Original graphic A.-Ch. Kyçyku |
Në krye të herës dua të falenderoj përzemërsisht bashkëpuntorët, që më ndihmuan jo vetëm me përkushtimin dhe paanësinë e tyre, por edhe me debatet shkencore, sepse, siç dihet, kur shumë koka mendojnë njëlloj, ato nuk mendojnë shumë. Duhet të theksoj medoemos edhe se, në çdo fjali të këtij punimi qëndron dashuria e kulluar ndaj Letërsisë së përhershme shqiptare, ashtu siç e njohim pas një përvoje shumëvjeçare në hulumtime shkencore, botime e mësimdhënie, dhe dëshira që mosnjohja e saj, - shpesh rrjedhojë dhe pasojë e paragjykimeve të shumëfishta e jo gjithmonë të qëllimshme, - t’ia lerë hap pas hapi vendin njohjes së saktë.
Letërsia shqiptare është një letërsi e re, me gjuhë të lashtë e histori të mbingarkuar. Statistikat ndihmojnë që, përmes kërkimesh e vëzhgimesh shkencore, të nxjerrësh nga një sasi cilësinë, jo anasjelltas, dhe të ndjekësh ecurinë e cilësisë. Statistikat japin të dhëna të qarta jo aq për qarkullimin e vlerave të mirëfillta të një letërsie, sesa për pushtimin e hapësirave botuese e mediatike nga librat mesatarë dhe / ose që ravgojnë me çdo çmim famën në vend të vlerës së padiskutueshme letrare. Si vlerë të padiskutueshme letrare kam parasysh atë që s'mund të kundërshtohet apo të vihet në dyshim veçse përmes argumentesh të shijeve vetjake apo të grupeve të caktuara, ose përmes shprehish joshkencore.
Puna me statistikat hap pengesa të shumta e të papritura, kryesisht ngaqë një fushë të paktën dybotëshe, si letërsia, duhet „përkthyer” në përputhje me nenet e një gramatike të pragmatikës (ta quajmë). Mirëpo meqë një poezi, për shembull, nuk zbërthehet dot me pinca apo me kaçavida, statistikat e komentuara pa frymëzim mund të hartojnë raporte të sakta nga ana matematike, por aspak të vërteta nga pikëpamja artistike, e aq më pak të vlefshme për një të ardhme që synon ndryshimin për mirë, ose për më mirë të gjendjes. Brishtësia e marrëdhënies saktësi pragmatike-vërtetësi artistike më kujton historinë e një poemthi të bukur dashurie, i cili u përkthye disa herë nga një gjuhë në tjetrën dhe sosi reklamë sallami.
Një pyetje
thelbësore kur ndjek ecurinë e cilësisë letrare lidhet me kriteret që duhet të
plotësojë një libër me vlerë mbi ose jashtë së zakonshmes. Përvoja
e deritashme më ka bindur se, për t’u
pranuar si përfaqësimtar në letërsinë vendëse e të huaj, një libër duhet të
plotësojë kriteret-kyçe të mëposhtme:
- të jetë dëshmi sa më e plotë
e një botëkuptimi letrar, estetik e artistik origjinal (burimor), me vlerë njëherazi
kombëtare e ndërkombëtare;
- të jetë i shkruar me gjuhë të
posaçme, në harmoni me temën që trajton, si gjetje e natyrshme dhe e
pavarur për të shprehur idetë;
- të përcjellë më tej atë që
tradita nga e cila rrjedh ka thelbësore e të qëndrueshme;
- të sjellë risí në rrafsh
letrar e stilistik;
- të pasqyrojë dhe / ose të zbërthejë
me vërtetësi, përtej interesave apo koniunkturave të së sotmes, çështjet që
trajton, si shprehí dhe dëshmi të një moraliteti të lartë;
- njëherazi me hapjen e syve
të lexuesit rreth çështjesh vendimtare, t’ia pakësojë këtij të fundit me sa
mundet dhembjet dhe pyetjet (apo përgjigjet) e pashëndetshme;
- poetikisht: të çrrudhosë
balle e të rrudhosë tru.
Kam parasysh edhe mendimin e Monsinjorit Vladimir Gjika, i
cili shprehej se „Një kryevepër nuk i ka
të gjitha, por nuk i mungon asgjë.”
Nëse kriteret e mësipërm, - dhe të tjerë që mund të shtohen nga shkrimtarë, lexues të zgjedhur apo studiues të paanshëm letërsie, - nuk përmbushen, ç'kuptim do të kishte përkthimi dhe shpërndarja në gjuhë e kultura të tjera e disa librave të tipit pleonazmë?!
Dihet që kriteret e vlerësimit
të letërsisë në Ballkan janë shpesh krejt të ndryshëm nga kriteret e Europës
Perëndimore e më gjerë. Ata nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, por as nuk pranojnë
gjetjen e një të mesmeje të artë, duke u ndeshur në hapësirën ku ligjet e
idhujtarisë bashkëpunojnë me ata të ekonomisë së tregut. Ndaj edhe deri më tash,
në shumicën dërrmuese të rasteve, përzgjedhjen e librave për përkthim e botim e
kanë vendosur financat, gjeopolitika, inercia kulturore dhe snobizmi (përjashto
rastet kur autorë fare të pakët në numër nuk kanë pranuar të përkthehen e të botohen
në gjuhë të tjera).
