Një autor në dy jetë - dy jetë në një autor / Fragment nga "Trialog"

Photo: Iulia Enkelana "Something about roots"
Bidentity[1]

V. 1. Janë plot 19 pakica kombëtare në Rumani dhe secila ka të paktën një shkrimtar përfaqësues, pa llogaritur autorët që nuk jetojnë më. Gati të gjitha pakicat e mësipërme janë ngulitur në Rumani prej shekujsh dhe mund të thuhet se autorët e tyre, shtetas rumunë, linden me nga dy gjuhë amtare. Në kushte të tilla, shkaqet kryesore që çojnë, - dhe / ose shpjegojnë, - dyzimin (në fakt: dyfishimin) e unit të shkrimtarit gati kopjojnë arsyet që ndërtojnë një urë. Kjo urë nuk u përket brigjeve aq sa brigjet i përkasin asaj. Në urë, kuptimet e fjalëve brenda, jashtë, kufij, troje, gjuhë etj shpalosin tjetër thelb dhe fitojnë tjetër rol. Një botë letrare, dyrrënjore, u jep kuptim qënieve dhe ngjarjeve në varësi të frymëzimit dhe të disa vuajtjeve që janë të pashprehshme dhe të patregtueshme. Në epopenë „Një fis i lavdshëm e që jep shpirt“ Enkelana e dikurshme, Po(g)radeci, zgjerohet dhe bëhet botë. Nizamët, Perandoria Osmane, Luftrat Botërore, Diktatura, Mërgimi dhe Mërgata, bashkë me heronjtë, viktimat dhe të paemrit e kohërave, përfshihen në një betejë mes lëndës dhe shpirtit dhe herë shpejtojnë shkretimin, herë ngjalljen së vdekuri[2]. Pyetja themelore e librit tingëllon: ‚Sa është viti?’ Me mjetet e veta të kushtëzuara, një pjesë e kritikës letrare e përfshiu këtë epope në vathën e realizmit magjik, pa sqaruar se ky i fundit rrjedh nga mitologjia pagane dhe është shprehje ateizmit që zbulon pamundësitë e veta, duke u munduar të zgjidhë çështje teologjike me mjete kryekëput letrare. Epiteti “Markez i Ballkanit[3] mbante parasysh vetëm shkarazi pasurinë e folklorit ballkanas dhe veçmas të atyre shqiptar e rumun, ku mbështeteshin disa nga pjesët e librit. Njëherazi, pjesa e pavarur e kritikës foli për “një mitologji të re ballkanike[4] dhe më pas për “një mitologji të re të unit[5]. Në të tre librat e mësipërm, por sidomos tek „Një fis i lavdishëm e që jep shpirt“, sikurse tek „Sy“, - shkruar pó në Bukuresht (2003), që është binjaku shqip i tij, - historia shihet me sytë e shpirtit (si të popullit) dhe të gjithçkaje që mbetet pothuajse e pakapshme për shkencën, por pa e përbuzur shkencën dhe pa hiperbolizuar rolin e nënvetëdijes dhe të poetikës së padijes. Një mëhallë e hershme shqiptare dhe ballkanike bëhet qendra e historisë botërore, shesh lufte, ku të huaj vriten mesveti dhe torturojnë vendas për troje që nuk u përkasin, dhe në rastin më fatlum shkatërrojnë trojet për të cilët kanë luftuar. Mëhalla rrënohet, por nuk zhduket. Ajo mërgon në rrëfenja, në tregime, në legjenda, të cilat, me kohë, bëhen më reale se çdo truall, por kryesisht në troje të huaja[6]. Vargu i njohur i Kavafis-it me „jetën që, po e prishe në një cep të botës, e ke prishur në çdo cep të saj”, këtu rishkruhet sëprapthi: cepin që prishet pa shkak nga historia, e bën botë më vete Letërsia. Pikërisht në atë mëhallë, gjatë luftës italo-greke, stërgjyshja ime Eleni Koci, vejushë me një palë fëmijë, pak para se të braktiste përkohësisht shtëpinë për t’u shpëtuar bombardimeve, shkroi me ngut njëfarë curriculum vitae, në tri nga gjuhët që dinte. Kur u kthye sërish në shtëpi, gjeti gjithçka siç e pat lënë, të paprekur. Vetëm fletorja me jetëshkrimin qe ngritur nga dyshemeja në tryezë. Në faqen e fundit të saj, në tri gjuhë të huaja, me tre shkrime e bojra të ndryshme, qe shënuar: „Nënë, sa paske vuajtur!“ Shpirti shqiptar, njëherazi rrënjë e degë e atij evropian, mund të ngadhnjejë edhe përmes talentit, mençurisë dhe diplomacisë afatgjatë, që duken dobësi, jo vetëm përmes guximit, therrorive, primitivizmit, ekzotizmit etj[7].
Njerëzit-personazhe të „Fisit...“ kanë diçka nga çdo popull i Ballkanit dhe ngjarjet e tyre janë të njohura, por romani mbetet i papërkthyeshëm dhe unë ende nuk arrij të bindem se më erdhi në rumanisht e jo në shqip pikërisht për ta ruajtur lëndën e vet në një gjuhë, ku trualli i “huaj” nuk ka asnjë ndikim.
Një fill i së natyrshmes kalon nën, përmes e mbi të gjithë trandjet historike dhe u mbijeton, fillimisht nga jeta në libër, pastaj nga libri në jetë. Tepria e padrejtësive, e krimeve, e errësirave trunore dhe shpirtërore mbyllen në vetvete dhe dalin nga kjo botë që mbahet tek Besimi në Zot, si çdo gjë që është çnjerëzore, dhe kapërcen aftësinë tonë për ta pranuar si të vërtetë. Çmeritja duket e thjeshtë, ndonëse i var të ardhmen dhe të tashmen në fije të perit: Sa është e vërtetë kjo histori?! Mbase pikërisht ngaqë është e tillë, kjo histori që njohim nuk është e vetmja dhe s’ka si të jetë vendimtarja. Barazimi i historisë me fatin (të ardhmen e mundshme) sjell humbjen e shpresës dhe dëshpërimin, duke e detyruar njeriun të mbijetojë vetëm biologjikisht, skllavëruar nga dita e lindjes e deri pas vdekjes, çka e nxjerr letërsinë nga roli i saj i natyrshëm. Prandaj letërsia, sikurse Besimi i mirëfilltë, duhet të ngrihet mbi historinë qoftë edhe duke u zbuluar lexuesve historinë tjetër, atë ku arti e shpirti janë shprehí të së njëjtës Jetë dhe ku letërsia është më e vërtetë dhe më e rëndësishme se çdo histori.

