Besonte me gjithë shpirt, - me aq sa kishte, - se vetëm era lemerisëse e apartamentit e pat shtyrë të binte në dashuri me zogjtë. E përsëriste vetiu togfjalëshin “i shtyrë të bie”, sidomos muzgjeve dimërorë, kur mbështeste ballin pas qelqeve të dritares së kuzhinës dhe ngulmonte të shquante trajtën që kishin kristalet e borës. Një mbrëmje kishte mbështetur padashur buzët, me etjen të puthte, dhe aty e kish kuptuar se patën rrjedhur vite pa ndonjë dashuri njëfarësoj të paharrueshme. Qelqi kishte qenë akull - qe tërhequr mbrapsht i trembur, njëlloj sikur të qe puthur qorrazi me ndonjë ide të gjinisë mashkullore. Kur sillte ndërmend se si era e qelbur e apartamentit që kish vendosur të blinte, në një grimcë kohe, sa një puthje protokollare, e pat gremisur në dashurinë ndaj zogjve, të njëqind e një kanarinat që rriste heshtnin. Heshtnin si për t’i lënë kohë të dilte mendsh nga mprehja e vetmisë, apo të mos dilte mendsh nga paqja që sjell vetmia.
Pat vendosur ta blinte këtë apartament pasi kish hulumtuar mbi dhjetë. Kish qenë një rrënojë e vërtetë, një zgafellë e papërshkrueshme, një enigmë e arkitekturës, për të mos thënë e metafizikës. Ishte pronë e një plakusheje që përpëlitej të dukej gjak-kaltër dhe që i mbante doçkat e fishkura vetëm në xhep, aq të rënda ishin unazat e lara në argjend e me gurë të rremë. I mbante në dy xhepa që u ngjasonin dy qelesheve të kthyera sëprapthi, sikur t’ia kishin varur supeve për ndëshkim, dhe të ngulte një vështrim nepërke, dhe të fliste me epërsinë e sforcuar të atyre që nguten të ta shesin mutin për kadaif. Nuk e harronte dot çastin kur qe fanitur aristokratja. I qene kujtuar, me një zgërdheshje stomaku të uritur vargjet e Pushkinit: “Kujtoj atë çast të mrekullueshëm / kur para meje u shfaqe ti...” dhe qe mbajtur pas një dollapi, që të mos përmbysej mbi dysheme. Jam filan de fistekja, qe paraqitur plakushja, duke u stërmunduar të shkulte nga zhepi njërën prej doçkave - që ai t’ia puthte, siç ish zakon njëherë e një kohë. Apartamenti, siç mund ta vinte re, ishte një bizhuteri, apo jo? Ishte vërtet ca i lënë pas dore, ca i palyer, ca me mure të krisur, por kohërat e helmëta nuk para të linin të bëje art e madje as të jetoje sadopak njerëzisht. Ama apartamenti kishte energji të mrekullueshme. Plakushja pat jetuar plot dyzet vjet mes atyre mureve, tridhjetë e tetë prej të cilëve në një harmoni për t’u pasur zili me të ndjerin bashkëshort. Me të cilin keni ndarë, mes të tjerash, i qe drejtuar ai me vete, edhe këtë erë apokaliptike! Pat menduar gati egërsisht se, që ta nxirrje në sipërfaqe të vërtetësisë atë rrënojë, duhej më parë t’i vije dinamitin, ta spërkasje me antraks, e pastaj të sillje për zverku, me pistoletë ngjitur pas tëmthit, nga një përfaqësues të secilës prej feve të gjalla, që ta këndonin mbareprapë gjersa të arratiseshin të gjithë engjëjt dhe shpirtrat. Po: shpirtrat e padukshëm, shumëngjyrësh, bredharakë, që kishin hedhur rrënjë pak përtej vështrimit tënd - dhe që i jepnin banesës pamjen e një shpelle. Atë çast pat rënë në dashuri me zogjtë. Pat qenë një dashuri me nuhatje të parë, të themi, ose me marrosje të parë. Me një ngulm prej shpellani, - që s’njeh gjuhë e ligje të shprishur kohërash moderne, - Aristokratja kish kërkuar plot njëzet mijë dollarë, në dorë, me një hije fytyre që duhej të të bindte se bëhej fjalë për një qelepir. Ai kish rënë tashmë në dashuri me zogjtë. Dinte se asnjëherë më parë, as në fëmini, zogjtë nuk e kishin joshur me ndonjë gjë. Madje fluturimi në vetvete ishte nga të paktat gjëra që nuk i kishin bërë përshtypje. Fluturimi i qe dukur gjithmonë si një gënjeshtër: diçka që ndodh, por nuk është e vërtetë, ose anasjelltas.
