Flora N. Nikolla: Si dhe kur e kuptuat dashurinë tuaj për
letërsinë?
Ardian-Christian Kyçyku: Më duket se përgjigja më e ndershme, në frymë letrare, do të ishte: pak
para se të lindesha – pak para se të vdisja.
Cilët janë elementët që në tërësi
përbëjnë dhe formëzojnë jetën e një shkrimtari profesionist?
Je shkrimtar
kur nuk je asgjë tjetër, por edhe kur vetëm shkrimtar nuk je dot. Nga
gërshetimi i këtyre dy jetëve të skajshme më duket se fitohet ai vështrim që
përshkon kohërat dhe muret e së dukshmes dhe të së tashmes.
Cilët janë personazhet tuaja, si lindin
dhe si zhvillohen ata; a ju interesojnë personazhet nga pikëpamaja
psikanalitike, apo …
Pas një çasti të caktuar, - po e quaj edhe numur faqesh të shkruara,
- është e vështirë ta ndash personazhin nga gjendja. Letërsia e ka zhvendosur
tashmë forcën e rëndesës. Në thelbin e vëmendjes së saj nuk ka si të jetë më
tipologjia, ndoshta ngaqë njeriu i sotëm ka kapërcyer çdo cak që e ruante
brenda njeriut dhe shpesh kopjon gjendjet nëpër të cilat jeton, ose vdes pa e
kuptuar. Psikanaliza u quajt me të drejtë një sëmundje që e pandeh veten ilaç.
„Ata mburreshin se i kanë të gjitha ilaçet, unë nuk kisha asnjërën prej
sëmundjeve”. Më qartë se ç’e kam shkruar këtu, zor ta them.
Si lind një vepër
tek ju ... Çfarë ju nxit të shkruani ... ?
Për mua një
vepër nuk lind, por vjen të vdesë sa më hijshëm. Më duken teatrale dhe të
pagëlltitshme shprehjet me librin që
është si fëmija, dhembjet e krijimit si ato të lindjes etj, etj. Ngaqë
shpesh ajo që kam në shpirt e në kokë ndyshon prej asaj që më del nga pena, më
tepër se një mamie, unë i ngjasoj një prifti, që ndihmon t’i dalë shpirti sa më
bukur dikujt (librit përkatës) dhe të lerë në kujtesë gjurmë të hijshme.
Si dhe kur e përcaktoni titullin e
librit? Komentoni me miqtë kur
shkruani?
Varet nga libri. Romanet „Mortët”, „Një fis i lavdishëm e që jep
shpirt”, „Engjëjt e tepërt”, „Kristali dhe hienat”, „Home”, „Puthmë, skelet”,
„zv.Libri”, „Vdekja shkruan me dy duar”, për shembull, kanë nisur njëheresh
me titujt. Kurse „Sy”, „Nata pas vitit zero”, „Vend për një kukull të
vetme”, „Qielli në zarf”, „Një botë më tutje” etj janë mbyllur nga titujt.
A e mendoni lexuesin kur shkruani?
Jo, prej vitesh.
Keni shkruar mbi 30 vepra në shqip e
rumanisht; cilën prej tyre do të veçonit?
Ndoshta
epopenë „Mahnitja e papagajve”, që e
kam shkruar në vitin 1991 në shqip dhe që nuk është botuar ende.
Në veprat
tuaja ka edhe nota të realizmit magjik, nota që janë pa kursim në qytetin tuaj
të lindjes, Pogradec… Sa i pranishëm është ky qytet në krijimtarinë tuaj?
„Realizmi
magjik” është koncept i kritikës letrare dhe i është ngjitur stilit të disa
prej librave të mi në mungesë të një togfjalëshi më të frymëzuar, ose më të
saktë. Në trajtën e vet të kulluar, „realizmi magjik”, të cilin gjithmonë e kam
quajtur „mbijeta, ose jeta që nuk shihet
me të parën”, gjendet në folklorin ballkanik, veçanërisht në atë shqiptar.
Shumicën e librave e kam shkruar nga brenda Pogradecit, atij të përjetshmit, ku
në moshën 4-vjeçare shkrova për herë të parë në shqip dhe ku, për fat, ende nuk
më ka shterur fëmijëria. Sa i përket historisë së letërsisë, trajta të
Pogradecit të përhershëm, gjenden në të gjithë librat e mi, në disa gjuhë,
përtej çdo mitizimi të vendlindjes dhe brenda së vërtetës se „shumë e do Zoti botën që ndryshon pak”
(në krahasim me botën siç e ka krijuar Ai).
