Gjysma e shtizës së flamurit
Viktor Eftimiu ndërroi jetë më 28 nëntor
1972, si për nder të Ditës së Flamurit. Qivuri me trupin e pa(këtë)jetë u
vendos në sallën qëndrore të Akademisë Rumune më 29 nëntor. Për shtatë ditë me
radhë, flamuri i Akademisë ndenji ulur në gjysmë shtizë. Në dhembje e sipër,
miqtë e afërt, ish të dashurat e panumurta që u mblodhën nga të gjitha skajet e
Evropës, nuk mund të mendonin se ai vdiq nga ndonjë shkak tjetër veç pleqërisë.
Së shpejti do të mbushte 84 vjeç. Pas kaq kohësh, duke njohur hollësira ende jo
krejt të shpjegueshme, ka pak gjasa që vdekja e Viktor Eftimiut në Shqipëri të
jetë një rastësi e kulluar, të paktën nga pikëpamja metafizike.
I lindur më 24 janar 1889, pat mërguar
bashkë me familjen nga Boboshtica në moshën 9 vjeçare, hipur mbi një tren që
nuk tregtonte mallra dosido, por gurë, shkëmbinj Shqipërie. Vite më vonë, tek
çapitej shkëlqimtar salloneve të aristokracisë rumune e pariziane, i pranuar
njëzëri si vigan i poemave dramatike, mbase do të qe joshur kalimthi të gjente
thelbin simbolik të atij udhëtimi e sidomos të gurëve që nuk iu ndanë deri në
Bukuresht. Me pjesën tjetër të gurëve, atë që nuk e pat shoqëruar, do të
çmallej gjashtëdhjetë e ca vjet më pas, pó në Boboshticë, i plakur, i përmallur
dhe i pagojë nga afrimi shajnitës i vdekjes. Nuk mund të dihet nëse Eftimiu pat
ëndërruar të jepte shpirt në vendin që e lindi apo në Bukureshtin ku kaloi
jetën, ku provoi lumturitë dhe zhgënjimet e epërme. Duket se, gjatë pjesës më
të madhe të kohës, si qënie tejet evropiane, - diku, në kujtimet e veta, vajton
kohërat kur kufijtë ishin 'aq të shpirtëzuar' - nuk i vinte
ndonjë rëndësi të veçantë vendit ku do të jepte shpirt e ku do ta kishte
varrin. E nuk para duket që Vdekja të ketë luajtur në jetën e tij rolin tashmë
të njohur që luan në jetën e poetëve në përgjithësi. Me një çiltërsi
çarmatosëse, në librin e tij "Kujtime dhe polemika", mes të tjerash,
nuk ngurron të shkruajë: "Shpirt i pavarur, i dashuruar pas qartësisë e
dritës, optimist, me besim, i gjallë, i etur për aventura, i saktë, i rregullt,
përtej çdo ndjesie të errët, unë s'para kam qenë i krijuar për vegime. Nuk kam
pasur kurrë ndonjë jetë të brendshme tepër të dendur. Përveç halleve të jetës
dhe realizimit ngadhnjimtar të synimeve të mia, nuk kam njohur ankthe të
brendshme, dyshime, obsesione, fanatizma, shembje, trallisje e dorëheqje. Kurse
poezia është një përqëndrim mjegullash mbushur me rrufé".
Nuk janë të shumtë shkrimtarët që, pas një
jete blatuar artit, të arrijnë e madje të shprehin haptas mangësitë e tyre
ndonjëherë të lindura. Por mbase Eftimiut ia lehtëson shprehjen jeta
jashtëzakonisht e pasur që pati. Ai nuk stepet para së vërtetës thelbësore të
vetvetes dhe pranon se ka qenë i tejshkuar vetëm nga gjysma rrufesh, me më
shumë shkëlqim se përvëlim, dhe se i është dhuruar me përkushtim gjysmës tashmë
të zhveshur të shtizës së flamurit, jo asaj ku flamuri akademik e vajton.