Banesa e parfumit shkatërrimtar, siç e pat pagëzuar ai, kushtoi, në fakt, nëntë mijë dollarë. Por iu deshën edhe plot pesë mijë që ta ujdiste. Nuk i pat ndjerë ata dy muaj sa zgjatën punimet, sepse qe turrur nëpër tregje, sidomos në ata gjysmë-të-ndaluarit, për të blerë zogj. E patën magjepsur fillimisht papagajtë dhe nimfat. Mirpo vuri re se shitësit e tyre, mbrëmjeve, dyndeshin nëpër mejhane dhe bëheshin xurxull me raki hua, raki defteri, si i thonë, duke mallkuar rritjen e përditshme të çmimeve, me në krye atë të benzinës, që ua ulnin pa mëshirë çmimin papagajve dhe nimfave. Mirpo vlera e tyre rritej, pavarësisht, ose pikërisht ngaqë çmimi i tyre binte. Në vetëm dy muaj mësoi për zogjtë të fshehta dhe qerratallëqe ndofta më shumë edhe se ai që i pat krijuar. Ditën kur banesa përfundoi dhe ai hyri brenda, - dhe ndryshimet ishin aq befasuese sa u lut të vinte në vete, domethënë të shpëtonte nga dashuria për zogjtë, ose, në mundej, të binte në dashuri me ndonjë kafshë shtëpiake, se femrat nuk gjeheshin lehtë, - pó atë ditë bleu kanarinën e parë.
Nuk e harronte kurrë: kish qenë e premte. Iu deshën më shumë se dy vjet që t’ia gjente ngjyrën asaj të premteje, - sepse një jetë krejt e panjohur, të paktën e çuditshme, iu hap para sysh e para hundësh menjëherë pas hyrjes në shtëpi, - derisa u kapit dhe e quajti thjesht “E premtja e zogjve”. Një e premte dashurie ndaj zogjve, pavarësisht nga ngjyra e puplave, madhësia, soji i cicërimës dhe vetitë kimike të glasave.
Të pemten e pat blerë kanarinën e parë.
Të premten tjetër kish harxhuar treçerekun e rrogës, dhe i kish shtuar ajrit të shtëpisë edhe njëzet e një kanarina të tjera. Kishte plot njëzet e dy kanarina, e më pas tridhjetetre, dyzet e katër, pesëdhjetë e pesë - se kishte maninë e numurave, ose, siç mendonte: bestytninë e prejardhur nga një jetë më parë. Ndofta kish qenë mbret zogjsh, apo nënë heroinë zogjsh në ndonjë pyll parajsor, në ndonjë xhungël, apo edhe në ndonjë pulari të famshme. Mbremjet ishin tani shumë më të këndshme: mes mureve dukej sikur ngjyra e verdhë, ajo e parmja, nëna e të gjithë të verdhave, pasi qe mbledhur shuk në vetvete, pat plasur me një shkulm cicërimash, duke e mbushur brendinë me qindra kristale të butë, puplorë, të së verdhës: nga e verdha e ashpër, shpërfillëse, e coftinës, deri tek e portokallta e ëmbël, disi e zjarrmitur, si çast hyrjeje fallusi në të bekuarën vrimë të gruas, në shtrat, në një dimër përrallash. Mbrëmjeve, tani, kthehej me një hov fëminor, me një gazmend të kulluar, përtej çdo arsyeje, në shtëpi, u shpërndante kanarinave farat e kërpit dhe ujin; të shtunave e të dielave i gostiste me fara të shtrenjta, korrur e paketuar posaçërisht për kanarinat, pastaj ulej në kolltukun e vetëm, përballë dritares së dhomës së miqve, dhe fliste me vete, ose këndonte, mbështjellë nga plot njëqind e një lloje cicërimash. Sepse kanarinat, sikurse gratë, kishin secila cicërimën e vet, të padëgjuar më parë e të papërsëritshme. Prehej në dhomën e miqve, në kolltukun e vetëm, falë dy shkaqesh madhorë: sepse ndër njerëz kishte mik vetëm veten, dhe se prania e kanarinave e kish bërë të ndihej krejtësisht mik në këtë botë.
