Një zë nga Poradeci i përhershëm

Bisedë me shkrimtarin Ardian-Christian Kyçyku
Pogradec-Bukuresht, gusht 2009
Botuar në Gazetën MOKRA dhe në Gazetën 55, shtator 2009


Llazi Tona: E keqja tek ne shqiptarët është se nuk njohim trungun tonë familjar, të paktën deri në 7 breza para nesh. Cilët janë gjyshërit dhe stërgjyshërit tuaj, çfarë kanë bërë ata për fisin tuaj, për kombin, ku janë shquar… E them këtë, sepse pikërisht të parët na sollën në ditët e sotme dhe sepse, nga mosnjohja, kanë lindur mjaft shfaqje të këqija. Mendimi juaj?


Ardian-Christian Kyçyku: E keqja nuk është se shumica nuk e njohin prejardhjen, por se, duke e njohur, apo pa e njohur veçse përciptazi, nisin e sajojnë, e mbushin me lajlelule, e fisnikërojnë dhe presin të drithëruar që dëshmitarët e së vërtetës të vdesin pa e hapur gojën, ose të mos i besojë kush. Këto të këqija nuk më janë avitur, sepse i njoh mjaft mirë rrënjët. Njëri prej katragjyshërve të mi, Thanas Kyçyku, për shembull, di se tregtonte gurë (themelesh, ose muresh) deri në Vjenë, Budapest, Selanik, Bukuresht, Stamboll e gjetkë. Ndoshta qenë copëra nga shkëmbinjtë anës gjolit. Duket si një mënyrë për të shpërndarë nga pak histori, kujtesë dhe shije të epërme Poradeci nëpër Evropë. Njëri nga djemtë e tij, Stefan Kyçyku, u zgjodh kryeplak në zonën tonë, me myhyr të posaçëm nga Porta e Lartë. Aleksandër Kyçyku, djali i tij i madh, zgjeroi e pasuroi më tej Hanin e Kyçykëve, që përmendet edhe në ditaret e disa udhëtarëve perëndimorë, pastaj mërgoi në Amerikë, ku i ka eshtrat edhe sot e kësaj dite. Stërgjyshi tjetër, Leon Kristo Ilo, ishte tregtar që u kthye në Pogradec pasi punoi plot 26 vjet në Stamboll, ku pati, mes të tjerash, edhe dy hotele në lagjen Beyoglu, që njihej e vazhdon të njihet si lagjja më moderne e Konstandinopojës. Gjyshërit e mi, Llazi Kyçyku dhe Vangjel Koci (nga ana e nënës) ishin të dy mjeshtër në përpunimin e drurit, mobiljerë, njerëz të thjeshtë, me zanatin mësuar në Ohër, rrëfimtarë të rrallë, secili me një stil e ritëm të dallueshëm nga tjetri, njëri më i rrënjosur në mitologji, tjetri në historinë e përditshme. Gjyshërit mbetën për mua dy shkrimtarët më të shquar të shqipes, ndonëse nuk botuan asnjë rresht.



- Ç’dini ju për trungun e Kyçykëve? Vendi dhe datëlindja juaj?


Pjesë nga saga e jashtëzakonshme e Kyçykëve, fisi nga i cili rrjedh, i kam shkruar në disa prej librave të mi, që shoqërohen me fjalën “shkujtime”, ngaqë janë kujtime të një lloji të veçantë. Nga Kyçykët kanë dalë njerëz me shkëlqim të fshehur, ta themi, si Koli Kyçyku, kryeplak, nëna e Lasgushit, Kostandina, apo nëna e poetit të sotëm Dhimitër Pojanaku. Do të përmend me nderim edhe të ndjerin Gjorgji Kyçyku, xhaxhain e tim eti, emrin e të cilit e mban tani stadiumi i Pogradecit. Disa nga dhuntitë e moçme të fisit janë ruajtur ende, në kushtet e tanishme… Mirpo ashtu siç ka libra, të cilët nuk mund t’i lexosh e t’i tretësh pa kaluar një moshë, ose një shkallë të caktuar drite, paska edhe libra, të cilët s’mund ta shohin dritën e botimit atëhere kur dëshiron autori. Sepse vërtet kam dashur që gjyshërit e mi të mund të më lexojnë. Nuk qe e thënë. Prandaj vazhdoj të pres atë çast botimi dhe të pi nga një cigare me varret e tyre, kur vij këtu.
Jam lindur në Pogradec më 23 gusht 1969. Dyzet vjet më vonë, pra, para pak ditësh, kalova bashkë me tim atë para maternitetit të vjetër dhe i bëra ngrehinës një fotografi. Dyzet vjet më parë fotografoja qytetin nga materniteti, i thashë, kurse tani maternitetin nga qyteti.