Natyrshëm, përzgjedhja duhet
të ndodhë brenda letërsisë që synon të përkthehet, jo jashtë saj. Duke gjykuar
nga ecuria e letërsive ballkanike në tregun dhe vëmendjen e kulturave të tjera,
- përfshi këtu edhe formimin (lexo: formatimin)
e lexuesit perëndimor, - duket se hapja ndaj kritereve të përbashkët, ose të pranuar nga të dyja palët, nuk do të ndodhë
shpejt. E qartë mbetet se as numri i
përkthimeve të një libri / autori, as çmimet, as përmasa të ndryshme profetike
apo polemike nuk përcaktojnë vlerën artistike dhe estetike të një libri /
autori.
Statistikat mund të të qartësojnë edhe mënyrën se si librat e zakonshëm „punojnë” për kryeveprat e panjohura apo të palexuara – dhe kjo nuk është pak për idhtarët e veprave letrare madhore.
Në bazë të
të dhënave, del se letërsia shqiptare e përkthyer jashtë nuk ka ende një fytyrë
të saktë, ose ka një fytyrë të pjesëshme.
E sado që mund të tingëllojë si lojë fjalësh, kjo është e natyrshme përsa kohë
çdo shkrimtar synon të jetë sa më i papërsëritshëm. Ai bëhet pashmangshmërisht
pjesë e një letërsie kombëtare vetëm pas kalimit të një sasie vitesh qysh nga
botimi i veprës, si dhe pas sprovimit të cilësisë letrare që përcjell.
Nëse do të sjellim ndërmend faktin që realizmi socialist ngulmoi të digjte jo vetëm disa etapa letrare, por edhe të paktën një etapë shpirtërore, durimi deri në ngjizjen e „fytyrës” së mësipërme duhet shfrytëzuar për të shkruar vepra, jo thjesht libra. Hëpërhë, lexuesit dhe botuesit e huaj mund ta krijojnë fare lehtë përshtypjen se letërsia shqiptare është vetëm aq sa përkthehet e botohet në kulturat e tyre dhe se ajo s'mund të shkojë më larg e më lart, në drejtime të paparashikueshme. Kjo ndodh edhe ngaqë letërsia mesatare, e cila përkthehet shumë dhe lehtë (sepse ia nënshtron qysh në pelena gjuhën e brendshme mendësisë globale, ose të paktën jashtëshqiptare) është e parashikueshme, nuk mund të ketë hope cilësorë dhe nuk i shqetëson me asgjë hierarkitë.
Një ndër pyetjet „e rënda” që lind pas studimesh si i tanishmi lidhet me natyrën e përkthyesit: sa është ai zanatçi (dhe mund të përkthejë në nivel sipëror çdo libër të zgjedhur / porositur nga botuesit) dhe sa është rikrijues besnik (dhe bën flijime për të përkthyer e qarkulluar libra vërtet të qëndrueshëm, jetëgjatë, nga një letërsi e panjohur, ose pak e njohur).
Gjithsecili gjen përgjigjet që meriton. Por pavarësisht nga pyetjet, përgjigjet dhe statistikat e tyre, nuk besoj të dyshojë ndokush se gjithkënd do të mund të sigurohen të dhëna të sakta statistikore rreth përkthimeve e botimeve, që shtohen çdo vit, por nuk do të mund të zgjatet dot pafundësisht kjo karantinë e pushtetit të sasisë mbi cilësinë, sepse Letërsia, sikurse gjuha, u nënshtrohet ligjeve të veta të brendshme dhe e harmonizon jashtë kontrollit njerëzor marrëdhënien mes vlerave dhe jovlerave.
Vite më
parë, Ingmar Bergman-i, që ishte gjithaq i pangatërrueshëm si shkrimtar, sa
edhe si regjisor, mendonte se „Gjithë
ç'nuk është e nevojshme është e gabuar. Na duhet vetëm ç'është e papërsëritshme
dhe e patundshme.”* Kjo bindje ndihmon që statistikat të rishkruhen dhe t’i
afrohen më tepër vlerës së epërme të një letërsie, pa u hyrë në hak kakofonive që
shoqërojnë prore çdo jetë letrare lokale apo globale. Një hap tjetër vendimtar
do të hidhet kur hulumtuesit e pavarur të shkruajnë gjerësisht për ndikimin e
kryeveprave të palexuara, të papërkthyera e të mbajtura në hije ose nga padija,
ose nga këmbëngulja për ta trajtuar kalimtaren si të përhershme.
Pak dashuri e përkorë dhe pak frymëzim mjaftojnë që Letërsia e Përhershme të fanitet si një lumë i nëndheshëm, që rrjedh mes vendimmarrësish të së tashmes (kritikë, botues, gazetarë, shkrimtarë, përkthyes etj) që dinë e s’duan të pranojnë vlerën e padiskutueshme letrare, dhe lexuesish që duan, por s’dinë e s’kanë mundësi ta ndryshojnë gjendjen.
Bukuresht, maj 2022
* I. Bergman, Images: My life in film, Arcade Publishing, 1990
Shkruar me rastin e promovimit të studimit "Letërsia shqiptare, përkthyer në gjuhët e Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor, (të dhëna, vëzhgime dhe analiza: 2015-2020)", botoi POETEKA, me mbështetjen e BE-së, në kuadër të projektit Balkan Translations Collider, bashkëfinancuar nga Programi Creative Europe (European Union in Albania)