10 nga vitet e Ballkanit

Ata që e kanë braktisur këtë botë për së gjalli, me vetëdije e përkushtim, - duke u bërë më të gjallë se gjithë të vdekurit e të gjallët e pagojë të saj, - thonë se Varfëri nuk është varfëria, por mungesa e trajtës së shpirtit. Kur boja ende nuk i afrohej rëndësisë së gjakut, në Ballkan u derdh shumë gjak pikërisht për hir të trajtës së shpirtit. Gjatë fazës së parë, gjaku zbuloi trajtat përkatëse dhe vazhdoi të derdhej për t’i ruajtur ato të pandryshueshme.
Dhjetë vitet e parë të mijëvjetshit III, (i ngritur në qiell si mijëvjetësh i paqes së përbotshme, i fshatit global, i gjuhëve dhe i vetëdijeve të bashkuara etj), u dhanë më shumë të drejtë anktheve e maktheve. Sepse gjatë këtyre dhjetë vjetëve pyetja që u shtrua më shpesh në Ballkan ishte: Jemi në kaos, në jetë, apo në vdekje? Nuk qe hera e parë kur një Ballkan sundon mbi e në vite që duken të pafundëm, siç nuk ishte hera e parë as kur brenda një viti njeriu mund të përftonte dhjetë a më shumë fytyra të Ballkanit. Gjithsesi, kur ishim në vdekje, revista Haemus u bë për ne jetë fjale e fjalë jete; kur ishte jetë, Haemus-i mbeti mbi-jetë, ose folé mbijetese; kur u dynd kaosi, mbeti më e dukshmja pasuri e patundshme.
Në njëfarë mënyre, historia e shkurtër e revistës sonë mund të këqyret edhe si një dramë e disave që nuk qëndruan dot në atdhe dhe e atyre që nuk ikën dot nga atdheu. U shtjellua si një dramë që prekte heraherës edhe trojet e tragjedisë së heshtur, edhe të komedisë së pavetëdijshme të të paftuarve dhe të cilën hapësira e mërgatës e përktheu dalngadalë në një përmasë të re vështrimi. Jo pak vetë e shihnin ndërkaq kulturën si kopje të skllavëruar të gjeografisë, madje si një ngrehinë me kufij, zyra, roje, shefa, zëdhënësa, ministri, diplomatë, qenër kufiri etj.
Haemus-i qëndroi jashtë përfytyrimeve të këtij lloji, por jashtë rri zakonisht edhe ajri, sidomos jashtë kufijve. Mjegulla që mbushi mushkëritë dhe trutë e Ballkanit gjatë këtyre dhjetë viteve lypi jo rrallë hartimin e një programi kulturor, falë të cilit, në përputhje me një filozofi të mangët, popujt e vegjël në numur duhet të zmadhojnë kulturat e tyre, se vetëm kështu do të mund të përfillen (jo të milen pa mëshirë, të shpalcërohen) nga kulturat e mëdha të popujve të mëdhenj. Ky ishte, në fakt, një tjetër mjet i kulturave që po ligen dhe s’kanë me çfarë të mbahen gjallë për të zhvatur frymën e „të vegjëlve”. Ishte një tregti e tipit: më jep shpirt – të jap lekë dhe ca emër.
Haemus-i u mundua që me secilin prej numurave të vet të ngjizte më të natyrshmin ndër programet kulturore, duke mbarështuar një ide të hershme dhe shpesh të nëpërkëmbur: Më mjafton që jam. Përpiqem të jem, me qëllim që ndihmesa e dhënë me gjithë shpirt për kulturën e, rrjedhimisht, jetëgjatësia e kulturës së secilit të dalin në pah vetiu, natyrshëm, në një varësi sa më të pranueshme nga shtypi dhe buja. Për këtë dhe vetëm për këtë arsye, as përmbajtja e as emrat që do të mbrujtnin qoftë edhe një numur më pas, nuk diheshin. Revista rrinte si një magnet i hapur për të gjitha lëndët e mundshme dhe, në një çast të caktuar, lëndët më të përkora hidhnin rrënjë. Kjo u duk edhe nga prania e ndonjë materiali që nuk e kishte vendin mes të tjerëve, por në kulturën e mirëfilltë, sikurse edhe në shoqëri, gabimet punojnë për harmoninë e ardhme. Disa ndoshta ishin „gjoba” që gjithkush ia shlyen kalimtares; disa janë mjete mistike, që shmangin vetëkënaqësinë.
