Të presësh shpërblim nga atdheu i përkohshëm... - Bisedë


Botuar me disa shkurtime në Gazetën "Kosova Sot", Prishtinë, 6 korrik 2008

Isa Vatovci: Përveçse jeni djali i një shkrimtari, akademiku dhe poligloti (Kopi Kyçyku), edhe çka tjetër ju ka shtyrë të futeni në botën e magjishme të letërsisë?

Ardian-Christian Kyçyku: Ndikimi i tim eti që t’i hyj letërsisë ka qënë vendimtar, por kurrsesi jo si në rastet kur një prind synon të hakmerret përmes fëmijës për ato që nuk ka mundur t’i bëjë vetë. Edhe tani ne përmendim me bindje se lloji i talentit letrar të tim eti nuk kishte asnjë shans të zhvillohej natyrshëm në kushtet e dikurshme, përjashto një sërë krijimesh humoristike dhe për fëmijë, që mbeten përherë të freskëta. Gjatë tre muajve kur shkoja me pushime në Pogradec, mbanim letërkëmbim të rregullt. Ai e nuhati herët prirjen time dhe u kujdes që të mos më mungonte asnjë libër i rëndësishëm, përfshi disa libra të ndaluar, asnjë mjedis ku një shkrimtar ka ç’të vërejë e të mësojë, kurse më vonë ruajti dhe m’i solli në Bukuresht të gjitha dorëshkrimet që pata lënë në Tiranë. Thënë si pranë një kafeje mes miqsh: jo pak nga telashet që ka përballuar deri tani im atë janë nisur, në të vërtetë, drejt meje, por edhe anasjelltas. Për vite me radhë, faktin që shkruaja e kemi ditur vetëm ne të dy.


Një shtysë të fuqishme patën padyshim edhe dy gjyshërit e mi, secili me dhunti të rralla rrëfimi e me një pafundësi metaforash në mendime, por edhe bukuria gati hyjnore e Pogradecit, “vendi ku vdiset më bukur”, siç më është veguar shumë vite më parë tek “Diva ose Ngrënësi i Luleve”. Ajo bukuri shajniste dhe digjte; njeriu ndihej i gjymtë dhe mjeran aq më tepër kur ende nuk pat kapërcyer fëmininë; prandaj, në pamundësi për të vdekur sa më bukur tek shijoje dhe e vuaje Bukurinë, pa arritur as të rroje më bukur se aq, nguteshe vetiu që t’ia përcillje dikujt me shkrim si njëfarë amaneti. Kjo gjendje u shumëfishua pas largimit në Tiranë, ku(r) ndodhi mërgimi im i parë.

- Ju jeni romancier i suksesshëm dhe produktiv i letrave shqipe dhe rumune. Cilat ishin modelet tuaja të para për ta shkruar romanin, përkatësisht novelën? A ka letërsia shqipe modele për shkrimtarët më të rinj?

Ardian-Christian Kyçyku: Duket të jem lindur me një ftohtësi të patregtueshme ndaj idhujve e modeleve, por s’kanë qënë të pakta veprat që më kanë ndihmuar, disa: se si duhet shkruar më mirë, shumë të tjera: si nuk duhet shkruar kurrë. Tani është dyndur mbi mendësinë dhe kohën e lirë shqiptare çështja e identitetit, gërshetimet e tij, rrënjët, degët, lojnat e helmëta të historisë, ideologjive, politikës etj, sajuar për ta mbajtur të ngujuar vëmendjen e njerëzve në një zonë të caktuar mediatike dhe për të ndryrë brenda asaj vëmendjeje emra që rrezikojnë të humbin veprën, ose të mos kenë vepër. Prandaj mjaft autorë i shtrojnë çështjet jo aq për të gjetur përgjigje dhe për të rigjetur veten mes vorbullave të kaosit, se sa për të ndezur sherre, sepse përgjigja ndaj një pyetjeje varet kryekëput nga mënyra si harton pyetjen. Bëhet shumë bujë e pabukë dhe, për fat të keq, shumë shkrimtarë nuk i qëndrojnë dot ngasjes për t’u kërleshur me gjëra që s’lidhen fare me letërsinë. Po të përfytyronim një Gjyq të Mbramë, sa mundësi mbeten që Gjyqtari të kërkojë llogari se çfarë identiteti kishe, mbajte, përdore në jetë në krahasim me: besove tek Unë apo jo, bëre mirë a keq, shite shpirtin që s’e kishe nga vetja, apo ligështove shpirtrat e të tjerëve...?! Siç thuhet kahmot, asgjë e tepërt nuk është nga Zoti. Mbase për këto arsye edhe modelet më të shëndetshme në këtë periudhë lipset të kenë një moral sa më të panjollë. Ka ikur koha kur trysnitë e historisë përligjnin mangësitë morale, sikurse ka ikur edhe koha kur vetëm morali i lartë nuk e shton dot me asgjë talentin. Lasgush Poradeci më duket një model fatlum për të rinjtë. Lasgushi mishëron epërsisht majat e artit të shkruar në shqip, përkushtimin e vetëdijshëm dhe shpesh varrosës (me heshtje zyrtare) ndaj letërsisë, dhembshurinë, lirizmin, kultin ndaj femrës si mishërim i gjysmës së bukur që na lind e pa të cilën lindemi për ta dashuruar deri në vdekje; atdhetarizmin e mençur dhe pa gargara që prekin patologjiken dhe që fshehin shitjen e shpirtit etj.

