Hapësira që vazhdon të mbahet peng


[Ex Oriente lux. Kur jeta trëndet mbi kokë. Jemi “në Portat e Lindjes, ku asgjë s’merret seriozisht”. Mbështetës të Jetës së Epërme në “Fuçinë me Barut”. Xhelatë dhe të flijuar. Atje ku hahet më mirë dhe atje ku vuhet më bukur. Nga vuajtja vetjake – tek vuajtja e dhe në vend të të pagojëve. Vuajtja nxjerr emrin nga numuri. “Bukuri tmerrisht e dashur / Llaftari tmerrisht e bukur…” Përkthime nga Jogjuha / Mbigjuha. Më thuaj për çfarë vuan, të të them cili je; sepse do të kuptoj çfarë dashuron dhe si dashuron. Një Shekull i ri, apo vetëm njëqind vjet të tjerë… Vuajtja që, përmes tekstit, njëson kohët dhe qëniet, duke ringjizur kontinentin e dikurshëm. “Këtu jeta pihet dhe vdekja harrohet”. Kakofonitë shpirtërore, ose ligjërimi i ngurtësuar i egocentrizmit në Fuçinë me Metafora.]

E rishmi jeta
M’u trënd mi kokë
Dh’u shemba e mbeta
Si shkëmb përtokë.

Si shkëmb i rrëzuar
Në vrull shtrëngate,
Pa ndrysj në duar
Kaq mall që vate.
Lasgush Poradeci, Flaka[1]

Căci te iubeam cu ochi păgâni
Și plini de suferinți,
Ce mi-i lăsară din bătrâni
Părinții din părinți[2].
Mihai Eminescu, Pe lângă plopii fără soț

Këtu jeta pihet dhe vdekja harrohet.
Ioan Es Pop[3]

Perëndimi nuk është interesuar asnjëherë për shkrimet tona, përveçse përmes ca gazetarësh që marrin urdhër nga një kryeredaktor, i vetëdijshëm se duhet të japë çdo muaj, çdo tre muaj, çdo gjashtë muaj (...) nga një lajm për ne. (...) Përndryshe, çfarë t'i joshte në shkrimet tona, kur këto, në shumicën e rasteve, ishin kopjime nga shkrimet e tyre?! (...) Sytë e perëndimorëve janë edhe ata sy si gjithë të tjerët. Sy teleskllevërish
Marian Popa, Avokati i të paudhit

"E kam humbur krejt krenarinë time prej shtetasi,
krenarinë shoqërore, etnike, fetare; më është zvjerdhur kombi,
ndërsa Ballkani më duket si një tas i thjeshtë pështymash për fuqitë e mëdha.
Vetëm besimin në Gjuhë, në Mirësi e në Flijim nuk e kam humbur.
Përmes tyre, si ndonjë fëmijë, ribëj përditë edhe këtë lodrën që quhet Shpresë".
I. D. Sîrbu

Rruga ime prej drite le të jetë
edhe në më djegtë!
Hiqmet Meçaj

Ex Oriente lux[4]

Duhet thënë se, në një masë të madhe, përfaqësuesve lindorë të Evropës nuk u rritet më fama, nuk u rëndohet gjoksi me medalje e as nuk u bymehet xhepi nga viktimizimi i vetvetes. Kur numuri i viktimave dhe i kalvareve kapërcejnë çdo përfytyrim, pakkush mbetet i prirur t’i besojë, ndoshta ngaqë pranimi i tyre e rrit padurueshëm përgjegjësinë. Kurse në Lindje, marrja përsipër e gabimeve të së kaluarës nga ana e disave dhe zbutja e frymës ndëshkuese nga të tjerët nuk na ndihmojnë të kuptojmë nëse bëhet fjalë për një rikthim të Moralit, apo për një tjetër goditje imagologjike, si zakonisht mjeshtërore dhe e pamëshirshme, e ish-ëve. Këta të fundit e urrenin vuajtjen krijuese dhe, gjatë një gjysmëshekulli, u orvatën ta zëvendësonin me një vuajtje kryekëput lëndore, duke ndihmuar tërthorazi, të vetëdijshëm, ose jo, përhapësit e mëvonshëm të globalizimit dhe të shekullarizmit. Sindroma e stomakut që përçmon zemrën, fatkeqësisht mbizotëron edhe sot. Kjo gjendje faktike dhe shpirtërore i detyrohet kryesisht zgjerimit të mendësisë ateiste. Një zhbirim i thjeshtë mund të na bindë se ateisti e do aq pashëndetshëm vetveten, saqë beson se askush dhe asgjë s’mund ta mbrojë, s’mund ta nxjerrë nga telashet e aq më pak t’i shpëtojë shpirtin. Shpirti i tij nis njëheresh me trupin dhe zhduket bashkë me të. Për ateistin nuk ekziston përveçse kjo botë dhe vetëm kjo jetë. Ai kundërshton me përbuzje çdo grishje për vuajtje pastruese e shpëtim, sepse beson në një kozmos të vetëqënë, në një kohë dhe hapësirë në miniaturë, që vijnë nga mosgjëja dhe shkojnë drejt asgjësë. Ai rron (aq sa rron) i bindur se është shfaqur në botë rastësisht, do të ikë së këtejmi njëherë e përgjithmonë dhe u cakton të njëjtin fat edhe të tjerëve. Duke qënë kësisoj më i ulët se demonët (“të cilët besojnë e dridhen në ferr” – Dhjata e Re), ateisti gjithsesi e nuhat se pse ferri është “parajsa” e të këqinjve, siç pohon Constantin Virgil Gheorghiu[5], dhe vjel nga ky këndvështrim një shpresë të vogël për amëshim. Sepse kur edhe ferri del si shprehje e një Dashurie të papërfytyrueshme për njeriun, mund të merret lehtë me mend se ç’dashuri bart pjesa tjetër e botës. 