Kritika rumune e ka
vendosur veprën tuaj në një vend nderi, pranë emrash si Markezi, Gogoli, Kafka,
Istrati, Dostojevski etj, ndërsa praninë tuaj në letërsinë rumune e ka vlerësuar edhe si një hapje të kulturës rumune ndaj bijsh që
vijnë nga kultura të tjera, të cilat kanë kaluar mes përvojash të hidhura
ballkanike... Si do t’i komentonit analizat e tyre? Me cilën shprehje jeni më dakord?
Padyshim që
vlerësimet më nderojnë, por jam kujdesur që të mos i afrohen rrezikshëm punës
sime të përditshme.
Jeni specializuar në Universitetin e Bukureshtit
për letërsi të krahasuar dhe botërore. Si ndiheni kur shkruani në rumanisht dhe
si kur shkruani në shqip, dy gjuhë për të cilat thuhet se kanë përafrime në
strukturën e tyre të brendshme.
Shqipja dhe
rumanishtja janë dy gjuhë të rralla dhe vërtet kanë përbashkësi, por janë, të
paktën nga ana letrare, mjaft të ndryshme. E shkruara në dy gjuhë të
qarkullimit të kufizuar, - ndonëse bëhet fjalë për mbi 30 milionë lexues të
mundshëm, - është një ngjarje tejet vetjake, pakashumë si dashuria, ose vdekja,
dhe çdo përcaktim do të mbetej i pakapërdishëm për lexuesin.
Tema e
doktoratës sime ishte „Drejtime të
modernizmit evropian dhe jehona të tyre në letërsinë shipe të mes dy luftrave”.
Ishte studimi i parë dhe më i zgjeruari në rumanisht i disa prej klasikëve të
shqipes (Konica, Poradeci, Koliqi, Kuteli, Fishta, Migjeni) në marrëdhënie me
letërsinë evropiane. Nga periudha e doktoraturës në Universitetin e
Bukureshtit, pata fatin të mësoja shumë gjëra, duke nisur me mekanizmat që
kritika përdor për të nxjerrë dhjamë nga pleshti, duke vijuar me mangësitë e
brendshme të disa autorëve dhe letërsive „të mëdha”, e duke mbaruar me sprovat
që u janë dashur të përballojnë letërsitë e ashtuquajtura „të vogla” gjatë një
globalizimi (gloBanalizim e kam
quajtur diku), që ka nisur shumë më herët nga sa duket.
Shqipëria dhe Rumania, tradicionalisht kanë pasur
marrëdhënie shumë të mira kulturore dhe historike mes tyre... Aktualisht si i
shihni këto marrëdhënie? A ka bashkësi shqiptarësh në Rumani dhe cili është
komenti juaj për këtë bashkësi?
Unë nuk kam
asnjë lidhje e marrëdhënie me politikën e sot-it
dhe kam pasur fatin të jetoj vetëm në vijim të lidhjeve të kahershme
shqiptaro-rumune. Thuhet me të drejtë se bashkësia e këtushme shqiptare, dikur,
ka ndikuar thelbësisht në bërjen e Shqipërisë moderne. Kjo mjafton që çdo
bashkësi e tanishme të bëjë aq sa mundet vetëm për të mos njollosur kujtimin,
ose amanetet e paraardhësve. Për fat të keq, edhe këtu, shumica e anëtarëve
janë si puna e brirëve në thes: secili pandeh se i përket një tjetër koke, ose
se është koka e të gjithë brirëve. Prandaj ata që janë zgjedhur të kryejnë
diçka me vlerë mund të punojnë në paqe.
