Armiqtë më të pamëshirshëm të njeriut / Pantomima


II.

Banesa e Rrok Tupanës. Biblioteka mbulon një faqe muri, deri në tavan. Libra, revista, gazeta dhe dosje të zverdheme rrinë të ngjeshura e të shpërndara kuturu mes raftesh. Tryeza e punës ndodhet djathtas, pranë një dritareje me perde të trasha ngjyrë vishnjë. Rrok Tupana pi konjak dhe cigare, duke mbajtur në njërën dorë disa fletë dhe duke tundur hereharës kokën me njëfarë mëdyshjeje, ose habie. Shpresa Tupana lexon një revistë grash në kolltukun përballë të shoqit. 

RROK TUPANA: Mallkimi i dikurshëm sikur m’u bë bekim përmes këtij njeriu... Pa’sha qillin!... Vjen një askush nga errësira dhe përmbys gati gjithçka... Herë bindem se e njoh qysh në fëmini dhe fati na ka ndarë, për t’u rigjetur tani në pleqëri. Një si biçim vëllai që është plakur në kurbet... 

SHPRESA TUPANA: Kjo na ndodh ndaj shumë njerëzve të afërt, por edhe fare të huaj... Ka marrë dynjaja tatëpjetën... 

RROK TUPANA (I përhumbur në mendime): Tani mëdyshja është: të shkruaj në vend të tij, të shkruaj për të, apo edhe-edhe... Njëherazi, në fshehtësi të plotë... Ti si thua? 

SHPRESA TUPANA: Po ç’ka bërë, që paska kaq rëndësi? Cili është, në fakt? 

RROK TUPANA: Është një askush që, para gjashtëmbëdhjetë vjetësh, hodhi shtetin në gjyq. 

SHPRESA TUPANA: Po kush s’e hedh sot shtetin në gjyq?! Çështja është se sot s’ka shtet. 

RROK TUPANA: S’ka, s’ka, mirpo ky e hodhi në gjyq dhe fitoi.

 

SHPRESA TUPANA: Punë pronash, a si? 

RROK TUPANA: Ky vend është një gurrë e pashtershme për letërsinë. Nuk e hodhi as për prona, as për vite burgu, as për punë morali etj. E hodhi për shpërfillje. 

SHPRESA TUPANA: Aman, Rrok, edhe ti... 

RROK TUPANA: Janë me mijëra askushët si ai, mirpo atij i shkrepëtiu ideja. Gjeniale, do të thoja. Të hedh shtetin në gjyq për shpërfillje. Sepse për gjashtëdhjetë e kusur vjet, sipas të dhënave të sakta, nuk ke dashur t’ia dish për mua. As që jam gjallë, aq që robtohem për ty, as që po plakem, as që... 

SHPRESA TUPANA: Më kujton ca atë amerikanin që hodhi në gjyq vetë Zotin... 

RROK TUPANA: Ai e hodhi ngaqë po plakej. Ky e hodhi për mospërfillje të stërgjatë, në vazhdimësi, si i thonë, me dëshmi po aq të pakundërshtueshme. Kërkoi dosjen e vet, e nxori, e shfletoi, gjeti vetëm tri faqe. Tri faqe, e ato jo të plota. Njëra faqe përmban një jetëshkrim që ia patën kërkuar kur e merrnin në punë. Aq. Asnjeri nuk e kish ndjekur, asnjeri nuk e kish spiunuar, asgjë. Sikur të mos qe pjellë kurrë. E ai është në prag të vdekjes tashmë... Këto fletë janë njëra pjesë e dëshmisë sime, tha, ndërsa pjesa tjetër jam unë. Peshojeni vetë çështjen: më një anë tri fletë, më anën tjetër unë... Jam gjallë, i kam kaluar të shtatëdhjetat, jam i martuar, kam grua e fëmijë tashmë të rritur, nipër, mbesa; kam komshinj prej një jete, kunetër, kunata, baxhanakë, ish-shokë shkolle e pune, disa smirëzinj (por as këta nuk më kanë paditur për gjësendi) dhe ca miq që, njëlloj si armiqtë, nuk kanë shkruar asgjë kundër, apo pro meje... E kape idenë tani? 