Një nga tekat më të çuditshme të shoqërisë së sotme është izolimi i vuajtjes së mirëfilltë, i vuajtjes krijuese. Shumë evropianë të tanishëm e dinë se jetëgjatësia dhe shtysa e një kumti kulturor e qytetërues rriten në përpjestim të drejtë me vuajtjen e përditshme të kumtuesit. Pavarësisht nga kjo, njeriu i përditshëm dëshiron që vuajtja të jetë sa më e përgjithshme dhe e përbashkët, ndërsa rehatia – sa më vetjake. Ai nuk pranon se Vuajtja aq e vlerësuar nga dijetarë e shenjtorë është një luftë, ose, më saktë: një qëndresë e Shpirtit ndaj lëndës dhe ndaj zonave të ngrira të lëndës së hirtë. Vuajtja mbetet një dhuratë, jo një cfilitje, jo një dështim apo humbje e thelbësores. Përtej çdo cinizmi, mund të pohohet se vuajtja e qytetarit të zakonshëm është më pak “e zgjedhur” se sa ajo e quajtur “elitiste”, mbase ngaqë qytetari i zakonshëm vetëm merr pjesë në histori, ndërsa elitisti merr përsipër dhe i hap udhë së njëjtës histori.
Hëpërhë dëgjimi, vështrimi dhe depoja jonë e të dhënave janë pothuajse të terrorizuara nga vuajtjet nëpër të cilat kalojnë anëtarët e anonimatit. Kjo e ka pakësuar në mënyrë shqetësuese respektin ndaj vuajtjes së artistëve dhe të intelektualëve. 
Para rënies së regjimeve totalitare, vuajtja e elitave admirohej falë kumtit që ato u përcillnin masave të gjëra apo të kufizuara. Ndërsa tani vuajtja e elitave duket njëfarësoj e stisur, patetike, e padenjë për vëmendjen e të njëjtave masa, ndoshta ngaqë vuajtja e një intelektuali të elitës perceptohet vazhdimisht vetëm nga këndi i shpërblimit që shumëkush e ëndërron. Një vuajtje e tillë na përshfaqet gjithnjë e gërshetuar me lartim shpirtëror, me përjetësi të siguruar etj, - e pikërisht për këtë arsye, mesazhit të artistëve dhe të intelektualëve të sotëm nuk para ia venë veshin. Kur ndodh që mesazhi të dëgjohet, të përvetësohet e të zhvillohet nga individë që kanë jetuar në kushte materiale më njerëzore, dukuria quhet “shitje shpirti” e disave dhe “blerje” e tij nga të tjerët, duke kaluar mes “rrjedhjes së lëndës së hirtë”.
Në Lindjen aq të munduar të kontinentit tonë vuajtja nderohet në mënyrë të fshehtë, sepse shprehja e saj në publik turbullon e shqetëson[6]. Të vlerësosh sot vuajtjen është njëlloj sikur të munxosësh lumturinë. Vuajtja është nderuar dhe nderohet jo për shkak të historisë tejet të ngarkuar, - që mund të krijojë njëfarë varësie nga vuajtja, - e as për forcë zakoni. Megjithëse nganjëherë vuajtja e pandërprerë këqyret si një përmasë e mallkimit, në parim lindorët e kuptojnë se, në mungesë të një “mallkimi” të tillë, jeta do të qe shndërruar në moniste, njëlloj si vdekja. Sepse prania e mallkimit nënkupton një marrëdhënie të posaçme me Yjorin. Në Lindjen e pushtuar nga komunizmi, kulti ose miti i vuajtjes krijuese[7] ka qënë më pak se kudo gjetkë një mjet për fisnikërimin e njerëzve, por ka ndihmuar në fshehtësi për ruajtjen e fisnikërisë. Vendin e saj e mbante peng ëndrra dhe robtimi i shumëfishtë për një lumturi foshnjarake, e cila s’pati mëshirë për askënd, mblodhi brenda njerëzve një sasi lemerisëse lakmish e smirash, duke i ndarë qartë besimtarët nga të tjerët. E kur muret ranë, të parët vazhduan të ndjejnë se si vuajtja mban afër qiellin me tokën, duke i shkrirë e jo rrallë duke i njësuar, ndërsa të dytët u dyndën të jetonin sa më mirë, ndoshta ngaqë për ta fundi i botës vinte njëheresh me vdekjen e tyre. 

Mbështetës të Jetës së Epërme në “Fuçinë me Barut”

