Libri “Zo-om” i Ardian-Christian Kyçykut endet përgjatë një vijëze të ndëprerë kufitare, në trajtë shenjash pikësimi e zbrazëtish ankthi, që lëvrin mes kafshës dhe njeriut, dhe të cilën njeriu shpesh e kapërcen me heshtje të qëllimshme ose të pashmangshme, ndërsa kafsha – me të folme pa fjalë. Shtatë pjesët e librit (Short Eastory, Kafaz, Pastër, Zëra hua, Trashëgimia, l.o.l., M'e fshehur sesa Letërsija) kanë lidhje rrënjore me njëra-tjetrën dhe përcjellin nga brenda një botë jo vetëm shqiptare e ballkanike, por edhe europiane, duke përdorur në radhë të parë konceptin e shumëfishtë “Zo-om” (fjalë e krijuar nga autori dhe që shënon njëherazi Zoo(logjinë), Zo-om (om – njeri, rumanisht) dhe zoom (zmadhim / afrim – anglisht).