(Disa mendime shkruar me bojë nga i njëjti det)
![]() |
| A.-Ch. Kyçyku: Space for books and viceversa |
Të
paktë janë evropianët „vendas”,
– në qindvjetshin e fundit, – që kanë ndërtuar në ëndërr një Evropë më të
përkryer se sa ajo e ballkanasve, sidomos gjatë periudhës më të freskët, por
edhe më gjakësore të (vetë)ngujimit totalitarist. E mbrujtur me lëndë legjende, sajim i paraletërsisë
dhe i dëshpërimit, si në vend të një lutjeje të gjatë, por edhe një përgjigje
me këste ndaj asaj lutjeje, ajo Evropë mblidhte e mishëronte në vetvete
pothuajse gjithçka që mungonte në Lindje. Ajo përkryhej dhe gati merrte trajtë të prekshme sa më egër
përbaltej apo mallkohej nga shtypi dhe letërsia e soc-realizmit. Evropa e ëndërrimtarëve, gjysma-arrati e
gjysma-mërgim brenda vetes, nisi të shembet e të davaritet fill pasi ra de
jure Perdja e Hekurt. Ndonjëherë zgjerimi i lirisë vret ëndrra; dhembja e tyre është e
shumëfishtë sidomos kur ëndrrat i ka krijuar etja për pó atë liri. E meqë
Perdja për disa ishte vërtet e hekurt dhe për disa të tjerë – e mëndafshtë,
pesha e rrënojave që pasuan, si dhe tymrat e tyre, nuk e qartësuan atë që
rëndom e quajmë të ardhme (qoftë e afërt, e mesme, apo e
largët). Tek binim nga totalitarizmi në eufemizëm, shumë prej nesh kuptuan, por
pak pranuan se Evropa ëndërrore (lexo edhe: shpëtimtare) pat
qënë pjesë e letërsisë mendore, shpesh të pashkruar, ndërsa tani është
kthyer në një nga ata vetëmashtrime, me të cilët i jepnim zemër vetes kur
gjithçka punonte kundër ëndrrave tona. Tani rrezikon të
shpërbëhet edhe Evropa Tjetër, ajo që, me sadopak shenja e mjete, na pat joshur
ta ëndërronim ndryshe.