Është thënë me të drejtë e në trajta të ndryshme e vërteta se, kur kjo botë i nënshtrohet gjithnjë e më tepër të paarsyeshmes, arti i fjalës, - të cilin logjika administrative e trajton si shprehí të mosarsyes, jo të mbiarsyes, - mbron dhe mban në qarkullim kumtet e Arsyes. Dhe kjo ngaqë arti vjen prej një bote tejtokësore, që zhvillohet në harmoni të plotë me Shpirtin dhe vetveten, dhe i drejtohet një bote të prekshme, të robëruar ritmikisht nga pragmatizmi dhe nga racionalizmi i skajshëm, thënë ndryshe: nga kaosi. Dhe kaosi zgjerohet e synon të bëhet sovran sa më pak i besueshëm duket. Kaosi që na rrethon sot është me të vërtetë i pabesueshëm.
Epoka e ahtuquajtur moderne u vendos dhunshëm, e shoqëruar me shumë trauma në Ballkan, ku arketipalja ishte në vendin e Parajsës. Njerëzit u detyruan të hiqnin dorë nga doket, nga vlerat e nga besimet, që të mund të mbijetonin trupërisht. Për të tjerët, vdekja e vetëdijshme trupore, pranimi I martirium-it e jo vetëvrasja, sikurse ndodh në dashuritë e pashëndetshme, ishte zgjidhja më e mirë që t’u zgjatej sadopak jeta vlerave.
Në periudhën e hijshme mes dy Luftrave Botërore jeta dukej kaotike në magjinë e vet, pikërisht siç ndodh të duket sot magjepsëse në kaosin e vet. Të rinjtë e Lindjes shkonin për studime në Perëndim, ndërsa mjaft të rinj perëndimorë vinin për hulumtime e për turizëm, ose vendoseshin përkohësisht a përfundimisht në Lindje. Të dyja “bashkësitë” fillimisht shihnin në tokat e premtuara vetëm disa oaze të vegjël ekzotikë, ndërsa më pas rigjenin veten në to, duke ngritur a riparuar ura të vërteta miqësie, madje edhe vëllazërie shpirtërore. Disa nga këta të rinj, të shndërruar tanimë në gërma e libra, e paguan me jetë, ose me therrori të shumta këmbënguljen për të mos mohuar Vuajtjen (alias Shpirtin), në një hapësirë, e cila, nga pikëpamja kulturore e shpirtërore, mund të shihet vërtet si një “Fuçi Metaforash”.