- Prindërit tuaj. Jeta dhe veprimtaria e tyre në shoqërinë shqiptare…


Në fillim të viteve ’90, ndodhi të takoja një nënë që thoshte si e dalë mendsh: Of, shyqyr që na ikën çunat jashtë, që të rrojmë edhe ne ca më mirë! Prindërit e mi erdhën pas meje dhe tim vëllai në Bukuresht dhe jo vetëm ndanë me ne hidhërimet e gëzimet, por edhe na mbajtën me bukë, me shtëpi e me zemër, ashtu siç rrallë di të ketë ndodhur. Për tim atë, Kopi Kyçykun, flasin më mirë ata mbi 50 libra që ka shkruar e botuar, në fusha si letërsia, historia, publicistika, memorialistika e gjeologjia, apo puna që ka bërë që nga miniera e Gurit të Kuq, Ndërmarrja Gjeologjike, Komiteti Ekzekutiv, Kuvendi i Shqipërisë, Televizioni Shqiptar, Ministria e Punëve të Jashtme, Universiteti i Tiranës, Akademia e Shkencave, Universiteti i Bukureshtit etj. Nëna, Martha Kyçyku, ka qënë mësuese, që nga Starova e viteve ’60 në Babrrunë dhe Tiranën e viteve ‘80, dhe, veç ndihmës së pazëvendësueshme në rritjen e sime bije, ka gatuar që unë të mund të shkruaj shqip duke u ushqyer shqip.


- Ç’është për ju fëminia?


Parajsa për të cilën as vetë nuk di si t’i shtrosh pyetjet. Më saktë: përgjigjja vendimtare e vegimtare që të dhurohet nga Lart, kur ende nuk di ç’domethënë pyetje.


- Çfarë shkollimi keni kryer?


Pas kopështit “Tomka Laçka”, - ndërtesa e të cilit ishte një çudi më vete, - nisa shkollën “Gjok Shqiptari”. Pastaj u shpërngulëm në Tiranë, ku përfundova filloren tek “Hoxha Tahsini” dhe të mesmen “Partizani”. Kreva Fakultetin e Histori-Filologjisë në Tiranë, dega Gjuhë-Letërsi, dhe doktoraturën e parë, në letërsi botërore e të krahasuar, në Universitetin e Bukureshtit. Njëkohësisht, ndoqa studimet për doktoraturë në teologji dhe u specializova në shkencat humane dhe të komunikimit, ku nisa edhe karierën universitare.


- Cila ka qënë prirja juaj në shkollën e mesme? Ishit më të dhënë ndaj lëndëve shoqërore, apo shkencore?


Prirja ime e vetme në atë kohë ishte si t’i mbijetoja duke jetuar sa më hijshëm kalimit drobitës nga Pogradeci (lexo: fëminia e kulluar) në Tiranë (lexo: rinia e pafilluar).


- Formimi letrar për çdo nxënës bëhet gjatë shkollës së mesme. Çfarë librash keni lexuar atëhere?


Shumë libra. Gjatë pushimeve që i kaloja në Pogradec, lexova qysh herët “Plaku dhe deti”, “Hamleti”, “Makbethi”, “Ylli i zemrës”, “Rubajitë” e Omar Khajamit, prozë nga Drajzeri, Remarku, Tolstoi, disa libra të ndaluar etj. Im gjysh pat murosur njërën nga dritaret e dhomës ku flija dhe e pat shndërruar në bibliotekë. Në Tiranë, sidomos kur dyndeshin shirat, lexoja prozë nga Kuteli, Gogoli, Balzaku, si dhe shumë poezi.


- Çfarë gjuhë të huaja keni mësuar?


