"Home" - botim i ri / 2014

Romani "Home" - Shtëpia Botuese PA, Prishtinë-Berlin, 2014

Në një gjuhë me kohën / në një Kohë me Gjuhën...

(Bisedë me poetin dhe studiuesin Anton Çefa, New York - Bukuresht, shkurt 2014)


Anton Çefa: Z. Ardian kam kënaqësinë të bëj një bisedë me ju si shkrimtar i niveleve më të larta të letërsisë sonë, si estet, si teoricien i letërsisë, eseist, teolog, pedagog, duke u përqëndruar kryesisht në mjeshtërinë tuaj letrare, sidomos në fushën e narrativës, në risitë që i ka sjellë ajo letërsisë sonë, në pikëpamjet tuaja teorike në lëmijet estetike e artistike, pa lënë mangut probleme të metafizikës që lidhen me letërsinë dhe që janë aq të afërta për përgatitjen tuaj.
- Tri aspiratat e shpirtit të njeriut, shprehur në triadën e njohur të Platonit: e vërteta, e moralshmja dhe e bukura, janë tri imperativa në të cilat shpirti merr dhe jep jetë. Njeriu gjakon pas së vërtetës; synon të jetësojë të mirën; ndjen e vlerëson shijen e jetës përmes së bukurës dhe e krijon atë në jetën e përditshme, në natyrë dhe në art. Historia e filozofisë dhe e estetikës ka dhënë gjykime e vlerësime të ndryshme për këtë çështje. Njihet sentenca kategorike e Niçes: “Vetëm si dukuri estetike ekzistenca dhe bota janë përjetësisht të përligjura”, çka i jep përparësinë të bukurës. Të tjerë kanë vënë në vendin e parë moralin. Më vjen mbarë të përmend letrarin, kritikun dhe estetin tonë, Arshi Pipën, i cili ka shkruar: “E bukura dhe e ndershmja janë të ndame mes tyne. Pra, një vepër morale ose jo asht në dorë të artistit. Kështu, një libër skandaloz estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet ta shkruajë kurrë”, çka i jep përparësinë moralit. Si e gjykoni dhe e argumentoni një çështje të tillë?

Ardian-Christian Kyçyku: I nderuar zoti Anton, përfitoj nga rasti t’ju falenderoj përzemërsisht dhe të theksoj se biseda jonë ka nisur shumë vite më parë, por vetëm tani po shndërrohet nga dialog në trialog, me pjesëmarrjen e padukshme të lexuesit. Shpresoj të mos tingëllojë si përmbysje kupe nëse them se letërsia duhet të punojë më pak për të vërtetën, të moralshmen dhe të bukurën, në krahasim me sa duhet të punojnë këto të trija për letërsinë. Sepse kjo e fundit depërton ndryshe tek lexuesi, herë si dashuria me shikim të parë, herë si „tirania” e mençur e martesës, herë si një trandje lartuese, herë si vegim... Jetojmë në ca kohëra kur shumë mendimtarë e shkrimtarë, gjer edhe pas vdekjes, ngulmojnë që sëmundjet e tyre ne t’i bëjmë mënyrë jetese. Për fat të keq, shpesh ia dalin mbanë dhe kjo, në më të mbarin rast, vetmon shkrimtarët dhe mendimtarët e mirëfilltë. Ështe një lojë e vjetër me zbrazëtinë që njeriu mbart brenda vetes, kryesisht në zemër dhe në tru. Metaforikisht, zbrazëtia ka një rol baraspeshimi. Ajo ndihmon frymëmarrjen, si të thuash, ashtu siç zanoret ndihmojnë bashkëtingëlloret. Gjykimet kategorike i japin tjetër kah zbrazëtisë së lexuesit, duke e bindur se ka gjetur vetveten, dhe kjo kthehet në shpëlarje truri. Me të drejtë thuhet se rënia shpirtërore dhe morale nxjerrin në plan të parë intelektualë që shpallen si prijësa të estetikës dhe të përsosmërisë kulturore, por këto jo gjithmonë kanë jetë të mirëfilltë, jo gjithmonë përcjellin të vërteta, por më fort ca copëza të vërtetash mbështjellë me shtresa të tejdukshme mashtrimesh. Megjithë shkëlqimin dhe famën e tyre, ata mbeten të papjekur dhe nuk e pranojnë Besimin. I tremb Drita (e sprovës), sepse kanë frikë edhe nga hija e tyre. Prandaj nuk u kushtoj asnjë grimë besimi. Një personazh mendjekthjellët i imi shpreh atë që më duket sarkazma si një lloj verbimi, ose si i vetmi shikim i pavarur. Më është bërë truri pis, - thotë; - kam ardhur të ma shpëlani. Kjo dëshmon edhe një besim të epërm tek Zoti dhe tek e Vërteta, e cila i zgjedh vetë fjalët që i nevojiten, mënyrat dhe mjetet si do të ngjizen në vepër, dhe mbërrin vetë në kulmet ku arti është gjithçka njëheresh dhe nuk ka nevojë për plane e direktiva.