V. 2. Një përmasë tjetër e Urës është shtresa prej mosnjohjeje në të cilën qëndron, - herë si peng, herë si oshënar, herë si i burgosur, herë si i munxosur, herë si i dënuar me vdekje / harrim, herë si të gjitha bashkë, - shkrimtari dygjuhësh. Shumica e lexuesve, e miqve dhe e të afërmve në truallin ku jeton nuk ia njohin librat e shkruar në gjuhën amtare, edhe sikur t’ua ketë treguar hollësisht dhe më bukur nga sa janë shkruar. E njëjta mjegull mosnjohjeje ndodh me lexuesit e gjuhës amtare ndaj librave në gjuhën e birësuar. Kjo mjegull mund të jetë fatsjellëse dhe jo vetëm të mbrojë vetminë e domosdoshme të shkrimit, por edhe të ndihmojë që të dyja gjuhët të pastrohen e të pasurohen ndërsjelltasBindja ime mbetet e pandryshuar: të shkruash edhe në një gjuhë tjetër, joamtare, nuk do të thotë se po shformon shpirtin, ose po prish përbërjen e gjakut. Kemi vetëm një shpirt, i cili është i aftë t’i flasë e t’i shkruajë të gjitha gjuhët e mundshme[8]. (...) Ngado që ta marrësh, bëhet fjalë për të njëjtin gjak, por që shkruan me dy bojëra të ndryshme. Autorët dygjuhësh nderojnë letërsinë e një kombi, ndonëse, ose pikërisht ngaqë disa prej veprave të tyre ua dhurojnë letërsive të tjera. Si do të kish qenë historia e letërsisë shqipe, për shembull, po të liheshin jashtë Naim Frashëri, ose De Rada, meqë kanë shkruar edhe në greqishten e vjetër, në persisht, italisht etj?! Njohja e përciptë, ose e padrejtë e shkrimtarëve shqiptarë dygjuhësh e bën të pashmangshëm hartimin e një historie të paanëshme, ku autorët janë të letërsisë dhe jo e kundërta”.[9]

