Nuk është
rastësi apo nga ata kërkimet e rëndomtë që bëjnë disa pseudogazetarë apo
kritikë për të kapur ndonjë “peshk” dhe për ta injektuar e ndotur trurin e
shumë lexuesve, por thjesht është drita metaforike që vjen nga një tunel i
errët, ku skeletet vdekëtarë janë verbuar nga shkëlqimi i kësaj drite.
Është
fjala për shkrimtarin Ardian-Christian Kyçyku (pseudonimi letrar i Ardian
Kyçykut).
E meqënëse
jam tek verbimi, a nuk ka ndodhur gjithmonë me të ikurit e detyruar nga
qeverisjet fatale të vendit tonë të shumëvuajtur që pothuajse ose harrohen, ose
bëjnë sikur i kujtojnë? E kjo e fundit është vdekja vetë, vrasja e ngadaltë, pa
zë. Me të drejtë shkrimtari i mirënjohur dhe studiuesi serioz z. Novruz Xh.
Shehu në një esse të shkruar enkas për krijimtarinë e Kyçykut thotë: "I dëgjuar shumë pak në vendin
e tij të lindjes, i botuar pa kujdesin e duhur në komunitetin shqiptar, që ende
s’po shkëputet plotësisht nga ankthi i miteve të komunizmit, me një kolanë të
jashtëzakonshme veprash artistike në prozë (mbi 30 tituj shkruar e botuar në
gjuhët shqip, përkatësisht rumanisht), Ardian Kyçyku meriton të nderohet si një
kont i vërtetë i letrave".
Ardian
Kyçyku është Rektor i Universitetit Rumun të Shkencave dhe Arteve “Gheorghe
Cristea” të Bukureshtit. Doktor i shkencave filologjike, doktorand në teologji
pranë Universitetit Shtetëror të Bukureshtit dhe docent në shkencat humane dhe
të komunikimit, anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë, i Këshillit
Kombëtar të Rektorëve, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, i Académie Européenne des Arts dhe i Central European Academy of
Science and Art. Është edhe President i European
Academy of Performing Arts. (Kozeta Zylo)*
Kozeta
Zylo: Zoti Kyçyku cila
ka qënë fëmijëria juaj dhe sa ka ndikuar natyra e magjishme e vendlindjes suaj,
Pogradecit, legjendat e qytetit në botën tuaj shpirtërore?
Ardian-Christian
Kyçyku: Për çdo njeri, aq më tepër kur merret me letërsi, fëminia është,
ose të paktën duhet të jetë e shenjtë. Ajo i ngjan burimit, ku uji mbetet
përherë i kulluar, - ose bëhet edhe më i pastër, - sa më shumë humb shijen dhe
kthjelltinë tek largohet (drejt moshash të tjera, të pashmangshme). Gjatë
shkrimit të romanit “Viti kur u shpik mjellma” (i pari që shkrova drejtpërdrejt
në rumanisht), m’u fanitën dy pamje të fëminisë: njëra si “shaka të cilën e
bëjnë të tjerët, por të cilën me gjak e shlyen ti”, dhe e dyta: “krejt pjesa
tjetër e jetës është një përdhosje e shumëfishtë e simboleve dhe e thelbeve të
fëminisë”. Unë bëj pjesë ndër ata shkrimtarët me fëmini tejet të pasura e të
lumtura. Ndoshta për këtë arsye, moshat e tjera brenda meje vijojnë t’i
nënshtrohen fëminisë dhe jo fëminia të ‘robtohet’ për to. Pogradeci është shumë
më i thellë nga sa duket dhe nga sa e bën letërsia, gjer edhe kur flitet për
një Pogradec lasgushian apo kutelian. Fëminia e brendshme më shtyu që
Pogradecin tim, atë “ku
vdiset më bukur” dhe “ku jetohet edhe pasi ke mërguar”, ta zhvendos dalëngadalë
në letra, në shqip e rumanisht, duke e shndrruar në njëfarë qendre rëndese të
letërsisë, jo vetëm ballkanike. Ndërkaq, për veten time dhe për ata që do të
pranohen më vonë në Pogradecin e përhershëm, e kam ‘shpëtuar’ qytetin në pamje,
shënime, vizatime e të dhëna që shpresoj të jenë njëfarë fëminie e dytë edhe
për artistët e lindur tjetërkund.