- Ju e kultivoni edhe dramën, madje të një filozofie a refleksioni të përafërt me romanin tuaj. Thuhet se drama shqipe është në krizë. Sipas jush, bota shqiptare nuk ka dramë pse nuk ka teatër, apo nuk ka teatër për shkak se nuk ka dramaturgji?

Ardian-Christian Kyçyku: Kam shkruar drama qysh herët, por vetëm kur proza nuk e ka “mbajtur” dot temën përkatëse, ndonëse s’ka libër timin që të mos e kem përjetuar si dramë apo edhe si film. Çështja nëse ka apo s’ka dramë a teatër s’duhet t’i shqetësojë dramaturgët e shqipes. Ende s’është bjerrur ajo gjendje e ngjashme me jermin, domethënë adhurimi i paskaj dhe i vonuar, për të mos thënë puthadorja ndaj arritjeve ose zulmës së dramaturgjisë botërore, dhe pakkush i kthen sytë ndaj dramës shqiptare. Por kjo është një kohë e artë për dramaturgët tanë, sepse është e mbingarkuar me dramë të përditshme dhe të përhershme.

- Ju merreni edhe me përkthime letrare. Bashkë me babanë tuaj z. Kopi Kyçyku në gjuhën rumune keni prezantuar edhe disa shkrimtarë nga Shqipëria e nga Kosova. Si janë pritur ata nga bota kulturore rumune?

Ardian-Christian Kyçyku: Paraqitja që përmendni ka nisur tash njëzet e më shumë vjet falë punës së tim eti. Janë mbi njëqind shkrimtarë shqiptarë, pjesë nga krijimtaria e të cilëve është botuar tashmë në organe me peshë të shtypit rumun e më gjerë, pa përmendur faqet e Revistës Haemus dhe antologjinë “Një alfabet i poezisë shqipe”. Gjatë këtyre tre vjetëve, doli nga shtypi vëllimi i parë i antologjisë “Bukuria që vret” me proza nga Faik Konica, Mitrush Kuteli, Ernest Koliqi, Migjeni, Lasgush Poradeci, Anton Pashku, Martin Camaj e Hiqmet Meçaj, që do të pasohet nga vëllimi i dytë, i përpiluar disi më ndryshe, në trajtën e një romani-lumë, ku emrat e autorëve (si Bilal Xhaferi, Faik Ballanca, Dhimitër Xhuvani, Musine Kokalari, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Arian Leka, Riat Ajazaj, Ragip Sylaj, Flurans Ilia etj) dhe cilësia e prozës së tyre do të pasurohen mesveti e nuk do të mjegullohen nga prania në të njëjtin vëllim. Kanë dalë tashmë në kolanën “Enkelana” dhe janë pritur më mirë nga sa mund të pandehet disa antologji autorësh si Ali Podrimja, Arian Leka, Hiqmet Meçaj, Anton Çefa, apo romani “Parisi kot” i Bajram Sefajt dhe “Toka Shqiptare” e Abdullah Zenelit. Pothuajse e gjithë kjo punë është kryer nga im atë, nën emblemën e Shoqërisë Kulturore Shqiptare “Haemus”, kurse në anën teknike dhe në paraqitjen e letërsisë shqiptare kam dhënë edhe unë njëfarë ndihmese.