Në historinë
shumëshekullore të arsimit të lartë rumun, për herë të parë një i huaj zgjidhet
rektor universiteti në Rumani. Sipas mediave shqiptare, Senati i Universitetit
Rumun të Shkencave dhe Arteve (URSA) “Gheorghe Cristea”, në Bukuresht, me një
staf prej 25 pedagogësh, ju zgjodhi (njëzëri, me vota të fshehta) rektor të
këtij universiteti … Me sa di, Mitrush Kuteli ka qënë drejtor i Bankës
Bujqësore të Rumanisë… Duket si një vazhdim fisnik i traditës poradecare e gjitha kjo…
Arritjet e
shqiptarëve në Rumani asnjëherë nuk kanë qenë të pakta. Mitrush Kuteli arriti
drejtor në Bankën Bujqësore të Rumanisë; Vangjel Zhapa, - një ndër më të
pasurit shqiptarë të Evropës, - ndihmoi Veqilharxhin për botimin e abetares,
dhuroi të holla për themelimin e Akademisë Rumune, për hartimin e të parit
fjalor enciklopedik rumun etj; familja Gjika i fali Rumanisë plot 11 princër e
sundimtarë, një humaniste të rangut evropian, Elena Gjikën, një prift e martir,
Monsinjorin Vladimir Gjika etj; Viktor Eftimiu nga Boboshtica ishte drejtor i
Teatrit Kombëtar Rumun dhe anëtar i Akademisë Rumune. Shembujt janë të shumtë.
Po për mua ka po aq rëndësi fakti që Himni Kombëtar i Shqipërisë u krijua këtu,
që Lasgushi e Mitrushi shkruan e botuan këtu disa nga kryeveprat e letërsisë
shqiptare moderne, që disa nga veprat e Naimit u botuan së pari në Bukuresht,
por edhe që tim eti dhe mua na u dha të shkruanim e botonim këtu mbi 40 tituj librash
shkencorë e letrarë në të dyja gjuhët, që Revista Haemus erdhi në numurin e saj
të 50-të, me mbi 5 mijë faqe, që Shtëpia Botuese Librarium Haemus ka nxjerrë
tashmë nga shtypi disa kolana letrare, historike, dialogje, kujtime, antologji
autorësh e poezish, në radhë të parë nga kulturat shqiptare dhe rumune.
Cila është
marrëdhënia juaj me botën e studentëve... këtë herë si pedagog … Jepni lëndët:
Elemente të kulturës dhe qytetërimit ballkanik, Fenomeni Audio-vizual,
Imagologjia etj.
I kam quajtur
gjithmonë studentët „kolegë të ardhshëm”. Shumica e tyre punojnë tani në pika
kyçe të shoqërisë rumune, ose evropiane. Ndjek prej vitesh një parim, të cilin
e kam emërtuar „tryeza e rrumbullakët me
një cep të vetëm”, ku gjithçka mund të diskutohet hapur, por pa u harruar
se atje ku hyjnë shumë mamí, siç
thotë populli, foshnja del e gjymtë.
Në lëndën „Elemente të kulturës dhe
qytetërimit ballkanik”, vite më parë, hartova dhe mbajta një cikël
leksionesh kushtuar folklorit dhe letërsisë shqipe, që njiheshin shumë pak, ose
shumë shtrembër.
Jeni anëtar i
Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë qysh në vitin 1998. Si funksionin kjo
organizatë, e cila ka qënë edhe gjatë regjimit komunist atje …, si dhe sa janë
të lidhur shkrimtarët rumunë mes tyre?
Bashkimi i
Shkrimtarëve të Rumanisë është themeluar në vitin 1908 nga një grup shkrimtarësh
që jetonin në Bukuresht. Shoqata e atëhershme ndryshonte nga e sotmja. Statuti
i tanishëm është përpiluar dhe pranuar në vitin 1949. Gjatë diktaturës, jo pak
shkrimtarë rumunë, në një mënyrë, ose në një tjetër, bënë qëndresë. Disa u
dëbuan nga Rumania, ose hoqën dorë nga shtetësia rumune dhe u arratisën.
Vështirë të gjesh në Ballkan shkrimtarë që të mos qahen nga dobësia dhe pabesia
e sivëllezërve, por autorët rumunë më duken mjaftueshëm të lidhur me shoshoqin.
Bashkimi i Shkrimtarëve
i mbështet anëtarët e vet sipas mundësive. Në varësi të secilit rast, autorit i
paguhen dy udhëtime jashtë shtetit, kur është i ftuar në ndonjë veprimtari
ndërkombëtare; i shlyhen shpenzime të ndryshme mjekësore dhe ka si dhuratë një
gropë varri. Nuk është për të qeshur, po të kihet para sysh sa kushton sot një «banesë
e amëshuar». Gjithashtu, Salla e famshme e Pasqyrave, ku bëhen promovime e
tubime letrare, i vihet në dispozicion falas çdo anëtari, nëse ai bën kërkesë,
saherë të jetë nevoja. Bashkimi i Shkrimtarëve të Rumanisë organizon përvit
edhe disa festivale, konkurse e veprimtari të tjera letrare të nivelit të
lartë. Mjafton të përmendet Festivali Ditë
dhe Netë Letërsie, që zhvillohet në qytezën Neptun, buzë Detit të Zi, dhe
ku marrin pjesë autorë të shquar nga e gjithë bota.
