"Dukej i qetë, sikur sapo të kish bërë
dashuri. Po vdesin ata që më numëronin mes të vdekurve, i pat thënë kur po
ndaheshin, një ditë, ose një jetë më parë. Po rrëgjohen ata që u rropatën një
jetë të tërë për të mos më llogaritur as mes të vdekurve. Ndonjëherë ia dolën
mbanë të më trajtonin si të vdekur, apo si të mosqënë, gjer edhe njerëz të
afërt, ish-të dashura, miq, jomiq e armiq. Nuk habitesh po të të them se ndihem
si i zbrazur. Se, falë asaj beteje të nëndheshme, ata kishin me çfarë ta
shtynin, kurse unë rrija më mirë i ngujuar në zemrën time. Ndofta kam frikë se
mos më pushton paniku e marr arratinë nga zemra ime. Se zemra më mbajti për kaq
vite si nëna foshnjën në bark. Ishim tre: Zoti, zemra dhe unë. Jo rrallë, - dhe
ty mund të ta them pa u ndrojtur, - Zoti m’u bë zemër e më mbajti siç më mbante
zemra në bark të vet".