- Ju jetoni prej vitesh në Rumani dhe
jeni një ndër personalitetet e kulturës shqiptare në Rumani. Sa i vështirë ka
qënë integrimi atje dhe, ndërkohë, a mendoni se do të kishit arritur më shumë
intelektualisht në Shqipëri?
Ardian-Christian
Kyçyku: Falë librave që shkrova para dhe pas zhvendosjes në kulturën
rumune, aq i përfoluri ‘integrim’, i cili është më fort një term që duhet të nënkuptojë
mpirjen apo krejt ngurtësimin e dikujt, si puna e një ushtari në katrorët e
kutisë së shahut, nuk bëri më pjesë në fjalorin tim të brendshëm. Dy kultura u
njësuan natyrshëm dhe nisën të shprehen me libra në dy gjuhë, libra që
ndryshojnë mesveti, duke pasur të përbashkët mendësinë dhe mënyrat si përftohet
jeta, vdekja dhe kujtesa në këto treva. Përmes librave, unë jam gjithaq i
pranishëm në Shqipëri, Rumani e gjetiu, madje shpesh më i pranishëm nga sa mund
të mendohet, ndonëse nuk kam një jetë letrare klasike. Është pakashumë si në
një dashuri: mund të mos jesh në ditën e dikujt, por të jesh në jetën e tij.
Diku ju
shkruani se “mërgimi nuk është sëmundje, por as për t'u shëruar nuk shërohet
ndonjëherë”. Nëse vendi ynë do të kishte liderë dhe qeveritarë që do ta ngrinin
mirëqënien, me siguri që do kishte shumë herë më pak të arratisur nga
Shqipëria. Cili është komenti juaj?
Ardian-Christian
Kyçyku: Sëmundjen, në shprehjen e mësipërme, e shoh si përmasë të asaj
dhuntie jashtëtokësore që njërin e ndalon të ikë, kurse tjetrin të rrijë. As
qëndrimi, as ikja nuk duhen paragjykuar. Nga ky këndvështrim, sidomos kur bëhet
fjalë për letërsinë, mirëqënia nuk më duket ndonjë mbarësi e madhe. Mirëqënia
është çështje e stomakut dhe e krenarisë, jo e artit, ndonëse në këtë periudhë,
kur shumë vetë e pandehin veten artistë, duket thelbësore. Sa u përket
prijësave, nuk janë të gjithë njëlloj, por deri tani sjellja e tyre ndaj
artistëve të pavarur duket sikur punon vetëm për shfarosje. Në parim, niveli i pushtetarëve
është në përpjestim të drejtë me artin zyrtar të një vendi, jo me popullin që
duhet të drejtojnë. I rëndomtë dhe i robëruar arti – vocrrakë e plot llafe,
pra, me liri të shtirur, liderët. Më duket e kotë t’u kërkohet këtyre njerëzve
dalja nga rrethi i tyre, se është si t’u kërkosh të dalin lëkurësh. Jo rrallë
vargut të Emineskut “Në rrethin e tyre të ngushtë”, i duhet shtuar: “të
cilin e pandehin botë…”
- Prej gati dy vjetësh
jeni rektor i Universitetit Rumun të Shkencave dhe Arteve "Gheorghe
Cristea" në Bukuresht. Mendoni se ka dallime thelbësore midis arsimit
rumun dhe atij shqiptar?
Ardian-Christian Kyçyku: Dallime ka, por ia vlen të përmendim dhe madje të jemi mirënjohës që
idealizmi dhe përkushtimi i jo pak profesorëve janë të ngjashëm.
- Sa vend zenë shkrimtarët
shqiptarë në edukimin shkollor në Rumani?