Busti, zogjtë dhe feja e vërtetë e Eftimiut
Kuptohet që Eftimiu nuk ka qenë njëlloj i
çiltër me veten e me të tjerët, mbase ngaqë jo gjithmonë e ka njohur thellësisht
vetveten dhe vendin që zinte në jetë. Buja që shoqëroi shfaqjet e poemave të
tij në rininë e hershme nuk mund ta linte pa kurrfarë dehjeje. Në përputhje me
ca ndërkryerje estetike të kohës, pa qenë narcizist, nuk ngurroi të porosiste
një bust, të cilin e vendosi buzë Parkut të hershëm Çishmixhiu, para ballkonit
të shtëpisë ku banonte. Kur pinte kafenë e mëngjesit, kundronte kokën e vet
prej bronzi dhe bënte shakara. Në pjekuri, e shoqja, aktorja e njohur Axhepsina
Makrí, e porosiste shpesh shërbyesen: "Merre leckën dhe shko të fshish
zotninë, se mos ia kanë mbushur zogjtë kokën me glasa!". Eftimiu e
njihte mirë paanësinë e zogjve dhe nuk mërzitej. Ishte ndër të parët, në mos po
i vetmi artist ballkanas, që vlerësonte njëlloj si lëvdatat, ashtu edhe sharjet
apo shpifjet e gazetave. Kur njerëzit lexojnë një lëvdatë ndaj meje, binden se
nuk më kanë lëvduar kot, thosh. Kurse kur lexojnë shpifje e sharje, e kanë të
qartë se është punë smire. Askënd nuk e ka zili kot njeri. Kësisoj, i ngritur
në qiell a i përbaltur, fama e artistit vetëm rritet...
Megjithëse nuk ishte gjeni, - e përjetësia
e shkrimeve të veta mbetet ende e diskutueshme, - Eftimiu e kaloi një pjesë të
jetës nën shenjën e hasmërisë së kolegëve. Mllefi shpesh i pashpjegueshëm ndaj
fatit të tij, ndaj dhuntive të shumta, jo rrallë preku gjenetiken. E urrenin
ngaqë ishte i kamur, kish sukses të pazakontë në femra, vishej si princ,
dëshmonte një zemërgjerësi prej sheiku, kapërcente me një lirshmëri të dyshimtë
mbi çikërrimat njerëzore... Në njëfarë mënyre, të robtuar nga paragjykimet e
moçme ballkanase, shumë nga sivëllezërit e urrenin vetëm ngaqë ishte gjallë dhe i
vërtetë. Me një shtjellë batërdisëse shpifjesh e thashethemesh mëse të
rëndomta, në varësi të lojnave politike, e sulmuan herë si grek, herë si sllav,
herë si shqiptar, herë si antisemit, herë si proçifut e herë si hafije të
hungarezëve. Jeta nuk i linte kohë të përgjigjej. Diku, me gojën e vet dëshmon
se nuk kish pasur kohë madje as që t'i lexonte të gjitha shpifjet. E gjen kohën
në vitin 1944, mëson ç'është thënë e shkruar për të gjatë tridhjetë vjetëve të
shkuar dhe kthen përgjigje. Vëllimi "Kujtime dhe polemika" nis me një
rrëfim tronditës:
"Një shqiptar muhamedan, - shkruan
Eftimiu, - tek bënte muhabet me një shqiptar të krishterë, i zenë sytë, hipur
mbi gomar, një të panjohur.
- Ç'është ky? - pyet muhamedani.
- Një çifut, - i gjegjet i krishteri.
- Po çifutët ç'janë?
- Janë njerëzit që vranë profetin tonë.
- Po ju, ia morët
hakun?
- Jo, se profeti ynë
na predikoi faljen, dashurinë.
- Mbase, por
profeti ynë nuk na ka predikuar kështu!
Dhe, pasi ngre pushkën e shenjon,
shqiptari muhamedan qëllon dhe e shemb udhëtarin nga gomari.
- Ç'bëre, more? e
pyet i krishteri, i tmerruar.
- Ia mora hakun profetit tuaj!
- Po vdekja e tij ka ndodhur para dy mijë
vjetësh!
- Mbase, por unë tani e mora vesh!"