Me siguri do të kish arritur të mësonte gjuhën e kanarinave, ose të shkruante një traktat për si duhet të sillemi ndaj kanarinave, përfshi një historik të shkurtër, një alfabet me cicërimat kryesore dhe një liste të nevojave qënësore të kanarinave, sikur shtëpia të mos ndodhej në atë pallat njëmbëdhjetë katësh, sikur mosha mesatare e fqinjëve të mos ishte rreth shtatëdhjetë vjeç, sikur më shumë se treçereku i fqinjëve të mos mbanin qenër racash të ndryshme, mace, papagaj, apo kafshë të tjera më pak të zbutura. Pallati të kujtonte një sarkofag të sulmuar gati me epsh nga lagështia, ngritur mes një shkolle shurdhmemecësh dhe bulevardit që vazhdonte të mbante emrin e një komunisti të përflakur që pat dhënë ndihmesë të shquar në shkretimin e vendit - një sarkofag ku, në një sahat të mbramë të jetës kryesisht të çoroditur, një hordhi ish-ësh qenë dyndur të ngujoheshin. Të ngujoheshin që vdekja t’ua falte edhe një herë. Shumica e këtyre ish-nëpunësave, ish-llogaritarëve, ish-oficerëve, ish-lavirave me ose pa ferman, ish-gardianëve, ish-burgaxhinjve, ish-politikanëve, ish-Ishërve mbanin kafshë, thua se nuk u mjaftonte përqindja e trashëguar e kafshës që bartnin nën lëkurë. I takoje nga njëzet e dy herë gjatë ditës, në varësi të urinës së qenve e maceve, - të cilëve u plaskej qesja po të mos pshurreshin me orar, - shkëmbeje ndonjë llaf pa pikë vlere, ndonjë buzëqeshje të shtirë, ndonjë lajm nga ata lebetitësit e gazetës së ditës, dhe mezi prisje të kyçeshe në strofullën tënde, mes kanarinave, e të dëboje, me munxosje të hartuara atypëraty, shumica sharje pa helm, shijen që linin këta takime. Flisnin në radhë të parë për kafshët, sikur të ishin njerëzit e mbramë të planetit, sikur fëmijët të qenë zhdukur nga faqja e dheut e sikur asnjëri prej jush nuk kishte më kurrfarë të fshehte të denjë për urinë e moçme të muhabetit.
Sapo kish mbushur një muaj në shtëpi, kur filloi një epokë e vërtetë njohjeje, siç e quajti ai. Në çdo orë të ditës e të natës, meqë ende nuk pat vënë zile, trokamat e derës këmbëngulnin ta bënin me zemër. Pleq e plaka, me kafshën përkatëse, të sapoqethur, për shembull, duke ta nxjerrë përpara me një krenari të dukshme prindërore dhe duke përdorur kafshë në vend të kartëvizitave, vinin të kërkonin ndonjë mendim, hidhnin ndonjë sy në korridor, u dërgonin nga një puthje me dorë kanarinave, merrnin nëpër gojë filan fqinj që s’lahej kurrë, apo që nuk i hidhte plehërat në kazan, apo që pështynte drejt e në oborrin e shkollës së të ngratëve shurdhmemecë; mallkonin filanin që tërë jetën kish spiunuar të tjerët, kish bastisur shtetin, kish prishur sahatin e dritave. Në fakt, epoka e njohjes nuk lidhej fare me dritat, me ujin apo me jetën e kartëvizitave. Ai e kish nuhatur me të parën: të gjithë ish-ët dyndeshin, shpesh me gojë të lëngëzuara, t’i hynin në shtëpi. Të shihnin si i kishte lyer muret, ç’tablo e fotografi kish varur, kishte a s’kishte televizor, radio, kanape, brisk rrojeje; të zhbironin nëse rronte edhe ndokush tjetër me ty, ndonjë rrospijë apo deledash i paregjistruar në librin e banorëve (e që i shmangej si kriminel pagesës së qirasë). Të gjithë eteshin të shihnin si e kish shndërruar “Shpellën” e asaj marrokes, si ia kish dalë banë, - në ia kish dalë, - të mposhtte atë duhmën dalldisëse që ngjethte edhe të vdekurit dhe që sikur pat ndryrë brenda vetes në trajtë ere tërë pisllëqet e shekullit të shkuar, marrëveshjet e fshehta, krimet, lapërdhinë. Madje, një herë, pat kapur gafile para derës ish-pronaren e apartamentit. Kish pandehur me neveri se plakërruqja qe gërmuqur rrëzë bravës që të përgjonte a të shkoqiste me trurin e saj të kokolepsur thashethemet e kanarinave, mirpo kish ngrirë si ndonjë shtatore. Plaka, në fakt, kish ardhur jo të përgjonte, por të nuhaste. E kish grirë malli, si duket, për erën e paemër.
