[Intervistë e shkrimtarit Ardian-Christian Kyçyku dhënë z. Izet
Duraku, Drejtor i “illz” – Revistë Letrare e Tiranës]
Izet Duraku: Kam kënaqësinë të konstatoj se në
Bukureshtin e bukur ku jetoni dhe punoni keni marrë edhe vlerësimet më të larta
si njeri i dijes dhe shkrimtar i shquar. Faleminderit, i dashur mik, që po lartësoni emrin e mirë
të Shqipërisë!
A ka shërbyer mirënjohja rumune për të qenë edhe më prodhimtar
në punën dhe në krijimtarinë tuaj të jashtëzakonshme? A ka ardhur koha që në
shqip duhen shqiptuar pa kurrfarë droje, publikisht e me zë të lartë lëvdatat e
mirënjohjet e merituara, pra, për ta mëkëmbur e fuqizuar më tepër institucionin
shqiptar të mirënjohjes?
Ardian-Christian Kyçyku: Meqë
lexuesit e mi të parë në rumanisht ishin shkrimtarë, kritikë dhe lexues nga ata
që nuk mbijetojnë dot shpirtërisht pa letërsinë, vlerësimet e tyre më dhanë një
shtysë dhe një kënaqësi të pazakontë. Se
shpesh, gjatë shkrimit të një libri, aq më tepër drejtpërdrejt në gjuhë të
huaj, huajsimi ndaj gjërave dhe njerëzve, madje edhe dyshimet se mos je lindur
vonë, herët, apo fare kot mund të jenë aq të thellë e dëshpërues, në prag të
shterjes, saqë kthimi sërish në të përditshme i ngjan rropatjes për të dalë,
ose për të mos hyrë në një skëterrë. Ndaj edhe kam një mirënjohje të paktën sa
vlerësimet.
Dihet
që mirënjohja as të vret, as të zgjat jetën. Por mbase ngaqë duket e dyshimtë,
- se pasuron shpirtin, duke qenë falas, - njerëzit e sotëm nuk nguten t’u
kushtojnë kohë gjërave që nuk pasurojnë xhepin.
- A e konsideroni veten me fat si shkrimtar që
ia keni dalë mbanë të krijoni një univers me veprat tuaja letrare, një botë të
plotë, si një paralele shpirtërore me botën reale? A keni pasur një vegim rreth
saj; nëse ka ekzistuar një vështrim i tillë si prej hyji, sa përputhet bota
jote letrare me synimet fillestare?
- Ndodh
si me një pasqyrë, të cilën varet se ku e thyen secili autor. Për shkak të
krenarive të sëmura dhe shqetësimeve që na sjellin njerëzit, sidomos kur nuk na
plotësohen ca ëndrra, jetojmë me bindjen se kjo botë është e mangët, e pamëshirshme,
sunduar nga një armiqësi që zëvendëson dhunshëm çdo gëzim me hidhërime të
pamerituara. Por, po ta heqësh pak veten nga rrëmuja e rrëmeti, mund të vëresh
se bota është e përkryer. Në këto kushte, secili duhet të zgjedhë mënyrat me të
cilat shkatërron (sa) më pak. Në fillimet e mia, pikërisht mahnitja nga
hijeshitë e kësaj bote dhe nuhatja e së vërtetës që Krijuesi na ka dhuruar një
harresë jetëprurëse dhe njeriu nuk jeton aq gjatë sa të bëjë gjëmën gjer në
fund, më shtynin të shkruaja. Për fat, vazhdoj të shkruaj gati si dikur.
