Kri/ji/me fëminie

"Jo pak shprehje të dashurisë së zjarrtë (por dukej se edhe të urrejtjes së zjarrtë kundër zjarrit) ishin plot me „të / ta hëngsha”. Mund të dyshoje se kjo buronte nga uria e stërgjatë a ballkanasve, - për bukë e sidomos buk(ë)uri, - por më tepër dukej si shfrim i njeriut që mezi pret e bën çmos, gjer edhe të ha, për t’u njësuar me ty, për të të pasur në vete (që të rroni e të vdisni bashkë, ose derisa njëri të velet). Qysh atëhere, me gjysmë zëri, si rënkime, gulçime, shfrime, lemza, cicërima, kollitje, teshtima, shumëkush ia hante kokën dikujt, ia hante zemrën, ia hante sisët, ia hante kofshët, ia hante gushën, ia hante vithet e ashtu me radhë. Për të platitur sadopak inatin, mllefin, urrejtjen etj, dikush ia hante dikujt tjetër gurçmanë[1], teksa dikush ankohej, ose shfrynte se ai / ajo po ia hanin shpretkën, mëlçinë, shpirtin.

Unë ende nuk e dija se ato metafora të përkora tashmë qenë bluar çnjerëzisht imët nëpër mullirin e politikës, ashtu siç sheqeri mund bluhej për t’u bërë zeher, dhe ngrënia e kokave nuk ishte më shprehje e etjes për të marrë dikë brenda vetes, por për ta lënë pa kokë, nëpër skërka ku arrinin vetëm shqiponjat, korbat, dhitë e egra, shirat, dëborërat, ortekët dhe tërmetet. Ishin hapësira ku gjer edhe kujtesa e njeriut mbërrinte rrallë. Ngrënia e kokave pasonte ngrënien e shpirtit, se s’kish si të mos suleshe t’ia haje kokën dikujt që ta hante shpirtin, shpretkën, mëlçinë.


[1] Gryka, fyti në të folmen e Poradecit."... 

Libri i plotë