Pjesa “Një botë më tutje” mund të zbërthehet edhe si “Ja
ç’bënë e ç’nuk bënë nganjëherë shqiptarët për të shumëpërfolurat luftë, paqe,
famë, art, mbijetesë… ”. Përfaqësuesit e tri breznive të fisit Vrana,
në kapërcyellin mes dy shekujve, zgjedhin një rrugë të panjohur për të mposhtur
kohërat. Ideja e tyre është e thjeshtë dhe gjeniale, e frymëzuar ndoshta edhe
nga njëfarë lodhjeje, ose zvordhjeje gjenetike ndaj luftrave. Gjyshi (Plaku
Vrana), djali i tij (Poeti i Pabot(ë)uar),
dhe nipi (Djaloshi) hyjnë me vetëdijë të plotë në një “betejë” që, me kalimin e
kohës, synon të vendosë paqen, ose të paktën të shpëtojë sa më shumë jetë të
pafajshme. Ata pranojnë të luajnë një rol të rrallë, me një thelb të ndjeshëm
poetik dhe ëndërrtar. Hiqen sikur luftojnë, dalin në televizor, në lajme e
dokumentarë që paraqitin jetën e ballkanasve, duke harxhuar njëherazi sa më
shumë municion.
Veprimtaria e Vranajve mund të emërtohet edhe “verbim plumbash”.
Mirpo poezia, ose teatri i tyre, shlyhen me gjak, jo si në art. Art është vetëm
jeta e tyre; vdekja mbetet pó ajo që mbyll çdo jetë njerëzore. Nga një botë më
tutje, të tjerë vdekatarë bëjnë çmos e nuk stepen para asgjëje që municionet të
mos shkojnë dëm. Njëra palë flijohet për çarmatimin, kurse tjetra: për arritjen
e paqes përmes vdekjes së sa më shumë njerëzve. Është vetëm njëra nga linjat që
lidh e ndan dy botët e pranishme në pjesë (pa llogaritur botën e teatrit),
derisa të gjitha treten në botën tjetër. Nga ku, në gjendjen e
tanishme, çdo botë është vetëm “më tutje”.
Ardian-Christian Kyçyku
2012