Nuk kish mundur t’u bënte ballë. Nuk e kish njohur, nuk kish ditur ç’fuqi magjepsëse, ç’talent zanash që ngurosin, paskëshin pasur Ishët. Në vetëm një muaj, disa syresh hynin e dilnin nën kanarina, - se kafazet e tyre qe detyruar t’i varte në resht në disa tuba çeliku, ngulur në të dy anët e mureve, - baritnin në shtëpinë e tij me lirshmërinë me të cilën shtyn mërzinë brenda mureve të tu. Nuk dinte me saktësi në ç’kohë, dinte vetëm se pat qenë pó e premte (kësaj here sterrë) kur llafet e fqinjëve, që deri atë çast i kish lënë t’i hynin nga njëri vesh e t’i dilnin nga tjetri (pakashumë me ritmin e hyrjedaljes së fqinjëve në shtëpi) i qenë bërë nyje në veshë, në thelb të dëgjimit, si të thuash, dhe desh e kishin shtyrë të binte në çmenduri. Ishte një ujëvarë e skëterrshme ankesash, qarjesh e përgojimesh, kryesisht për dhimbjen e kockave, të zemrës, të stomakut, të mëlçisë, të vitheve, të shpirtit, për zhgënjime, dështime e ngadhnjime vocërrakë. Për herë të parë kanarinat, tek cicëronin mes mjegullinës së aq rropullive qaramane, i qenë dukur zogj grabitqarë. I qenë dukur mishngrënëse. Dhe s’dinte me çfarë e kish frenuar gjuhën të mos i ndërsente: “Skapee! Vërsuluni mbi këta gërdalla dhe mos u lini as kockat! Skapee!” - me shprehjen me të cilën ndërkryhen qentë. Por kish heshtur.
E kish gdhirë të premten sterrë, duke u lutur të mos nxirrte rropullitë e veta nga neveria dhe mllefi që paskësh luajtur padashur rolin e një prifti. S’kish kurrgjë prej prifti, mirpo rrëfimet ia kishin nxirë ditët. Ish detyruar të ngjiste mbi derën e jashtme, pak mbi syrin magjik, një shënim domethënës:
“Lus qetësi, mos trokisni, kanarina të tërbuara...”