Jeni
përfshirë në disa antologji të prozatorëve të shquar të Rumanisë, në fjalorin
"Shkrimtarë rumunë të viteve '80-'90", në enciklopedinë "Who's
Who in Romania" dhe në një histori të letërsisë rumune.
Është e
vërtetë, por këto janë ngjarje jashtëletrare, sado që duken vendimtare për
ecurinë e të shkruarit.
Nga viti 1998
jeni bashkëthemelues dhe njëri nga drejtuesit e revistës dygjuhëshe (shqip e
rumanisht) për kulturën dhe traditat evropiane "Haemus", që botohet
në Bukuresht… Cili është qëllimi i kësaj reviste dhe sa e ka arritur në këto
vite?
Nëse do të krenohesh për ndonjë gjë, ji krenar për atë që bëri Zoti, thoshte Shën Pavli. Tim eti dhe mua na e fali Zoti këtë hapësirë
kulturore që mban emrin Haemus dhe ne mundohemi ta çojmë deri atje ku mundet
njeriu. Numuri i parë doli më 28 Nëntor 1998. Me rastin e 10-vjetorit të
themelimit të Haemus-it, në një ese që ruan të paprekur idealizmin e fillesave,
shkrova se "… kur
ishim në vdekje, revista Haemus u bë për ne jetë fjale e fjalë jete; kur ishte
jetë, Haemus-i mbeti mbi-jetë, ose folé mbijetese; kur u dynd kaosi, mbeti më e
dukshmja pasuri e patundshme. Në njëfarë mënyre, historia e
shkurtër e revistës sonë mund të këqyret edhe si një dramë e disave që nuk
qëndruan dot në atdhe dhe e atyre që nuk ikën dot nga atdheu. U shtjellua si
një dramë që prekte heraherës edhe trojet e tragjedisë së heshtur, edhe të
komedisë së pavetëdijshme të të paftuarve dhe të cilën hapësira e mërgatës e
përktheu dalëngadalë në një përmasë të re vështrimi.
Jo pak vetë e shihnin ndërkaq kulturën
si kopje të skllavëruar të gjeografisë, madje si një ngrehinë me kufij, zyra,
roje, shefa, zëdhënësa, ministrí, diplomatë, qenër kufiri etj. Haemus-i qëndroi
jashtë përfytyrimeve të këtij lloji, por jashtë rri zakonisht edhe ajri,
sidomos jashtë kufijve. Mjegulla që mbushi mushkëritë dhe trutë e Ballkanit
gjatë këtyre dhjetë viteve lypi jo rrallë hartimin e një programi kulturor,
falë të cilit, në përputhje me një filozofi të mangët, popujt e vegjël në numur
duhet të zmadhojnë kulturat e tyre, se vetëm kështu do të mund të përfillen (jo
të milen pa mëshirë, të shpalcërohen) nga kulturat e mëdha të popujve të
mëdhenj. Ky ishte, në fakt, një tjetër mjet i kulturave që po ligen dhe s’kanë
me çfarë të mbahen gjallë për të zhvatur frymën e „të vegjëlve”. Ishte një
tregti e tipit: më jep shpirt – të jap lekë dhe ca emër". Nuk
iu lëviz asnjë presje këtyre që përmenda. Dua të shtoj vetëm se përkushtimi,
frymëzimi dhe mjeshtëria me të cilat im atë, Kopi Kyçyku, e nisi dhe po e vijon
veprimtarinë në Haemus, mbetet një shembull për vlerat që mund të nxjerrë bota
shqiptare, dhe jo vetëm shqiptare.
