- bisedë -
Mine Fero: Pas kaq kohësh e librash botuar, çfarë është letërsia për ju?
Ardian-Christian Kyçyku: Besoj se, në raste të tilla, më qartë mëson se çfarë nuk është letërsia. Kjo nganjëherë mund të jetë e tmerrshme për njeriun dhe lartuese për shkrimtarin brenda tij, por edhe anasjelltas. Jeta e sotme është e gatuar me shumë letërsi, mirpo kaq lëndë artistike e papërdorur, e mbetur pezull mes përjetimit të skajshëm dhe pamundësisë për ta rrokur, tek bëhet hí dhe hiç, paradoksalisht synon që letërsia e mirëfilltë të ketë gjithnjë e më pak jetë.
- Si qëndroni ju në raport me krijuesit e tjerë? Si e ndjeni veten në mjedise shkrimtarësh?
Ardian-Christian Kyçyku: Koha s’më lejon të takohem shpesh me krijues të tjerë. Herën e fundit kur u ndodha në një tubim shkrimtarësh ishte vështirë të merrje vesh nëse pritej fillimi i një mrekullie, apo mbarimi i një bombardimi.
- A jeni i kënaqur nga ajo që keni arritur në letërsi? Sa të vlerësuar e ndjeni veten dhe krijimtarinë tuaj?
Ardian-Christian Kyçyku: Mendoj se, po të kisha qenë i kënaqur, tashmë do të kisha vdekur, të paktën metaforikisht. Nuk kam vdekur. Vetëm se jam larg mëdyshjes i vlerësuar / i çvlerësuar. Këto lloj drithmash lidhen me sedrën e shkrimtarit, jo me thelbin dhe ecurinë e atyre që shkruan.
- Çfarë ju frymëzon?
Ardian-Christian Kyçyku: Sot shkrimtarit i duhet ta nxjerrë shpesh frymëzimin pikërisht nga gjërat që, në pamje të parë, nuk frymëzojnë, madje mund të vrasin çdo frymëzim. Mirpo në themel të atyre që shihen ende struket dhembja e kulluar njerëzore, ajo e pashprehshmja, ajo që rëndom quhet fat. Kjo dhimbje të merr gojën e mbase si shpërblim ua zëvendëson disave gojën me penën.
- Sa kohë ju duhet për të shkruar një vepër?
Ardian-Christian Kyçyku: Varet. Ka libra që i kam shkruar brenda disa ditësh dhe ka të tjerë, mbi të cilët vazhdoj të punoj prej pesëmbëdhjetë vjetësh. Por s’ka ndonjë ligj sipas të cilit koha e blatuar një libri t’ia rritë vlerën këtij të fundit, ashtu siç shpejtësia e të shkruarit nuk e bën dot librin më jetëgjatë.
- Si do ta karakterizonit ju procesin tuaj krijues?
Ardian-Christian Kyçyku: Si një nga më të ndritshmit çrobërime.
- A e diskutoni veprën tuaj para se ta botoni?
Ardian-Christian Kyçyku: Ndodh që t’ia tregoj shkurtimisht tim eti, ose sime bije.
- Kush është kritiku juaj i parë?
Ardian-Christian Kyçyku: Unë vetë, disa javë pasi kam përfunduar një shkrim. Ndoshta edhe për këtë arsye kritikat e mundshme më lenë të ftohtë. Atë që ta bën i yti, thuhet, s’ta bën as Perëndia.
- Si janë raportet tuaja me median?
Ardian-Christian Kyçyku: Kam punuar mbi 13 vjet në shtypin kulturor, kryesisht në atë të pakicave kombëtare. Jetoj me rrogën prej profesori që përgatit në universitet njerëzit e ardhshëm të mass-medias. I marr qysh kur i kanë "buzët me qumësht" dhe mundohem që të paktën dhjetë për qind e këtij qumështi të mos shndërrohet në helm, sepse vjen një çast kur çdo dhunti bëhet më fort çështje morali - e pikërisht morali vendos të ardhmen e vërtetë të secilit prej nesh. Nuk është e lehtë të mbetesh shkrimtar i pavarur duke njohur njëherazi mekanizmat e shtypit, semiotikën, imagologjinë etj. Po të flisnim me gjuhën e gjeometrisë së epërme, shkrimtari dhe shtypi ngjasojnë me dy rrathë jo bashkëqëndrorë e me përmasa të ndryshueshme. Njëri edhe mund të ndodhet përkohësisht peng brenda tjetrit, kurse shkrimtari ndodhet përjetësisht rreth tjetrit. Njëri punon me mëditje, të themi, kurse tjetri me mëjetje.
- I zgjidhni botuesit tuaj dhe çfarë marrëdhëniesh keni me ta?
Ardian-Christian Kyçyku: Më duket se puna e botimeve të mia tashmë është zgjidhur, por nuk harroj se shkrimtari dhe botuesi duhet të kenë ndaj njëri-tjetrit një durim gati hyjnor. Pala që duron një gram më shumë mund të thuhet se zgjedh, ose është e zgjedhur.
- Cili është problemi më i madh i letërsisë së sotme shqipe?
Ardian-Christian Kyçyku: Asnjë problem s’mund të ketë jetë më të gjatë se letërsia. Nga ana tjetër, një letërsi pa probleme është si një njeri që ka humbur shijen e vdekjes dhe që, në fakt, s’para është gjallë… Ndonjëherë disa çështje, sikur t’i nënshtrohen një kalendari demoniak, bymehen qëllimisht për të fshehur ndonjë mangësi, apo ndonjë kafshim të moçëm ndërgjegjeje. Për këtë arsye, po përsëritëm pafundësisht gjërat dhe individët që pengojnë, rrënjosim padashur në nënvetëdijën e lexuesit e ndoshta edhe në tonën shijen e pafuqisë, e lehjes ziliqare, si dhe bindjen e rreme se e drejta, e ardhmja, pushteti i njëmendtë letrar etj u takojnë me hak atyre që pengojnë. E meqë në zonën tonë është bërë zakon që ndonjë fenomen letrar të kthehet në sëmundje kombëtare, është mirë të dihet se „karvani” s’mund të lehë tërë jetën... Them se duhet të buzëqeshim më shpesh ndaj disa gjërave dhe të mos e shohim me besim të verbër përmasën mesianike të shkrimtarit.
Gazeta 55, Tiranë, 2006