(...)
E
dinim që kishte një përfytyrim të veçantë rreth mërgimit dhe na e pat dëshmuar
gjatë një takimi qesharak me njërin nga ministrat e panumurt që vinin të na
bëheshin baballarë e të qanin gju më gju me gjunjët tanë të capaluar hallet që
ata pandehnin se kishim. Ministri në fjalë ishte çunak, faqekuq, një nga ata që
shëndoshen furishëm, mbeten shtatzanë me bollëkun, qivuren në kostume të zinj,
venë ndonjë stemkë mbi zemër dhe pjellin e mbajnë fjalime si nga rropullitë e
rilindësve. Na e pat thënë hapur: «Të dashur bashkatdhetarë, të dashur
vëllezër, na thoni ç’doni të bëjmë për ju…». Në sallë, padukshëm, kish
plasur ajo që mund të quhet e qeshur zorrësh dhe që nuk para humb
hidhërim po të pjerdhësh. Ca zëra kishin kërkuar sjelljen e atdheut këtu, ose
zhvendosjen e mërgimit atje. Kurse Home Çkena, që ishte i ndrojtur nga natyra,
ose, më mirë: nga sasia e mençurisë që bartte në kafkë dhe të cilën s’ishte
asnjëherë i sigurtë se nuk do t’ia keqkuptonin, drithëronte. Pat ngulmuar aq
herë me thërrime zemre: «Hajde, çuna, se do vijë e djathta në fuqi dhe s’do
na harrojë. E djathta s’harron askënd. Hajde, çuna, se do vijë e majta në fuqi
dhe s’do na harrojë. E majta s’harron askënd. Hajde, çuna, se do vijë qendra në
pushtet, do vijë rrethina, do vijë katrori, rrethi, koni… ». Papritmas
qe ngritur në këmbë dhe i kish thënë ministrit:
- Na thoni më parë ju se çfarë jeni në gjendje të
bëni, pastaj ne do t’ju themi se ç’na nevojitet.
Na pat mbetur gdhendur nga ai tubim vetëm fytyra e
qymyrtë e ambasadorit që vigjëlonte mbi mërgatë asokohe, sytë e vranët, të
zhgënjyer, dhe tendosja përbuzëse, vishnjë, e nofullave, diçka që mund të
shqipërohej: «Po ju s’keni brekë në bythë e atdhe nën shputa, mor halabakë –
si guxoni të hidhni baltë mbi misionin e zotit ministër?!».
- Nuk ju vjen ta besojnë, - pat thënë Home Çkena pas
mbledhjes. Nuk ju vjen të besojnë, se, po të mos ishim ne jashtë, askush s’do
ta merrte vesh, për njëqind e ca vjet, se ata janë brenda. Por do të vijë dita kur ta marrin
vesh se ne jemi kufijtë e tyre. Ja, kështu siç jemi, pa brekë në bythë, pa
atdhe nën shputa…
E në
mungesë të kufijve, gjithçka e gjithkush i përkiste vetëm Hiçit.(...)
.jpg)