Pika që qan

Kur vdiste perandori i radhës, një si e vjellë gëzimi, prej gjaku e lotësh të parrjedhur, llokoçitej brenda robërve. Pasardhësit në pushtet nuk kishin kohë as të gëzoheshin, as të hidhëroheshin, as të lebetiteshin nga e ardhmja e afërt, ose e mesme, se duhej të hanin shoshoqin. Vetëm kasnecët, secili në qelinë e vet, binin në gjunjë dhe luteshin të ngashëryer.
- O, Zota, jepini gjithçka atij që vjen, vetëm poezi jo!
Kasnecët ishin të vetmit që, edhe pa i njohur sivëllezërit e tyre, luteshin gati njëlloj që perandori i ri të ishte gjer edhe më i pashpirti ndër gjallesa, më gjakpirësi, më përbindëshi, vetëm dhunti, apo etje për poezi të mos kishte.
Si më të hijshmet kohëra të qytezës patën mbetur në kujtesë ato të Shurdhmemecit, perandor që e pat çuar gjakun gjer në gju, por nuk kish shkruar as edhe një shenjë të vetme. As për dënime me varje a djegie, as për ndonjë falje nga ato që dëbojnë mësyshjet, as për shtatoren që i patën ngritur.
Mirpo e keqja nuk u ndahej qytezave, ku pushtetarët, sado vocrrakë e kalimtarë, vuanin nga sëmundja e të shkruarit. Si për të tallur nënshtrimin e gjatë të disa breznive, perandorët e rinj bënin kërdinë mbi njerëz, aq sa më mirë t’i futeshin poezisë, kurse ata të moshuarit shkruanin me aq zell, sa më mirë të vrisnin njerëz të pafajshëm. Për kasnecët dhe prindërit e tyre, - se kasnecët nuk mund të kishin gra e fëmijë veçse përkohësisht e gabimisht, - ata që shkruanin ishin mishërime të vetë Mallkimit.
Çastet kur avitej mortja e perandorit të radhës ishin të ngjashëm: gjer edhe gurët, muret, myshku, merimangat, vera brenda buteve sikur mbanin frymën, mekeshin, mpakeshin, rrinin pezull gjersa fryma e të Epërmit dilte nga fyejt e kockave të tij, nga damarët, nga dejet, njëherazi me çdo lloj fuqie, dhe vetëm pasi kurmi i tij rëndohej e ngrinte, ende me ankth, rimerrnin vëllimin e përhershëm. Në ato çaste dukej qartë sa jetëgjata janë sendet dhe gjallesat e rëndomta. Në ato grima kohe qelia të dukej sa një botë, rrethuar jo prej muresh, por prej rrugësh, pyjesh pa fund, detesh e malesh të thepisur, ku s’ka shkelur dot as vështrimi. Atëbotë, në terr, kasneci binte në gjunjë dhe përgjërohej. Dinte se kish plot sivëllezër, më pak se binjakë, por më shumë se të zakonshëm, dhe besonte se lutjet e të gjithëve bashkë do të dëgjoheshin. Këta ishin kasnecët pa kumte, në pritje, sepse ata që qenë nisur në dërgata nuk ktheheshin mbrapsht. Mjaft rrallë, fanitej në qytezë, në kuti druri, ose në thes, koka e ndonjërit syresh, dhe kjo ishte shenjë e mbrapshtë, se perandori asnjëherë nuk rrinte pa kthyer përgjigje, në mos me pó atë kokë, me kokën e ndonjë kasneci tjetër.
Këmbimi i kumteve ndërmjet perandorëve, ose mes këtyre të fundit dhe vartësve që vepronin jashtë kufijve, qe zbuluar vite më parë, në atë hapësirë që rëndom quhet ‘errësirë e shekujve’. Kasnecët zgjidheshin pak minuta pasi dilnin nga barku i nënës. Dhjetë oborrtarë të besuar, me në krye Komandantin e Punëve të Fshehta, rendisnin foshnjat e ditës (javës, muajit etj) në një sallë pa dritare, që ndriçohej vetëm nga qirinjtë dhe nga një rreth vezak i hapur në tavan, dhe i hulumtonin. Nëse numuri i foshnjave me koka sa më katrore, të sheshta, ose petashuqe nuk ishte i mjaftueshëm për frymëzimin e perandorit dhe për punët e fshehta, ndahej veçmas një grup foshnjash që premtonin, pra që përgatiteshin si kasnecë.