Ngjarjet pasuese, heraherës të makthshme, i përmblodhi nën togfjalëshin “Diktatura fqinjiste”. Me nuhatjen e rrallë të qënieve të ndenjura, - që mbahen gjallë duke gërditur hollësira e kohë nga jeta e tjetrit, - Ishët e paditën në polici. Erdhi operativi i zonës dhe e mori në pyetje. Pse kaq kanarina, nga e kishin prejardhjen, a ishin blerë me dokumenta në rregull, a ishin vaksinuar, përse i rriste, mos ndofta i përdorte si parzmore për të fshehur ndonjë veprimtari armiqësore - pallavra të ketij lloji. Përgjigjet e tij kishin qenë vendimtare, megjithëse operativi e kish pandehur gjysmak, i bindur se banorëve të këtij pallati do t’u qe ngjitur me kalimin e viteve diçka nga këneta trunore e shurdhmemecëve. E kish bërë me vete operativin duke i dhuruar një vezë kanarine. Një vezë e hatashme, do ta shihte vetë; ta zjente një të premte në muzg, ta zjente, por vetëm tri minuta, rreptësisht tri, me orë në dorë, e pastaj ta hante me pak kripë të bluar hollë. Do ta vinte re menjëherë se si do t’i zhdukeshin sëmundjet, do t’i rinoheshin mendimet. Kulmi ishte se operativi e hëngri vezën mrekullibërëse dhe filloi të kërkonte të tjera, pa ditur ndoshta se kanarinat nuk shquhen për pjellori. Mezi i qe shqitur kthetrash urisë prej zogu tejet grabitqar të operativit. I kish falur një kanarinë të ashtuquajtur ‘anti-stres’. Mirpo Ishët nuk tërhiqeshin lehtë. E kishin paditur në bashki, se prishte qetësinë e pleqërisë së bardhë, qetësinë e qenve, maceve etj, pa përmendur erën e tmerrshme që burokej nga jashtëqitjet e kanarinave. Një Ish qe shëndërkuar nga alergjia. Mbushej me puçrra jo vetëm kur i binte era kanarinë, por edhe kur dëgjonte cicërimat. Një Ishe i betohej kryetarit të bashkisë se të premteve, me të rënë muzgu, qenushi i saj që përjetësisht pat qenë i heshtur, gati humbameno, rrenqethej dhe ia merrte një të lehure të ngjirur, të frikshme, çka e pat sëmurur nga nervat fqinjën e nderuar të një kati më poshtë. Jetojmë në një strukturë të rregullt, i shtrenjti zoti kryetar, pat shtuar Ishja; jemi si një trup i vetëm.
Ishin jo si, po vërtet një trup i vetëm. Përfaqësuesit e bashkisë erdhën dhe e hulumtuan ngjarjen në vend. Kanarinat kundërmonin era parfum dhe cicërimat të përgjumnin, të rrëmbenin shpirtërisht e të shpinin në troje vegimtare, ku nuk pate qenë kahmot, e ku asnjë i afërm nuk pat vdekur, asnjë dashuri nuk qe bjerrur. E vetmja mangësi që gjetën përfaqësuesit e bashkisë ishte numuri i kanarinave. Ishin ca si shumë për një banesë me tri dhoma e me ballkon të vogël. Mirpo u qetësuan pasi hëngrën nga një vezë të zjerë për tri minuta, me pak kripë të bluar hollë, në muzg, të premten e ardhshme - dhe pasi u kamën me nga një kanarinë ‘anti-stres’, ‘anti-lodhje’, ‘pro-viagra’.
Ai kish nisur të hartonte një plan paqeje e të shpëtonte nga kjo belá, duke flijuar rreth tridhjetë vezë shpëtimtare, përfshi kanarinat Anti, mirpo Ishët e sulmuan me një mënyrë tjetër. Ish-llogaritari i katit sipër, një të premteje dimërore harroi hapur çezmën e banjës dhe ia përmbyti tavanet. Disa nga kanarinat filluan të çirreshin. Sapo i kish ardhur për vizitë një mesoburrë ezmer, i huaj, që e vërtiste fjalën rreth perandorisë osmane dhe rolit të jashtëzakonshëm të kanarinave në ecurinë dhe qëndresën e saj. Mirpo kanarinat siduket i kishin erë tregtisë së paligjshme që synonte ezmeri dhe nuk pushonin. Me shumë lodhje e fjali të koklavitura kish arritur të mësonte se glasat e kanarinave qënkëshin helmatisëse, më saktë: glasat e thara sipas një rituali të fshehtë, të shtypura në havan - një e fshehtë që e pat tronditur. Askush s’kish ardhur t’i blinte ndonjë vezë apo ndonjë zogth. Kurse për t’i blerë glasa, një sasi të caktuar çdo muaj, ky ezmer, - që mund të ishte edhe provokator, ose misionar i Ishëve, - nuk i shqitej. Po cilët ishin ata që do të helmoheshin me pluhur glasash? Aq shumë qënkëshin? Mos ndoshta qe përzjerë padashur në ndonjë ujdi të errët ndërplanetare, ku i binte t’i kishin vënë pseudonimin “Kanarina”, ose “Glasa e drejtësisë”?!