SHPRESA TUPANA: Është i rrjedhur fare, apo më duket mua? Se... sa të çmendur hedhin sot shtetin dhe robt e Zotit në gjyq... 

RROK TUPANA: Mirpo ky fitoi, Shpresa! U ankua lart e më lart, deri në Bashkimin Evropian, dhe ata i dhanë fitoren... Plot treqind mijë euro dëmshpërblim për shpërfilljen e një jete dhe për heshtje të imponuar tërthorazi... Tre-qind mijë. Mijë. 

SHPRESA TUPANA: Domethënë?! 

RROK TUPANA: Domethenë: përderisa unë si shtet nuk të marr fare parasysh, nuk të ndjek, nuk të përgjoj, nuk të jap sa të tjerëve, që mund të jenë edhe më të parëndësishëm se ty, pra, nuk të kushtoj aq fletë dosjeje sa meriton çdo shtetas i gjallë, punëtor dhe taksapagues, unë tërthorazi ta mbyll gojën... pra, ta heq të drejtën të thuash diçka, të dëshmosh se çfarë ke bërë gjatë jetës, në të mirë, ose kundër meje... Ta heq të drejtën t’u tregosh fëmijëve, nipërve, mbesave, miqve e të panjohurve ngjarje ku ke qenë kryesor, anësor, ose thjesht i pranishëm... E kape idenë tani? Shkurt fjala: të mohoj të drejtën që të kesh jetuar. Jo tani, por atëhere kur, siç del nga të dhënat, paske jetuar... Është njëfarë vrasjeje, dënim me vdekje prapaveprues... 

SHPRESA TUPANA: Po sikur të jetë bërë me qëllim? 

RROK TUPANA: Me qëllim nga kush?! Përse?! 

SHPRESA TUPANA: Mund të ketë qenë hetues, vrasës me a pa pagesë, spiun... I të huajve, ose i tanëve. Kundërzbulues... Ose mund të ketë qenë armik i betuar, nuk e di... Më bie era komplot, ta dish... Dhe ky, meqë është stërvitur pó prej tyre dhe ua njeh mirë metodat, tani që e kanë flakur si limon të shtrydhur, hakmerret duke i hedhur në gjyq. Ose kanë rënë në ujdi për gjyqin dhe i ndajnë paret bashkë. Shteti paguan, besnikët e tij ndajnë paret. E qartë është që ndajnë paret tona, jo të tyret... Punë piramidash, por me tjetër emërtim... 

RROK TUPANA: S’më kish vajtur mendja... 

SHPRESA TUPANA: Se s’më dëgjon kurrë, prandaj! E jo vetëm paret na i zhvatin, por na detyrojnë edhe të robtohemi në punë, për ty e kam fjalën, dhe t’i shndërrojmë nga askushë me të shkuar të dyshimtë në heronj, ose në shembuj për brezat e rinj... Apo e kam gabim? 

RROK TUPANA: Ju gratë i shihni gjërat ndryshe... 

SHPRESA TUPANA: Ndryshe, por saktë. Pse s’e ke ti dosjen sa të tijën? Pse dosja jote peshon dy kile, dhe e imja dy kile e ca, ndërsa e këtij askushit – vetëm tri fije? Pse nuk e hedhim ne shtetin në gjyq që na ka përndjekur dhe na di edhe të fshehtat që i thuhen vetëm varrit?! Thjesht: se s’kemi krahë? Kush na e var ne të dyve në Bashkimin Evropian? Për më tepër që, si vend, akoma nuk jemi anëtarë... Jeni përndjekur?! Po të tjerët janë vrarë të rinj, me bukë në gojë, janë përdhunuar, djegur të gjallë, u janë nxjerrë sytë, u janë shkulur thonjtë... E kupton? Pak ke vuajtur – shumë të heshtësh. Kështu do mësojnë të heshtin edhe ata që kanë vuajtur sa s’thuhet... Më vjen keq që je i detyruar të paguash një faj me një faj tjetër, të ngjashëm, se udhëheqësit, mirë-keq, ishin udhëheqës, dhe asokohe kishte shtet. Por më vjen edhe mirë, se e shkruara, gjer edhe ajo me ndoht, është shumë më e pranueshme në krahasim me ndonjë gjobë a burg në këtë moshë. Pa përmendur marren... 

