Showing posts with label Elsa Demo. Show all posts
Showing posts with label Elsa Demo. Show all posts

Pushteti i bashkëtingëlloreve



Elsa Demo: Çfarë është bërë shkas në krye të herës që ju të studioni letërsinë e ndaluar?

Ardian-Christian Kyçyku: Shkasi kryesor janë librat e mi në shqip e rumanisht. Besoj se, lidhur me këtë bisedë, ju keni parasysh “Një kontinent bashkëtingëlloresh, ose copëza nga fati i letërsisë së ndaluar në Ballkan (1945-1990)”. E përgatita për një takim ndërkombëtar, ku duhej të flitej për disa nga të vërtetat themeltare të letërsisë dhe të vendit që ajo zë, ose meriton të zerë në jetën e sotme. Kontinent bashkëtingëlloresh më duket Evropa zyrtare e këtyre tridhjet vjetëve, për shkak të qëndrimit që mban ndaj letërsisë në përgjithësi dhe ndaj asaj që është shlyer me vuajtje, në veçanti. Më duket se kemi mbetur peng në një hapësirë ku janë rralluar shumë zanoret… Prandaj mendoj se është koha kur për letërsinë e ndaluar në sa më shumë trajta të saj, të shprehen, shkencërisht e bindshëm, jo vetëm autorët e ndaluar dhe kundërshtarët e tyre, si deri më tash, por edhe ata që nuk mund të përfshihen krejt në asnjërin prej dy grupimeve. Si autor, - një dëshmi ishte botimi edhe në aq të vlefshmen antologji “Shqipëria kujton”, - unë bëj pjesë në një letërsi që mund të shihet si disafish e ndaluar: për shkak të temave, stilit, kumteve, mënyrës si qarkullon, si e zgjedh lexuesin, si trajtohet nga zyrtaria etj. Me gjithë hidhërimin që mund të zgjojë, e vërteta duhet thënë: nuk mjafton vetëm të jesh i ndaluar, duhet të bësh art të epërm. Të mbijetosh përmes artit, por edhe ai të mbetet pas teje, ta kapërcejë lirshëm, pa ‘paterica’ biografiko-politike, mbijetesën e autorit. Sepse shpesh shkatërrimi i një autori nuk është bërë për shkak të letërsisë së tij (veçmas ndaj autorëve me vepra të pabotuara, por të njohur si shkrimtarë), por letërsia e tyre është përdorur si mbulesë për arsye të rëndomta smire…