Besoj se shumica e atyre që kanë marrë
përgjigjen e Eftimiut, të paktën për disa ditë, do të kishin ëndërruar të ishin
tjetërkush. Ironia sipërore dhe gazmendi i kulluar, shprehur nga Eftimiu ndaj atyre
që janë rropatur për vite me radhë ta mposhtin, është i rrallë në letrat
rumune. Vetiu hasmët e një jete shndërrohen në një turmë të patrú. Të këtillët
s'kanë komb e fé, janë binjakë pavarësisht nga vendi ku jetojnë, nga gjuha që
përdorin në shkrime. Mangësitë e tyre njerëzore nuk arrijnë as të fshihen e as
të përfitojnë nga vlera e mirëfilltë artistike e veprës së ndonjërit. Eftimiu
iu kumton me thjeshtësi se: "... nuk më mposhtët as ju para njëzet
vjetësh, as të tjerë para dhjetë vjetësh, as pasardhësit tuaj, njëzet vjet më
vonë. Kam ca çelik në rrënjët e eshtrave, ca argjend të gjallë në gjak - jo të
shtënë me shiringa. (...) S'kam goditur pas shpine asnjë koleg, s'kam synuar
lavdinë a bukën e askujt, nuk jam stepur t'i fitoj me duart e mia, duke i shkulur.
(...) Përkundrazi. Ai 'joben dhe rresht kostumesh anglezë', ato 'fotografi
që s'linin vend për gjë tjetër nëpër vitrina', fitimet përrallore, jeta
prej nababi që paskam bërë e bëkam tani, e tërë ajo atmosferë legjende, më fort
e përfytyruar, se sa e vërtetë, mes së cilës paskam jetuar, egocentrik e
mendjemadh, i ka trullosur pak tregtarucët tanë të letrave, ua ka trandur
bindjen se poeti është njëfarë shushunje, një gjymtak i brejtur nga oftika apo
i dalë mendsh, i rreckosur e lypsar, që dridhet para pragut të tyre, rrjepacak
dhe prekës, duke ua mallëngjyer shpirtin gjatë të kremteve të shenjta apo
ditëlindjeve". Të gjithë duhet ta dinë se "nuk para u shkon mbroth
me arnautët: kam trashëguar një shëndet trupor dhe një baraspeshë morale, të
cilat s'mund të m'i brejnë brumbuzhelët. (...) Njeriu i fortë rrëzohet
vetëm nëpërmjet vetvetes".
Shterja e një malli të gjatë e jo fort të qartë
Njeriu që i qëndroi pranë Eftimiut, përveç
sekretarit të përkushtuar Kistian Pançesku dhe së dashurës së fundit, Anka Kendit,
ishte i nipi, aktori i njohur i teatrit rumun Kiril Ekonomu (1912-1984). I
lindur edhe ai në Boboshticë, i mërguar njësoj si Eftimiu, në moshë të njomë,
Ekonomu ruajti për të ungjin një kult të qetë, përtej mjegullës së stisjeve
legjendare që e mbështillnin. Ekonomu e shoqëron të ungjin gjatë udhëtimit të
parë që kreu në Shqipëri, për t'u çmallur e ndofta për diçka tjetër, në verën e
vitit 1971. Mirpo në vjeshtën e tretë të vitit 1972, kur edhe u përball me
vdekjen, Eftimiu erdhi sërish në Shqipëri, kësaj here pa të vëllanë e pa të
nipin... Këto dy udhëtime zgjojnë kërshërinë jo aq për etjen e Eftimiut për t’u
çmallur me tokën që e lindi, se sa për pjesën ende të pazhbiruar të arsyes.
Nëse herën e parë Eftimiun e grahte drejt Shqipërisë zëri orakullor i rrënjëve,
- zë që magjeps gjithnjë e më fuqishëm, sa më tepër avitet vdekja, - arsyet e
udhëtimit të dytë, takimet kokë më kokë me Enver Hoxhën dhe shkarja në banjën e
motelit në Pogradec, rënia në komë dhe vdekja, mbeten të paqarta.