V. 3. Në këta mbi njëzet vjet, përvoja si autor dygjuhësh dhe si përkthyes sidomos nga shqipja nuk ishte e pakët. Një rëndësi të pazakontë pati hartimi i doktoratës në letërsi të krahasuar e botërore[10]. Titujt e disa prej kapitujve të saj mund të japin një pamje të qartë të përmbajtjes: Periudha mes dy luftrave e këqyrur si një luftë e tretë. Struktura e shpirtit shqiptar, Perandoria Osmane, mbretëria e Zogut I dhe rrënjët e komunizmit. Gjuha shqipe. Një Zot mes ndarjes së dy botëve. / Zodia e mërgimit të trefishtë. Personalitetet e shquara të letërsisë shqipe në periudhën mes dy luftrave botërore. Tradita. Gjuha drejt kristalizimit. Mërgimi si hapësirë e përshtatshme për paranojën dhe gjeninë. Revolta e shumëfishtë dhe jokonformizmi. / Etapa të rëndësishme në zhivillimin e romanit shqiptar. / Termi ‚jehonë‘ / Albatrosi, nga kuptimi botës tek mohimi i brendshëm; pranimi dhe dëbimi i vetmohimit. Nositi. Qesharakja dhe ‚shthurja‘ e shijes së jetës. Mes Zotit, të paudhit dhe hapësirës së zbrazët. Përkryerja e formës artistike – një vdekje e parandjerë dhe gjithëditëse?! Lasgush Poradeci drejt një bukurie të llahtarës dhe tmerrit të bukurisë. Kamadeva – përjetësimi i qënies përmes krijimit. [Baudelaire dhe Poradeci] / Një jetë, por e shkurtër, në ferr. ‚Pash më pash dua t’i bie ferrit‘. Epshi i të qënit kryengritës, i pabotuar, i pakuptuar. Rimbaud dhe Migjeni – mistikë në gjendje embrionale, ose ëngjëj të dërguar për të parë ç’ka ndodhur pas Kaosit. Dëshirimi i ‚shpirtënve shtegtarë‘. Takimi i Lindjes me Perëndimin, ose ndarja e kokave. / Një stinë, por e gjatë sa një jetë, disi më buzëqeshëse, e ferrit. Fantastikja që mund të rrënojë ferrin; me detajet mund të ngjizet një Parajsë. Fantazmat e shpirtit ballkanik, qiejt dhe humnerat, teprimet, lufta, hakmarrja dhe besimi – tek Mitrush Kuteli. / Vrasësi i strukur nën lëkurët e njeriut modern dhe një përpjekje për të qartësuar nënvetëdijen. Njeriu i krijuar sipas së Padukshmes dhe shtaza e ngjizur sipas modës së të Dukshmes. Zhgënjimi i madh dhe kuptimi pa kuptim i nocionit ‚progres‘. Shpërbërja e kulturës moderne, dyndur nga dukjet dhe nga paradoksi i thellësive: mungesa e mëshirës. Kthimi tek besimi (Koliqi, Andre Gide etj). / Ushqimi i kaosit. Nevoja për mite. Përditësimi i miteve – sa është ky një çmitizim?! Poetika e intelektit. Fan S. Noli, nga tradhtia e Shën Pjetrit tek Maratonomaku i lashtësisë. Moisiu lindet në epokën e Mosiut. / Ndjenja plagosëse e Pafajnisë, e Fëminisë së përjetshme të Zotit. Harresa e vetvetes: një mision për të pushtuar të gjitha jetët e mundshme. Ta japësh jetën sikur po lindesh. Fishta. “Kurva e motit” – Evropa. Përmes krishtërimit, romantizmit, helenizmit – drejt njësimit me Edenin. Poezia – një mënyrë vetëshprehjeje e Zotit. (...)
Edhe puna disavjeçare (1993-1996, 2002-2006) në dy revistat e bashkësisë shqiptare të Rumanisë, si dhe drejtimi i së përvitshmes „Agora“ e pakicave kombëtare të Rumanisë, gjatë Festivalit Pro-Etnica që zhvillohej në qytezën mesjetare të Sighişoara-s, më vlejtën mjaft. Ndërkohë, pasi themeluam bashkë me tim atë Revistën Haemus (Bukuresht, nëntor 1998)[11], përkthimi nga të dyja gjuhët u shndërrua në një urë të mirëfilltë që i dhuronte secilit breg të dhëna qytetërimi, kulture e vlera artistike të paanëshme, gati njëlloj sikur të ishin ngjizur atje ku mbërrinin.
Përkthimi si akt kulture u veçua edhe më qartë nga e shkruara vetjake. Me përjashtim të dy dramave, të disa eseve dhe të pak prozave të shkurtra, as nuk synova e as nuk arrita të përktheja veten.