- Edhe çka do të duhej bërë që letërsia shqipe të prezantohet në gjuhët e Europës?

Ardian-Christian Kyçyku: Në trurin tonë është ngjitur si pijavicë bindja se këtë punë mund ta kryejnë vetëm dy-tri vetë, kryesisht të huaj, që nuk kanë si zeje të parë përkthimin e letërsisë, por që në vite s’kanë lënë vend e ajër për tjetërkënd e sidomos për ripërtëritjen e kësaj hapësire. Letërsitë evropiane, siç pranohet tashmë njëzëri, po kalojnë (ose s’po kaptojnë dot) një periudhë amullie, që shfaros shuma të mëdha të hollash për të nxjerrë dhjamë nga pleshti, siç thotë populli. Në këto kushte, dëshira e tyre që të pranojnë një letërsi të freskët, e cila mund ta shërojë të paktën derisa të rigjejë forcat i ngjan dëshirës së një të sëmuri që njeh melhemin, e do, por nuk mposht dot krenarinë e të pas qënit i shëndetshëm. Ka ndodhur ta them edhe më parë: mbikëqyrja dhe tutela ndaj letrave shqipe do të mbarojnë më shpejt nga sa pritet, dhe intelektualët shqiptarë që zotërojnë tashmë shkëlqyeshëm gjuhët e Evropës do t’i japin letërsisë sonë hakun që meriton, por edhe letrave evropiane fuqinë që mbase e meriton pas jo pak padrejtësish ndaj letërsive “të vogla”. Gjithsesi, një shije keqardhjeje që kjo mund të kish ndodhur shumë më herët s’ka si të shmanget.

- Ju e kultivoni edhe kritikën e esenë. Sipas jush, në cilin nivel është kritika e sotme letrare shqipe, veçmas në përqasje me kritikën letrare rumune?

Ardian-Christian Kyçyku: Ndihet një plakje dhe një rimarrje e dëshpëruar temash e strukturash, shpesh në pragun e bastisjes së paturpshme intelektuale, - “amnezi thonjëzash” quhet rëndom, - dhe një zell jo fort i shëndetshëm për të ngritur në qiell gjëra të stërnjohura dhe që nuk e pasurojnë me asgjë lexuesin apo autorin. Sa për kritikën rumune, ajo ka tashmë një traditë të pasur, por shoh se ligjet e pasmodernizmit, për të mos thënë të tregut, e mpakin rolin e traditës. Një numur kritikësh që kanë bërë emër njëzet a tridhjet vjet më parë tani merren më fort me prapaskena letrare, se sa me kritikë të paanëshme, kurse zëri i të rinjve nuk dëgjohet, sepse veshët e lexuesve janë mësuar me një lloj të vetëm ligjërimi. Është një shurdhëri që vetëshpallet qëndresë kulturore. Shkrimtari gdhihet i detyruar të shkruajë për sivëllezërit e tij dhe, kur ndodh të pahojë e të ngrejë lart vlera të qarta, por që nuk sigurojnë shitje e bujë gazetash, duket i lëkundshëm si karakter. Nga ana tjetër, kritika nuk këqyret si një dhunti më vete, e ndryshme nga letërsia, por që kërkon të njëjtin frymëzim e përkushtim, dhe, sikur të ishte një vejushë e re dhe epshndjellëse, i turren ta shtjenë në dorë të gjithë ata që i ka bërë lanét Poezia a Proza. Prandaj kritika, me përjashtime ku ëndërrojnë të përfshihen sa më shumë të paftuar, është e flashkët, pa gjak, siç ndodh kur njëri rropatet të hyjë në lëkurën e tjetrit jo për ta njohur më mirë, po për t’i jetuar hajdutçe jetën e për t’i rrëmbyer dekoratat.

- Cili është roli i diasporës sonë për kulturën dhe letërsinë shqiptare? Me krijimin e shtetit të Kosovës, sipas jush, ky rol do të duhej të pushonte apo do të duhej forcuar edhe më tepër?

