Më ka ndodhur të shkruaj
se Mërgimi nuk është sëmundje, por as për
t’u shëruar nuk shërohet ndonjëherë. Shkrimtari që detyrohet të jetojë larg
vendlindjes, shpesh pa u kthyer më, ka mundësinë dhe fatin e veçantë që të
pastrohet në kujtesë, duke përsosur vetveten, librat e vet dhe madje edhe
Kujtesën e përbashkët. Ai e sheh historinë përmes Metaforës, e cila, në kohët e
tanishme, mbetet një nga shprehitë e mbrame të idealizmit. Vitet, kufijtë, hollësitë
e historisë, kulmet, moçalet dhe honet e saj, kanë kësisoj tjetër thelb dhe
tjetër rol.
Shpallja e Pavarësisë
emërtoi jo vetëm një truall, por edhe një shpirtërim. Kur të duhet të mërgosh
nga ai truall, merr lejë e fuqi të thellohesh e më pas të jetosh në shpirtërimin
përkatës, ose në Atdheun e Përhershëm. Këtu 100 vjet nuk janë shumë. Por
gjykuar nga vuajtjet, ëndrrat, ngadhnjimet e heshtura, mallkimet e bekimet e aq
breznive, sidomos të Mërgatës, por edhe të shqiptarëve që kaluan gati gjysmën e
këtij qindvjetori në një burgim të shumëfishtë, 100 vjet nuk janë pak.
Jo rrallë, në vetminë e
letrave, Atdheu i Përhershëm mund të jetë më i madh se vetë bota, ose mund të
jetë krejt bota e dikujt. Kur kujtoj ndihmesën e jashtëzakonshme që Kolonia
Shqiptare e Bukureshtit dha në themelimin e shtetit, por edhe të letërsisë
shqiptare moderne, më duket se Shqipëria
është shfaqur si një rrjetë ëndërrash jashtë kufijve, pastaj ka nisur të
ngjizet si realitet brenda tyre. Këto ëndrra ishin e janë dhembje nga ato që
nuk i rrëfen dot as letërsia, aq më pak historia, nuk janë qenër që lehin rreth
një çifligu. Po të flasim me gjuhën e Metaforës, çdo truall duhet të ndjekë
gjuhën, jo anasjelltas, qoftë edhe vetëm ngaqë hapësira e një gjuhe përfshin
vetiu edhe botën tjetër, atë që prehet nën troje e gjuhë.
Padyshim, një shkrimtar që jeton në gjuhë
e jo brenda trojeve zyrtare bën edhe pa vëmendjen, ose me heshtjen e pashëndetshme
të një shoqërie të caktuar. Ndodh që shpërfillja e qëllimtë, ose lufta për ta mbajtur
ngujuar në harrim, ta ndihmojnë dhe t’ia përkryejnë veprën. Por ndonjëherë,
gjer edhe për t’u kujtuar të gjithëve se çdo shkrimtar, jashtë a brenda
trojeve, - banor, roje, bir e zëdhënës i shqipes së përhershme, - është
vdekatar si secili prej nesh, vlerësimi ndaj mërgatës së tij i bën gjërat, ngjarjet
dhe njerëzit më të njerëzishëm.
2012