Ndjesia për
krijimet tuaja që janë përkthyer e botuar në mbi dhjetë gjuhë të huaja…
Nuk përjetoj
ndonjë ndjesi të veçantë. Sot ka plot të paftuar, që, pa ditur krejt gjuhën e
vet amtare, përkthehen, - me mëditje, ose jo, - në gjuhë të huaja, pa përmendur
autorë jo krejt pa vlera, por pa Vepër e vlerë të qëndrueshme, që qarkullojnë e
trymbetohen anembanë sipas ca kriteresh që vetëm me kulturën s'lidhen. Nuk kam
shkruar kurrë që të më përkthejë njeri. Jam mirënjohës kur kjo ndodh dhe aq.
Sa me vete e
keni Shqiperinë dhe Pogradecin në Bukuresht?
Tri herë
njëheresh: sa të mos shkruaj përçart, të mos shkruaj në emër të tjetërkujt, dhe
sa askush të mos flasë përçart në emër të gjërave që shkruaj unë.
Si e shihni
Shqiperinë në këtë 100 - vjetor?
Si zemrën e
thyer të dikujt shumë të shtrenjtë. Vetëm se zemra nuk është si buka e thyer
për njeriun. Zoti mund ta rikrijojë zemrën në një çast të vetëm; më ka ndodhur
jo pak herë, në mërgim dhe jashtë tij.
Mendoni se do
të jeni i pranishëm në kremtimet e Pavaresise së Shqipërisë?
Secilës ftesë
nga Shqipëria zyrtare për tek unë deri më tash i janë dashur nga dhjetë vjet
rrugë. Njëzet e ca vjet kanë mjaftuar që librat, aq sa njihen e nuk njihen, të
më përfaqësojnë mua dhe jo unë ata. Nuk dua të jap sqarime të mëtejshme, se do
të duket sikur po hyjmë në letërsi më shumë nga sa duhet.
Si e cilësoni
nismën AE? Mendoni se do të mund t’i afrojë shqiptarët e këtej dhe andej
kufirit?
Nisma më
duket me vlerë dhe ju uroj nga zemra, duke ditur që puna juaj do të trandë ca
tabu e krenarira të pashëndetshme. Por me kohë, shpresoj dhe uroj që nisma të
sjellë mirëkuptim dhe ta vonojë sadopak vrasjen e shkallëzuar që u bëhet
vlerave të gjalla duke ngritur në qiell vetëm vlerat e atyre që kanë vdekur,
ose të atyre që vetëm janë gjallë. Nëse pranoni një mendim të çiltër: duhen
ftuar edhe ata shqiptarë që, për shumë arsye, kanë jetuar e krijojnë në vendin
e tyre si me qenë në vend të huaj. Se nuk mjafton vetëm të mos jetosh në
Shqipëri për të krijuar vlera të rralla. Nga ana tjetër, vetëdija e fëmijëve të
sotëm duhet çliruar nga modeli i atij që mërgon dhe bën çudira jashtë kufijve,
duke i lënë të skërmiten e të fiken në anonimát ata që nuk ikin...
Historikisht
Shqipëria është shfaqur si një rrjetë ëndërrash jashtë kufijve, pastaj ka nisur
të ngjizet si realitet brenda tyre. Këto ëndrra janë dhembje nga ato që nuk i
rrëfen dot as letërsia, nuk janë qenër që lehin rreth një çifligu. Përgjegjësia
e atyre që drejtojnë në (çdo) të tashme fatet e Shqipërisë më duket tejet e
madhe. Dhe ata që e kanë parë të paktën një herë vdekjen me sy e dinë mirë sa i
pafuqishëm është njeriu, pavarësisht se sa i madh e i pushtetshëm mund të duket
e ta shohë veten. Vdekja nuk është shaka, ose është nga ato shumë të paktat
shaka që nuk i bën ti. Para saj, të gjitha duhen dhe do shlyhen gjer në
qindarkën e fundit. Shkrimtarët dhe artistët do ta kryejnë misonin e tyre më së
miri, jashtë a brenda, ose thjesht në letrat pa kufij, kurse politikanëve u
mbetet të bëjnë çmos për të afruar ëndrrën më jetëgjatë me realitetin më të
prekshëm, që askush të mos ndihet në atdhe si hije a as jashtë si jetim me
prindërit gjallë, ose më keq akoma: si fatzi të cilit ia kanë vjedhur e
përdhosur shtëpinë nga themelet, në mungesë.
Tiranë-Bukuresht, gusht 2012
* Kjo bisedë është përfshirë në vëllimin "Albanian Excellence - 100 histori suksesi", Tiranë 2012