Koka e kasnecit duhej t’i ngjante sa më shumë njërës prej atyre pllakave të gurta, ose tullave ku gdhendnin kronikanët dhe poetët. Mesatarisht vetëm një në pesë mijë ishte vajzë; krejt kasnecët e tjerë ishin meshkuj. Qysh në muajt e parë të jetës, kasneci kishte një qeli të vetën, tesha të siguruara, ushqim të posaçëm (nga ai që çel flokë të zinj e të forte dhe që nuk braktis kafkën) dhe pesë orë shkollimi në ditë. Lehonat nuk kishin kohë t’i mbanin bijtë e tyre për koke, që ato të bëheshin sa më majuce, as madje t’ua gërvishtnin keqas, që të mos tërhiqnin vëmendjen e oborrtarëve. Prandaj në qytezë besohej, ndoshta me të drejtë, se kasnec lindesh, nuk bëhesh.
Kur frymëzimi e thërriste, - ashtu siç do thërriste shekuj më vonë detyra, ideja, atdheu etj, - kasneci thirrej në punishten e punëve të fshehta (jo rrallë e quanin Tempulli) dhe i nënshtrohej misionit. Së pari ia rruanin kokën në trajtë katrore, mes katër qosheve të kafkës, pak mbi veshë. Pjesa e rruar lyhej me një lëng pa emër. Për të shmangur çdo gabim shtypi, apo dëm ndaj drejtshkrimit, koka kapej në njëfarë kafazi të hekurt, ku nuk lëvizte dot as sikur të teshtinte, të kollitej, të përpëlitej a të vdiste.
Veshët ia taposnin me dyllë, kurse sytë ia lidhnin me një rreckë të zezë.
Shkruesi i perandorit (skribi, shenjuesi, zëdhënësi) hipte mbi një shkallare që kishte një fronkë në majë, teksa perandori rehatohej në fronin prej floriri e diamantesh, dhe ia nisnin artit. Se ajo nuk qe punë, po art. Art i kulluar dhe i pamëshirshëm, një hap këtej, apo andej krimit, siç ishte arti në ato kohëra shenjash.
Perandori e shqiptonte kumtin disa herë, me zë jo fort lartë, si në një ritual, dhe Shkruesi duhej të priste variantin përfundimtar, që koka e kasnecit të mos shkonte kot. Jo ngaqë nuk kishin koka, por ngaqë perandori, edhe kur ishte duke shkruar kumtin a poezinë e parë, duhej të dilte nga punishtja i bindur se nuk lëkundet, nuk gabon, nuk shkruan e ndreq, si puna e poetëve.
Shkruesi ishte banori që dinte më shumë shenja. Heraherës, sidomos kur frymëzimi i perandorit kaptonte hapësira të panjohura, ose zjarrmitej e shkumëzonte për arsye krejt të ndryshme nga ngjarja, shkruesi kishte leje të gdhendte me thikën e posaçme edhe shenja të reja, të frymëzuara nga krijimtaria e perandorit, por asnjëherë më kokë të vet. Zbërthimi i atyre shenjave i përkiste lexuesit. E nganjëherë ishte mirë që lexuesi të kuptonte se s’mund të dijë më shumë e s’mund të parashikojë lartimet gjuhësore të krijuesit.
Me qëllim që heshtja të zinte vendin e duhur në krijim, shkruesit ia prisnin gjuhën qysh kur niste shkollën e shenjave, kurse duart ia mbanin rrasur në dy kaushë prej druri, të lidhur me zinxhirë. Çelësin e drynit e mbante vetë perandori.
Pasi koka e kasnecit fshihej, lahej, qetohej me lecka e lëngje që thajnë plagët, ai mbyllej në qelinë e vet dhe priste derisa t’i rriteshin flokët. Aty njihte më nga afër vetminë e mirëfilltë të kasnecit, sepse vetmia e rritjes së flokut ishte krejt e ndryshme nga vetmia prej kasneci pa kumt. Nëse ndodhte që kasneci ta kish flokun të çelët, të thinjur para kohe, apo me ndonjë ngjyrë të dyshimtë, kalonte nëpër një varg lyerjesh e larjesh me lëngje të tjerë pa emër. Ato bojëra, siç qe dëshmuar mjaftueshëm, nuk shqiteshin as në varr. Me lehtë fshiheshin shenjat e gdhendura në kafkë, sesa ato bojëra. Një kasnec qe lutur dikur që e atillë të ishte dashuria, mirpo dashuria nuk qe bojë, nuk qe ajo bojë, ndonëse bënte të rridhte aq gjak, tru e lëngje të tjerë me e pa emër.
Në më pak se gjysmë shekulli, kuzhinierët e pallatit perandorak patën mësuar se cilat gjellë (por edhe uri dhe etje) e rritin flokun si duhet, sa më shpejt, sa më të fortë.