Kish sosur e premtja tjetër, kur tri kanarina morën plevitin nga tavanet e lagur, kur një gur qorr i theu xhamin ku mbështeste ballin, - e vetëm një herë, gabimisht, buzët, - çdo mbrëmje dhe kur, si ndonjë bishë në kafaz, tek grryente me mllef pafuqinë e vet ndaj kësaj botë të ndërtuar shkeleshko e aspak miqësore ndaj kanarinave, vendosi t’i lëshonte cicërimat dhe copërat magjepsëse të nënës së të gjitha të verdhave. Mbante mend turbull, si të shihej me sytë e një Ishi, se si kish hapur kuturu dritaret, dyert e kafazeve italianë dhe kish nisur t’i shkundte të gjorat kanarina që të dilnin, qielli ishte i tyri, liria ishte e qiellit, ishte në qiell, le të lumturonin tash e mbrapa sy të tjerë, veshë të tjerë, hapësira të tjera. Mirpo kish dështuar. Asnjëra nga kanarinat nuk qe arratisur. Siduket qenë dashuruar edhe ato me të, me shtëpinë; ndofta ishin regjur t’u sherbente një vdekatar i thjeshte e nuk kishin më besimin e parmë tek engjëjt.
Kur qe penduar e po u kërkonte falje, kish marrë letrën e parë anonime. Përmbajtja kishte qenë e qartë: “Shiti sa nuk është vonë ata zogj të mallkuar, se po merr më qafë dhjetra njerëz të nderuar. Shiti sa nuk është vonë dhe kthehu në gjirin e shoqërisë, me mend në kokë. Mos na detyro të të ndëshkojmë siç e ke bërë hak prej kohësh". I kish vajtur menjëherë në mend se, po t’i ftonte tani në shtëpi, po t’ua hapte dyert sërish, ata do të zbuteshin, do ta ndihmonin të meremetonte tavanet, do ta pyesnin për shëndetin e kanarinave e madje do t’i sillnin ndonjë çaj të ngrohtë për to e ndonjë kuti me biskota. Por nuk i bënte zemra. Ishte lodhur. Ishte rraskapitur nga aq kohë, vite mbase, pa një dashuri të madhe. Ndoshta kanarinat i kishin sjellë aq lumturi, paqe e prapësi sa të mos ndjente mungesën e një qënieje e trupi të dashur njerëzor. Kanarinat do ta kishin shajnitur në atë farë feje sa të mos e ndjente më praninë tashmë përlotëse, mallëngjyese, të femrës në këtë jetë.
Të premten në të gdhirë kish marrë një mikrobuz me qira dhe kish stivosur brenda të njëqind e një kafazet me kanarina. Ishte ftohtë. Kur mbërriti në treg, në cepin pranë buteve me lakër turshi, ku shiteshin edhe celularë të vjedhur, vendi ishte i lirë. Nuk mbante mend si kishte arritur t’i shiste të gjitha, me sa i kishte shitur dhe në a i kishte shitur apo ua kishte falur verbtazi atyre që i kishin dalë para. Qe kthyer në apartamentin e zbrazët i bindur se derën do t’ia hapte zonja e rëndë me doçkat që peshonin nga shtatë a tetë kilogramë copa - dhe ai do të turrej me kokë, me një fuzhnjë të padukshme në dorë, për t’ia ngulur në gjoks asaj erës apokaliptike që do t’i zgërdheshej nga hapësirat tashmë të braktisura prej cicërimave dhe vezullimeve të së verdhës. Rrugës kishte blerë katër shishe me verë të kuqe, një qese me sheqer-pluhur, një qese me kokos të grirë, një qese me vanilje dhe një kek të madh, rrumbullak, njëfarë torte gjysmë të gatshme. Se si bëhej sherbeti e mbante mend nga e gjyshja.
Në vend të Zonjës së rëndë e kish pritur shkretia, njollat e lagështisë në tavane dhe ajo si dëborë e hirnosur e glasave. Kishte bërë pastrim pa cicëruar me vete, symbyllur. Pastaj kish gatuar një tortë që besonte se do të mbahej mend gjatë në ato rrethina me mbi katërqind mijë banorë.
