"Sh/krime" [Nga "Sy", roman, 2003]

“Qysh atë natë iu bë sebep e fjetura me gojë hapur. E ndonëse goja e hapur nuk e shqetësonte, ia vuri fajin plumbit të gërmave dhe asaj zjarrmie të fshehtë, që buronte largas nga shpirtrat e hafijeve. 
I ngarkoi detyrë shtëpie Afrim Katrahurës që të llogariste pakashumë sa dhe cilat gërma nevojiteshin për peshën e një plumbi kobureje. Asisoj do të dinte me sa plumba kraharorit e pat paguar tërë atë ngadhnjim.

Gjatë një muzgu vjeshte të parë, shoku Themi iu dorëzua edhe ai me mish, me shpirt e me eshtra muzave. Ndofta qëndresa që pat synuar t’u bënte ia kish harxhuar fuqitë, por edhe dyndja e librave që shkruheshin e dilnin nga shtypi me një shpejtësi shajnitëse. U pahuan sërish lidhjet tona të fshehta e stërgjyshore me Plumbin (Pb). Vallë, sa plumb në trajtë gërmash duhej të kishim ende brenda nesh, përderisa edhe pas aq të shtënash parakrahët, mollëzat e gishtave, makinat e shkrimit dhe letrat nuk platiteshin?!

Shkruhej tri herë më shumë se më parë e lexohej tri herë më pak. Gjer edhe Afrim Katrahura botoi tre vëllime me kujtime, të titulluara: “Qyteti i gëlltitur nga sytë”, “Syri i së ardhmes” dhe “Dëshmi e hamendje rreth peshkatarëve pa koka”. Gjer edhe Doktori i Kokave e çmësyshi të shkuarën dhe të ardhmen e vet me një vëllim kujtimesh të titulluar «Tridhjetë vjet mes kokash të prera e të plagosura». Gjer edhe Koço Stërputhja botoi një vëllim me parabola, titulluar thjesht e paharrueshëm «!». Nuk mbetën pas zonja Meliha (“Jeta ime me Themin”), zonja Vera (“Si të gatuajmë qullnik, byrek me spinaq, me hithra, petanik dhe pispili”), zonja Fitore e Hasanit (“Roli i qebaptoreve në fazën e parë të vendosjes së ekonomisë së tregut në shoqërinë shqiptare të viteve ‘90”), prifti Janaq Spitalla (“Përbashkësi dhe dallime në sistemin filozofik të Nastradinit dhe Nostradamusit”), një morí autorësh («Lasgushi buzë Lumit të Trahanit», «Lasgushi duke qëruar arra me thiçkë», «Unë dhe Lasgushi», «Ne dhe Lasgushi», «Urrejtja e Lasgushit kundër regjimit gjakatar e të fëlliqur të E. H.-së», «Lirika lasgushiane dhe tranzicioni», «Vargjet e Lasgushit nën shenjën e parakes dhe vetanakes» etj), një mori tjetër autorësh: «Vetitë shëruese të barit të miut», «Jo, or jo, nuk shitem kurrë!», «Loti bën gurin copë», «Perversi i ndajnatës», «Kaltërsi e përdhosur», «Moj syshkruara - pallua», «Jaho Myneveri - fatos i Shqipërisë moderne në rrugën e integrimit në strukturat euro-atlantike», «Rakia e manit dhe glikoja e ftonjve», «Pendohu, mëkatar, sa nuk është vonë!», «Mjeshtra të prodhimit të xhezveve, saçeve dhe mullinjve të kafesë», «Terrori psikollogjik i të ashtuquajturave media të pavarura», «Bisedë e çiltër me zotin Bahri Selishta - mishërim i demokracisë evropiane», «Paranojaku dhe shantazhisti neokomunist Th. - skicë për një biografi tronditëse», «Vizioni jashtëzakonisht i avancuar i zotit Tanas Thano në kontekstin socio-historik juglindor», «Shpirtna t’lënduem», «Pse të mos kemi edhe ne një shenjt», «Kuvendim gju më gju me ilirët», «Komandant, na zuri malli!», «Genocidi i kuq», «Genocidi i kaltër», «Holokausti i murrmë», «Isaf!», e shumë të tjerë e të tjera. 

Zoti e dinte kur gjenin kohë të shkruanin, se tërë ditën e natën shullëheshin klubeve. Ose ndofta qe zbuluar në gjirin e kohës ndonjë orë e shenjtë e tipit mrekullia e shumëfishimit të fjalëve. Zoti e dinte edhe se me ç’kohë punonin rrotkat, rripkat, bojërat dhe veglat e tjera të tipografive, se trumbat me libra rrezikonin të pushtonin hapësira jetike nëpër dyqane e shtëpira. Pakkush lexonte, pothuajse askush s’blinte libra, por dallga e botimeve, - që llogaritej vetëm si një e katërta e asaj që mufatej e gatitej për botim, nuk ndalej. Ia dërgonin pastaj shoshoqit kryeveprat, me urime të stërgjata, vargje të posaçme, fjalë të urta, epitete, komplimente mbigjinore, vulosur me nga një «përzemërsisht» batërdisës dhe me ca firma të pazbërthyeshme, që s’ishin firma, po vetëtima të zeza. Pastaj, ndofta gjatë një ore tjetër të shenjtë, - se prapë plakeshin ditenatë klubeve, mejhaneve e qebaptoreve, - i futeshin kërkimit të vetvetes në librat e të tjerëve. 
Mes aq tullave që nguteshin të rrethonin si mes ca muresh të shenjtëruar tërë bëmat e jetës së dikurshme, tullat e Afrim Katrahurës dhe të skotës së vegimtarëve në përgjithësi ishin për t’u puthur në ballë po t’i krahasoje me dyqind e ca vëllimet me poezi të të gjitha ngjyrave e kaheve, me vëllimet e kujtimeve të aq banorëve “mungesorë”, siç i pagëzoi zoti Themi. Dhe ndjeu qartë se muzat po përgjëroheshin për Ustanë e Madh. Për shkrimtarin vigan që nuk kish dashur të përzjehej në gjeratoren e të pandërgjegjshmëve, që pandehnin se lavdia ishte pronare kuplaraje e me dy aspra të jepte shtojzovallen dhe strofullën që doje. Mjaft më! Qe neveritur kjo tokë duke mbuluar shtylysh shkrimtarësh të mirënjohur, të spikatur, të dëshmuar, të pëndjekur, të diplomuar, të paharruar, mjeshtra të fjalës e të ngjalës, kopukë, dallkaukë e spurdhjakë...
Jo, mor dystabanë, u qe hakërryer zoti Themi tërë mllef. Ka një usta në këto gjëra, ashtu siç ka një usta në punë të dosjeve, të pushtetit, të tregtisë. 
Dhe, pa hedhur më vickla metafizike, me gjestet e atij që detyrohet të shtjerë në dorë lavdinë ngaqë ah, s’ka të tjerë të zgjedhur, Ustai rrëmbeu stilografin dhe pjesën e pashkruar të fletëve që pat zgjedhur nga dosjet dhe iu fut shkrimit të kujtimeve. Ndihej i mbushur gjer në grykë me dritën e bëmave dhe të metaforave që pat bartur e mbartur për kaq vite me përkushtim dhe tani e shihte veten të detyruar t’ua përcillte breznive. Në vend të bojës, i bëhej se kish rënë në ujdi me venat e qiejve dhe përdorte një lëng hyjnor”.

Fragment nga “Sy”, roman,

Dimër 2003