Copëza nga dosja / Homo ex machina: Pantomima

 


I moshuari Pano Mima, - që shpesh e paraqit veten si “Armiku më i rrezikshëm, ose Ai që harrohet”, - hedh në gjyq shtetin për mospërfillje, kur zbulon se dosja e tij prej shtetasi ende gjallë nuk ka më tepër se tri fletë. “Njëra faqe përmban një jetëshkrim që ia patën kërkuar kur e merrnin në punë. Aq. Asnjeri nuk e kish ndjekur, asnjeri nuk e kish spiunuar, asgjë. Sikur të mos qe pjellë kurrë. Këto fletë janë njëra pjesë e dëshmisë sime, tha, ndërsa pjesa tjetër jam unë. Peshojeni vetë çështjen: më një anë tri fletë, më anën tjetër unë... Jam gjallë, i kam kaluar të shtatëdhjetat, jam i martuar, kam grua e fëmijë tashmë të rritur, nipër, mbesa; kam komshinj prej një jete, kunetër, kunata, baxhanakë, ish-shokë shkolle e pune, disa smirëzinj (por as këta nuk më kanë paditur për gjësendi) dhe ca miq që, njëlloj si armiqtë, nuk kanë shkruar asgjë kundër, apo pro meje...

Pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh, Pano Mima e fiton gjyqin dhe duhet të marrë një dëmshpërblim prej 300 mijë eurosh. Por atij nuk i duhen të hollat. Pas bisedash të fshehta, bie në ujdi me zyrtarët që, në vend të parave, t’i plotësohet dosja. Për këtë zgjidhet Rrok Tupana, një shkrimtar mesatar, që dikur hartonte kujtimet e udhëheqësve dhe veteranëve me famë.

Në plotësimin e dosjes përfshihen hap pas hapi, herë vullnetarisht e herë me mëditje, fqinjë, të njohur, të afërm, bashkëshortet, prindërit që kanë ndërruar jetë dhe e dashura e parë e Pano Mimës.

Nuk dihet sa ditënetë a vite kalojnë, mes mëdyshjesh e hamendjesh, derisa protagonistët kuptojnë se sa peshë ka arritur të ketë fjala dhe se sa e ç’fjalë ka në këto kohëra pesha e ngjarjeve, emrave, njerëzve. Pjesa e padukëshme e fjalëve i ndihmon të mos vdesin më “të paditur se kaq”, por jo më të ditur nga sa duhet.


I.

 

Një ballkon i gjerë, disi i lënë pas dore, nga ku duket Dajti dhe disa copëza të Tiranës së hershme. Një tryezë e madhe druri është vendosur buzë parmakut, pranë saksive me lule të rreme, por që janë ujitur. Rreth tryezës janë tri kolltukë të bardhë, me jastëkë të qëndisur pó me lule. Një llampadar me tetë qirinj varet mbi tryezë. Dikush ka vendosur hijshëm dy filxhanë kafeje, dy gota teke, një shishe konjak „Skënderbeu” dhe një damixhane me ujë.

Pano Mima është veshur me kostum të zi e me këmishë të bardhë. Mban një kravatë të kuqe dhe këpucë të shtrenjta që shkëlqejnë.

 

PANO MIMA (si me vete)

Nuk kam vdekur, jo, siç do të kishin dashur disa, madje nuk jam veshur për ndonjë varrim a mbledhje. Tani nuk më njihni, por do më njihni. Madje nuk do më harroni kollaj. Është hera e parë pas kaq vitesh, kur ju jeni të gjithë bashkë në një cep dhe unë i vetëm, por në qendër. Në qendër të vëmendjes, atje ku s’më keni lënë kurrë të rri, ndonëse e kam pasur hak po aq sa ju. Sa secili më vete e sa të gjithë bashkë...

 

(Ndez një cigare)

 

Pse jam unë kaq i bindur që do më njihni e s’do më harroni?! Po të ma kishit lexuar dosjen, tanimë do të më njihnit mirë, me dhëmbë e dhëmballë, si thotë populli. Mirpo shteti nuk jua dha të drejtën të më njihni, sikurse ma mohoi mua të drejtën për të pasur një dosje të ndershme. Shteti ndoshta as tani nuk e pranon, por dosja e njeriut, e shtetasit, është po aq e rëndësishme sa edhe jeta e tij. Në mos po sa vdekja... Por nuk prish punë. Pasi të më dëgjojnë disa minuta, do të binden të gjithë, gjer edhe hasmët më të mbrapshtë, se nuk jam kot këtu, në qendër të vëmendjes...

 

Troket dera.