"Në verën e vitit 1971, më 21
qershor, - shkruan Ekonomu në vëllimin e vet me kujtime, - bashkë me Viktor
Eftimiun dhe me vëllain e tij, Stelianin, merrnim udhën me tren drejt
Shqipërisë, si të ftuar zyrtarë të qeverisë. Ka qenë një çast emocionesh
turbulluese, sepse, në fakt, ëndrra jonë ishte të shihnim sa vendin e
shqiptarëve, aq edhe fshatin e lindjes, Boboshticën, ku patëm parë të tre
dritën e diellit. (...) Pra, pas më shumë se një gjysme shekulli, po ecja drejt
shtëpisë, lumenjve dhe maleve të fëminisë sime, të gjitha të ngulitura fuqishëm
në kujtesë. Pas një dite qëndrimi në Beograd, ku nëpunësit e Ambasadës
Shqiptare na bënë një pritje plot përzemërsi, udhëtuam drejt Manastirit. Atje
na prisnin tri "Fiat"-e dhe dy mjekë që patën ndjekur studimet në
Fakultetin e Mjekësisë në Bukuresht. E që atje, pas një mëngjesi të bollshëm në
njërin prej restauranteve të qytetit të njohur maqedonas, u nisëm drejt pikës
kufitare të Pogradecit, qytet që ndodhet anës liqenit të mrekullueshëm të
Ohrit. Nuk u habita pak, kur vura re se, tek kalonim kufirin jugosllav, e tërë
rruga që çonte në Pogradec ishte mbushur me nxënës, njerëz moshash të ndryshme,
me flamuj e parrulla në duar. Diku, përskaj rrugës, varej një beze
katërkëndëshe, ku shkruhej: "Mirë se erdhët!" Zbritëm nga "Fiat"-et
e reja fringo dhe u pritëm nga zyrtarët e zonës, si edhe nga tre ministra të
ardhur nga Tirana. Televizioni dhe përfaqësuesit e medias ishin edhe ata të
pranishëm. Pranë rrugës ngrihej një monument kushtuar partizanëve shqiptarë,
para të cilit ramë në gjunjë dhe mbajtëm një minutë heshtje. (...) Na patën
rezervuar për ditën e mbërritjes një motel disa hapa larg liqenit. Mjedisi
ishte i këndshëm, sidomos pas lodhjes së udhëtimit që pat zgjatur, me tren e me
vetura, pothuajse një ditë të tërë. Pasi mblodhëm pak veten dhe kulluam
vështrimet në kaltërsinë e liqenit, na ftuan në një sallë të zbukuruar me
shije, ku do të jepej pritja e parë, mes aq pritjesh që pasuan gjatë gjithë
vizitave tona. Të tre ministrat që përmenda, përfaqësues të partisë dhe të
pushtetit vendor, profesorë, gazetarë, të tjerë intelektualë, të gjithë qenë
ulur rreth tryezës, në pritje të 'miqve'. Një shpërthim duartrokitjesh dhe
brohoritjesh shoqëruan hyrjen tonë në sallë. Tryeza ishte tejet e pasur dhe
sundohej nga ushqimet e shkëlqyera gatuar me peshk nga ujrat e Ohrit. (...)
Ndonëse Viktor Eftimiu ishte tetëdhjetëvjeçar, shfaqte një gjallëri që i
mahniti të gjithë të pranishmit, duke e gazmendur tryezën me shprehjet e tij të
goditura.
Të thëna e vetëm aq...
Paranoja shtetërore e Shqipërisë së asaj
kohe kish nevojë, në radhë të parë, për shembuj. I duhej dëshmuar pjesës tjetër
të kontinentit, asaj 'ende' të papushtuarës nga komunizmi, se historia kish
filluar njëheresh me ngadhnjimin e komunizmit dhe se këtë të vërtetë e pohonin
edhe artistë e intelektualë të shquar që patën bërë emër në kultura të tjera,
tek ktheheshin e mrekulloheshin me arritjet e epokës së artë, vënë në jetë falë
gjenisë së papërsëritshme të Hoxhës. Tre pleqtë e përmallur faniten në restaurantin
e këndshëm në të dalë të Pogradecit.
"Disa trokitje në një gotë kristali i
ftuan të pranishmit të heshtnin, - dëshmon Ekonomu. - Ministri i Informacionit
dhe Propagandës u ngrit në këmbë për të ngritur dollinë e mirseardhjes në tokën
e Shqipërisë Socialiste të 'shkrimtarit më të madh shqiptar', që kthehej në
atdhe pas shumë dhjetëvjetshash. Duke e njohur mirë veprën e Eftimiut, citoi
mjaft tituj dhe ngulmoi veçanërisht mbi disa rrëfime të Eftimiut, të frymëzuara
nga ca legjenda të dëgjuara qysh në fëmini nga goja e të gjyshit, prifti i
Boboshticës, rrëfime orientale, të cilat Eftimiu i pat përqëndruar në një
hapësirë gjeografike krejt ilire. Foli pastaj një profesor, në një rumanishte
të kulluar, dhe e cilësoi autorin e "Renditu, luleshqerrë"
(Viktor Eftimiun - sh. im) si më të madhin shkrimtar shqiptar. (...) E këqyrja
gjatë kësaj kohe Eftimiun me vëmendje dhe kuptoja se diçka e shqetësonte
dukshëm. Synonte të gjente formulën më të përshtatshme që t'u përgjigjej
zyrtarëve. U ngrit me vështirësi dhe si me njëfarë ashpërsie në zë, por me një
vështrim buzëqeshës, ngriti një dolli.