Kish trokitur lehtë, me përkushtim, në dyert e plot njëzet e dy Ishëve e Isheve të nderuar. Ua kish shqiptuar ftesën me njëfarë vështirësie, si ndonjë ish-shurdhmemec në ndreqje e sipër: ... e dini... si t’ju them... shpëtuam nga tersllëku... një tortë... ju ftoj me gjithë shpirt të...
Siç pritej, nuk kishte munguar asnjëri.
Para ndarjes së tortës, - mes lëvdatave se ç’kryevepër ishte apartamenti në këto kushte, po sigurisht, ka ardhur koha të martohesh, të gjesh një vajzë të bukur e me studime të larta, ta ka lezet shpirti t’i çlodhësh sytë mbi këta mure, vjen era borsilog, presim të na ftosh kur të cicërojnë fëmijët, sukses, gjithë të mirat... - i qe ngjitur në grykë një fjalim, një si cicërimë nga më të dhembshurat e mundshme. Dhe kish cicëruar. Të dashur fqinjë, kish cicëruar. Sot e ndjej se zogjtë i sjellin prapësi njeriut, cënojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, prishin shpirtin, turbullojnë shqisat. Në këto çaste të shënuara, ndjej më qartë se kurrë se kam gabuar, ndaj jush, ndaj vetes sime, ndaj shoqërisë. Ju ftoj ta mposhtim hidhërimin e gjatë që ju kam shkaktuar duke ngrënë nga një fetë ëmbëlsirë e duke pirë nga një gotë verë të kuqe.
Pas mbllaçitjeve e lëpirjes së gishtave, i kishte përcjellë të gjithë me radhë, duke u rrahur krahët, duket thurur me secilin plane për mbarëvajtjen e pallatit, duke përgojuar ndonjërin që kish ngrënë e pirë si i paparë. Qe ulur pastaj në kolltukun e vetëm të dhomës së miqve, nën tubat e çeliktë ku dikur, shumë kohë më parë, vareshin çengelët e kafazeve dhe qe këndellur në një përfytyrim të errët, përfytyrim që i jepte një lumturi të panjohur, të kulluar e ëmbëlsisht të frikshme. Ndiqte me sytë e mendjes, një nga një, Ishët e Ishet qe kruspulloseshin mbi lavamanë, mbi parmakët e ballkonit, në divanët tërë gunga, mbi qenef, nën llampadarët e palarë të dhomave të miqve, mbi gazetën e asaj të premteje - dhe villnin shpirtin, ose vrerin. Ose të dy bashkë, diçka e tillë. Përfytyronte se si të nesërmen gazetat do të shiteshin gati me furi nëpër kioskat e lagjes, një ngjarje tronditëse, një terrorist helmoi mbrëmë rreth orës (...), burime të verifikuara njoftojnë se vrasësi në fjalë është një nga krerët e një organizate të fshehtë kriminale, i njohur nën pseudonimet “Kanarina” dhe “Glasa ndëshkimtare”...
Nuk ishte e premtja e parë që e gdhinte. E mbase as e fundit. Hijet e mbrame që u përhinë e humbën para vështrimit ë tij, ishin trupat pa jetë të njëzet e dy Ishëve e Ishëve: bërë kallkan, secili me nga një motërzim të tmerrit të vdekjes ngrirë në tipare, shtrirë në tezgë, duke dalë me këmbët para nga një sarkofag i stërmadh, nga një erë e rëndë e papërshkrueshme.
Sapo kishte gdhirë e shtuna, kur iu bë sikur dëgjoi, si zakonisht, cicërimat mëngjesore të njëqind e një kanarinave. Buzëqeshi pa i hapur sytë, pohoi me kokë: ishin fqinjët dhe kafshët e jetës së tyre, përfshi njëzet e dy Ishët dhe Ishet e festës së një nate më parë, që zgjoheshin duke gogësirë, duke u kollitur, duke flakur ndonjë gëlbazë, duke rrufitur kafetë pa kofeinë dhe çajrat shërues - fqinjët qaramanë e të pamposhtur, mbrehur me dhëmbë e thonj pas parimeve, në marshimin drejt një të ardhmeje të ndritur, pa kanarina.

No comments:
Post a Comment