Gjatë këtyre 10 vjetëve, në Bukuresht, - qëndër e bekuar dhe gjithaq e shpërfillur për historinë shqiptare moderne, - bujtën një shpurë diplomatësh që natyrshëm duhej të përfaqësonin Shqipërinë. E përfaqësuan katërcepërisht Shqipërinë e përkohshme, edhe atë me pesë cepa, edhe atë pa cepa, edhe atë që s’kish ajër nga bymimi i fjalëve boshe, edhe atë që mblidhte ajër në një të ardhme që nuk gjendet nëpër direktiva, dhe secili u turr të bënte nga një revolucion në gjirin e bashkësisë së shqiptarëve të këtushëm. U duk sheshit se nuk e kontrollonin dot realitetin dhe se, dashur-padashur, e përbuznin këtë bashkësi, përderisa e shihnin si një turmë gjithnjë e më të rrëgjuar pleqsh e plakash, rioshësh në plakje e sipër dhe fëmijësh gjithnjë e më pa gjuhë amtare a atnore, duke u rropatur t’i bashkonin, t’i pajtonin, t’i vinin në rresht, t’i tubonin për festa e përshpirtje, gjatë përurimit të ndonjë libri, librushke, revistke, koke prej allçie, apo kur dheun-njerkë e ëmbëlsonte me parfum të shtrenjtë këmba dhe recitimet e ndonjë zyrtari të lartë nga dheu-mëmë. Mbase kësisoj mëmëdheu nisi të merrte me shpejtësi zakonet e njerkëdheut, dhe anasjelltas. Pastaj ata hëngrën ca darka, rrufitën ca pije të zgjedhura, vunë ca vula, hapën ca thashetheme, shkruan ca anonime, fjetën në ca hotele a vila me katër a pesë yje me ose pa cepa, dhe u kthyen në harrimdhé.
Ish-bashkësia e shqiptarëve të Bukureshtit, e leqendisur nga dasitë dhe vogëlimat e brendshme, tanimë dyfish e turbulluar nga kjo përçarje që s’kish asgjë të ngjashme me zitë e moçme historike, - sepse buronte, për të mos thënë villej nga kryeneçësia e nëpunësve dhe nga lakmia e tyre për të hyrë, apo thjesht për të mos dalë nga historia, - u pakësua ndjeshëm jo vetëm në numur. I kish pasur të gjitha mundësitë që të forcohej, t’u përcillte pasardhësve, njëheresh me gjuhën dhe doket, edhe atë tharm të të qënit shqiptar mes një pylli që, me shumllojshmërinë e vet, më fort zgjeronte shkretëtirën, se sa shquhej nga sendet e tjera, me përjashtim të diçkaje: idealit. Për fat të keq, as ideali kulturor nuk doli mjaftueshëm jetëgjatë, sepse pakkush e shihte rritjen dhe pasurimin e kulturës kombëtare si zvogëlim të famës vetjake. Prandaj në gjirin e saj ngjarjet rodhën në përputhje me vargjet: kush jam unë – kush je ti / unë jam unë – ti s’je ti / o ji unë, o mos ji.
Haemus-i qëndroi ngaqë nuk u përzje me asnjërën palë dhe, tërthorazi, përmes nivelit të tij, ndihmoi në shtrëngimin e radhëve të palëve, ndonëse, sikurse u vu re, mjerisht ky shtrëngim prirej jo nga dëshira e mirë, por nga smira. Mbase prandaj Haemus-i u bë palë më vete dhe u mbështet sadopak nga miq, bashkëpuntorë e dashamirë, të cilët, meqënëse nuk deshën t’i përmendte kush, dëshmojnë se e falën ndihmesën e tyre me gjithë shpirt.