“Bukuri tmerrisht e dashur / Llaftari tmerrisht e bukur…

Liriku më i shquar i shqipes dhe njëri nga më të panjohurit shkrimtarë të Evropës, u lind më 27 dhejtor 1899 në qytetin e Pogradecit, në Shqipëri, buzë Liqenit të Ohrit. Të paktë janë shkrimtarët që kanë pasur fatin të linden në një hapësirë kaq të bukur. Duke njohur mërgimin qysh në fëmini, fillimisht nëpër Manastir (Bitola)[8] e Athinë, poeti i ardhshëm do ta shndërronte mbiemrin në hapësirë dhe anasjelltas, për të shmangur çdo ndarje të Bukurisë lindëse nga Vuajtja krijuese. Llazar Gusho do të bëhet Lasgush Poradeci. Në Qytezën e Zotave, i rrethuar nga fantazma të lashta që pëshpëritnin në të hamendësuarën gjuhë mbarëballkanike, Lasgush Poradeci përvetësoi mënyrën e të jetuarit sipas Ataraksisë[9] - parimi filozofik i Sextus Empiricus-it të Romës së lashtë. Mësoi të rronte i shkëputur edhe nga vuajtjet e veta të përditshme, nga himerat, nga mallet dërrmue; u stërvit të jetonte mbi ta, përndryshe ndjeshmëria e jashtëzakonshme mund ta nxirrte mendsh. Kjo ishte e papranueshme përderisa ai ende nuk i pat shkruar kryeveprat. Ataraksia[10] e mbronte nga vuajtjet tepër vetjake dhe joprodhimtare, por edhe e detyronte të vuante bukur në vend të atyre që nuk janë në gjendje ta shndërrojnë vuajtjen në jetë të epërme / letërsi. Shpirti i tij u zhvillua aq shpejt, saqë do t’i lypte një gjobë të hidhur trupit: një tuberkuloz eshtrash. Me vdekjen e shkallëzuar të lëndës në trup dhe me pavdekësinë e fjalës në mendim, Poradeci mbërrin në kryeqytetin e botës trako-latine, në Bukuresht - një tokë e premtuar për shqiptarët e breznive të ndryshme. “Kryeqyteti i bukur i Vllahisë, i cili me kaq nderim për veten e vet mban emrin më bujar të të folurit shqip[11] e pret sikur të ishte një mërgimtar i thjeshtë, pa emër. Me gjithë sprovat dhe shijet jo përherë të këndshme[12], Bukureshti do të mbetet vazhdimisht për poetin si një lot malli, me madhësinë e zemrës, e me këtë zemër të dytë, nga largësitë, ai do të rijetojë çastet më të bukura të të gjitha trojeve të huaja nëpër të cilat pat kaluar e ku, me mund pa fund, pat shndërruar çdo vuajtje në art magjie. Heraherës merr arratinë drejt Câmpulung Muscel-it, qytezë gati përrallore, ku bashkëshortja e të vëllait, Vangjel Gushos, Lucia, kishte shtëpinë e prindërve[13].
Më vonë, gjatë viteve të diktaturës, kur kufijtë dhe udhëtimet (i) qenë mbyllur si përfundimisht, Poradeci do të përballonte makthe për të cilët la vetëm pak shënime, të tërthorta, - edhe ngaqë u ngujua në poezinë e epërme, damkosur si Kullë Fildishi nga kritika mendjengushtë e kohës, - dhe të cilët e detyruan disa herë të vepronte si vetëvrasës ndaj bindjeve e shijeve të veta (shih djegien e librave të Fishtës në bodrumin nëntokësor të shtëpisë në Tiranë, dëshmuar nga bisedat me Petraq Kolevicën[14]). Por jo aq mundimet e as lëvizja e natyrshme e shpirtit për të korrigjuar të kaluarën ia ringjizën Vllahinë e dikurshme në kujtesë, duke i përtërirë prore mallin për të. Si një nga shumë mrekullitë e vogla të poetit, vuajtjet e futën përfundimisht Poradecin në të përhershmen e kulturës rumune, që mishërohej më së miri nga poezia e Emineskut. E njëjta gjë do të ndodhte edhe ndaj kulturës gjermane, ndonëse jo në të njëjtën kohë e as në të njëjtën përmasë. Mes pasurisë së jashtëzakonshme shpirtërore që duhej të ruante e shpëtonte dhe rreziqeve ku e mbante ajo pasuri, Poradeci do të zhvendosë në shqipen e tij një thesar të tërë poetik rumun e gjerman. Bashkë me Kutelin, por veç e veç, Poradeci, - si “mjeshtër i pianos, të cilit i kërkohej t’i binte daulles, kur ai dinte të luante vetem në piano”, - do t’i kundërvinte realizmit socialist jo vetëm mijëra vargje e kryevepra të plota poetike nga jashtë (brenda Letërsisë së Madhe), por edhe kode poetikë dhe parime të shijes së zgjedhur letrare. Parë nga larg në kohë, reagimi i Poradecit dhe i Kutelit kanë edhe një hije sarkazme të shkallëzuar e shfarosëse, e cila, duhet thënë, nuhatej e shijohej vetëm nga të ngjashmit e tyre, jo edhe nga lexuesi i gjerë. Por as kjo s’është pak. Vegimtare në këtë betejë të stërgjatë është edhe një letër e shkurtër