- Të dashurit e mi, - filloi ai, - ju
falenderoj nga zemra për fjalët e pamerituara që më blatuat. Falenderoj
qeverinë që më ftoi, ju falenderoj të gjithëve për pritjen që na bëni këtu, në
Pogradec. Do të doja veç, që në fillim të vizitës sime në Shqipëri, të
saktësojmë një gjë. Unë nuk e cilësoj veten shkrimtar shqiptar, po rumun. Sepse
në Rumani, ku mbërrita qysh në vegjëli (isha tetë vjeç) u formova nga të gjitha
pikëpamjet. Atje studiova, atje më nxitën të shkruaj, atje kam njohur suksesin
dhe famën. Por gjatë gjithë jetës sime nuk e kam harruar për asnjë çast
vendlindjen, fshatin ku jam lindur, dhe kam ruajtur një admirim të
pandryshueshëm ndaj popullit shqiptar, një popull kaq trim, i ndershëm, dhe që
ka shkruar faqe epopesh përgjatë gjithë historisë së vet, sidomos në luftën
partizane kundër fashizmit që ju pat pushtuar atdheun".
Dhe e mbylli fjalimin në shqip: 'Rroftë
Shqipëria! Rroftë Enver Hoxha!' Dushi i ftohtë që u hoqi zyrtarëve u harrua
krejt, dhe një entusiazëm i papërshkrueshëm shpërtheu pas fjalimit të tij. E
qartë është se, gjatë ditëve që pasuan, pllaka (e gramafonit - shprehje
ironike. n. y.) me 'shkrimtarin e madh shqiptar' nuk u përsërit dhe u
zëvendësua me një pllakë të re: 'shkrimtari i madh rumun, lindur në Shqipëri,
në... afërsi të Korçës'". (...)
Njëra nga sirenat leshverdha. E fundit.
"Lashë pa thënë se, bashkë me ne, -
shton Ekonomu, - në delegacion bënte pjesë edhe një mbesë e Ilarie Kendit
(kritik i shquar rumun i viteve '20-'30), - Anka, - e cila ishte sekretare dhe
mjeke e Eftimiut dhe e cila pat marrë me vete nga Rumania gjërat që ishin në
modë atë vit, fundin e shkurtër, por tashmë paksa të zgjatur, që të mos fyente
puritanizmin shqiptar. Meqë vajtja jonë në Tiranë ish caktuar për një ditë më
vonë, dola bashkë me Ankuca Kendin të bënim një shëtitje buzë liqenit. Në
plazh - grumbuj njerëzish ardhur me pushime. Gratë, të reja e të moshuara,
mbanin kostume banje të qepur si për ca murgesha që rrekeshin të ishin njëra më
e përkushtuar se tjetra. Fanitja e Ankucës... shkaktoi një rrënqethje të
përgjithshme. Veshja e saj verore, në mjedisin e atij plazhi, dukej pothuajse e
pahijshme. U gjendëm menjëherë të rrethuar nga një grup kurreshtarësh. Për fat
të mirë, doli syresh një i ri që pat studiuar në Institutin Politeknik në
Bukuresht. Nëpërmjet tij arritëm të shkëmbenim mendime me kurreshtarët, të
cilët nisën të na silleshin me një ngrohtësi të paharrueshme".
Lidhjet e valutës me
qetësinë...
Njëfarësoj të tmerruar nga udhëtimi plot
kthesa, shpate të thiktë, humnera, të magjepsur nga aftësia e pashoqe e
shoferëve shqiptarë, për të cilët mësojnë se janë më të aftët në botë, tre
pleqtë mbërrijnë në Hotel Dajti. Në gostinë e mirseardhjes, Eftimiu u ngrit
sërish në qiell si "shkrimtari i madh rumun, lindur në Shqipëri, ... në
afërsi të Korçës". Më vonë i pret Presidenti Haxhi Lleshi. Ishin të
pranishëm të gjithë anëtarët e qeverisë. Gjatë bisedës, Eftimiu thotë: "Po
e rishoh Shqipërinë pasi kanë kaluar aq vite, sa nuk është mirë t'i numuroj.