Sherre të pafundme pushtuan shtypin dhe eterin kur mund të thuhet se qe derdhur tashmë po aq bojë sa edhe gjak. Ishte e vështirë të merrej vesh nëse kreshnikët e mendimit e të artit po grinden vërtet për të sqaruar ndonjë çështje me rëndësi jetike, apo nga tmerri se mos po i harron lexuesi, ky anonim i paanshëm që peshon me të njëjtën heshtje edhe bëmat e gjakut, edhe bëmat e bojës. Çmime, përurime, promovime, tubime, trymbetime dhe medalje u ndanë si me qënë plaçkë lufte mes tipash që flinin si dështakë të dëshmuar, si cicëronjës të realizmit socialist, ose si të dyja bashkë dhe gdhiheshin mjeshtra të mëdhenj të fjalës e të punës, mjeshtra të mesëm, gjení të mëdhenj, të mesëm e të mirënjohur, kalorës të dritës e të muzgut të purpurt (se e kuqja qe munxosur), njerëz të shekullit, të bregdetit, të liqenit, të shkrepave, të lagjes, të pallatit e të katit (jo atij përdhes) – por disa mijëra faqe në shqip e rumanisht, hartuar mes kaosit e gumëzhimës që mpinte tru e qorrollepste vetëdije, u lanë mënjanë dhe shpesh u përfolën ashtu siç ndodh ndaj gurit të qoshes. Ai gur që nuk vret kënd e nuk plagos, jo nga mirësia e tepërt, por sepse s’ka nga të bjerë!
Dhjetë vjetët që sapo ikën, të kujtojnë një stacion të papastër trenash, ku duhet të mos ia ndash sytë nënës së sëmurë, - që pret t’i marrësh një biletë shpëtimtare, ose t’i gjesh një kthinë heshtjeje, - dhe ku shtylysh paranojakësh ulërijnë, shfryjnë, mavijosin gjokset me grushtin e vetëmburrjes apo me biglën e demokracisë, ngatërrojnë teshat e trupit me lëkurët e faqeve, valixhet me damixhanët, mbajnë shënime, mbushin e zbrazin sirtarë, u venë zjarrin letrave të të tjerëve, stivosin letrat e sirtarëve të vet dhe i kthejnë në dosje, mirpo letra nuk blihet më me kile nga qëndrat e grumbullimit dhe ata detyrohen t’i botojnë si libra etj – aq sa jo vetëm nuk e sheh më nënën e ngratë, nuk i merr dot një biletë, nuk i gjen dot një vend ku qoftë edhe të japë shpirt në paqe, por e ke gjithnjë e më të pamundur të pranosh se edhe ata që gëlojnë në stacion i ka lindur nëna nga barku, jo paranoja nga çarku. Me atë rast, duke u shqyer për pastërtinë dhe lartinë e heronjve të vdekur, bijtë e paranojës u zhytën edhe më thellë në hije, ose ua ligështuan shpirtrat atyre që vërtet donin të ruanin trajtën e Shpirtit.Por mbase këto të gjitha do të kishin rrjedhur ndryshe sikur ballkanasi, - që e di me saktësi se ç’do të bëjë pas treqind vjetësh, por nuk di se ç’do të hajë nesër, - nuk do t’i kish ngritur bukës së gojës një kult që njësohet me ideologjinë. E kur buka e gojës zuri vendin e ideologjive, pasi të gjitha ideologjitë robtuan e rrënuan brezni të tëra dhe ua bënë idealet pluhur e hi, ose miell të rremë, për hir të bukës së gojës, duhej mbushur ajo që mbeti pas trajtës së shpirtit. Vendet ballkanike zunë të integrohen, të anëtarësohen, të grinden e të pajtohen, sa për sy e faqe, ose sa për të mos vonuar ndonjë anëtarësim, dhe të gjithë ngulmojnë, me gojë, me shkrim e me këngë se progresi po ec me hapa të shpejta në këtë hapësirë ku hapi zakonisht është hedhur me maturi edhe ngaqë s’para kish vend, edhe ngaqë prej tij mbetej majë shtyllës kurrizore, ose binte vetë koka. Çmimin e përparimit nuk e ze njeri në gojë, se mos e marrë mësysh, por edhe për të paktën dy arsye të tjera: se nuk i vjen të besojë që vuajtja (e keqkuptuar) mund të shpërblehet me një vuajtje më të madhe; dhe dy: se nuk e dëgjon kush. Kurse ata që e dëgjojnë, nuk i dëgjon njeri.
Pat pasur të drejtë Nikollaj Erdmani në vitet '20 të shekullit të shkuar, me frazën: „Ato që njeh sot një i gjallë, mund t’i shprehë vetëm si i vdekur”. E në Ballkan, ku për gati një shekull ishte aq e rëndomtë pabesia dhe aq e pazakontë vdekja rastësore, tani kur mjetet e rehatisë janë qindfishuar dhe cilësia e jetës ka rënë aq sa s’e beson as lënda, Revista Haemus ndjehet e lindur në vdekjen që flet.
2009