Dikur vinte dita e udhëtimit drejt lexuesit. Në fshehtësi, gjatë bisedave tejet të rralla e shpesh vdekjeprurëse me shoshoqin, kasnecët, por më fort prindërit e tyre, atë udhëtim e quanin mërgimi, marria, rruga drejt mortit, dita e pakthimit, detyra, ose përmbushja e misionit. Kasneci nisej drejt atij që do të lexonte kumtin. Deri tek porta e lexuesit e shoqëronin dy ushtarë besnikë, të cilët, sipas paktit, prisnin në pallat derisa perandori tjetër (që mund të ishte edhe mbret, këshilltar, dashnore e perandorit tonë, spiun(e), i / e ngarkuar me punë jashtë qytezës etj) të pohonte se e kish lexuar kumtin. Por leximi, siç lypte kokën, lypte edhe kohën e vet. Se koka e kasnecit duhej kapur sërish në kafazin tjetër, veshët i duheshin mbyllur me dyllë, sytë i duheshin lidhur me leckë të trashë (pat ndodhur edhe që koka të murosej gjer në skajet e kumtit) dhe të rruhej për lexim. Përkthyesi i posaçëm i shenjave i kopjonte ato nga koka e kasnecit në kokën e vet, por brenda, jo në lëkurë, i bluante, i peshonte, i maste dhe ia përcillte prijësit të vet. Kur përkthyesi nuk ishte i sigurtë aq sa duhej, apo kishte paqartësi ndaj ca shenjash, koka e kasnecit rrinte në dispozicion, ose ndahej nga trupi dhe mbahej në akull e kripë, që të mos prishej, se, veç të tjerash, askush nuk kish nge të mbante me bukë një kokë tashmë të lexuar.
Përgjigja vinte më vonë, sipas rastit, me përjashtim të kumteve dashurore, që kishin tjetër zjarrmi e shpejtësi. Thuhej se në atë lloj shenjkëmbimi kokat e kasnecëve binin si frutat në fund vjeshte, për shkak të drithmave, rrahjeve të harbuara të zemrës, vargjeve që shqyheshin mesveti në emër të përsosmërisë e muzikalitetit. Kur kumtet, por veçanërisht poezitë, ishin shumë të gjata, bashkëbiseduesit përdornin disa kasnecë njëheresh. Këta udhëtonin në qerre të posaçme, ruajtur me ushtarë e kafshë mishngrënëse, (përfshi një kafaz me korba të uritur), dhe zinin vend brenda qerres sipas një plani të koklavitur, si çartje e gjeometrisë, me qëllim që, po të kapeshin disa, ai që shpëtonte, - dhe gjithmonë ata kujdeseshin që të paktën njëri të mos binte në dorë të hasmit, - të kishte në kokë kyçin e kumtit përkatës.
Kronikat e kohës përmendin vetëm një rast kur një poemë dy karroca e gjatë u kap nga kundërshtarët. Pas rruajtjes së kokave, poema nuk lexohej qartë, humbte kuptimin, shndërrohej në njëfarë shpalljeje lufte, ose kërkesë zyrtare faljeje, për shkak të një kasneci që kishte të shkruar në kokë vetëm një si pikë që qan (dhe që më vonë u quajt presje). Hapësirat e zbrazëta mes shenjave të tjera qenë gdhendur në mënyrë të atillë, që e nisnin lëçitjen nga shumë anë, drejt shumë përfundimesh e metaforash, teksa vendin ku përshtatej presja e dinte vetëm shoqëruesi i karrove, i cili vrau veten para se ta detyronin të vinte presjen.
Pati raste kur perandori dërgoi tek i njëjti lexues dy kasnecë që ishin binjakë, siç ndodh rrallë e më rrallë. Secili mbante nën flokë një kumt që hidhte poshtë kumtin e sivëllait, por me shenja bindëse, jo me zhgarravina që, në pasmodernizëm, morën damkën “llafe”, ose “logoré”. Por pati edhe binjakë që çuan të njëjtin kumt drejt dy dashnoresh të perandorit. Madje pati edhe binjakë me çerek kumtesh, me hapësira të zbrazëta, me korrigjime, kundërshtime, mohime, shprehje e vargje të pabotueshëm etj.
Të gjithë stërviteshin jo vetëm si të orientohen në hapësirat e huaja, si të sillen, si të përgjigjen (se pyetjet u ndaloheshin me vdekje), ose si të vrisnin veten në rast rreziku. Gjithsesi, pak minuta para se të vrisnin veten, më parë duhej të shkulnin skalpin e vet dhe ta grisnin si me qenë lëkurë kafshe, ose shakull vere. Në fakt, kjo ishte pjesa më e dhimbshme e vetëvrasjes. Ose ishte dhimbja që e bënte humbjen e jetës më të kapërdishme, për të mos thënë të dëshiruar. Më tej, nëse krijohej mundësia, të vetëvriteshin duke përplasur kafkën ballazi, pas ndonjë shkëmbi a guri të palatuar, me sa më shumë thepa e trajta të tjera të pasakta, që as hija e kumtit, - e cila zakonisht mbetej nën lëkurën e kokës, në kafkë, - të mos binte në dorë të huaj.