 

PANO MIMA

Bjeri, bjeri... Me durim e me shpresë... Sa kam shpirt, kam durim... (Nënqesh) Po të numërosh ti trokitjet e mia, apo edhe dyert që kam leskruar gjatë kaq viteve, nuk do mërzitesh... (Nxjerr një shtëllungë të madhe tymi) Shkurt fjala, ky që i bie derës tani, si qëmoti ata të druve, ka qenë i dënuar, por jo si unë. Ai ka marrë dënim si shkrues kujtimesh të udhëheqësve të dikurshëm, si nëpunës që, me hir e pahir, ka mbushur me lajlelule jetët e tyre. Rrezik ia ka kaluar me shpikje edhe Da Vinçit... Vetëm se sajesat e këtij ndynë shpirtra dhe u zhdukën. Si puna e murtajës në Mesjetë.

 

Dera troket disa herë, më fort.

 

PANO MIMA

Si me limë ka punuar, si ndaj thonjve. Është përkulur mbi kthetrat e tyre dhe i ka lëmuar, aq sa, po t’u lexosh tani jetët, betohesh se kanë qenë ëngjëj, jo të paftuar apo përbindësha. Nejse. E meqë unë e fitova gjyqin.... vërtet pas plot gjashtëmbëdhjetë vjetësh ecejake, mundime, përbuzje, tallje nën buzë, kërcënime etj... shteti, me mençurinë e tij të frikshme, zgjodhi pikërisht një të dënuar për të më dëmshpërblyer mua. Mezi pret të më dëm-shpërblejë, ndaj troket sikur po e ndjek mortja... (Çapitet drejt derës) Erdha, erdha... (Si me vete) Po ta dijë ky qyqar se ç’e pret, do qe lutur ta ndiqte mortja...

 

Hyn Rrok Tupana. Mban veshur kostum të zi, këmishë të bardhë, kravatë të kuqe dhe këpucë lustrafine. Pano Mima e këqyr me njëfarë qesëndie, pastaj i zgjat dorën plor dhimbsuri.

 

PANO MIMA

Unë jam, dora vetë...

 

RROK TUPANA

Edhe unë... dora vetë...

 

PANO MIMA

Sigurisht... Ajo dorë të ka sjellë këtu... Dora si zgjatim i kokës... Se asokohe, po të mos e lëvizje dorën si duhet, të ikte koka... Si do t’i vinte pastaj filli dorës pa kokë?!

 

RROK TUPANA

E drejtë. Mund të zë vend?

 

PANO MIMA (Si me vete)

Ngaqë duan vetëm të zënë, jo të lënë, kanë sosur në këtë farë feje... (Rrok Tupanës) Patjetër, patjetër... Urdhëro... Apo dëshiron të flasim me ju?

 

RROK TUPANA

Në fakt... duke gjykuar nga puna që do bëjmë, sikur s’ka...

 

PANO MIMA

S’ka, or ti, s’ka fare... Unë me ti e ti me ju, si ta shohësh me vend. Unë, për vete, jam rraskapitur nga shumësi. Më vjen keq që e ka thënë tjetërkush para meje: unë u flisja me ju, ndërsa ata me ti, dhe me të drejtë: unë isha i papërsëritshëm, ndërsa ata – me mijëra të papërsëritshëm, ama bashkë. Sup më sup si malet – kështu këndohej qëmoti, apo e kam gabim?

 

RROK TUPANA (si në gjemba)

Ashtu ishte atëhere, s’ke ç’i...

 

PANO MIMA

Është më shumë tani, i nderuar Rrok. Vetëm se njerëzve s’para ua rrok mendja... Nejse... E trokasim një gotë?

 

RROK TUPANA

Me thënë të drejtën...

 

PANO MIMA

Nuk pi?! Unë kam qenë gjithnjë i bindur se shkrimtari pa pije është si pija pa shkrimtar. Pi sa të duash, bëje mëlçinë fërtele, shkrimtar nuk bëhesh dot. Duhet shkrimtari, që të marrë kuptim pija... Apo e kam gabim? Apo nuk pi para punës? Do jesh nga ata që pijnë pas punës, për të dëbuar xhindet e shkrimit, ë?

 

RROK TUPANA

Sapo kam bërë një operacion dhe...

 

PANO MIMA

Çfarë të zhvatën kësaj here? Apo zvogëlove stomakun, si ca yje kinemaje, që të mos të gëlltitë mulla? Nuk ta kam me të keq, për atë Zot!

