Hapësira ku s’jam as askush e as tjetërkush / një bisedë e shkurtër për Gjuhën Shqipe


1. A është e rëndësishme për brezat e rinj të shqiptarëve jashtë vendit që të ruajnë gjuhën shqipe? Nëse po, për çfarë mendoni se u shërben? 

Më duket jo e rëndësishme, por e domosdoshme gjer edhe vetëm për hir të letërsisë shqipe, që ka nevojë të ngutshme për lexues të paprishur nga mendësitë e deritanishme dhe degëzimet e tyre. Njëherazi, si gjuhë e rrallë e një kombi që këto kohë ka nisur të fitojë emrin e saktë mes të tjerëve, shqipja mund t’i ndihmojë të punësohen në vende, për të cilët ka mjaft kërkesa dhe pak konkurrencë. 

2. Gjuha shqipe – ndihmesë apo pengesë për integrimin e shqiptarëve jashtë vendit? 

Falë dhuntive të jashtëzakonshme të shqipes për „të mësuar” e përdorur gjuhë të tjera, sado të vështira qofshin, s’mund të jetë veçse një ndihmesë. 

3. A duhet të ketë një politikë shtetërore për mbështetjen e përhapjes së gjuhës shqipe në botë dhe cili është roli i insitucioneve shtetërore në këtë proces? 

Mësimi i gjuhës amtare në mërgatë mbetet një akt „i mbyllur”, shpesh vetjak ose në grupe të vegjël, pakashumë si vetë mërgimi dhe, për shumë arsye, nuk i ka për zemër ndërhyrjet zyrtare gjer edhe kur ato vijnë për të ndihmuar. Mes mërgimtarëve dhe zyrtarëve që veprojnë në vendlindje marrëdhëniet nuk janë gjithmonë si në shtyp, në shkresa e në këngë popullore. Nismat e të dyja palëve ndaj mësimit të gjuhës përcaktohen nga pse-ja e tij – dhe përgjigjen e zgjedh secili mërgimtar më vete. Të mos harrojmë se shqipja moderne nisi të mësohet nga jashtë brenda, jo e anasjellta, përmes abetaresh e librash të shkruar e të botuar në mërgatë. Ndaj edhe nevojitet një program afatgjatë për mësimin e shqipes, tani nga brenda (kam parasysh shtetin), hartuar në bashkëpunim me ata mërgimtarë që jo vetëm e ruajnë shqipen, - se mund të ruash një gjuhë edhe duke folur me vete, derisa vdes, - por edhe e flasin dhe e shkruajnë në nivel të epërm. 

4. Përtej politikave shtetërore, cilat mendoni se mund të jenë rrugët më efikase për mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe jashtë vendit? 

Këmbëngulja e prindërve dhe e gjyshërve për t’i bindur pasardhësit e tyre ende-pa-gjuhë amtare se shqipja është shumë më tepër se çdo trajtë a shprehí e hapësirës së tanishme shqipfolëse. Po të rimerrnim një shprehje hebraike, do të mund të thoshim: Nuk ndihem krenar se i kam gjyshërit dhe prindërit shqiptarë, por fëmijët dhe nipërit. 

5. Çfarë është për ju gjuha shqipe?  


Hapësira ku s’jam as askush e as tjetërkush.


* Ardian KYÇYKU (pseudonime letrare: Ardian-Christian Kyçyku / Kuciuk), lindur në Pogradec më 23 gusht 1969, autor i mbi 50 librave origjinalë shkruar në gjuhët shqip e rumanisht. Mbaroi studimet e larta në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës. Është doktor i shkencave filologjike, doktorand në teologji dhe profesor universiteti. Mes viteve 2008 dhe 2020 ka qenë dekan dhe rektor. Autor i kursit universitar „Elemente të kulturës dhe qytetërimit ballkanik” (nga viti 2002), ku, për herë të parë në arsimin e lartë rumun, i kushtohen disa kapituj letërsisë shqipe; i librit „Outizëm dhe pagjumësi” – studime mbi disa autorë e krye/vepra të letërsisë shqipe (2013), dhe i „Një alfabet i poezisë shqipe” – 101 autorë shqiptarë në rumanisht (2003). Bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i Revistës Haemus (Bukuresht, 1998) dhe i „Kurs intensiv për mësimin e gjuhës shqipe” (nga viti 2010).


Pyetjet u hartuan nga Qendra e Botimeve për Diasporën