të cilën Poradeci ia dërgon Shevqet Musarajt, njeheresh me një antologji të poezisë rumune. “Kam bërë një shqipërim izometrik, izoritmik, izosinual dhe izoasonal poezi për poezi dhe varg për varg, - shkruan Poradeci. Edhe atje ku rima ose asonanca është divizionale (dy fjalëshe[15]) kam ruajtur në shqipet intencionin formal të autorit. Kjo metodë e iso-ve kërkon, siç e di, 20 herë punë më shumë dhe 20 herë më shumë mundim më të madh se sa metoda pa iso. Po pasi e mendova çështjen, një vetëdije arti më tha: Më mirë mundim dhe poezi, sesa lehtësirë – dhe non-poezi. Dhe kështu bëra. Dorëshkrimi është gati për shtyp, pa asnjë gabim nga ana ime”[16].
Falë përvojës prej mërgimtari qysh në fëmininë e njomë, Poradeci e di mirë se hyrja në hapësirën mioritike (spațiul mioritic – Lucian Blaga, rum.) do të ngjasojë me hyrjen në një dashuri të madhe – e dhembjet kanë për të qënë jo të vogla[17].
Vuajtjet e Poradecit në Bukuresht mund të njihen sadopak nga letërkëmbimi me Asdrenin: ”Sepse mu në valët e zeza me ushëtim të egër të atij deti pa anë ku gjendesha unë që më 1921 e tëhu, ndihmat e tua të panumëruara morale dhe materiale reprezentonin me të vërtetë vlerat e një harmonie gjer atëhere të padëgjuar për veshin tim. Se kur më shkojnë varg e varg përpara sysh përkujdesjet me të cilat një herë ma ke ngritur shpirtin e zi dhe m’i ke ndërtuar kockat e trupit tim të tretur nga skamja (...) më rekomandove në familje shqiptare për të dhënë mësime private, më ndive shumë herë me hua personale, bëre të mundur që të më jepet nga arka e Kolonisë së Bukureshtit një ndihmë e përmuajshme prej 500 lei (shumë jo e vogël për kohën – sh. im. A. K.) për më tepër se një mot, rrëfeve aktivitet që të emërohem sekretar i Komitetit të Shoqërisë, më dhe një ‚odë’ ku të fle (me fjalë të tjera: ku ta fut kokën sidokudo, ndonëse me tavan të shpuar me qoshe plot merimanga, me mure aq të ndyra, sa nëntë herë u desh t’i lyeja me gëlqere, gjersa kjo e fundit fundit të ‚zerë’ e të zbardhë pak), në dimër ma mbushnje krahun me dru afër natë për natë kur hiqesha nga ‚salloni’ yt në ‚odiçkën’ time, më jepje të redaktoj prokura (të cilat mund t’i bëje edhe vetë) që të nxjerr ndonjë dyçkë sikur të thuash nga dheri ‚në favorin e barkut tim’ të bërë plloçë nga sëmundja e nga e pangrëna, - e të tjerat, e të tjerat, që s’numërohen, as kujtohen dot nje e nga një. Kjo është vepra mirëbërëse, i dashur dhe i ndritur, në atë shkretëtirën e frikshme të vendit të huaj që quhet shqip Vllahi”.
Poradeci ia del mbanë të mbijetojë dhe të pushtojë kulmet e ndjeshmërisë poetike në shqip, sepse është plotësisht i bindur: Zoti, ashtu si Dashuria dhe Vuajtja, nuk do ta braktisë[18].
Në Bukuresht Poradeci do të ndjekë njëherazi disa fakultete, do marrë njohuri në sanskritisht e hebraisht dhe, si Mihai Eminesku kohë më parë, do të dashurohet me artin e Vedave indiane[19]. Në vitin 1924, qeveria e drejtuar nga Fan Noli i jep një bursë për të studjuar në Universitetin e Gracit, në periudhën kur bota austriake po shndërrohej në qëndër me rëndësi themeltare të paktën për kulturën shqiptare moderne, vend ku u formuan intelektualë, shkencëtarë dhe artistë të shquar shqiptarë (mes të cilëve gjuhëtari i përmasave evropiane, akademiku Eqrem Çabej, autor edhe i një mini-enciklopedie të marrëdhënieve Lindje-Perëndim; doktori Jani Basho, gjuhëtari Gjergj Pekmezi, kritiku Krist Maloki, Skënder Luarasi në Vjenë e të tjerë). Poradeci pat ëndërruar të përgatiste një doktoratë në letërsi ose në gjuhësi nën drejtimin e albanologut Norbert Jokl, por nuk qe e thënë.