Ardian-Christian Kyçyku: Hapësira juglindore e Evropës po kalon nëpër një periudhë të paktën të
çuditshme: autorët që janë ende gjallë dhe kanë njëfarë pushteti politik a
rrjet sahanlëpirjesh, rropaten dhe shpesh ia dalin mbanë të dynden në programe
shkollore, ndonëse shumicën dërrmuese të librave të tyre as koha e as lexuesi
nuk i ka bërë ende Vepra. Pó nga gjiri i tyre dalin më vonë sivëllezërit
(binjakë në qënie e vlerë) që përhapin programet alternative, dhe e vërteta
relativizohet aq sa e humb shijen edhe si gënjeshtër. Vite më parë, u bë mbarë
të përfshija një kapitull të gjerë kushtuar letrave shqipe në lëndën
universitare “Elemente të kulturës dhe të qytetërimit balkanik”. Tani e
mbaj si grup ligjeratash për ata që duan ta njohin saktë, përtej murit prej
llafesh e sintagmash varfëruese, kulturën në të cilën jemi lindur dhe e cila,
në varësi të moralit dhe përkushtimit, cakton fatin e secilit prej nesh.
- Cili është qëndrimi i
kritikës rumune ndaj krijimtarisë suaj?
Ardian-Christian Kyçyku: Një qëndrim, pas të cilit, nëse ke shkruar për famë e ledhatime sedre,
mund edhe të mos shkruash, ose të mos botosh më.
- Si President i European Academy of Performing Arts,
cilat janë lidhjet me Shqipërinë dhe sa e çmojnë shkrimtarët rumunë letërsinë
dhe artin shqiptar?
Ardian-Christian Kyçyku: Kjo akademi është njëfarë zgjatimi i përvojës që pata si dekan në degën e
arteve të spektaklit, në Fakultetin e Arteve dhe Shkencave. Vëmendja e
Akademisë përqëndrohet kryesisht në pasurinë dhe kahet në të cilët zhvillohet
arti i hapësirës danubiane, por edhe në ngjarjet ndërkulturore të popujve
evropianë. Mes antarëve të saj, pas një procesi pranimi që duket i koklavitur,
por që dëbon çdo nepotizëm e anësi, tashmë bëjnë pjesë edhe personalitete të
mirëfillta (jo gjithmonë të njohura e të vlerësuara sa duhet) nga bota
shqiptare, dhe që kanë vepra të padiskutueshme në muzikë, arte figurative,
diplomaci kulturore, teatër, përkthim etj. Duhet rikujtuar se sot gati çdo
qytezë a katund ka të paktën një ‘akademi’, e cila zakonisht vjen si
‘kryengritje’ ndaj akademive shtetërore, ndaj heshtjeve zyrtare, ose si reagim
i disa krenarive të lënduara, për të mos thënë paranojave. Prandaj European
Academy of Performing Arts vepron pa bujë dhe pa u ngutur, me qëllim që të
‘themelohet’ vite më vonë, pasi dëshmitë dhe veprimtaria shkencore të jenë të
vërteta dhe të pakundërshtueshme.
- Në studimet, në revistat
që drejtoni dhe në shkrimet tuaja letrare ju keni sjellë, në rumanisht e shqip,
mjaft shkrimtarë disidentë, të persekutuar në kohën e monizmit. Sa është i
njohur lexuesi i huaj me krijimtarinë e mirëfilltë të tyre dhe më konkretisht…?
Ardian-Christian Kyçyku: Disidenca është një term gjithnjë e më i brishtë, edhe si pasojë e dritës
së dokumenteve që zbulohen heraherës, edhe si pasojë e territ të dokumenteve që
sajohen me një ritëm disa herë më të shpejtë. Prandaj synimi im ishte dhe
mbetet nxjerrja në pah e veprave që kanë qënë të ndaluara edhe para, edhe pas
rënies de jure të diktaturës. Sidomos përmes Revistës
Haemus, - të cilën im atë dhe unë e botojmë qysh nga 28 nëntori i 1998-ës, dhe
arkivi i së cilës i ka kaluar tashmë pesë mijë faqet, - lexuesi i huaj, por
edhe ai shqiptar, ka të dhëna të mjaftueshme për të gjykuar vetë dhe, sipas
rastit, të japë ndihmesën e vet në çrobërimin e paprerë të letërsisë së
mirëfilltë.
