Motto: „Këtu rrinë të palëvizshme / Rrotat katrore / të zemrave tona”
Nichita Stănescu
I.
Trokitje në dyer e
porta, trokitje të lehta, të forta, larg, afër, të ngutura, të ngeshme, treten
në ajër, rikthehen. Trokitjet do të ngjallen shpesh gjatë ngjarjes, duke
ndërhyrë edhe mes bisedave, mes pamjeve, mes të qeshurave, vajtimeve,
ofshamave, mllefeve dhe grahmave të lumturisë (kur fanitet këtejpari). Disa nga
trokitjet i merr era, ose shndërrohen në erë. Por ndodh edhe që copëza ere të
shndërrohen në trokitje.
Mugëtirë. Llampa e
moçme, mbushur me pluhur e mushkonja të ngordhura e kafenesë ”Erdh’ sahati”
përpëlitet mbi sheshin me pak gurë dhe me dy trungje të çarvalitur pemësh. Në
vend të apostrofit, mes pjesëzave „Erdh” dhe „sahati”, është vizatuar një biçak
me myll kocke. Përreth ngrihen porta dhe dyer madhësish të ndryshme, si të
gërvishtura në shkëmb, dhe disa oxhaqe pa çati. Llampa fiket njëheresh me
daljen e diellit. Ulur në karrike druri mezi shquhen hijet e katër burrave të
moshuar që rrufisin kafe. Presori, Vasili, Zyberi dhe Hasani do të faniten
njëri pas tjetrit, pak para se Miri Memeci t’i përshkruajë. Dy herë me radhë,
Miri Memeci do të ndreqë „syrin” e dritës, që nxjerr në pah Zyberin kur flitet
për Hasanin dhe anasjelltas.
Rrezet e para të
mëngjesit bien mbi Miri Memecin dhe e paraqitin si ndonjë skelet që nis e
mbushet ngadalë me mish. Rrobet e tij janë të thjeshta, ngjyrë hiri, pa kurrgjë
të veçantë. Në sup mban varur një stekë që të kujton petsin e byrekut.
Miri Memeci avitet
deri në zgrip të oborrit dhe hap duart me një gjest që mund të shqipërohet
„s’kemi ç’bëjmë…”.
Miri Memeci
Të gjithë e dinë, por
asnjëri nuk pranon se këtu ka më shumë porta e dyer, se sa gjitarë. Ka shumë më
tepër gji-tharë, se sa gjinj – dhe shumë më tepër gjinj se sa
qumësht. Të gjithë fëmijët janë rritur. Asnjë prind nuk e ka vrarë veten. Ju
bren kurreshtja edhe për ndonjë hollësi tjetër të kësaj natyre? Po: lindemi të
rrethuar nga porta e dyer të të gjitha përmasave. Mirpo asnjëra nuk ka më tepër
se anën e jashtme dhe anën e brendshme. (Hijet vërtitin kokat anembanë,
sikur të numurokëshin dyert dhe portat). Jeta jonë rrjedh matanë dyerve, por edhe më-këtanë.
Dyert na ndajnë, dyert na mbajnë bashkuar. Kemi lidhur një pakt, si i thonë, që
as prindërit, as pjellat e tyre të mos kërkojnë më shumë se aq. Se çfarë, do të
pyesë ndokush. E më mirë t’i përgjigjem unë, se sa kjo jetë. Se kjo jetë ka një
gjuhë si gërshërë, që ta pret gjuhën. Ju kanë ardhur gjë gjuhët në majë të hundës,
byrazerë?! (Kthen shpinën. Mendohet pak, pastaj ngre kokën drejt dritës dhe
nis të rrokëzojë) D-y-y fjalë për gjakun e keq dua të shtoj. Mos pandehë
kush se kjo s’ka lidhje me ngjarjet. Po kush je ti, mor pusht, mos buzëqumësht,
do të hidhet ndonjëri, për cilin e mban veten që guxon të na hapësh sytë?! Do
t’ia pres shkurt: U bëfsha zëri yt! Dhe s’do të jetë as i pari, as
i fundit.