Nuk mund të thuash se “ke mësuar” një gjuhë. Është si të ngulmosh se ke mësuar një njeri të gjallë. Ç’është ky lloj mësimi?! E shumta mund të gërshetosh kujtesën, kohën dhe frymën tënde, herë më fort e herë më përgjumshëm, me rrjedhën e një gjuhe të huaj. Gërshetime të tilla më ndihmoi të bëj im atë, qysh në fillore. Dy metoda të italishtes, dy të frëngjishtes, pastaj nëntë vjet rusisht në shkollë, dy vjet latinisht në fakultet. Po nën drejtimin e tim eti, kreva një metodë të shkëlqyer të rumanishtes, në vitin e parë të fakultetit. Më tej ndoqa për dy vjet gjermanishten në Bukuresht, dhe disa periudha të gjata, me, ose pa mësues, në anglisht.


- Ç’është për ju rinia?


Koha kur, në mungesë të letërsisë, nuk të vjen të besosh se një ditë do të merresh nga kjo botë.


- Keni botuar libra. Cilët janë ata dhe a mund të na i përshkruani me pak fjalë?


Është e panatyrshme të bëj një përshkrim të tillë. Po rendis vetëm titujt e tyre, ashtu siç gjenden në Curriculum Vitae, duke u kërkuar ndjesë librave ende të pabotuar, që, në disa raste, janë më të rëndësishëm për mua, se sa të botuarit. Vepra letrare të shkruara e të botuara në gjuhën shqipe: Triumfi i Proteut, roman, 1990 (samizdat), Në perandorinë e gurit, roman, 1993, Mortët, roman, 1994 (samizdat), 1997, Nata pas vitit zero, novela, 1998, Përkthimi ose Jeta e një robi që nuk betohej se shihte, roman, 1999, Muza e Lojës, tre romane, 1999, Lumenjtë e Saharasë, roman, 1999, 2009, Oreksi për bukën e qiellit, roman, 2000, Diva ose Ngrënësi i Luleve, roman, 2001, Engjëjt e tepërt, roman, 2002, 2009, Kristali dhe hienat, roman, 2002, Sy, roman, 2004, 2006, 2007, Si u pushtua Çmendustani, roman, 2004, Home, roman, 2007, Në vend të Përjetësisë, dramë, 2007, Puthmë skelet - roman me fëmini, 2008, Zv.Libri, copëza jete a letre frymnëzuar nga teatri, dramë, 2008, Gjaku asnjanës – jetë suflerësh, dramë, 2009, Ati, rrëfim, 2009
Vepra letrare të shkruara e të botuara në gjuhën rumune: Viti kur u shpik mjellma, roman, 1997, 2002, E fshehta e ëmbël e marrëzisë, roman, 1998, 2002, Një fis i lavdishëm e që jep shpirt - epopeja e një harrese, 1998, 2002, 2005, Hyu Epigon, roman-ese, mbi jetën dhe veprën e poetit Lasgush Poradeci, 2000, Dashuri me shikim të fundit, prozë dhe teatër, 2000, Trilogjia, prozë e zgjedhur, 2002, Koha e zëvendësve, libër-intervistë kushtuar shpirtërimit shqiptar, 2003, Shtetrrethim – roman i shkruar me shumë pak thonjëza, 2004, 2008, Ish – roman me dashuri & konspiracion, 2005, Një alfabet i poezisë shqipe, antologji, 101 poetë shqiptarë në gjuhën rumune, 2003, Hyrje në semiotikë, ligjërata universitare, 2004, Shenjat dhe Kështjella, ligjërata universitare, 2006 Ligjërimi i një pagjumësie (Brevetarea unei insomnii) – studim kushtuar jetës dhe veprës së 8 autorëve shqiptarë që u përfshinë në vëllimin I të antologjisë “Bukuria që vret”, zgjedhur e përkthyer nga Kopi Kyçyku, Bukuresht 2006, Vend për një kukull të vetme – rrëfim për t’u filmuar / film për t’u rrëfyer, 2008, Empatikoni ose Libri i jetës së parakohëshme, roman, 2008, 2009



- Me çfarë kulture jeni pajisur: të Evropës Lindore, apo Perëndimore?

Kultura mund të jetë shpirtërore, ose jo, prirur ndaj Frymës, ose ndaj lëndës. Besoj se, së shpejti, zonat e sunduara tashmë nga lënda, zvjerdhur e trembur nga mefshtësia e kumtit kulturor që përcjellin dhe e së ardhmes, do të nguten t’u venë hapësirave dhe ngjarjeve emrat e vërtetë, duke e ndarë si duhet shapin nga sheqeri.

- Hegeli ka ndaj letërsisë dhe arteve pikëpamjen se fantazia ndaj realitetit është si krimbi ndaj elefantit. Mendimi juaj?