Vërej një shndërrim fantastik. Malet e vendit, dikur të zhveshur, tani janë
kthyer në ca kopshte të mrekullueshëm, plot gjelbërim. Pashë gjatë rrugës nga
Pogradeci batalione të tërë të rinjsh që çanin malet për ndërtimin e një
hekurudhe që t'ju lidhë me Evropën. Klima e Shqipërisë është ideale. Pse nuk
ndërtoni kampe pushimi, hotele në të cilët do të vinin shumë turistë të huaj me
valutë?!".
Përgjigja i vjen shpejt dhe njëfarësoj
ngurosëse: "Vëlla Eftimiu, sa më pak valutë, aq më shumë qetësi në
atdhe!". Ministri i Jashtëm i Shqipërisë së atëhershme, Nesti Nase, ai që
dha përgjigje, vijoi: "Vendi ynë është i kërcënuar nga të gjitha anët,
sidomos nga fuqitë e mëdha. Kemi një pozitë strategjike në Evropë. Që nga ne
hapen rrugë drejt Azisë, Afrikës, drejt të gjitha meridianeve të botës. Malet
tanë janë të fortë e të papërkulur. Çdo fuqie ushtarake do t'ia kish ënda t'i
shtinte në dorë".
Kurse Eftimiu, duke ngritur gotën me
shampanjë, ia pret: "Shkëlqesi, zotërinj ministra, do të jenë zotër në
tokën tuaj vetëm ata që do të arrijnë t'i shkulin malet me rrënjë e të ikin me
ta mbi shpinë".
Kohërat dëshmuan se nuk qe nevoja të
lodheshin aq peshëngritës.
Rreth kombësisë së diplomatëve
Ekonomu na bën të njohur se:
"Metafora e magjepsi mjedisin. Radioja, gazetat, e botuan të nesërmen me
gërma të mëdha, e jam i bindur se ajo shprehje do të mbetet e gdhendur si një
citat antologjik në faqet e historisë së vendit të Skënderbeut". Pak kohë
më vonë, domethënë pas disa ditësh, një tjetër vizitë
tek Enver Hoxha (duket se është kryer edhe të paktën një takim më parë, ku
Ekonomu nuk ka qenë i pranishëm). Ky i doli përpara Eftimiut, e përqafoi dhe i
uroi nxehtësisht, me një frëngjishte pa të sharë, mirëseardhjen.
- Si ndihesh, vëlla Eftimiu, - e pyeti
kryetari i Partisë.
- Me pleqërinë, Shkëlqesi.
- Ç'është ajo pleqëri, - ia ktheu Enver
Hoxha. Zotrote thua në njërin nga aforizmat e tua të shkëlqyera se pleqëria
është rinia e mbrame.
Kuptohet, Eftimiut i erdhi shumë mirë që
'shkëlqesia e tij' ia pat lexuar veprat, mirpo u gjend ngushtë kur Hoxha, pa
ligësi, i kujtoi një tjetër aforizëm. "Më mirë të lindesh diplomat shqiptar, se sa
francez. Si shqiptar, mund të arrish në Paris, kurse si francez - në Tiranë".
Të gjithë u zbavitën, teksa Eftimiu këmbënguli të sqaronte se aforizmi qe
shkruar në kohën e Ahmet Zogut, ish mbret i shqiptarëve".
Varret e të parëve dhe gjedhët
Më në fund, pleqtë mbërrijnë në fshatin e
lindjes. "Shtëpia e Eftimiut, ku bëmë nga një fotografi në fund të
vizitës, - thotë Ekonomu, - qe djegur nga themelet prej hordhive të Hitlerit.
Mbi rrënojat e saj veç, gjendej një pllakë përkujtimore që bënte të njohur se
aty ish lindur Viktor Eftimiu. Pranë saj, në një shtëpizë të pastër, të
hijshme, ndodhej një muze i vogël "Viktor Eftimiu" me librat e tij të
botuar sa në rumanisht, aq edhe në shqip. Muret e muzeut ishin mbushur me
fotografi të ndryshme, qysh nga fëminia e Eftimiut e deri në ditën kur ne sosëm
aty. Në afërsi: varreza e kishës së Shënkollit. Kisha qe shndërruar në depo
drithërash. Në varrezë: varret e gjyshërve tanë, mbuluar me bajga të thara, me
kryqet e paprekur, kryqe mbi të cilët Eftimiu u përkul, i puthi dhe bëri kryqin
me përkushtim të çiltër, si një besimtar i flaktë".