- Në panairin e sivjetëm
të librit ndodhej dhe romani juaj "Sy", një titull tepër intrigues. A
mund të na thoni pse ia keni vënë titullin "Sy"? Duket sikur gjithë
botën e keni sjellë në ninëzën e syrit të një shkrimtari dhe shpresoni se do të
lexohet gjerë?
Ardian-Christian Kyçyku: Në panairin përkatës kanë qënë edhe librat “Engjëjt e tepërt”, “Kristali
dhe hienat”, “Si u pushtua Çmendustani”, “Në vend të përjetësisë”, “Perla” dhe
“Tregime të padukshme”. Këtë të fundit Buzuku e botoi pikërisht ato ditë. Sado
e habitshme të duket, nuk është vështirë të gjesh pse u përmend aq shumë romani
“Sy”, i cili, qysh nga viti 2004, ka pasur 4 botime. Përmendja e vetëm njërit
prej fëmijëve, mbështjell e fundos në heshtje fëmijët e tjerë. M’u kujtua njëri
nga panairet e Lajpcigut, ku isha i ftuar si përfaqësues i letrave shqipe dhe
ku fotografinë time e kishin zëvendësuar hajdutçe me portretin e një shkrimtari
të paftuar. Kur kaloja para stendës, i dërguari zyrtar i botuesve shqiptarë nuk
e mbajti dot veten dhe i pyeti të tjerët, në sy tim: Po këtë kush e ka ftuar?! Kë?!”
u habitën ata. Këtë që… mungon. Pa
dashur të harxhoj kohë me hollësira, për romanin “Sy” po përsëris atë që u tha
pas botimit të parë: “Duhet lexuar, se s’mund të rrëfehet”.
- Cilët janë disa nga
dorëshkrimet tuaja që do t'ua sillni lexuesve së shpejti si libra të botuar?
Për shkaqe të shumta, librat e mi janë vazhdimisht në gjendjen e
dorëshkrimeve – dhe ky është fat i rrallë për një shkrimtar, ndonëse jo pak
vetë, (të cilët me humor i kam emërtuar kriptoqyqarë) ngulmojnë e madje
punojnë me zell që edhe ‘dorëshkrimet’ e mia të zhduken fare nga qarkullimi.
Ndërkaq vjedhin paturpësisht prej tyre, - duke nisur nga fjalët e reja, si demonkraci, outizëm, globanalizim etj; duke vijuar me skena e tema
të tëra, shkulur nga Ata që
rrijnë si drapëri (poeti që
varroset vetë), nga Mortët, Lumenjtë e Saharasë, Home etj, e duke kulmuar me ese tejet
vetjake, siç ndodhi para pak kohësh me artikullin kushtuar ikjes së të ndjerit
Dhimitër Xhuvani, botuar në vitin 2009 dhe që u mor e iu ngjit vdekjes së një
autori gati të panjohur... Ata i botojnë vjedhjet nën tituj të tjerë, sa më
shpesh, sa më ngutshëm e sa më bujshëm, pastaj kuptojnë se vepra e tjetrit e
shndërron çdo libërth tëndin, vjedhur prej saj, në rastësi, ose në krim
kulturor, dhe jo vetëm përpëliten që e gjitha të rrënjosë bindjen se unë kam
vjedhur prej tyre, por edhe mllefosen në vetvete, se si kam guxuar t’i vjedh në
atë farë feje. Prandaj nuk e di cili nga dorëshkrimet e mi do të nxjerrë në pah
bastisjet e këtij viti dhe do të pasurojë me humor e hidhërim artistik këtë
marrëdhënie. Nga ana tjetër, duhet të më gëzojë fakti që shkrimet e mia,
pavarësisht si e pse, lexohen. Apo jo?
Bukuresht,
nëntor 2013
U botua në
Illyria, The Albanian-American
Newspaper, No 2283, 28 November 2013, New York