Mbi dygjuhësinë në letërsi - bisedë

Russana Beyleri*: A shkruani së pari shqip, apo së pari rumanisht një roman?

Ardian-Christian Kyçyku: Varet kryekëput nga romani. Nuk shkruaj sipas një programi që synon të riparojë, apo të plotësojë mangësi të mundshme të prozës shqipe a rumune, por sipas një programi që është ngjizur nga shkrimet, jo para shkrimeve. Librat që kam shkruar në rumanisht nuk janë të përkthyer në shqip e as ata shqip nuk janë të përkthyer në rumanisht. Nuk e di me saktësi se ku takohen këto dy zona të prozës sime, a plotësohen mesveti, përjashtohen, pasurohen etj.

Russana Beyleri: A i përktheni veprat tuaja, apo i shkruani paralelisht (a ju duket kjo e dyta e mundur)?

Ardian-Christian Kyçyku: Me përjashtim të dy dramave dhe të disa tregimeve, nuk kam përkthyer asnjë rresht nga shkrimet e mia. Më ka ndodhur të shkruaj me mend dy libra në të njëjtën kohë, njërin shqip, tjetrin rumanisht, por librat përkatës nuk kanë pasur të përbashkët veçse autorin, jo temën, as thelbin e as strukturën e brendshme. Por ndodh që njërit libër në rumanisht, ose në shqip, “t’i lindet binjaku” i vet disa vite më pas. Romani “Sy” (shkruar shqip në 2003-shin), për shembull, në mjaft pikëpamje më është dukur binjaku shqip i “Një fis i lavdishëm e që jep shpirt – epopeja e një harrese” (shkruar rumanisht në 1998-ën).

Russana Beyleri: A ka lloje tematike, ose gjinore, që preferoni të shkruani në njërën gjuhë?

Ardian-Christian Kyçyku: Dy letërsitë në të cilat shkruaj kanë ngjashmëri, por edhe ndryshime rrënjësore. Vështruar nga jashtë, krijimtaria e një autori dygjuhësh duket lehtësisht e shpjegueshme, sepse zakonisht kritika dhe shtypi nuk llogarisin përmasën e misterit dhe të vegimit që ngjiz këtë krijimtari. Prandaj, pa ditur si i përgjigjen kësaj pyetjeje dygjuhësha të tjerë, por duke shpresuar që secili syresh ka një përgjigje krejt të vetën, them se gjithmonë vjen libri tek autori e jo autori tek libri. Është libri ai që zgjedh autorin, gjuhën në të cilën do të shkruhet, trajtat, ritmin e brendshën, marrëdhënien zanore-bashkëtingëllore e gjer edhe shenjat e pikësimit, numurin e hapësirave të zbrazëta mes fjalëve dhe librin që secili prej nesh lexon përtej rreshtave. Për këtë arsye, vetëm kur autori ngulmon të bëjë bujë me diçka, ose t’i hyjë ndonjë sprove të dështuar qysh në fillesë, ndodh që njëra gjuhë të pranojë (dhunshëm) libra të huaj dhe që përdhosin shpirtin e saj.


Russana Beyleri: A ndryshon personaliteti i krijuesit kur mendon dhe shprehet në rumanisht dhe në shqip?


Ardian-Christian Kyçyku: Kësaj pyetjeje secili i përgjigjet në bazë të përvojës vetjake. Unë fillova të shkruaj edhe në rumanisht pasi kisha shkruar mbi dhjetë romane e vëllime proze në shqip, pra kisha një vepër në vend të jetës letrare. Kalimi në rumanisht nuk ishte ndonjë lloj hakmarrjeje ndaj heshtjes zyrtare që më rrethonte, por një zgjatim edhe në një gjuhë tjetër. Me këtë gjuhë e këtë gjuhë patën jetuar e qenë formuar viganë si Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli, pa përmendur shkëndija të tjera të mbara fatnore, si botimet e Naim Frashërit në Rumani, abetaren e Naum Veqilharxhit, aq gazeta e revista shqip, dy, ose trigjuhëshe, që botoheshin në hapësirën mioritike kur Kolonia Shqiptare e Bukureshtit ishte në kulmin e fuqive të veta. Nga ky këndvështrim, ndryshimi nuk mund të shihet veçse si rritje. Nuk bëhet fjalë për dy identitete, por për një identitet të dyfishtë. Nga ana tjetër, falë jetës së tërhequr që bëj, kam kohë të mos cënoj asgjë thellësisht shqiptare kur shkruaj rumanisht dhe të mos shformoj asgjë thellësisht rumune kur shkruaj shqip.


Russana Beyleri: Cilët autorë rumunë, sipas jush, transponohen më lehte dhe suksesshëm në shqip?

Ardian-Christian Kyçyku: Jam marrë me shqipërime e përkthime vetëm për hir të artit, domethënë pa synimin të botoj. Mund të them se autorët rumunë që rishkruhen më lehtë në shqip janë autorët që bartin më tepër thelb mbarënjerëzor se të tjerët, megjithëse jo rrallë Eminesku, Blaga, Stanesku, Soresku dhe poetë të tjerë më pak të famshëm, por gjithaq vegimtarë, duken të papërkthyeshëm. Njëheresh me rënien e poezisë në gjysmë-prozë, krijohet përshtypja e gabuar se poetët pasmodernë shqipërohen më lehtë ngaqë janë më globalë. Në fakt ndodh e kundërta: shpesh shkrimet e tyre shqipërohen lehtë, sepse ata ngjajnë shumë me njëri-tjetrin dhe përgjithësisht kanë pak gjëra vendimtare për të thënë. Paradoksi i mësipërm përbën njërën nga shenjat e errëta të rrënimit të poezisë, çka njihet si ngadhnjim i sasisë mbi cilësinë, gjuhë e kuptueshme për të gjithë lexuesit etj. Sepse një poezi e cila nuk e zgjedh lexuesin nuk është as prozë e mirë, jo më poezi.


Sofje-Bukuresht, gusht 2008

* Russana Beyleri - studjuese e letërsisë dhe profesore në Departamentin e Gjuhësisë së Përgjithshme në Universitetin e Sofjes.