RROK TUPANA: Në fakt... edhe vendimi ndaj meje i ngjan pak vendimit ndaj tij... Si të them... Unë shkrova në emër të disa njerëzve me peshë, mirë-keq, ishin udhëheqës, kishin luftuar, në mos kundër armiqve, kundër shoshoqit. Po sa e helmuan ndërgjegjen e njerëzve shkrimet e mia në krahasim me veprat e realizmit socialist, me poemat dhe këngët dhe filmat?! Asnjë prej autorëve të tyre nuk u ndëshkua, madje ngrihen edhe sot në qiell? 

SHPRESA TUPANA: Ti je njëfarë fajtori i detyruar, pa rrugëdalje, mor burrë. Të fluturonte koka, po të mos pranoje. Ose na degdisnin skërkave... Ndërsa ata janë fajtorë me bindje... Të tillët janë gjithmonë të vlerësuar... Mund të jetë edhe kjo një mënyrë ndëshkimi që duket shfajësim, nga ana e shoqërisë. Ja, unë po të lëvdoj, po të përgjunj me dekorata, po t’i bëj shtëpitë muze e më-the-të-thashë, ama pjesën tjetër të jetës, atje ku je vetëm me veten, do ta përballosh vetë. Unë nuk përzihem me makthet e tua, në paç ankthe, ama as me qetësinë prej vrasësi, në paç qetësi të atillë... 

RROK TUPANA: Ky ka në dosje vetëm një curriculum vitae si të sajuar. Po ta lexosh me vëmendje, arrin vetëm në një përfundim: që është pjellë në një ditë të një muaji të një viti, ka mbaruar një shkollë të mesme dhe po punësohet në një fabrikë... 

SHPRESA TUPANA: Dhe çfarë na bind se, gjatë kësaj kohe, nuk ka punuar në ndonjë hetuesi, burg, apo jashtë shtetit si kundërzbulues? Kushedi sa fletë i mungojnë asaj fletës?! 

RROK TUPANA: Kemi dëshmitë e së shoqes, farefisnisë, fqinjëve... Vërtet dëshmi gojore, por mund të shkruhen... 

SHPRESA TUPANA: Nëse nuk sajojnë edhe ata për qëllime të rëndomta, i bie që aq e ka pasur jetën. Me një jetëshkrim të tillë sot mund të zësh punë zotnish. Sot jetëshkrimi i pasur, përvoja, aftësitë, me në krye moshën, janë armiqtë më të pamëshirshëm të njeriut. Sot mjafton të jesh lindur, të mos kesh vdekur akoma dhe të mos kesh bërë asgjë të mbamendshme... Se edhe një mut po të kesh bërë jashtë planit, më fal për shprehjen, mbetesh pa punë... Po pse nuk i thua të kërkojë punë gjëkundi? Mbase ashtu mund t’i pasurohet dosja dhe shpëton edhe ti nga ky mundim... 

RROK TUPANA: A, jo, jo, tani është bekim, jo mundim. Thjesht duhet të zgjedh si të veproj. 

SHPRESA TUPANA: Shiko e bëj. Ndoshta ka pasur jetë plot befasira. Edhe ne, po të rrëmojmë pak, zbulojmë se kemi jetuar krejt ndryshe nga ç’e dimë. E kam fjalën: ndryshe kujton se ke jetuar kur merresh me punët e përditshme dhe ndryshe, po u përqëndrove pak dhe bën ndonjë krahasim me jetët e të tjerëve... (Buzëqesh) Ma ke futur edhe mua sëmundjen e letërsisë...

Vijon


Ardian-Christian Kyçyku

PANTOMIMA ose Të fshehta nga jeta e prijësve

Librarium Haemus 

Ballina: KÜdesign, sipas një vizatimi të autorit 

Copyright: Autori