"Home" në Berlin


LiteraturHaus Berlin
Në datën 4 shtator 2014, në hapësirat e LiteraturHaus të Berlinit u paraqit romani “Home” i Ardian-Christian Kyçykut. Shfrytëzuam rastin dhe zhvilluam me autorin një bisedë të shkurtër në lidhje me romanin, leximin, idetë që dolën nga ky takim letrar. Mbrëmja letrare u organizua nga Shtëpia Botuese PA me seli në Prishtinë dhe Berlin, e drejtuar nga zonja Feride Berisha, dhe u mbështet pjesërisht nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani.

Zëri: I nderuari z. Kyçyku, ju gjetëm sonte këtu në hapësirat e LiteraturHaus Berlin me rastin e paraqitjes së romanit tuaj “Home”, të cilin kësaj vere e botoi shtëpia botuese PA. Si e ndjeni veten këtu në mesin e shqiptareve që jetojnë në Berlin? Cila është përshtypja e parë?

Botuesja Feride Berisha dhe A.-Ch. Kyçyku
Ardian-Christian Kyçyku: U ndjeva në shqip, ose njëlloj sikur të qemë mbledhur në një libër të këndshëm. Nuk qe e rastit që pikërisht romani “Home” e krijoi këtë mundësi. Në krye të librit kam shkruar se të gjitha ngjarjet që pasojnë mbështeten në një libër të vërtetë. Gjithmonë më është dukur se, kur shumë ngjarje dynden të hyjnë në libra, disa të tjera dalin nga një libër i pashkruar i Mërgimit shqiptar dhe fitojnë njëfarë jete të mëvetësishme. Mikpritja e shqiptarëve të Berlinit, përkushtimi i botueses, zonjës Feride Berisha, bisedat, shija e takimit letrar janë mbresëlënëse, sidomos në kohëra kaq të vështira për letërsinë e mirëfilltë. Nga ana tjetër, qyteti është nga ata të paktët ku shumë shpejt bindesh se jeton prej vitesh.

Zëri: Si do ta përshkruanit ju vetë, si krijues i kësaj vepre romanin në fjalë? Me dy tri fjalë?

- Romani i një brezi që nuk ka ku të kthehet, por që ka kur të kthehet. Zhvendosja e një sasie historie dhe gjeografie në një cilësi kujtese e metafore. Me çmim gjaku, por edhe boje.

Simbolet si “Home”, dheu, çelësi, kulla, anketa; ju sikur luani me njëjësin dhe shumësin? Sa personazhe janë në roman, përveç të kryepersonazhit Home Çkena?

LiteraturHaus Berlin
- Në këtë roman ngjarjet, qëniet dhe sendet janë shumë afër simboleve që përfaqësojnë dhe që i përfaqësojnë. Në betejën e heshtur të shumësit që gjithmonë, edhe historikisht, me, ose pa vetëdijë ngulmon të zhdukë njëjësin, afrimi i mësipërm shndërrohet në një akt vetëmbrojtjeje i shpirtit.

Z. Kyçyku, ju shkruani edhe ne shqip, edhe ne rumanisht. Në cilën gjuhë ju vjen me lehtë te shkruani, apo janë gjërat e ndryshme që shkruhen në gjuhë të ndryshme. A mos është gjuha shqipe, gjuha e veprave me motive të posaçme, apo si vendosni se çka do te shkruani, në cilën gjuhë?

Duke folur për "Home"
- Gjithmonë është libri ai që zgjedh gjuhën. Në prozë gjërat nuk ndodhin si në poezi, sado poetike të jetë proza. Për fat, shqipja dhe rumanishtja mbështeten dhe zbërthejnë realitete kulturore dhe jetësore të ngjashme, dhimbje apo pyetje madhore që shqetësojnë gati njëlloj, dhe të dyja gjuhët, pavarësisht nga librat, përfshijnë njëfarë rruzulli ballkanik e evropian. Mund të këqyret edhe si një sy i fshehur që sheh shumë më tepër nga sa thotë, për hir të një heshtjeje stërgjyshore që dëbon llafet.

Letërsia sot? A jeni i mendimit se ka vështirësi në depërtimin e letërsisë shqipe nga Kosova në Shqipëri, ndërsa anasjelltas jo? Arsyet?

- Këto vështirësi janë kalimtare, sado që janë të dhimbshme edhe për zemrën, edhe për xhepin. Një zgjidhje e shpejtë e tyre do të sillte kohë të çmuar edhe për lexuesit, edhe për botuesit, edhe për shkrimtarët. Apo të gjithë kanë nga pak faj dhe duhet të mos e kërkojnë më zgjidhjen në zona të tjera të shoqërisë?! E qartë është vetëm që pushteti i thellë i Letërsisë nuk varet as nga qarkullimi i librave, as nga pengesat jashtëletrare, sepse është dhunti, jo zanat.

Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Ardian Kyçyku. A është kjo një vazhdimësi e një misioni kulturor, apo letrar, meqë prej më shumë se njëzet vjetësh edhe ju punoni që të forcohet ura mes Rumanisë dhe Shqipërisë, apo më mirë të themi mes gjuhës shqipe dhe asaj rumune?

Nga një shenjë miqësie për të pranishmit
- Në letërsi asgjë nuk është e rastit, por për vazhdimësi më mirë flasin librat, se sa një autor, ose tjetri. Lasgushi dhe Mitrushi, me të cilët kam lidhje farefisnore, janë vërtet gjallë në Bukureshtin tim, qytet ku gjej edhe sot e kësaj dite copëza nga Pogradeci i hershëm dhe nga bota shqiptare e viteve '20.

Tani një pyetje nga ato që shpesh nuk u shijojnë fort autorëve, duke ju referuar përmbajtjes se romanit: një i ri mërgon nga Shqipëria në moshë të njomë. A ka në “Home” segmente autobiografike?

- Besoj se është vetëm dhimbja e tmerrshme e shkëputjes nga vendlindja dhe e detyrimit që, për nuk dihet sa kohë, do ta flasësh gjuhën amtare vetëm me vete. E meqë ende nuk më qe botuar asnjë libër, unë jo vetëm flisja, por edhe shkruaja me vete, çka e bëri dhimbjen aq të thellë, sa ndoshta m'u dha e drejta të shkruaj edhe për vuajtjet e atyre që nuk shkruajnë, siç është shqiptari i shumëfishtë Home Çkena.

Z. Kyçyku po të doja të të shtroja një pyetje të vështirë, cila do të kishte qenë ajo?

- Tani pikërisht përgjigja e kësaj pyetjeje më duket pyetja më e vështirë.

Ju falenderoj shumë për bisedën dhe ju dëshiroj frymëzime, shtegtime dhe gjetje të reja në horizontin e pafund të fjalëve.
* Kjo bisedë u botua tek Zëri, Prishtinë, 6 shtator 2014. Photo & Copyright Julia-Maria Kyçyku