Showing posts with label Flamur Hoxha. Show all posts
Showing posts with label Flamur Hoxha. Show all posts

Fildish...

[Intervistë e shkrimtarit Ardian-Christian Kyçyku dhënë z. Izet Duraku, Drejtor i “illz” – Revistë Letrare e Tiranës]

Izet DurakuKam kënaqësinë të konstatoj se në Bukureshtin e bukur ku jetoni dhe punoni keni marrë edhe vlerësimet më të larta si njeri i dijes dhe shkrimtar i shquar. Faleminderit, i dashur mik, që po lartësoni emrin e mirë të Shqipërisë!
A ka shërbyer mirënjohja rumune për të qenë edhe më prodhimtar në punën dhe në krijimtarinë tuaj të jashtëzakonshme? A ka ardhur koha që në shqip duhen shqiptuar pa kurrfarë droje, publikisht e me zë të lartë lëvdatat e mirënjohjet e merituara, pra, për ta mëkëmbur e fuqizuar më tepër institucionin shqiptar të mirënjohjes?

Ardian-Christian Kyçyku: Meqë lexuesit e mi të parë në rumanisht ishin shkrimtarë, kritikë dhe lexues nga ata që nuk mbijetojnë dot shpirtërisht pa letërsinë, vlerësimet e tyre më dhanë një shtysë dhe një kënaqësi të pazakontë. Se shpesh, gjatë shkrimit të një libri, aq më tepër drejtpërdrejt në gjuhë të huaj, huajsimi ndaj gjërave dhe njerëzve, madje edhe dyshimet se mos je lindur vonë, herët, apo fare kot mund të jenë aq të thellë e dëshpërues, në prag të shterjes, saqë kthimi sërish në të përditshme i ngjan rropatjes për të dalë, ose për të mos hyrë në një skëterrë. Ndaj edhe kam një mirënjohje të paktën sa vlerësimet.
Dihet që mirënjohja as të vret, as të zgjat jetën. Por mbase ngaqë duket e dyshimtë, - se pasuron shpirtin, duke qenë falas, - njerëzit e sotëm nuk nguten t’u kushtojnë kohë gjërave që nuk pasurojnë xhepin.

- A e konsideroni veten me fat si shkrimtar që ia keni dalë mbanë të krijoni një univers me veprat tuaja letrare, një botë të plotë, si një paralele shpirtërore me botën reale? A keni pasur një vegim rreth saj; nëse ka ekzistuar një vështrim i tillë si prej hyji, sa përputhet bota jote letrare me synimet fillestare?

- Ndodh si me një pasqyrë, të cilën varet se ku e thyen secili autor. Për shkak të krenarive të sëmura dhe shqetësimeve që na sjellin njerëzit, sidomos kur nuk na plotësohen ca ëndrra, jetojmë me bindjen se kjo botë është e mangët, e pamëshirshme, sunduar nga një armiqësi që zëvendëson dhunshëm çdo gëzim me hidhërime të pamerituara. Por, po ta heqësh pak veten nga rrëmuja e rrëmeti, mund të vëresh se bota është e përkryer. Në këto kushte, secili duhet të zgjedhë mënyrat me të cilat shkatërron (sa) më pak. Në fillimet e mia, pikërisht mahnitja nga hijeshitë e kësaj bote dhe nuhatja e së vërtetës që Krijuesi na ka dhuruar një harresë jetëprurëse dhe njeriu nuk jeton aq gjatë sa të bëjë gjëmën gjer në fund, më shtynin të shkruaja. Për fat, vazhdoj të shkruaj gati si dikur.