Dalja në një numur shumë më të madh lexuesish, por edhe në një tjetër gjeografi letrare shpirtërore, nuk e cënoi, madje e përforcoi bindjen time ndaj vlerave të shqipes. Botimi si libër më vete i bisedës së zgjeruar me shkrimtaren Iolanda Malamen, “Koha e zëvendësve / mëkëmbësve” u bë ura më e gjallë e dialogut tim me një lexues, të cilin e takoja gjithnjë e më rrallë, sepse koha që i blatohet shkrimit të zhvendos në hije. Veç paraqitjes së shpirtërimit dhe qytetërimit shqiptar, pyetjes lidhur me shqipen iu përgjigja siç i përgjigjem edhe sot: „Gjuha shqipe për mua është një tempull i padukshëm, i pashkatërrueshëm. Me të mund të njohësh më shumë nga sa mund të thuash. Me të, ndofta, as që duhet të thuash aq sa mund të njohësh. Dhe jam i bindur, - hollësitë do të ishin të tepërta, - se, në një botë tjetër, gjuha shqipe nuk është e qarkullimit të kufizuar[12]. Me ‘botë tjetër’ gjithkush ftohet të nënkuptojë edhe letërsinë, ku as rumanishtja nuk është e qarkullimit të kufizuar.
Mbështetur në lidhjen e thellë mes dy gjuhëve, në një ese të poetit Ştefan Ioanid thuhet se „Përtej realizmit magjik që duket sikur karakterizon substancën epike (dhe vizionin ontologjik) të prozave të tij (një përzjerje e papërsëritshme e realizmit, ndonjëherë i dhunshëm, pa iluzione, çoranian, me përfytyrimin „përrallëzues”, folklorik, mitik, onirik të një „kohe të mbetur pezull” eliadeske, që mbidimensionon dhe forcon realitetin), befason te Kyçyku shprehësia e pazakontë e rumanishtes që shkruan, njëlloj sikur të kish përcjellë heshtas në gjuhën e adoptuar gjithë drithmën okulte të shqipes[13].
Në jetën e përditshme, mërgimi mbetet i dyfishtë, si edhe vetmia krijuese. Me kalimin e viteve, duke e folur me time bijë, rumanishtja u bë edhe gjuhë ‚atnore’. Pó e tillë u bë shqipja, pasi ime bijë mësoi dhe nisi të fliste shqip.

Këndi në Gjeometrinë e Epërme

VI. 1. Nga të dhënat e shkruara dhe gojore duket sikur ndikimi i historisë mbi ne shqiptarët ka qenë vetëm i pabesë, nëpërkëmbës dhe shterues. Në fakt, edhe falë kësaj historie dhe jo një tjetre, nga pikëpamja letrare tani ndodhemi në cep (kënd, skaj) të vëmendjes botërore, por në gjeometrinë e epërme çdo cep është majë dhe ky cep përbën tashmë një qendër që ngjiz vepra e kryevepra, në disa gjuhë. Historia e dendur dhe plot kundërthënie, pikërisht ngaqë dëshmon paaftësi mirëkuptimi mes popujsh, qarqesh e brezash, e ndihmon letërsinë. Kjo mbetet shprehja e një vetmie, të cilën fare pak e ndan nga kuptimi i epërm dhe mposhtja e lëvizjeve shkatërrimtare të kësaj jete. Kjo e fundit, për shkrimtarët dygjuhësh, zhvillohet, - jo medoemos edhe harxhohet, - në dy drejtime njëheresh.

Mërgimi si jetë në urë, më duket gjendja më e natyrshme dhe më e ndershmja për një shkrimtar. Huajsia e vazhdueshme është vendimtare për librat e tij dhe për të jo vetëm në truall / troje, por edhe në gjuhë. Sa më i afërt me këtë botë (përditshmëri, e tashme etj) të ketë qënë një autor, - siç ngulmonte ta prangoste realizmi socialist, - aq më jetëshkurtër kanë qënë librat e tij. Pa përjetimin e vazhdueshëm të huajsisë, - që ndodh të zgjojë një shqisë më vete, - shkrimtari nuk mund t’i sjellë letërsisë e as jetës së një vendi diçka më tepër se një orëndreqës, të themi. 

