-
është pjesë e një
trilogjie kinematografike të Ardian-Christian Kyçykut, që përqëndrohet në
hapësirën mërgim-kthim të jetës shqiptare e ballkanike, si dhe në marrëdhëniet përherë të mjegullta
mes Lindjes dhe Perëndimit. Mërgimtari shqiptar Indrit, i cili, ‘në rini, para
se të largohej nga atdheu, pat
ëndërruar të bëhej arkitekt. Por nuk ia ka dalë mbanë të jetë veçse një shtetas
i fshatit global, ose fshatar i shtetit global’ dhe punon si
zv.skenograf në një teatër të vjetër perëndimor. Papritur vendos të kthehet në
vendlindje pas njëzet ‘e ca’ vjetësh, jo vetëm për të çuar atje disa shënime,
të cilat i sheh me rëndësi vendimtare për Dosjen e vet të fshehtë, por edhe për
t’u bindur se vërtet dikur ka kaluar aty fëmininë
dhe rininë, ka dashuruar dhe ka ndjekur studimet. Ritakimet me ish-të dashurën,
me njërin nga shokët më të afërt të gjimnazit (sepse të tjerët kanë mërguar),
me disa fqinjë dhe me të
panjohur, u japin ngjarjeve një kah të çuditshëm. Pas një kohe të
papërcaktueshme peripecish, çmalljesh, ankthesh e vegimesh, Indriti rikthehet në vendin ku ka mërguar bashkë me një kafkë.
Disa replika nga filmi:
“Ky jam unë
kur nuk e di ku dhe kur jam. Nuk jam gjenì. Para se të mërgoja, jo rrallë më
dukej vetja gjenì, shpesh i pakuptuar, por mërgimi më qetësoi. Shumë të tjerëve
u ndodhi e kundërta. Për fat të keq, shumica e tyre mbetën me atë bindje… Vetëm
të pakuptuar mbetëm – dhe kjo na mban ende të ngjashëm...”
“Murtaja e
shkrimit kish rënë prej vitesh, por mua, si zakonisht, më kapi kur të tjerët
tashmë i kishin botuar kryeveprat. S’mbaja mend qysh kur nuk pata
hedhur në letër ndonjë varg, ose mendim. Duke mos shkruar më, kisha nisur edhe
të lexoja gjithnjë e më pak. Heraherës, kur mbetesha pa bukë, ëndërroja
shpikjen e një aparati që të mund t’i shndërronte vizatimet në libra”.
“Ja kështu,
si në ëndërr: Vite më parë na i mbyllët dyert, që të dilnim jashtë; vite më pas
na i hapët, që të mos hynim dot brenda…”
“Për shkak të dosjes që përmenda,
disa prej tyre trembeshin se mos u dilnin të palarat në shesh. Sado shollë të
mund të qe bërë faqja e bashkatdhetarëve, disa ende kishin kafshime
ndërgjegjeje. Trembeshin se mos zbuloja që më kanë spiunuar, kurse unë… lutesha
që të më kishin spiunuar, madje të kishin shkruar sa më shumë ngjarje, fjali,
skica, ide të miat, sa më hollësisht… që të bindesha se i pata jetuar… dhe, -
nëse shtrohej çështja, - t’i
jetoja në kujtesë…”
“Diçka u thye
dhe u ndy atëhere, - se dashuritë e mëdha hapin plagë jo të vogla, sidomos në
miq e të afërm, - por kanë kaluar kaq kohë dhe nuk besoj se do bëhemi si ata
kalamajtë që luftojnë të fshijnë qurrat në rrobat e njëri-tjetrit... Sidomos
ajo ‚ca’-ja e njëzet e
ca vjetëve ka luajtur një rol
të jashtëzakonshëm pajtues...”
“Shikoji
vetë dhe thuaj nëse e kam gabim... Me flokët drizë, ose me tullën hënë, këta
ndahen vetëm në dy raca: Një - pasuruar me drogë e krime, vishen si gjynahqarë,
që të mos bien në sy, por edhe që të mos i marri njeri mësysh, dhe Dy – brekëgrisur që
vijnë e krekosen këtu nga jashtë, me rroba e çinglamingla floriri të marra
borxh, ose të blera me këste, ashtu,
për të cilat s’merret vesh ç’kanë lënë peng atje… (Fshin me cepin e kanatieres
xhamet e dylbisë). Mos ka ardhur gjë për të marrë ndonjë gjak ky?! Apo ka ardhur të më marrë
dylbitë, se të atit ia mora, para se të ikte...”
“Ka qënë
tmerr, Indrit, ta dish! Tmerr, ë. Ca si ne besojnë edhe sot e kësaj dite se
këtë vend e prishi më fort mungesa e cave si ju, se sa pafuqia, egërsia,
çoroditja dhe tradhtitë e cave si ne. Por do kalojë koha, siç edhe po kalon,
dhe ca si ju… ca si ne…”
“Mrekulli!
Fama e disave ka kapërcyer çdo cak, ka hyrë dhunshëm në hapësira që s’kanë
lidhje me të, dhe kësisoj e ka zvogëluar botën. Mua më duket se po e bën të
pabanueshme. Prandaj shumë vetë vrasin veten. Jo se s’mund të jetojnë, por se
s’kanë ku... (...)Po nuk të duket çudi që analfabetizmi shtohet, shumica e
lexuesve s’e kanë haberin nga letërsia, e megjithatë librat e disave shiten në
miliona kopje?!”
“Tani... ca
gjëra duhen shprehur hapur, që secili të flerë sa më pa pengje... Ndërgjegja
nuk mësohet kurrë me kafshimet, siç ndodh të mësohet robi me dashurinë
trupore... Nejse... Le
ta themi hapur se ju më keni llogaritur gjithmonë si të vdekur. Ose të vdekur fare, ama!...
Përshpirtje më keni bërë? Të nëntat, të dyzetat, më-the-të-thashë… “
„As populli
s’e di kush qan vërtet dhe pse në ditë të tilla”.
Disa skenarë të Ardian-Christian Kyçykut, si “Vend për një kukull të vetme” dhe “Qielli në zarf” janë botuar si libra më vete në gjuhën rumune.