Showing posts with label Koha Ditore. Show all posts
Showing posts with label Koha Ditore. Show all posts

Siç jetoj atje ku s’jam...


[Koha Ditore, Prishtinë, rubrika 7 Shkronjat]

LETRA. E lidhur nyje me fjalën dhe me shkronjat. Një nga kujtimet e mia të para: gjyshërit sapo kishin lyer shtëpinë e madhe prej qerpiçi dhe më kishin vënë të flija në mes të dhomës. Llampën e kishin mbështjellë me një letër të shkruar, - mbase nga fletoret e nënës sime, - që drita të mos më vriste sytë. Hijet e fjalëve ndeheshin mbi mure, me të gjitha përmasat, në trajtë kafshësh, zogjsh e insektesh, duke drithëruar nga nxehtësia, shartuar me copëza hijesh të tjera. Jashtë binte dëborë. Mbaj mend dhembjen e hidhur të qafës, se nuk dija ende të lexoja dhe i shihja të gjitha nga poshtë lart, shumicën sëprapthi, por nuhasja që diçka e pazakontë më kish zënë peng. Më vonë, kur rrija në dhomën e katit të dytë, atje ku im gjysh Vangjel Koci pat murosur një dritare për ta shndërruar në raft librash, mundohesha të zbuloja fjalë nëpër hijet e gjetheve. Pastaj letrat që shkrova e më shkruan, letrat që nisa t’i haja pa ditur pse e, mbi të gjitha, një letër e vitit 1960, të cilën gjyshi tjetër, Llazi Kyçyku, ia dërgonte tim eti që kish filluar studimet në Bukuresht: Fort i dashur Djali ynë, na dërgo fjalë, shumë, ose pak, por përhera. Në Pogradec ka pasur gjithmonë njerëz që ushqeheshin me letra e me fjalë.