Shkrimtari dygjuhësh duket sikur ka një liri të dyfishtë, por më së shumti, për shkak të paragjykimeve, ka gjysmën e një lirie të vetme. Ai mbetet i huaj jashtë – i huaj brenda, sepse jeton në kapërcyell. Adhurimi i pafuqishëm dhe smira e orkestruar ndaj tij nuk ndryshojnë as sikur ai, me vepra e me jetë, ta ketë dëshmuar se është çiltërsisht i përkushtuar edhe ndaj truallit-lindës, edhe ndaj truallit-pritës, pa kurrfarë interesi jashtëletrar dhe më thellë se shumica dërrmuese e vendasve. Ajo që anashkalohet në kësi rastesh është fuqia e asaj gjysme lirie që përmenda. Në letërsi ky lloj gjysmë-lirie mund të bëjë pakrahasimisht më tepër se çdo liri që pandehet e plotë, ose në zgjerim e sipër. Fjala e pandrydhur dhe qëllimisht e keqkuptuar nuk ka vlagë në letërsi, sepse nuk ndeshet me asgjë. Ajo është si guri pa strall dhe si stralli pa gur.

Tanimë shkrimtarët shqiptarë dygjuhësh, me arritjet shpesh të pakuptuara dhe me mangësitë përherë të kuptueshme të secilit, ia kanë dalë mbanë t’i japin trajtën ‚vendi i rëndë në gur të vet‘ fjalës së njohur, edhe duke iu përmbajtur urdhëresës së kanunit (Mos i luaj sinorët që kanë vënë të parët), edhe duke pasuruar një traditë mjaft të pasur në dygjuhësi.

VI. 2. Në rrafshin e së tashmes, ndonëse ende rrethohen me heshtje zyrtare dhe me gjithfarë keqkuptimesh, - herë nga padija, herë nga zilia, - shkrimtarët dygjuhësh u bëjnë ballë si mundin kthimeve në trojet amtare (si libra, si praní e përkohëshme, si edhe-edhe). Në trojet nga janë shpërngulur, gjërat rrjedhin si në çdo jetë tjetër letrare evropiane e më tej. Klane të caktuar autorësh, kritikësh dhe përkthyesish, - të tejkaluar, ose thjesht në sevrage mediatik, - veprojnë me të gjitha mënyrat që t’i groposin për së gjalli në harresë, sepse njëheresh me shfaqjen e kësaj letërsie të re, përgjithësisht deiste, rrezikojnë të shndërrohen në askushë. Për të tillët, mungesa, ose pavëmendja e shtetit përbëjnë një ngadhnjim që duhet të zgjasë mundësisht derisa të vdesin autorët e rinj, qofshin një-, apo dygjuhësh, qofshin jashtë, apo brenda trojeve. Por jo gjithmonë është vetëm çështje smire. Për fat të keq, shpesh bëhet fjalë për botëkuptim të cënuar, të shformuar, pra, për paaftësi kuptimi e zbërthimi të letërsisë.
Me gjithë vështirësitë dhe hidhërimet që duken të pafundme, vlen të theksohet se trojet e shqipes kanë tashmë disa gjuhë (si kasaforta të gjalla Kujtese), tjetërkund e tjetërkur, dhe se kjo Kujtesë (që bart si, në e me gjuhë Shqipërinë e përhershme) ka tashmë troje të pangatërrueshme në letërsinë botërore.