 

RROK TUPANA

Nuk të keqkuptoj, jo, mos ki dert... Nuk më zhvatën gjë... Nga shqetësimet e... kuptueshme... sepse në situatën time, siç mund ta... jo, jo... thjesht më morën një copë venë nga këmba dhe ma lidhën në zemër...

 

PANO MIMA

(Si me vete) Nyje ta lidhën?! S’ka gjë, se shumica i kanë zemrat nyje... (Ngre zërin) Hm... Kujtoja se shtet kishim vetëm atëhere, kurse tani – vetëm shtetarë... si ca hajna që betohen se janë pronarë kështjellash, por që...

 

RROK TUPANA

Nuk është shtet ai që s’të vret... Shoh që i di më mirë se unë ca gjëra... S’do t’ia dijë njeri se je i ndjeshëm, se mund të të plasë zemra nga marazi, nga paditë e padrejta, nga shpifjet...

 

PANO MIMA

Ashtu, hape zemrën, i dashur Rrok, se të ajrosen më mirë venat... Vërej me ëndje të veçantë se do ta gjejmë shpejt gjuhën e përbashkët... Përndryshe, si do ta hartojmë dosjen time?! Ti do hysh nën lëkurët e mia, unë – nën të tuat, do jemi më të lidhur se vëllezërit siamezë... Si venat e tua do jemi... Jo për shumë kohë, ama ia vlen. Në kaq vetmi sa na rrethon e na mbush e na zbraz sot, lidhje të tilla janë bekime. Apo e kam gabim?

 

RROK TUPANA

Në fakt...

 

PANO MIMA

Pikërisht. Le të shohim anën e mirë të gjërave të këqija. Po të kish fituar shteti kundër meje, kushedi se ç’dënim do të të caktonin?! Rrezik të rrasnin brenda, ose të vinin ndonjë gjobë nga ato që s’lahen për shtatë breza. S’të tret dheu, thonë, pas gjobash të tilla...

 

RROK TUPANA

Pó një gjobë do shlyej më këtë punë...

 

PANO MIMA

Ç’punë?! Kjo s’është punë, po krijimtari, madje e kulluar. Ti je zgjedhur të rikrijosh jetë, një jetë, jetën time, jo ndonjë jetë dosido... Dhe ke kaq hapësirë krijuese, sepse vetëm unë e di përnjimend jetën time... Edhe sikur të ishim miq qysh në vegjëli, nuk do ta dije jetën time më saktë se shumica e të panjohurve... Merr kë të duash dhe verja koburen në tëmth: nuk do dijë jo vetëm të tregojë gjëra të sakta, por as do të mund të shpikë gjë nga nevoja për të shpëtuar kokën... E kam provuar vetë, me time shoqe, por edhe me kunetërit, me dy komshinj... njerëz që janë ndodhur gati oreçast rreth meje... Në fakt, meqë kam qenë gjithmonë anash, ose në cep, ata kanë qenë gjithmonë në qendër, por këto i sqarojmë hap pas hapi... Kur mendon të fillojmë?

 

RROK TUPANA (Ndez një cigare, pasi kërkon leje me krye, dhe falenderon)

Kur të dëshirosh... Ndoshta duhet...

 

PANO MIMA

Duhen bërë dallimet qartë qysh në fillim, që të mos hasim pengesa udhës... Besoj se gjërat thelbësore i ke të qarta. Nuk jam udhëheqës, nuk jam ndonjë gjení i pakuptuar, as ndonjë hero i heshtur, as i zhurmshëm, as antihero... Mund ta kesh disi të vështirë, sepse do të të duhet ta ndryshosh me rrënjë mendësinë, ose perceptimin artistiko-estetik, si i thoni ju të letrave...

 

RROK TUPANA

Prandaj do të më nevojitet ndihma jote.

 

PANO MIMA

Do mbajmë barrën e njëri-tjetrit, siç porositin Shkrimet e Shenjta. Kur unë mbaj barrën tënde, ti nuk je nën barrë, dhe anasjelltas. Është një liri e jashtëzakonshme, një çrobërim i vërtetë... E të mendosh se pikërisht shteti, ai që desh nga shkatërroi të dyve, mua gjatë gjithë jetës, ndërsa ty – në hyrje të pleqërisë... humbi... Shteti. Humbi gjyqin me mua dhe u detyrua të na afrojë për të larë fajin. Fajin e tij ndaj meje, përmes teje, që kësisoj do të lash fajin tënd ndaj shtetit. Në fakt: ndaj shtetasve, sepse pikërisht shteti të detyroi dikur të shkruaje ato që shkrove. Pastaj udhëheqësit u ndërruan, shteti të flaku në një qoshe, si limon të shtrydhur, dhe ti sose pikërisht në qoshen ku unë vigjëloj prej vitesh, por si një limon i pashtrydhur... Nuk di a jam i qartë...

