Një zë nga Poradeci i përhershëm

Bisedë me shkrimtarin Ardian-Christian Kyçyku
Pogradec-Bukuresht, gusht 2009
Botuar në Gazetën MOKRA dhe në Gazetën 55, shtator 2009


Llazi Tona: E keqja tek ne shqiptarët është se nuk njohim trungun tonë familjar, të paktën deri në 7 breza para nesh. Cilët janë gjyshërit dhe stërgjyshërit tuaj, çfarë kanë bërë ata për fisin tuaj, për kombin, ku janë shquar… E them këtë, sepse pikërisht të parët na sollën në ditët e sotme dhe sepse, nga mosnjohja, kanë lindur mjaft shfaqje të këqija. Mendimi juaj?


Ardian-Christian Kyçyku: E keqja nuk është se shumica nuk e njohin prejardhjen, por se, duke e njohur, apo pa e njohur veçse përciptazi, nisin e sajojnë, e mbushin me lajlelule, e fisnikërojnë dhe presin të drithëruar që dëshmitarët e së vërtetës të vdesin pa e hapur gojën, ose të mos i besojë kush. Këto të këqija nuk më janë avitur, sepse i njoh mjaft mirë rrënjët. Njëri prej katragjyshërve të mi, Thanas Kyçyku, për shembull, di se tregtonte gurë (themelesh, ose muresh) deri në Vjenë, Budapest, Selanik, Bukuresht, Stamboll e gjetkë. Ndoshta qenë copëra nga shkëmbinjtë anës gjolit. Duket si një mënyrë për të shpërndarë nga pak histori, kujtesë dhe shije të epërme Poradeci nëpër Evropë. Njëri nga djemtë e tij, Stefan Kyçyku, u zgjodh kryeplak në zonën tonë, me myhyr të posaçëm nga Porta e Lartë. Aleksandër Kyçyku, djali i tij i madh, zgjeroi e pasuroi më tej Hanin e Kyçykëve, që përmendet edhe në ditaret e disa udhëtarëve perëndimorë, pastaj mërgoi në Amerikë, ku i ka eshtrat edhe sot e kësaj dite. Stërgjyshi tjetër, Leon Kristo Ilo, ishte tregtar që u kthye në Pogradec pasi punoi plot 26 vjet në Stamboll, ku pati, mes të tjerash, edhe dy hotele në lagjen Beyoglu, që njihej e vazhdon të njihet si lagjja më moderne e Konstandinopojës. Gjyshërit e mi, Llazi Kyçyku dhe Vangjel Koci (nga ana e nënës) ishin të dy mjeshtër në përpunimin e drurit, mobiljerë, njerëz të thjeshtë, me zanatin mësuar në Ohër, rrëfimtarë të rrallë, secili me një stil e ritëm të dallueshëm nga tjetri, njëri më i rrënjosur në mitologji, tjetri në historinë e përditshme. Gjyshërit mbetën për mua dy shkrimtarët më të shquar të shqipes, ndonëse nuk botuan asnjë rresht.