VI. 3. Nuk mund ta kaloj në heshtje, - ndonëse kjo lloj heshtjeje krijon libra, - faktin se vjen një çast kur e shkruara dhe jeta në të përhershmen e një kombi të ndajnë nga e tashmja e tij. Është një sprovë e cila, për periudha që duken të pafundme dhe marrin trajtat e një ferri me të cilin nuk mësohesh dot, me ndihmën e heshtjes së dyanshme, nga bashkatdhetarët dhe nga bashkëkohësit, mund të të huajsojë krejt nga vetja, dhe jo vetëm nga vetja me dy kohë (atdhe-tokë e premtuar, Kujtesë-kujtime), por nga vetja në vetvete. Nuk është as ndarje, as ngujim, as klasicizim i parakohshëm, por bindja se zgjerimi i së tashmes historike të zhvendos në Kujtesë – dhe aty gjenden në trajtë simbolesh të gjitha ngjarjet që mund të sjellë çdo e tashme. Gjithsesi, qoftë edhe vetëm librat e shkruar në gjuhë të huaj dëshmojnë më parë forcën e gjuhë-letërsisë nga vjen autori[14] dhe pastaj fuqinë thithëse të gjuhë-letërsisë ku shpërngulet pjesërisht, ose plotësisht. Ndërsa jeta vetjake e autorit, prania, mungesa, e përditshmja, janë bërë pjesë e një flijimi.

E ardhmja – mes emrit dhe numrit

Në mbyllje do të shtoja se atij që i është dhënë Gjuha, i është dhënë medoemos edhe letërsia, dhe kush ka Letërsinë, s’ka si të mos ketë edhe gjuhët. Në një çast të caktuar, ngrehinat e librave nisin të krisen dhe atëhere secili autor provon diçka njëherazi të stërnjohur, të pashmangshme dhe të papranueshme: kalimin e kohës. Ky mund të jetë fatal për shkrimtarë të të njëjtit brez dhe fatlum për autorë që, përmes stilit dhe kumtit të tyre, bëjnë pjesë në brezninë e përhershme, ku sundojnë emrat dhe jo numurat dhe ku çdo kohë u nënshtrohet librave, jo anasjelltas. Veçmas në epokën e tanishme, kur gati gjithkush ngutet të shkruajë të paktën një libër, kur konkurrenca në media është kaq e pafré, (sa çdo autor i përkushtuar, përmes së shkruarës, duhet së pari të shpëtojë shpirtin, që të mund të bëjë art – dhe pastaj të bëjë art, që të shpëtojë shpirtin), dhe kur kriteret e vlerësimit të letërsisë dhe të përhapjes së saj mbahen peng jashtë artit, kalimi i kohës shndërron pjesën më të madhe të koncepteve, njëlloj sikur të jetë vetë vdekja, ose harrimi. 
Po t’u besojmë të dhënave që sjell historia e letërsisë, jo pak autorë hidhërohen, disa për vdekje, dhe sulen t‘i mbajnë librat gjallë (në formë, sipas terminologjisë sunduese) përmes bëmash jetësore, pra, duke zhvendosur pandershmërisht vëmendjen e lexuesit. Vetëm pak autorë e pranojnë se u duhet lënë vend edhe pasardhësve, - ndonjëherë madje edhe paraardhësve në kohë, jo në thelb, - dhe tërhiqen duke ua lënë librat lexuesve, fantazisë së tyre, botëkuptimeve që mund t’i zbresin mes dështimeve, ose t’i ngrenë mes kryeveprave.
Për t’ua zgjatur jetën librave, më duket vendimtare një sprovë që krijon përshtypjen se rrjedh nga lakmia apo nga etja për pavdekësi, por që, në fakt, është skaj dhe fill i pó asaj dashurie ndaj Letërsisë. Shpesh kjo dyndet si një pyetje plot vrull e hije morti dhe vetmohimi: Çfarë nis atje ku unë si autor dhe libri që e shkrova sikur të ishte i fundit mbarojmë? E qartë është se vetëm mënyrat si i përballon me letërsi të ndershme vuajtjet dhe çnjerëzoren mund t’i japin secilit autor vendin si emër, kurse trojeve nga vjen dhe gjuhës së brendshme – çmimin e saktë shpirtëror në ardhmëri.
Meqë mërgimi ka diçka jo vetëm në rimë nga burgimi dhe murgimi, vazhdimisht më vjen ndërmend një parabolë. Kur duhej t’u paqtonin shpirtrat murgjve të rinj, - të cilët i drobiste dhe ua rrëmbente mendjen malli për vendlindjen dhe të afërmit, - pleqtë e Malit të Shenjtë Atos u përcillnin vegimin e një pararendësi: “Kur të mora ty, tha Zoti, në vendin tënd vura një ëngjëll”. Dëshmitë ishin të shumta dhe të pakundërshtueshme as nga shkencëtarët[15]. Nuk mund të thuhet se ikja e shkrimtarëve dygjuhësh e mbush vendlindjen e tyre dhe letërsinë me ëngjëj, por padyshim duhet pranuar se, pavarësisht trojeve ku jetojnë, mungesa e tyre sjell libra të paktën në një gjuhë.