 

RROK TUPANA (Me të qeshur)

Po pse s’i futesh vetë kësaj pune?! E kryen si duhet... mund të dalë një kryevepër e mirëfilltë, për bé... dhe ata vijnë e firmosin, domethënë pranojnë se kështu ka qenë...

 

PANO MIMA

Po me fajin tënd si i bëhet?! Ke qejf të të degdisin atje ku s’ta do as hasmi?! Pse t’i hyj unë një pune që më kapërcen?! Po të kisha pasur vesin e përzierjes në punët e tjetrit, nuk hidhja shtetin në gjyq. Ndiqja veten, hartoja raporte, trashja dosjen dhe pastaj, në kohën e përshtatshme, dorëzoja dosjen në Sigurim dhe gjërat ujdiseshin... Po si mund të fusja hundët në punët që ishin zgjedhur t’i bënin të tjerët?! Mund të më hidhnin prangat që po spiunoj më kokën time, ndonëse do spiunoja veten... E kupton? Apo nuk jam i qartë sa duhet?

 

Rrok Tupana pohon me kokë.

 

Zëri i Besa Mimës

Panooo...

 

PANO MIMA

Hajde, shpirt, hajde! Dera është e hapur, si zemra ime për ty...

 

Hyn Besa Mima. Është veshur si për dasmë.

Pano Mima shkon e merr për dore dhe ia paraqit Rrok Tupanës.

 

PANO MIMA

Zotnia është Rroku. E shikon sa është zmadhuar atdheu që dikur na dukej sa një qeli burgu?! Rroku jeton në mëhallën tonë prej vitesh... qysh në gjimnaz. (Rrokut) Apo je vendalí?

 

RROK TUPANA

I ardhur jam, por...

 

PANO MIMA (Besës)

Edhe Rroku po plaket këtu si puna jonë. E ke parë ndonjëherë Rrokun ti? E njeh të paktën si fytyrë?

 

BESA MIMA

Jo... Më falni...

 

PANO MIMA

S’ke pse kërkon falje. As atëhere, kur atdheu ishte sa një furrik, as tani, kur është sa disa furrikë njëheresh, ti nuk e ke parë Rrokun. Unë e njihja, se ti e di sa njerëz që s’më njohin njoh unë. Kjo është edhe njëra nga pyetjet-kyçe të kësaj ngjarjeje: Cili është i panjohuri, ai që s’me njeh dhe e njoh, apo ai që më njeh dhe s’e njoh?! (Qesh me çiltërsi) E, pra, tani Rroku mori trup nga hija, si i thonë, u mishërua mes nesh, dhe, për ca kohë, nuk dihet sa, varet nga frymëzimi, do të jetë sivëllai im shpirtëror... As po të ishim miq qysh nga vegjëlia nuk do të ishim kaq sivëllezër... E kupton? Për ditë e mbase muaj me radhë, ai do të jetë unë dhe unë – aq sa më mbetet nga vetja. Nuk është thjesht çështje aritmetike. Ai do të jetë unë-më-i-gjalli, gjatë ngjarjeve vendimtare të jetës, ndërsa unë do të jem unë-i-rëndomti, askushi, i kohërave kur jeta ime nuk qe jetë, por plakje e ngadaltë dhe pa ideal e mishit...

 

BESA MIMA

Gëzohem që u njohëm...

 

PANO MIMA

Ju njiheni qysh kur ne të dy ramë në dashuri, shpirt. Tani thjesht u ripatë. Ra ajo dashuri dhe u njohët; ra ky gjyq dhe u ritakuat... Vetëm se nuk do të jeni burrë e grua, sado të përveçme të jenë të fshehtat që do shkruajë Rroku, por si vëlla e motër... E sqarojmë hap pas hapi, më saktë: fjali pas fjalie. Apo varg pas vargu? Si thua, Rrok? Një ngjarje kaq e thellë, me shkartisje qëniesh, me burrë e grua e vëlla etj, e ka hak një nga ato baladat tuaja të famshme... Apo s’je nga Malësia?

 

RROK TUPANA

Po, po, jam edhe nga Malësia... Në fakt...

 

PANO MIMA

Të trokasim nga një gotë tani, ra sahati, se kështu trokasim ne artistët në dyert e kryeveprave... (Qesh) A do të na e hapë vallë kryevepra derën?

 

Te tre ulen rreth tryezës dhe pijnë konjak e kafe si miq të vjetër.

(...)

Libri i plotë