Kufij


Para se të largohej me Endritën për krahu, Home Çkena pati një si rënie, ose ngritje në vegim. Tha gjëra që nuk i kishte shprehur më parë aq hapur, me atë të folmen e vet të pangatërrueshme, që shartonte tinguj humori, mençurie e hidhërimi të fisëm nga dialektet dhe zhargonet e atdheut, - dhe ne mezi kishim pritur që edhe ai ta shfrynte një herë mllefin si një mërgimtar i rëndomtë, ndonëse ishte ndër më të rëndomtët mërgimtarë. Edhe fërneti dot t’i kish rënë ca në kokë.

Endrita po tregonte një barcaletë me ulokun që pat hipur në shpinë të të verbrit, kur Home Çkena, në vend që të qeshte qoftë edhe sa për miqësi, tha mendueshëm:

- E ç’të duhet jeta ndonjëherë?! Ata që kishe në atdhe kanë vdekur, ndërsa ti je mëse i vdekur për të gjithë ata që kanë ngelur atje… Je si ndonjë shpikje…

Endrita dhe ne bëmë sikur s’ia vumë veshin. E dinim që kishte një përfytyrim të veçantë rreth mërgimit dhe na e pat dëshmuar gjatë një takimi qesharak me njërin nga ministrat e panumurt që vinin të na bëheshin baballarë e të qanin gju më gju me gjunjët tanë të capaluar hallet që ata pandehnin se kishim. Ministri në fjalë ishte çunak, faqekuq, një nga ata që shëndoshen furishëm, mbeten shtatzanë me bollëkun, qivuren në kostume të zinj, venë ndonjë stemkë mbi zemër dhe pjellin e mbajnë fjalime si nga rropullitë e rilindësve. Na e pat thënë hapur: «Të dashur bashkatdhetarë, të dashur vëllezër, na thoni ç’doni të bëjmë për ju…». Në sallë, padukshëm, kish plasur ajo që mund të quhet e qeshur zorrësh dhe që nuk para humb hidhërim, po të pjerdhësh. Ca zëra kishin kërkuar sjelljen e atdheut këtu, ose zhvendosjen e mërgimit atje. Kurse Home Çkena, që ishte i ndrojtur nga natyra, ose, më mirë: nga sasia e mençurisë që bartte në kafkë dhe të cilën s’ishte asnjëherë i sigurtë se nuk do t’ia keqkuptonin, drithëronte. Pat ngulmuar aq herë me thërrime zemre: «Hajde, çuna, se do vijë e djathta në fuqi dhe s’do na harrojë. E djathta s’harron askënd. Hajde, çuna, se do vijë e majta në fuqi dhe s’do na harrojë. E majta s’harron askënd. Hajde, çuna, se do vijë qendra në pushtet, do vijë rrethina, do vijë katrori, rrethi, koni… ». Papritmas qe ngritur në këmbë dhe i kish thënë ministrit:

- Na thoni më parë ju se çfarë jeni në gjendje të bëni, pastaj ne do t’ju themi se ç’na nevojitet.

Na pat mbetur gdhendur nga ai tubim vetëm fytyra e qymyrtë e ambasadorit që vigjëlonte mbi mërgatë asokohe, sytë e vranët, të zhgënjyer, dhe tendosja përbuzëse, vishnjë, e nofullave, diçka që mund të shqipërohej: «Po ju s’keni brekë në bythë e atdhe nën shputa, mor halabakë – si guxoni të hidhni baltë mbi misionin e zotit ministër?!».

- Nuk ju vjen ta besojnë, - pat thënë Home Çkena pas mbledhjes. Nuk ju vjen të besojnë, se, po të mos ishim ne jashtë, askush s’do ta merrte vesh, për njëqind e ca vjet, se ata janë brenda. Por do të vijë dita kur ta marrin vesh se ne jemi kufijtë e tyre. Ja, kështu siç jemi, pa brekë në bythë, pa atdhe nën shputa…

E në mungesë të kufijve, gjithçka e gjithkush i përkiste vetëm Hiçit. (...) 


Fragment nga romani “Home”

Në letër