetojë. Hyn i
vetëdijshëm në një vdekje për gjakmarrje,
vdekje që shkruan poezi çast pas çasti në lëkurën e tij, pa ia shtrenjtuar, por
as pa ia ulur çmimin lëkurës së tij prej “askushi”. Nuk ka ku gjen as poezi, as
vdekje më të bukur. Nga një pikëpamje, ata që kërcënojnë t’i marrin gjakun ia
shndërrojnë krejt ujin e trupit në gjak. Ndoshta edhe është mirënjohës për
sprovën e tmerrshme që përballon dhe lutet ta ketë jetën sa më të gjatë jo siç dëshiron
vetiu çdo vdekatar, por që të mos jetojë jashtë Bukurisë.
- Irma, nëna, mbart një peshë jo
të vogël në ngjarje...
- Pa fjalë të tepërta e lotsjellëse,
Irma është një nga mishërimet e nënës shqiptare. Zoti jep jetën përmes saj,
ndërsa ajo rron, me një lumturi të papërshkueshme nga të tjerët apo nga
letërsia, për fëmijën që ka lindur dhe për burrin me të cilin ka ngjizur
fëmijën. Duket e përulur, sepse qëndron prore lart, në tjetër qiell metaforik.
Kam përshtypjen se ajo mbërrin një dekikë para të shoqit, ose ka qenë gjithmonë
në Bukurinë që përmenda.
- Mistika dhe befasia në një
kohë të çmendur që çmend edhe njerëzit...
- “Koha e çmendur” është hapësira e
pafajshme ku jemi mësuar të mbledhim, si në plehëra, mëkatet, pamundësitë dhe
lëkundjet tona. Çmenduria nuk është ves. E madje nuk është as krejt sëmundje,
përderisa vetë poezia (mbase për ta çmësyshur) shpesh “çmohet” si përmasë apo
degë e çmendurisë. Koha është shuma e veprimeve dhe e mendimeve të atyre që
janë “bashkëkohës” me të. Besoj se më e saktë do të ishte “Kohë jonjerëzore”,
në mos po “çnjerëzore”. Kjo nënkupton ngutjen e njerëzve për ta fshehur
dhimbsurinë, mirëkuptimin, mëshirën, ndarjen vllazërisht të dashurisë ndaj
vetes me të tjerët, dhe empatinë, aq sa ato të fiken përfundimisht. Në
mjegullën që buron nga çdo vetëngujim i tillë, apo edhe “vetëvrasje”, njerëzit,
të cilëve hallet iu duken të padrejtë, ëndërrojnë e mezi presin të bëhen si të
tjerët (ata padrejtësisht fatlumët), dhe anasjelltas. Për fat të keq, harrohet
e vërteta se zhdukja e halleve i heq shpirtit luftën e domosdoshme dhe e
kërcënon me zbrazëti, ose me fikje.
Sa për mistikën, - lidhur edhe me
“kodet” e tekstit e të nëntekstit, - aspak rastësisht “ati” gjendet në jo pak
fjalë të librit dhe të kësaj bisede: f-ati, Adri-ati-k, g-ati/shmëri,
k-ati, zgj-ati, fsh-ati, pall-ati, ati-j, ç-atitë, arr-ati-a, shtr-ati,
emp-ati-a e të tjera.
New York - Bukuresht,
shtator 2020
Bisedoi: Sokol Paja