Mendoj se përmasat e elefantit, në këto kohëra, janë të papërfillshme në krahasim me numurin dhe babëzinë e krimbave. Nga ana tjetër, duke lënë mënjanë shakatë, më duket se Hegeli ka pasur një besim ca si të tepruar te krimbat. Ndoshta nuk ka ditur cili është krijuesi i elefantit.

- Cilët janë poetët që ju parapëlqeni: Homeri, Dantja, Gëteja, Botevi, apo Mihai Eminesku?

Meqë thatë poet, po them Mihai Eminesku.

- Ç’është për ju familja?


Ushtarëve të hershëm u theksohej se, në luftë, disiplina është shpesh më e rëndësishme se vetë jeta. Në këtë jetë që është luftë e shumëfishtë, ose anasjelltas, familja mbetet gati po aq e rëndësishme sa jeta.

- Në Bulevardin Europa, në aksin qëndor, janë vendosur pllaka mermeri me emrat e figurave të shquara të kontinentit… Mes shkrimtarëve Hygo, Servantes, Dostojevski, Kafka, Ibsen etj, cilin keni më për zemër?

Bulevardi që zutë në gojë m’u duk një brinjë e sëmurë, ngulur si për zbatim të ndonjë direktive, mes brinjëve të natyrshme të qytetit. Kishte hije mortnore dhe nuk e shmangie dot përshtypjen se po shkel mbi eshtrat e ca njerëzve, shumica dërrmuese e të cilëve rrojtën e vdiqën pa marrë vesh fare ç’ishte e nga binte Pogradeci. Më saktë: nga binte Enkelana, që ishte qytezë kur Evropa e sotme kishte më pak emërtime se fise, e shumë më tepër fise se sa qyteza. Por ndoshta do të vijë koha kur në një rrugë të hershme të Pogradecit, vendës e ardhacakë të shohin një riprodhim të "kullës" së Lasgushit, ose qoftë edhe ndonjë tullë, a gur temeli, një riprodhim të shtëpisë së Mitrushit, të Kinema “Pojskës”, të Turizmit të Vjetër, të Muzeumit, ndonjë nga gjemitë e dikurshme të peshkimit, një avlëmend (“vegël” në gjuhën e plakave tona), një akuarium të madh me koranë, belushka, mërena, pllashica, karavidhe etj, disa rrjeta si qëmoti, brendinë e ndonjërit prej shumë qilareve ku bëhej vera e rakia, disa bute, ndonjë kazan rakie, ndonjë hardhi, si dhe një mur të mbushur me fotografi nga Poradeci i përhershëm, por edhe me vende të veçanta, ku njerëzit të shkruajnë përshtypjet e tyre, ose të vendosin fotografi, fletë dorëshkrimesh, etj… Gjendet një kafene e hijshme në Pogradec, Shtëpia e Miqve quhet, ku mbahen gjallë me përkushtim copëza nga epokat magjike të qytetit.

- Jetoni prej kohësh në Rumani. Cilat janë, sipas jush, lidhjet më të forta midis Shqipërisë dhe Rumanisë?

Edhe sikur të pëmendinim vetëm se hapësira rumune, ose mioritike, siç quhet shpesh, mbetet hëpërhë më fatlumja për letrat shqipe, veçanërisht për shkrimtarët e mëdhenj të lindur në Pogradec, si një truall-gjuhë ku panë së pari dritën disa nga kryeveprat e letërsisë shqiptare, do të mjaftonte.

- Ndër figurat e shquara të politikës, në bulevardin që zumë në gojë pak më parë, janë…. Cilët preferoni?

Po ju përgjigjem me një pyetje mëse të merituar nga politika: cili prej tyre bëri që unë të kem një shtëpi timen në Pogradec nja 740 vjet pasi fisi im jeton këtu?


- Mes filozofëve që radhiten aty përmenden Platoni, Volteri, Zhan-Zhak Rusoi, Niçja etj. Cilin preferoni?


Nuk e pashë gjëkundi emrin e Shën Maksim Dëshmuesit, për shembull, as të Monsinjorit Vladimir Gjika, para veprës filozofike të të cilëve mjaft mendimtarë zulmëmëdhenj jo vetëm duken, por edhe janë ende në gjendje veze.