Me kaq, kujtimet e Ekonomut mbyllen. E
ndonëse shënimet e tij firmosen pas vdekjes së Eftimiut, në to nuk gjejmë asnjë
të dhënë, asnjë mendim rreth asaj vdekjeje.
Shkoni
e i mblidhni ata që kanë bërë emër jashtë shtetit. Duhet të vdesin në
atdhe!
Për udhëtimin e dytë të Eftimiut në
Shqipëri dihet shumë pak. Mjeshtra të fshehjes e të shndërrimit të ngjarjeve,
shërbëtorët e regjimit të asaj kohe janë kujdesur që pothuajse asnjë detaj të
mos tingëllojë rrejshëm. E qartë është vetëm se, herën e dytë, Eftimiu kuvendoi
mjaft gjatë me Stalinin shqiptar, dhe bisedat, në disa pika, nuk duket të kenë
qenë aq të përzemërta. Hamendjet janë të pakta. Si mason i shquar e me
ndikim të ndjeshëm në Evropë, Eftimiu mbase qe dërguar t’i jepte Hoxhës ndonjë
këshillë lidhur me të drejtat e shqiptarëve brenda kufijve zyrtarë, ose thjesht
t'i bënte të qartë se nuk ishte krejt i pavdekshëm, siç do të shpallte vite më
pas, gjatë ditëlindjes së tij të fundit, diktatori, në prani të një grupi të
përbetuarish. Fjalët e panjohura të Eftimiut duhet të jenë shprehur njëfarësoj
edhe gjatë takimeve të vitit 1971 dhe Enver Hoxha, me nuhatjen e vet të
pakalueshme saherë i kërcënohej, apo i dukej se i qe kërcënuar froni, duhet të
ketë kërkuar ca kohë për meditim, duke e ftuar Eftimiun vitin e ardhshëm, për
t'i vënë punët në vijë siç duhet. Ai vit i mjafton Hoxhës për të hartuar një
përgjigje të disafishtë ndaj qarqeve të përfaqësuara nga Eftimiu. Në nëntor të
1972-shit, në pikën kufitare të Qafë Thanës, siç dëshmojnë disa pogradecarë që
janë gjendur rastësisht aty, dy zyrtarë të lartë të sigurimit të Shtetit, -
emrat e tyre dihen, - kur janë pyetur miqësisht nga oficeri i radhës se
"për nga kështu?", janë përgjigjur me mburrje: "Po shkojmë të
marrim Viktor Eftimiun, që të vdesë në atdhe!"
Hamendja rreth këshillave të matura dhënë
nga Eftimiu mbështetet njëfarësoj edhe nga fushata famëzezë që ushtroi regjimi
i Hoxhës mbi artistët dhe intelektualët e Shqipërisë gjatë dhe pas vitit 1973,
pas Festivalit të 11-të të Këngës në Radiotelevizion. Mes dy mënyrash për të
ruajtur fronin, Hoxha zgjodhi më të mbrapshtën, atë që tashmë e pat bërë zakon
të zgjidhte. Pasojat përgjithësisht dihen.
Orët e fundit të kësaj jete...
... Eftimiu i kaloi në qiell, mes
Shqipërisë dhe Rumanisë, në helikopterin e posaçëm që pat ardhur për ta çuar në
Bukuresht. Pranë i qëndroi dashuria e tij e fundit, Anka Kendi, hyjnia
leshverdhë që pat trullosur dikur plazhin e Pogradecit. Si mjaft të dashura të
tjera të Eftimiut, edhe ajo u largua nga Rumania dhe u vendos në Perëndim, ose
u fundos në njërën nga shumë guvat pa emër të kryeqytetit rumun. Nuk dëshmoi
asgjë për çastet e mbramë të Eftimiut. As nëse ai la ndonjë amanet, as në iku
nga kjo botë i hidhëruar, apo i qetë - ai që, siç shprehej gjithnjë pa u
shtirë: "Nuk iu pat kërkuar asnjëherë, njerëzve dhe jetës, përveçse një
buzëqeshje".
Dr. Ardian Kyçyku
Bukuresht, 2005