Miri Memeci
Mund të bëhem edhe
zëri i këtij, ose i kësaj të ngrate që na la. Se harrova t’ju sqaroj: kur
vajton kjo boria, një bashkëkohës ka braktisur llogoren. Zoti e ndjeftë!(.)
Gojët e liga nisin t’i zbërthejnë fatin, të kaluarën, të tashmen, të ardhmen që
do të kish pasur, ndërsa unë, në varësi të këtyre, shoh nëse duhet të bëhem
zëri i tij / i saj, apo jo. Kjo nisi vite më parë, në një si stan
majë shkrepash. Më duhej një shqiponjë, që ta balsamosja e t’ia bëja dhuratë
mësueses së biologjisë. Isha dashuruar pas saj, domethënë pas mësueses. Dhe
ndoqa me shpirt ndër dhëmbë një shqiponjë, e cila më çoi tek xherahu i zonës.
Më varej gjuha mbi gjoks nga aq përndjekje e shqiponjës. Dale të ta shohë ustai
pak gjuhën, më tha xherahu. S’kisha frymë as sa për të thithur gjuhën brenda.
Ma mori gjuhën në duart e tij të argasura, ma shkundi pak si ata rripat ku
mprihen brisqet e moçëm, pastaj nxori nga brezi një biçak dhe tha: „E paske
plot me gjak të keq, mor bir”. Nuk pata kohë t’i them se do të kish qënë më
mirë të më ngjiste për gjuhe ndonjë shushunjë, ose ndonjë gjallesë tjetër
gjakpirëse. Ma kish prerë tashmë gjuhën në anën e poshtme, ma kish shtrydhur
paq, ashtu siç shtrydhin gratë shamiçkat me lotë – dhe do ti që u lehtësova, sa
s’më vinte të besoja se kam trup. Rodhi gjaku i keq, bir, tha xherahu. Gjaku që
mbeti do të ta mësojë vetë se ç’ke për të bërë. Po sikur të më mblidhet prapë
gjak i keq, xhaxha, e pyeta. Do mblidhet se s’bën, ma preu. Se gjaku i keq
gjithnjë mblidhet. Si puna e cubave dhe e vrasësve. I miri rrjedh, i keqi
mblidhet. Kur të ndjesh se gjuha të është trashur pa ndihmën e rakisë, ndiq
ndonjë shqiponjë dhe hajde. Biçakun e mbaj nateditë mprehur...
Hijet shfaqin shënja
padurimi. Duket sikur mezi po e mbajnë veten që Memeci u rri me kurriz dhe nuk
i përfill.
Memeci heq stekën nga
supi dhe e kthen drejt tyre.
Miri Memeci
Ky qe vegimi i jetës
sime, ta themi. Qe një shërim i hershëm i gjuhës, por edhe i fjalëve. Kulmi
është se zëri... zëri im fitoi një zhdërvjelltësi të
habitshme. Ndodhi asokohe të vdiste një fqinj, ish komisar, rob i regjur ndër
mbledhje, tubime, fjalime. Im atë e këshillonte gjithnjë: fol më me karar, mor
Hamdi, se do të të mbarohet fryma. Jo, ia priste Hamdiu. Po heshta, ngordha.
Qentë heshtin. Unë i jam kushtuar me mish e me shpirt Partisë. Po leri mishin e
shpirtin, se s’t’i trazon kush, i gjegjej im atë. E kam llafin për frymën. Për
zërin. Dhe ndërroi jetë Hamdiu tamam siç qe përpjekur im atë ta pengonte. I
doli zëri trupit dhe mbeti pa gojë, dhe hidhej si ndonjë zhabë e verbër që të
kapte zërin, ta rraste prapë në bronke. Njerëzia thanë se u marros, se turrej
të kthetronte ndonjë ëngjëll, a shpirtin e ndonjë partizani të vrarë më kot,
por aha... Familja thirri doktorin, fqinjët, u dyndën edhe ca sehirxhinj...