Duhet theksuar se zhvendosja nga Lindja në Perëndim, duke kaluar përmes Portave të Lindjes, - ndonëse poeti nuk bën pjesë as në grupin e atyre që e kërkojnë Lindjen në Perëndim dhe anasjelltas, as të atyre që e harrojnë Perëndimin në Lindje dhe anasjelltas, - nuk i pakësoi vuajtjet e Poradecit. Vetëm trajta e tyre ndryshoi, sidomos ngaqë poeti pat shpresuar sadopak në mirëqënien e domosdoshme, jo të tepërt, perëndimore. Duket se bestytnia e hershme rumune Alt loc, alt noroc (Tjetër vend, tjetër fat) nuk ndikon ndjeshëm në fatin e poetëve të papërsëritshëm. Por vuajtjet e ndihmuan ta shihte me një sy tjetër Vllahinë, ku, sado keq të ndihej, kurrë nuk do të arrinte të merrte hua me 50%, apo të linte peng pallton, kostumin, librat, gjer edhe pasaportën. „Mezi sot munda (fjali-formimi vjen nga rumanishtja Abia azi am putut, sh. im. A. K.) të të dërgoj disa fjalë. Cili është shkaku i mbodhisjes? Më dhimbte... dora! Përse? Sepse... s’kisha ngrënë! – Pse po të shkruaj sot? Se ‚hëngra’... Ku i gjeta që ‚hëngra’? Arritën bursat! Dua të them arritën bursat mbas një mbodhisjeje prej 6 javësh; 6 javë janë për një student sa 6 vjet të tërë. Se me se rrojtëm këto 6 javë, s’dihet(...) Po nga Graci: „Gjer atëhere, ka kohë; dhe ç’është më tepër, unë do kem fuqinë që t’i ruaj mendtë e pacenuara në mes këtyre vuajtjeve të cilat të torollosin fare. Qeni tërbohet, domethënë prishte menç, kur ha bukë shumë; njeriu prishet menç, domethënë tërbohet kur s’ka me se të hajë, aq sa duhet të hajë. Të hajë! Të hajë! Të hajë! – se ç’fjalë e ndyrë! Që më 18 të vjeshtës 1918 e gjer më sot, kurrë s’kam mundur ta ndiej veten të ngopur”. (...) „Jam i dëshpëruar. Drejtoria e shëronjëtoreve më lajmëroi më 17 gusht se, në mos pagofsha me kohë, do shtrëngohet të më nxjerrë jashtë (...) Ah, un’i mjeri, sa liksht qenkej në vend të huaj, pa miq, e pa shpresë, i sëmurë në spital si mos më keq. (...) bëra, me fjalë të tjera, si ai i kondamnuari (nga rumanishtja: condamnat – i dënuarpër vdekje, i cili vrau veten, përpara se ta vrisnin të tjerët. I dëshpëruar erdha këtu në Graz, ku shpresonja se do marr për së shpejti (d.m.th. më çdo ditë, më çdo orë e më çdo minutë) ndihmat e ‚shumanshme’ të atyre që kishin berë aq bujë rreth e përqark jetës sime të mjerë, të tretur nga një sëmundje e pamëshirshme (...) po ndihmat nuk i mora kurrë, sepse s’u dërguan kurrë, sepse s’desh të dërgojë asnjeri, sepse secili priste të dërgojë ‚ai tjetri’...; po edhe ‚ai tjetri’ nuk dërgoi, sepse shpresonte të dërgojë ‚ai tjetri’ ‚tjetër’[20].
Por në thelb, takimi i Poradecit me botën gjermanofone doli fatlum. Bukureshti dhe Graci kanë edhe sot e kësaj dite të ngjashme bukurinë dhe mjeshtërinë me të cilën një qytet e frymëzon poetin sa më tepër e pa bujë e bën të ndihet askush si njeri. Poradeci rigjen në Grac atë lloj vetmie që di tashmë se e përdorin jo vetëm pjesë të ndryshme të Bukureshtit, por edhe disa qytete rumune të Transilvanisë, ku janë gërshetuar e bashkëjetojnë prej shekujsh disa kultura (Sibiu / Hermannstadt, Brașov-i / Kronstadt, Sighișoara / Schäßburg, Cluj-Napoka / Klausenburg, Timișoara / Temeschwar, Bistrița / Kreis Bistritz-Nassod etj). Njëherazi, tekstet dhe hijet e ndritshme të Gëtes, Shilerit, Novalisit, Hëlderlinit, Rilkes, Traklit etj, qetësia gati e mbinatyrshme e trevave styri-ane, pastërtia e rrugëve, e parqeve, serioziteti dhe mirësjellja e njerëzve, me gjithë tronditjen e padukshme të afrimit të një kasaphane tjetër botërore, e magjepsin djaloshin shqiptar, të cilin asgjë në botë nuk mundi ta lëvizte nga shkëmbi i shpirtit të vet, ia thyejnë jetën më dysh, duke e detyruar të rrojë në dhe nga dy jetë njëheresh. Ka mbushur 25 vjeç dhe është pothuajse i panjohur edhe nga të vetët. Joshja e të qënit ende një askush, i papërfillur nga vetëdija letrare e kohës, por i zgjedhur nga hyjnorja, i zgjon mallin për Ballkanin. Një mall vegimtar, që shndërrohet në njëfarë hijeje me bukuri e dhembshuri të pathënshme, ku gjithësia merr pamjen e një gjiri të perëndishëm të cfilitur nga pritja jonë për t’u rikthyer në shpirtra. Të dyja jetët e poetit shqyhen mesveti ashtu si vdekja ndeshet me jetën për hir të një shpirti të zgjedhur. Poradeci mëson gjermanishten me shpejtësi marramendëse. Duhet të zgjedhë një tezë doktorate. Po për çfarë, për cilin mund të shkruajë ai tani, me shpirtin e përshkuar nga dy jetë kaq të ndryshme?! Ç’shpirt do të jetë ndjerë, vallë, pakashumë njëlloj si Poradeci në këtë lloj mërgimi, larg shtëpisë, gjuhës, së ardhmes të prekshme, jashtëzakonisht larg, por edhe i harmonizuar përsosmërisht me modus vivendi-n e zonës?! Përgjigja vjen nga pó ajo hapësirë muzgore e jetëve që shqyhen mesveti: Mihai Eminesku[21].