- Ndër skulptorët e shquar janë Mikelanxhelo, Rodeni e të tjerë…


Keni dëgjuar ndonjëherë për rumunin Konstantin Brankush, që jetoi në Paris, i njohur si Princi Fshatar, dhe i cili thoshte se skulpturat e tij janë gjer edhe për të verbërit? Nuk ka dalë deri më sot ndonjë i verbër ta kundërshtojë. As ndonjëri me sytë në ballë.


- Dramaturgu që ju admironi?


Më ka befasuar Luixhi Pirandelo.


- Pija që ju pëlqeni?


Vera “Gejms”, gjysmëlitërshe, e Pogradecit, dhe fërneti.


- Ngjyra juaj e preferuar është jeshilja, e kuqja, apo e kaltra?


E muzgut.


- Pështypja juaj për Pogradecin e sotëm.


Ndonëse nuk jetoj këtu prej vitesh, nuk vij asnjëherë si turist dhe asnjëherë rastësisht. Koha e të qënit larg i ka fshirë tashmë mjaft nga kujtimet e pakëndshme dhe të gjitha zhurmat e gërvimat që nuk i vlejnë letërsisë. Ndodhi që kësaj here, kur erdha të festoj dyzetvjetorin, Enkelana e fëminisë sime, e librave në shqip e rumanisht, dhe copëza thelbësore të Poradecit të sotëm të gërshetoheshin mrekullisht. Varrezat e qytetit, Gështenjat, qenë ngushtuar, a thua se të gjallët, në ngarendjen e tyre për të rrënuar, ndërtuar, rrënuar etj, mezi presin t’ua marrin frymën të vdekurve, me bindjen se atje rri groposur vetë Kujtesa, ose të dëshmojnë se ky qytet ka vetëm të gjallë. Ca shënja të kësaj natyre, siç ishte shkarja e varreve dhe përzjerja e eshtrave, nuk duhen shpërfillur. Pogradeci ka pasur aftësinë t’i përshfaqë njerëzisë nga një fytyrë për çdo kohë, duke pasur vend për të gjithë, por kuptohet: shumë janë të ftuar, pak janë të zgjedhur. Se vend kishte edhe Kina perandorake kur u dynd nga të paftuarit që kishin më shumë armë në duar, se sa fjalë në gjuhë, dhe perandori urdhëroi të mos luftonte kush, por vetëm të hapeshin dyert – dhe hynë të paftuarit qosh më qosh, rrëmbyen toka e varre e shpikën prejardhje e më-the-të-thashë, dhe pas disa muajsh e gjithë popullsia ishte sërish krejt kineze, asnjë të paftuari nuk i gjendej gjurma, varri, kujtimi, prejardhja. Jo rastësisht në Pogradec vinte Lasgushi, vinte Mitrushi, por vinte edhe E. Hoxha, vinin korifejtë e realizmit socialist, si dhe gjithfarë drejtuesish partie, ish-luftëtarë, ish-të përndjekur, çifte të rinj për muajin e mjaltit, apo thjesht me pushime. Të gjithë dukeshin të përjetshëm e të pazëvendësueshëm, por, në të vërtetë, si i këqyrte dhe si i trajtoi kujtesa e Pogradecit? Sa më përket, gjithnjë prania ime këtu është dukur gjysmë fantomatike. Mbase ngaqë qysh kur nisa të shkruaj, pó në Pogradec, jam gjendur vazhdimisht mes të vdekurve e të gjallëve, mes Pogradecit të mirëfilltë, një Pogradeci kalimtar, vetes dhe Pogradecit që ngjizej në librat e mi. Në mbi dhjetë syresh (po përmend vetëm zv.Libri, Sy, Viti kur u shpik mjellma, Diva ose Ngrënësi i Luleve, Mortët, Një fis i lavdishëm e që jep shpirt, Puthmë skelet – roman me fëmini, Demi i Zi) mund të lexohet tashmë Pogradeci si një glob në miniaturë, ose universi si një Pogradec i zgjeruar. Jashtë librave, u çmalla me të afërm e miq që nuk i pata parë ç’prej afro njëzet vjetësh, dhe takova njerëz e shkrimtarë që më njihnin vetëm nga librat dhe nga ato që shkruhen rreth punës sime. Një përshtypje të këndshme gjeti ime bijë, e cila vinte për herë të parë në Shqipëri. Ngaqë shkruan e vizaton parreshtur, ajo ka heraherës mpirje kyçesh. Falë kaq duarve sa shtrënguam këto ditë, më tha e ngazëllyer,
të paktën për ca vjet do të shkruaj pa frikë.