Atëhere se si më erdhi e mora t’i qetësoja. Kaq e pati, u thashë, mos u
rropatni më kot. U kërcyen sytë nga zgavrat, se po flitkësha me zërin e
Hamdiut. Kurse Hamdiu u këput në mes të dyshemesë si ndonjë kërcu. Unë isha
llahtarisur se mos, bashkë me zërin, më kish hyrë në trup edhe shpirti i tij.
Kurse të afërmit e tij qenë gati të më paditnin për vrasje. Po ta kishe mbyllur
grykën, m’u hakërrye e shoqja, Burbuqja, burri im do të kish mbetur gjallë. Më
mirë gjallë e duke rendur ashtu (pra, në kërkim të diçkasë së padukshme), se sa
ti gjallë e me zërin e tij. Uh-uh-uu, ia plasi vajit Burbuqja...
Hijet e rrethojnë
Memecin dhe i bëjnë shënja t’i sqarojë.
Miri Memeci
E drejtë, më falni. E
ka hak edhe memeci ta shtrydhë fjalorin ndonjëherë. Apo jo? Se fjalori mund të
shndërrohet në gjak të keq… (I qetëson, i ndihmon të ulen nëpër karrike, u
ndreq shapkat dhe filxhanët e kafesë. Drejton stekën nga Presori). I pari i
vendit, ta themi. Presori. Ose Deografi. I dashuruar gjer në pikën e mbrame të
gjakut pas hartave të hershme. I pari në mençuri e dhimbje – i fundit në
çikërrima e maskarallëqe….
Një grup njerëzish
veshur në zi dalin befas mes Miri Memecit dhe hijeve. Njëri ia ul stekën poshtë
dhe ia mban ashtu derisa kalojnë të tjerët.
Si nga mjegulla,
fanitet qivuri i një merhumi, mbajtur në krahë nga disa burra, dhe gratë që e
vajtojnë mbyturazi. Në fillim shquhet koka e të vdekurit, si e lënë pezull,
lidhur me fjongo të bardhë, që të mos i hapet goja e, sipas bestytnive, të mos
ngjallet lugat. Gjithë të tjerët flasin me zë të ulët, tymosin, tundin kryet,
tërheqin hapat zvarrë. Një gruaje të moshuar i bie të fikët, pastaj brof në
çast dhe ngutet drejt qivurit duke kujisur. Mbase pamjet që i kanoseshin në
kokë gjatë të fikëtit ishin më të frikshme se sa varrimi dhe të mbeturit
gjallë.
Presori, Hasani,
Zyberi dhe Vasili ngrihen në këmbë, heqin shapkat, nderojnë me përkulje koke,
ose me dorë në zemër.
Miri Memeci e ngul
stekën diku dhe hyn në kafene.
Hijet dalin në
mugëtirë.
Presori
Po. Përditë ikin nga
një a nga tre kreshnikë, por ne ndihemi më ngushtë. A thua se vdesin në botën
tjetër dhe e mbajnë peng hapësirën që zinin me trup kur qenë gjallë. Si ca toka
të marra peng e lenë… E kam thënë edhe më parë: kjo qytezë është themeluar nga
ca fitimtarë që u kalbën burgjeve, ose nga humbësit që u arratisën në kohën e
duhur. Ose anasjelltas! Zor të gjesh se stërnipërit e cilëve po varrosen…
Hasani
Shpëtoi edhe njëri,
ndje Zot. Ose: tashti do të shohë të zitë e ullirit.
Presori
Vallë të ketë ditur
gjë për thesarin e Pashait?
Hasani
Si zor. Qe i ardhur.