[1] Lasgush Poradeci, Vepra Letrare, Biblioteka e Traditës, Sh. B. Naim Frashëri, Tiranë, 1990, botuar nën kujdesin e Frida Idrizit. Për t’u vërejtur, mes të tjerash, forca e fjalës trënd, që përfshin edhe rëndimin, edhe trandjen.
[2]Se të kam dashur, shpirti im / Me dhimb e sy paganë / Që prej së moçmi trashëgim / Stërgjyshërit më lanë”, fragment nga poezia Pranë plepave vetmitar(ë) / Pe lângă plopii fără soț, shqipërim i imi, A. K., i vitit 2001, “Hyperioni, rrethi i ngushtë i fatit dhe vdekatarët”, Revista Haemus Nr. 9-10 / 2001, f. 69-76.
[3] Kritika pasmoderne e cilëson vargun që kam cituar si më të bukurin e poezisë rumune, bashkë me “S’besoja të mësoj të vdes ndonjeherë” të Emineskut (sipas Nichita Stănescu-t).
[4] Drita vjen nga Lindja – lat.
[5] Constantin Virgil Gheorghiu (lexohet: Konstantín Virxhíl Giorgiíu), romancier, gazetar dhe prift ortodoks, lindur më 15 shtator 1916 në Războieni, rrethi Neamț i Rumanisë. Kryen Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë të Bukureshtit dhe më pas Fakultetin e Teologjisë në Heidelberg (Gjermani). Ndërmjet viteve 1942-1943 është sekretar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rumanisë. Bëhet i njohur si gazetar në të përjavshmen Timpul (Koha), ku pat punuar edhe Mihai Eminesku. Për shkak të dashurisë me Zambakun e Zi (alias Ecaterina Burbea, vajzë me prejardhje hebraike) detyrohet të heqë dorë nga gazetaria. Drama e dashurisë së tij do të përshfaqet në romanin e famshëm Ora 25 (çifti Trajan Koruga - Eleonora West). C. V. Gheorghiu punësohet si diplomat në ish-Jugosllavi nga ku largohet për t’u vendosur përfundimisht në Francë në vitin 1948. Duke ndjekur traditën familjare, priftërohet në vitin 1963 dhe zgjidhet Prift i Madh i Patrikanës Ekumenike të Kostandinopojës, si dhe Ekonom Stavrofor i Kishës Ortodokse Rumune të Parisit. Ka shkruar mbi dyzet vëllime me prozë, ese, kujtime. Pjesët e cituara nga Ora 25 janë shqipëruar prej meje (A. K.) dhe janë botuar në Revistën Haemus.
[6] Mitrush Kuteli scripsit: “Rilexova edhe “Souvenir de la Haute – Albanie” të A. Degrandit, dikur konsull i Francës në Shkodër (Botim i 1901). Libri është shkruar më 1893-1899 (sot librat nxirren shpejt e shpejt, si qerpiçët nga kallëpi e vihen në mur para se të përthahen). Ky libër më ngjalli hidhërime të mëdha: vëllavrasje, fantazma, urrejtje, që e bluan e stërbluan jetën tonë shqipëtare. Na pakësuan dhe na ngjeshën në një cep të Ballkanit, ndonëse kemi qenë zotër të moçëm të një vendi të madh, shumë larg këtyre caqeve, ku jemi mbytur sot. Të huajtë na mbuallë urrejtjen, na ndanë e përçanë, na bënë të mos e njohim veten, të mos e duam veten, domosdo as vëllanë. Tani, thotë Degrandi, njerëzit urrejnë njëri-tjetrin në çdo vilajet, greku mbjell farën e grindjes në Epir; Austria, Italia – në Veri; Mali i Zi, i përkrahur nga Rusia, gjithashtu. Në krahina të tjera serbët, bullgarët, bilé dhe rumunët kanë dërguar njerëz për të çarë e përçarë. Një grek i moçëm me emrin Phrantjes, historian, paska thënë: “Shqiptarët janë populli më i lik dhe më i kotë (“le plus inutile”) në botë”. Përfundimi? Duhet të zhduket… Kështu thotë bizantini Phrantjes. Domosdo Phrantjes është armik, është ujk dhe ka folur, shkruar e vepruar ndofta si ujk. Por ujku njihet dhe njeriu di se si të mbrohet kundër tij, me sëpatë, me kopaçe. Por si të mbrohet kundër ujkut të veshur me lëkurë deleje? Si të mbrohet kundër atij që i flet si ëngjëll e vepron si shejtan? Të gjitha këto i lexoj, i bluaj në mendje natën dhe s`më zë gjumi dhe më vjen të çmendem!” Mitrush Kuteli, letër Mustafa Greblleshit, 28 gusht 1961, art. cit. Shënim: Është fjala për historianin e Bizantit të vonë George Sphrantzes, alias Phrantzes ose Phrantza (Γεώργιος Σφραντζής / Φραντζής; 1401-1478)
[7] Shih Baladat e murosjes: Brezi i madh e i mesëm nuk e mbajnë fjalën dhe shmangin flijimin; përherë flijohet brezi i ri, ai më i përkori dhe që mbase duhet të mësojë se, pa ujdira të shumëfishta, mbijetesa në këtë botë nuk është e mundur. Pyetja nga baladat mbetet e pandryeshueshme: Cila mbijetesë vlen vërtet, e shpirtit, apo e trupit? Për më tepër që pikërisht flijimi i brezit të ri siguron mbijetesën shpirtërore të brezave paraardhës.
[8] Në të njëjtin gjimnaz pat ndjekur studimet edhe Leon (Nida) Boga (Veles, 1886-Vaslui, 1974), autori i poemës epike “Voshopolea”, kushtuar ngritjes dhe shkatërrimit të Voskopojës, e cilësuar si Iliada e arumunëve, shkruar në arumanisht. / Bashkëkohës dhe shpesh banor në të njëjtin qytet me Panait Istratin, Viktor Eftimiun, Monsinjorin Vladimir Gjika e të tjerë, i detyruar ta ndërpriste dy herë shkollën e mesme për shkaqe shëndetësore, ka të dhëna se Lasgushi do t’i marrë provimet e maturës në Silistra, qytet që asokohe i përkiste Rumanisë.
[9] Sipas fjalorëve, në mjekësi, ataraksia përfaqëson një “Gjendje të sëmurë mpirjeje të një organi, ose të një funksioni”. Ndërsa në thelb është ”Një koncept filozofik idealist i lashtësisë, në përputhje me të cilin njeriu duhet të synojë drejt një gjendjeje të përkryer qetësie shpirtërore përmes ngritjes mbi shqetësimet e botës”. Shih edhe Dicționarul Explicativ al Limbii Române / www.dexonline.ro
[10] Eminesku do ta ngjizë dëshirën e tij për të përvetësuar ataraksinë në poemën „Glossă”, tek e cila çdo varg i strofës së parë mbyll strofat që pasojnë dhe, në fund, strofa e parë shkruhet nga vargu i fundit tek i pari: „Koha ikën, koha vjen / Gjithë të rejat s’janë veç rite / Mirë e kaq në jetë ç’vjen / Veten pyet dhe llogarite. / Mos shpreso e mos ki frikë / Ç’është valë si vala shkon / Në të dhënçin ngasjen prikë / Ti i ftohë rri gjithmonë”. Si plotësim-sqarime vijnë vargjet (...) „Vuajtje, ti, dhembshurisht e ëmbël! / Gjer në fund piva epshin e vdekjes / së Pamëshirshme. /... / Nga ëndrra ime përvëluar vajtoj / Në zjarr të vetes tretem... / A mund të ringjallem shkëlqimtar prej tij si / Zogu Feniks? / U borën sytë e mi nga udha / Eja sërish në gji, shpërfillje e trishtme / Që të mund të vdes i qetë, veten time / Mua nëma”, Ode në metër antik (Shqipërime të miat, A. K., të periudhës 1989/1997/2001. Poezitë janë përfshirë në vëllimin Eminescu peste nemărginirea timpului – Propagarea operei în 64 de limbi şi literaturi / Eminesku përtej pafundësisë së kohës – Përhapja e veprës në 64 gjuhë dhe letërsi, Editura Litera-David 2000).