[1] Term që përdora së pari në kumtesën për Takimin e Shkrimtarëve dygjuhësh, organizuar nga Këshilli Britanik i Rumanisë / British Council në Băile Felix, Rumani, maj 2000.
[2] „.. shkrimtari duket se konfirmon që vendet e vogla dhe gjuhët e tyre me qarkullim të kufizuar mund të nxjerrin autorë të rëndësishëm dhe libra të jashtëzakonshëm si i vetmi shans për të hyrë në cirkuitin evropian, duke iu imponuar vetëdijes evropiane... "Një fis i lavdishëm e që jep shpirt..." është një vepër fondamentale e Shqipërisë, e shkruar në gjuhën rumune sikur rumanishtja të qenkej shndërruar brenda natës në një nga gjuhët zyrtare të OKB-së. Zgjedhja e autorit është një bast i fituar me gjuhën rumune, aq sa rumanishtfolësve që janë të interesuar për të mësuar gjithçka rreth Shqipërisë dhe sidomos për historinë e shpirtit shqiptar përmes mishërimeve të tij mitopoetikë, nuk u mbetet veçse të lexojnë "Një fis i lavdishëm e që jep shpirt". Geo Vasile, Revista Luceafărul / Ylli i Mëngjesit / Dritës, organ i Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë, Bukuresht, dhjetor 1999.
[3] Në esetë / studimet e Titus Vâjeu-t, Vasile Andru-t, Mircea Martin-it, Ioan Adam-it, Kutszegi Czaba-s etj.
[4] Në disa ese të Dan-Silviu Boerescu-t (1997, 1998, 1999).
[5] Në studimin e posaçëm me titull ”Burgje”, të Bogdan-Alexandru Stănescu-t (Luceafărul, Ziarul de Duminică (Gazeta e së Dielës) , 2003, 2004)
[6] Një anë e panjohur e mëhallës ballkanike paraqitet në Ish – roman me dashuri & konspiracion / Ex – roman de dragoste & conspirație, Editura Adam, Bukuresht 2004, dhe Editura Contemporanul, Bukuresht 2010.
[7] „Një fis i lavdishëm E që jep shpirt është një libër i madh, me frymëmarrje të gjerë, shkruar në tonalitet epopeik. Duke harmonizuar të kundërta, tipare pozitive dhe negative të shpirtit ballkanik, libri rikrijon, - në çelës parabolik, - historinë identitare të kësaj hapësire, përtej çdo patetizmi dhe mistifikimi. Metaforë vigane e luftës së dukshme dhe të padukshme mes qënieve të ndjeshme, që nuk duan të heqin dorë nga Zoti (sepse Ai nuk heq dorë prej tyre) dhe profanëve”. Katalogu dhe site-i zyrtar i Shtëpisë Botuese Paralela 45, botimi i tretë, Bukuresht, 2005.
[8] 1. - “Ika si të isha anonim, pra s’mund të ndihem i dëbuar, dhe nuk i mungoj Shqipërisë falë pjesës sime të dukshme, librave”, intervistë dhënë shkrimtarit Adnan Mehmeti, Revista Perspektiva, Bujanoc, mars 2007. 2. - „Jo vetëm që vlera nuk pret numurin e viteve, siç thotë klasiku, por disa autorë në Rumani kanë një numur befasues titujsh të botuar në rini, numur që nuk ua zbeh cilësinë e veprës. Është rasti i Ardian-Christian Kyçykut, një rast i veçantë në letërsinë tonë... Kyçyku është një njeri dhe një autor me dy atdhe, të cilët duket se i do njëlloj. Lindur e rritur në Shqipëri, ai debutoi atje dhe bëri karrierë letrare dhe universitare në Rumani. Pa harruar prejardhjen, madje duke e përdorur që të fuqizojë veprën, - e cila është e fuqishme qysh në fillesa, - Ardian Kyçyku është një autor përsosmërisht dygjuhësh, që iu dëshmon rumunëve se si mund të jetë dikush shqiptar. Dhe anasjelltas”. Horia Gârbea, Bukuresht, “Portet i artistit në rini”, shtojca kulturore e Gazetës Financiare, Bukuresht, 2005.
[9] Intervistë dhënë gazetares Aida Tuci, Gazeta Mapo, Tiranë, 2013.