Presori
E njihje? ... E
njohe?
Hasani
Se mos ka ndonjë
vlerë kjo. Qe i ardhur dhe pikë.
Presori
Tani është i
ikur.
Zyberi
Eh, kështu venë
punët. Ik një mut, vjen një tjetër. Vetëm se ne njërin e përcjellim si të
qënkej fetë bakllavaje, kurse tjetrin e presim si me qenë fetë bakllavaje. Kemi
fat, se nuk na mbarohet bakllavaja kurrë!
Presori
Kjo jetë, megjithëse
është e stërngopur me sherbet, më fal për shprehjen, ka të drejtën të mos e
shpëlajmë me shurrë.
Hasani
A, jam me Zyberin,
për besë. Po e presim atë qafir si me qenë Skënderbeu, ose Peshku i Artë. Po,
aha, popullit nuk ia hedh dot, usta. Mund t’ia hedhësh Zotit, se Zoti është
mëshirëmadh, ama popullit – kurrë! Populli e ka mëshirën me karar. Nuk e
ditkemi ne nga e bëri tërë atë pare ai pishtar i shqiptarisë në kurbet?!
Presori
Po atë këngëzën
lotsjellëse me „Uli supetë kalaja / U ul mali, se erdh’ maja” kush
e thuri?! Jo rrallë ethet e pritjes nuk janë ethet e një gëzimi të pastër, por
ethet e bindjes se tani u kthye në vathë e mund ta zhdukim. Vjen në një
hapësirë të cilën e ka braktisur e që s’i takon më – një shkak më shumë për ta
vrarë. Po të mos vinte, do të kishim pasur vetëm një shkak më pak...
Hasani
Po ndofta vjen në
vend të ndonjë të vdekuri...
Presori
Ai vetë është i
vdekuri. E kur vjen në vend të vet, si mund të mbetet gjallë?!
Zyberi
Na e bëre kokën
daulle, byrazer. Ti u je përkushtuar hartave, dhe mirë e ke, me to merru! Ta
them unë si rrjedhin ca gjëra…
Hasani
… Vodhën këta birbot
e këtushëm e u dhanë nga një kacidhe atyre të andejmëve. Mirpo, duke gjykuar
nga sa vodhën këta, del se ajo kacidhja që morën ata peshon sa gjysma e hënës.
Zyberi
Veri fre gjuhës,
byrazer, mos e përzje gjysmëhënën me hajdutllëkun.
Hasani
Epo mirë :
sa gjysma që nuk duket e hënës.
Zyberi
Ama edhe ata të
andejmit vodhën sa u ra bretku. Ca vodhën jashtë, ca të tjerë brenda.
Hasani
Dhe u dërguan hajnave
të këtushëm bakshishin.
Presori
Kështu u pasuruan të
dyja palët. Ose thjesht kështu u nda thesari i Pashait të madh...
Zyberi
Dhe u varfëruam nja
dhjetë fish ne të tjerët.
Presori
Po pse s’ia hyre të
vjedhurës? Do ishe pasuruar jo vetëm me kacidhe, por edhe me ca kafshime
ndërgjegjjeje.
Zyberi
Zot na ruaj!
Presori
Ndonjëherë kafshimet
ia vlejnë, se mund ta hanë krejt ndërgjegjen dhe njeriu platitet. Kamja rrjedh,
kafshimet mbarojnë. Ose u turren ndërgjegjeve të pakafshuara.
Hasani
Kështu them se ngjau
edhe me Skënderbenë që na vjen sot.
Presori
Ka qënë nxënësi më i
mirë që kam pasur. Të paktën në gjeografi. E pyesje ku bie filan vend a filan
guriçkë – dhe e ngulte stekën drejt në zemër të përgjigjes. Si ata shpatarët e
lashtësisë e ngulte. Një stekë i bëra dhuratë kur mbaroi gjimnazin, por mora
vesh se filloi ta përdorte për bilardo. E prishi kryeqyteti, thoshin.