[11] Shih letrën e Poradecit për Asdrenin, dërguar nga Graci më 19 të dhjetorit 1924, L. Poradeci, Vepra Letrare, vep. cit., f. 453.
[12]Shumë i lig është Bukureshti i shqiptarëve, i trazuar e i ndotur si mos më keq. Po kur mendojmë se pikërisht mu në gjirin e tij të farmakosur pati mbirë lulja e parë e bukurisë së shpirtit shqiptar (Krijimet e Naim Frashërit, që u botuan për herë të parë nga Shtypshkronja e Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit – shënim i Frida Idrizit), kur mendojmë se në prozën e përditshme të zemërngushtëve pati hapur fletët zogu i bukur e i lehtë i vjershës sonë kombëtare, atëhere helmi s’është më helm, po është gaz. Një gaz i pikëlluar...”, L. Poradeci, Vepra Letrare, vep. cit., f. 454.
[13] Vangjel Gushoja doli në pension dhe vdiq në Bukuresht si oficer i lartë i Ushtrisë Rumune. Sipas një bisede që kam bërë me Kol Kocin në vitin 1987, Lasgushi shkroi në Câmpulung Muscel të famshmen “Ku shtrohet vala”. Pak vite më vonë, Kuteli, - i cili iu kushtua mbledhjes dhe botimit të poezisë lasgushjane, - vajti posaçërisht ta shihte vajzën rumune që pat frymëzuar poetin, por nuk ia gjeti dot fuqinë magjike, mbase edhe ngaqë nuk kishte sytë e Lasgushit.
[14] Shih Petraq Kolevica, Lasgushi më ka thënëshënime nga bisedat me Lasgush Poradecin, Sh. B. 8 Nëntori, Tiranë, 1992. Petraq Kolevica, shqipërues, poet, arkitekt, memorialist lindur në Korçë më 11 janar 1934, autor, mes të tjerash, i vëllimeve Këngë nga koha e keqe (1992) dhe Të korrat e vona (2013).
[15] Ndonjëherë, për të piperosur shijen, nevojiten shqipërime (sic!)
[16] Lasgush Poradeci, Vepra Letrare, vep. cit., f. 487. Ndoshta Poradeci përdor shqipet në vend të shqipes, ngaqë në epokën përkatëse ndesheshin dy shqipe, njëra e poezisë dhe tjetra e zyrtarisë. Duke iu përcjellë bindjen e tij se, pa mund pa fund, s’ka art magjie, madje as në shqipërim, Poradeci iu kujton përfaqësuesve të lehtësirës sqimën që duhet të kenë ndaj tekstit letrar, por edhe qëndrimin e vet ndaj editing-ut. Jo rastësisht, në shfrimet e veta përmes bejteve për përdorim të brendshëm, me një hidhërim shkëlqimtar aq të pranishëm në pleqtë poradecarë, Poradeci shprehej: „Redaktorët trukokallë / Redaktojnë vjershëtorët...”
[17] Shih L. Poradeci, Vepra Letrare, kapitulli Nga letërkëmbimi, vep. cit., f. 451-489. Sipas të bijave, Kostandina dhe Marie Gusho, Lasgush Poradeci përsëriste shpesh se „varfëria nuk është turp, por as ndonjë nder i madh nuk është”. Ai diti gjatë gjithë jetës që vuajtjet tepër tokësore t’i zhvendoste në letërkëmbim, në rrëfime brenda rrethit të ngushtë familjar dhe në heshtje, duke ruajtur vetëm dhimbjet që mund të shndërroheshin në poezi (Ja dy kahet e lëvizjes së tij të brendshme: 1. „Si s’mund ah, si nuk mund / Ta them me emër, / Një brengë që mun në fund / Duroj në zemër”, dhe 2. „Përndrite me lavdi / Shpirtin e nxirë / Që breng e dhemshuri / Pat psheretirë; // Që ndezi yj e diej / Të dashurisë, / Dh’i vari nëpër qiej / Të gjithësisë”, në Kamadeva, Vepra Letrare, vep. cit., f. 324-348.
[18] Për më tepër shih A. K., Hyu epigon (në rumanisht), Presa Universitara Romana, Timishoara, 2000.
[19] Në disa shkrime, Eminesku dhe Poradeci janë paraqitur si ithtarë të hinduizmit, budizmit, politeizmit apo animizmit. Duhet theksuar se, megjithë disa trajta shprehjeje dhe detaje nga mençuria indiane e më gjerë, të dy mbetën në thelb njëzotësh (Shih, për shembull, poezinë Shpirtit, ode, që nis me vargjet “Të lus, o Lajmës, qielluar! / O Frym’ e Zotit, Vetë Zot”, ose poezitë e Emineskut kushtuar Shën Mërisë).
[20] Shih L. Poradeci, Vepra Letrare, kapitulli Nga letërkëmbimi, vep. cit., f. 451-489. [Vihet re një ndryshim i madh midis shqipes që përdor Poradeci në poezi dhe asaj që përdor në letërkëmbim dhe sidomos në shkrimet eseistike. Këto të fundit përmbajnë mjaft rumanizma e latinizma, edhe si dëshmi se proza shqipe ishte ende në kristalizim e sipër (në mungesë të një proze gojore po aq të zhviluar sa poezia), edhe si zgjedhje e Poradecit për të mos i trajtuar gjërat e përditshme, joprodhimtare për poezinë, me një gjuhë që s’e meritonin].
[21] Mihai Eminescu / Mihái Eminésku, pseudonim i Mihai Eminoviçit, cilësuar si poeti kombëtar i Rumanisë dhe rumuni absolut. Lindur në Botoșani (15 janar 1850, ose 20 dhjetor 1849), ndërroi jetë në Bukuresht më 15 qershor 1889. Nga viti 1869 deri më 1874 studioi filozofinë në Vjenë e Berlin, më pas punoi si drejtor biblioteke në Jash (Iași), kryeinspektor shkollash fillore, gazetar, mësues i logjikës dhe i gjermanishtes. Studjoi me përkushtim filozofët dhe poetët gjermanë, duke përkthyer rumanisht pjesë nga veprat e disave prej tyre. Vetëm një pjesë e vogël e krijimtarisë së tij u botua sa qe gjallë (Poezi, 1883). U çmua më fort për krijimet që lidheshin me natyrën e me dashurinë, si dhe për lirikën e mendimeve, hijen e Weltschmerz-it (besimi se realiteti nuk do të arrijë kurrë të kënaqë dëshirat e mendjes së artistit) dhe mallin për vdekjen. Shih edhe Kopi Kyçyku, N-a învățat cum se moare / Nuk mësoi si vdiset – Mihai Eminescu, Librarium Haemus, Tiranë-Bukuresht, 2015. 

1 comment:

  1. Asnje veper e mirefillte letraro-artistike nuk ka zene vend ne panteonin shpiretror te qyteterimeve pa kaluar permes vuajtjes krijuese te shpirterave te medhej qe Providenca i ka derguar si misionare divine ne planetin tone.
    Nje kumtese mjaft e goditur, nje pershkrim i stisur per vuajtjen si polen krijimtarie per artistet, poetet dhe shpirtat e perndritur; nje kumt per te gjithe intelektualet qe vertiten ne qerthullin e mos aresyes lendore te kesaj jete e cila jo gjithmone na e jep shansin per tu bere te dashurit e meshires se Inteligjences Supreme...
    Urime pafund per shkrimtarin shqiptar te yllesise europiane i cili padyshim eshte nje nga urat nderlidhese te shpirterave qe presin shfaqjet e mrekullive ne horizontin e enderrimeve te tyre me shpirterat qe po ecin ne rrugen e perndritjes shpirterore per tu bere pjese 'integrale' e Shpirtit te Madh' qe quhet ZOT.

    ReplyDelete