Prandaj pas vdekjes së çdo perandori, kasnecët e papërdorur luteshin që zotat t’i jepnin të riut gjithçka, etje për gjak e egërsi shtazësh, vetëm dhunti, apo zell poetik jo. Disa shkonin edhe më larg, duke u lutur që perandori i ri të ishte qose, sa më plak, ose pa fallus, por edhe pa maja a vrima të tjera nga ato që drejtojnë punët e shtetit. Lutjet e tyre dëgjoheshin rrallë, ose dëgjoheshin me vonesë, sepse perandorët nuk rronin pak dhe, kur rronin shumë, ishin gjithnjë e më të babëzitur për mish njeriu, pavarësisht nga gjinia, raca, ngjyra e era, por edhe për biseda të hollësishme e plot shijë (në lëkurë koke) me sivëllezërit e tyre të largët. Ishte si një magji e zezë. Nuk merrej vesh nëse jetën ua zgjaste poezia, pushteti, apo poshtërsitë që bënin atje ku sytë dhe dëgjimi i kasnecëve nuk mbërrinte veçse nga bota tjetër.
Kohërat morën kot aty nga fillimi i mijëvjeçarit të ri, kur edhe vdekjet e perandorëve, edhe ngushëllimet, edhe ftesat në varrime e përshpirtje, në tubime e takime diplomatike, nisën të bëheshin me koka. E lusnin me shtatë palë lotë poezinë e dikurshme kasnecët e rinj, se tani sëmundja e të shkruarit kish pushtuar edhe farefisin perandorak, edhe pasunarët, edhe gratë e të gjithëve, sidomos gratë, sidomos burrat e grave që shkruanin, dhe çmimi i kasnecëve u ul, pra numuri i tyre u shtua. Një kafkë e lexuar (lexo: zbërthyer, përkthyer) sëfundi, solli të dhëna të befta për ditënetët kur shenjat dolën nga përdorimi. Ndoshta zotat qenë zvjerdhur nga lutjet me fjalë e shkrimet me shenja dhe kishin vendosur t’i njësonin.
Mirpo nuk i bënë krejt fjalët shenja.
Të gjitha shenjat u gdhinë fjalë.
Shkruesit gjuhëprerë dolën nga qarkullimi dhe vajtuan gjuhët e humbura më kot.
Shkrues të rinj ua zunë vendin, si telefoni kushtrimit, dhe këta nuk qe nevoja ta paguanin zejen e tyre me gjuhë të prera, se fjalët qenë pakrahasimisht më të përkthyeshme, më të thella e më të fshehta se sa shenjat.
Kafka përshkruan me shenja një ngjarje drithëruese: Një ushtar i moshuar hap dyert prej hekuri të qelive me kasnecë, i nxjerr jashtë dhe u bërtet i ngazëllyer: “Lutjet tuaja u dëgjuan, lum si ju, ikni, mbathjani nga sytë këmbët, shpëtoni kokat, mund të ikni ku të doni, jeni të lirë, tash e tutje mund të jetoni jetët tuaja”.
Kafka thekson se ushtari ishte shurdhmemec dhe bërtiste me shenja, duke përdorur këmbët, duart dhe shpatën.
Se kanë dalë ca gjëra të llahtarisura, shtonte ushtari, që janë në vend të shenjave. Fjalë quhen. E shenjat mund të bëhen fjalë, të gjitha, kurse këto nuk bëhen më shenja, asnjëra. As vetë s’e di si do flas tash e mbrapa unë i gjori, lum si ju…
Nuk dihej numuri i saktë i kasnecëve që sapo qenë përdorur, apo që ndodheshin në udhëtim e sipër drejt lexuesve. Se kujt ia merrte mendja që shenjat do mposhteshin aq papritur, duke lënë pas kushedi sa kafka të gdhendura?!
Dëshmia e kafkës mbyllet me një (,) të madhe, pak para se një kasnec ia del mbanë të arratiset nga duart e përkthyesit, - ndoshta perandori i ri po hartonte ndonjë kërkesë për ndihmë, ose po shkruante testamentin, - vjen me vrap, me kafaz në kokë, dhe iu përgjërohet kasnecëve të liruar:
- Pritmëni edhe mua, merrmëni me vete, mos më lini këtu, jam një prej jush, mos më lini në mëshirë të këtij fati të errët


dhe iu tregonte si dëshmi kokën e rruar, ku qe gdhendur vetëm shenja me të cilën mbyllet rrëfimi i kafkës.


(Nga Tregime të padukshme, Librarium Haemus, Bukuresht / Buzuku, Prishtinë, 2013)