[10] „Drejtime në modernizmin evropian dhe jehona e tyre në letërsinë shqiptare mes dy luftrave botërore, ose Shqisa e përgjakshme e rigjetjes” (Direcţii în modernismul european şi ecoul lor în perioada interbelică a literaturii albaneze sau Simţul sângeros al regăsirii, mbrojtur në prill 1998 (Diploma Seria P Nr. 0002011 / Nr.333 / 20.VII.1998) Drejtues shkencor: Akad. Dan Grigorescu. Lëndë-kyçe: Letërsi, imagologji, semiotikë, letërsi të qarkullimit të ngushtë, komunikimi kulturor Lindje-Perëndim. Punimi përfaqëson dhe zbërthen në frymë ndërdisiplinore metaforën e lindjes së një letërsie moderne në Lindje të Evropës, ose aktin e shndërrimit të një letërsie arkaike gojore në një letërsi evropiane. Kjo nënkupton një lëvizje të dyfishtë joshje-kundërshtim: një epje e shpirtit lindor drejt Evropës (që pat kristalizuar tashmë një traditë) dhe një epje – me nuhatje dhe e etur për ekzotizëm, - të Evropës drejt Lindjes. Përtej dallimeve dhe mospërputhjeve kohore, marrëdhënia Lindje-Perëndim na zbulon përbashkësi të padiskutueshme dhe orvatje të ndërsjella afrimi dhe rigjetjeje. Mbështetur në këtë doktoratë janë botuar librat Zeul Epigon dhe Ligjërimi i një pagjumësie (Brevetarea unei insomnii) (pasthënie e gjerë e antologjisë Bukuria që vret / Frumuseţea care ucide, prozë shqipe moderne, rumanisht, zgjedhur e përkthyer nga Kopi Kyçyku, Librarium Haemus, Bucureşti, 2006, ISBN: (10) 973-87952-3-0, (13) 978-973-87952-3-5). Pas disa vitesh me hulumtime e meditime, në kuadrin e nismës vetjake Semioticon Balcanic, duke rimarrë ide dhe copëza nga vëllimet e mësipërm, duke pasuruar lëndën, përgatita librat Outizëm dhe pagjumësi / Outism şi insomnie dhe Rara avis – studim letrar, imagologjik e semiotik mbi jetën dhe veprën e poetit evropian të gjuhës shqipe Lasgush Poradeci, Editura Librarium Haemus, në botim e sipër.
[11] Revista Haemus (www.revistahaemus.blogspot.ro) ka tashmë një arkiv me mbi shtatë mijë faqe. Në të janë botuar në shqip, rumanisht e gjuhë të tjera pjesë dhe vepra të plota në poezi, prozë, ese, kujtime, dramaturgji nga krijimtaria e mbi 300 autorëve evropianë e më gjerë. Deri tani Haemus-i u ka kushtuar numura të posaçëm kulturave dhe qytetërimeve shqiptar, rumun, grek, italian, turk, hebraik, kinez, zviceran etj, si dhe mërgatave shqiptare e rumune, në radhë të parë letërsive të tyre.
[12] Koha e zëvendësve / mëkëmbësve, vep.cit.
[13] Revista Curierul Românesc / Korrieri Rumun, rubrika Destine (Fate), Bukuresht, shkurt 2004. Nota bene: Për shkak të të dhënave të sakta ndaj librave që kam shkruar e botuar në rumanisht, - dhe vetëm për hir të temës që trajtohet në këtë punim, - jam detyruar të citoj edhe shkrime kushtuar librave përkatës nga kritika rumune dhe e huaj.
[14] ”Kyçyku nuk është një shqiptar që shkruan në rumanisht… por një shkrimtar shqiptar në gjithë kuptimin e fjalës, që shkruan edhe në rumanisht, duke njohur, në njëfarë mënyre, përvojën e Panait Istratit. Kyçyku është një Panait Istrati i letërsisë shqipe, që ka zgjedhur rumanishten në vend të frëngjishtes”. Mircea Martin, Revista Ziua Literară (Dita Letrare), Bukuresht 2004.
[15] Shih Stareţul Efrem Katunakiotul / Kryemurgu Efrem Katunaioti, Editura Evanghelismos, Bukuresht 2004.