Ardian-Christian Kyçyku: Marrëdhënia e qëndrave zyrtare shqiptare me Mërgatën ka qënë gjithmonë e koklavitur, por një keqkuptim (ose vetëverbim) i madh e gati fatal ende nuk është kthjelluar. Deri para pak kohësh, qëndrat i burgosnin, ose i mbanin në zinxhirë vlerat brenda kufijve, duke iu përcjellë një kumt të ashpër ideologjik mërgimtarëve, ndërsa, pas rënies së disa mureve, i mbajnë të ngujuara kryesisht jashtë. Ngjarja të kujton një truall që i ka burgjet jashtë sinorëve të vet. Mirpo s’duhet harruar se krijuesi mërgimtar, si të gjithë krijuesit e mirëfilltë ka dy jetë, dy atdhe, dy kohë, të cilat herë rrijnë të gërshetuara, herë përjashtohen mes tyre. Ai ka humbur një atdhe-kohë, bashkë me shumë nga qëniet e veta të shtrenjta, mirpo është pranuar në atë Atdhe virtual që nuk cënohet dot nga askush e nga asgjë, aq më pak nga koha. Prandaj është gabim të kryesh diçka për Atdheun e përhershëm e pastaj të presësh shpërblim nga atdheu i përkohshëm. Gjërat duken sheshit dhe nuk ndryshojnë lehtë. Mirpo mbeten të paktën çmeritëse kryeneçësia, mllefi, shpërfillja, madje hasmëria galduese dhe provinciale e shumë prej atyre që nuk jetojnë në Mërgatë ndaj shumë prej atyre që nuk kthehen dot në atdheun e përkohshëm, ose që nuk gjejnë një mundësi për t’i bindur se kaq përçarje i prish shumë më tepër punë vendlindjes, se sa Mërgatës. Është një smirë shumëdegëshe që përvëlon, por s’duhet ta shohim me habi, sepse kjo mund të jetë e vetmja gjë që përvëlon brenda disave, teksa krejt pjesa tjetër e tyre mbetet e vakët. Ata që pandehin se mbajnë çelësat e së ardhmes do të binden shpejt se shtrëngojnë vetëm çelësat e së ardhmeve të tyre, vetjake dhe jetëshkurtra. Pastaj turpin që nuk u bë ç’duhej bërë në kohën e duhur, hidhërimin e dekoratave dhe shtatoreve pas vdekjes nuk e merr më përsipër askush. Mendoj se një mërgimtar, pavarësisht nga natyra e ndihmesës që jep për vendlindjen, duhet ta shohë veten në marrëdhënie të drejtpërdrejtë më Atdheun, Kohën, Jetën e pambarueshme të Shqipes. Atyre duhet t’u japë llogari - dhe shpërblimet s’do të mungojnë, madje do të jenë të pazakonta. Kësisoj do ta shohim njëri-tjetrin më qartë e mbase gjaku i përbashkët do të ngrihet t’u prijë ndjeshëm ngjashmërive e ndryshimeve të natyrshme.

- Pas romanit tuaj më të ri “Puthmë skelet” çka mund të presë të re lexuesi nga pena e shkrimtarit Ardian-Christian Kyçyku, përkatësisht nga Shtëpia Botuese „Librarium Haemus”?

Ardian-Christian Kyçyku: Besoj se tre libra në rumanisht, njëri syresh skenar filmi, titulluar “Vend për një kukull të vetme”, një vëllim me proza të shkurtra dhe një roman në shqip. Nuk kam ndonjë ngut, ndonëse qarkullimi i mangët i ca romaneve si “Sy”, “Home” dhe “Puthmë skelet” mund t’ia kish prerë hovin e t’ia kish ligështuar shpirtin kujtdo. Sa i përket shtëpisë botuese “Librarium Haemus”, do të vijojnë botime të vlefshme jo vetëm për kulturën shqiptare, por edhe për atë rumune e më gjërë. Për shembull, një vëllim i bisedave që Revista Haemus ka zhvilluar qysh nga viti 1998 me artistë e mendimtarë të disa kulturave e qytetërimeve.

No comments:

Post a Comment