Zyberi
Ta pranojmë si
burrat: e shikoje ca edhe si dhëndërr, hë?
Vasili
E ke zakon t’ia
çjerrësh plagët tjetrit. Madje edhe kur e ke fqinj e mik.
Presori
Sa më afër ta kesh,
aq më thellë ia çjerr.
Zyberi
Nuk ta kisha me të
keq.
Presori
Por as me të mirë.
Zyberi
Kauri (tregon nga
Vasili) ta ka fajin, byrazer, jo të vërtetat që them unë. Kauri fut pyka
gjithmonë.
Hasani
E na bujt tashti
kreshniku, Binjaku i Nizamëve e quan dynjaja, dhe prite kur të na mbajë një
turrë fjalimesh me lavdinë e së kaluarës, me ligjet e pamëshirshme të
tranzicionit, me rikthimin në gjirin e familjes evropiane…
Presori
Nuk ma ha mendja,
ndonëse sot mund të presësh çdo gjë. Por s’besoj të ketë rënë pré e këtyre
gargarave.
Hasani
Po ai që shkel gjakun
e popullit të thjeshtë, me gargara të atilla pandeh se lan grykën.
Zyberi
Jo, gjaku i rrjedh
nga kafshimet e ndërgjegjes, ha-ha-ha! E fortë, ë!
Vasili
Si shumë u vonua
Kallauzi.
Dëgjohen tingujt e
trishtëm të një borie. Duket sikur boria ngulmon të duket gajde.
Presori
I bëjnë ndonjërit
veshët? Kjo bori po bje si për vdekje në katror.
Zyberi
Jo, jo,
Borizani është.
Hasani
Mos na iku edhe
ndonjë tjetër, more!
Zyberi
Do mbajë atdheu më
pak erë.
Presori
Po më nguc të pyes
ç’erë do të mbajë pas teje.
Zyberi
Pas meje – skonksi,
byrazer! Ha-ha-ha! (Ngrihet në këmbë dhe vendos shuplakën si strehë mbi sy).
Ore… e dini ju se po vjen një karvan varrimi? Po vjen drejt nesh, nuk po shkon
drejt varreve.
Presori
Se mos jemi më pak
varre ne... E kam thënë kaq herë: ndofta ka vdekur ndonjëri në botën tjetër dhe
po vijnë ta varrosin këtej.
Hasani
(Ngrihet duke u
shtriqur)
Jo, mor, jo… Janë pó
ata që kaluan qëparë. Do t’u ketë dalë mortja në udhë e u është
hakërryer: këtë do ta le, juve do t’ju marr!
Zyberi
(Me zë të lartë,
drejt karvanit mortnor)
Si është puna, more,
rahmet pastë? Ç’bëri vaki?
Një zë burri
Kanë minuar
udhëkryqin, Zyber. Na thanë t’i bjemë nga ana tjetër.
Hasani
Po veturat?
Një zë gruaje
Po kur njerëzit duhet
t’i bjenë nga ana tjetër, ç’pret për makinat, more… ?!
Zyberi
Asaj zonjës i duhet
rënë nga ana tjetër, Hasan. Ti e di si duron.
Presori
E, fakti që kanë
minuar udhëkryqin është një shënjë. E disafishtë, do të thoja.
Zyberi
Na thuaj një fish,
byrazer.
Presori
Njerëzisë i ka ardhur
në majë të hundës vdekja, Zyraber. E meqë s’di ta luftojë ndryshe,
me mjetet e falura nga Zoti, mbjell me mina udhën për varreza. Ndonjë ditë do
mbjellin me farë udhën drejt maternitetit. Se as lindjet
s’para po i duan si dikur…
Hasani
Shafran e ke atë
gojë, Presor. Shafran.
Presori
Po Kallauzin si ta
njoftojmë që të mos i bjerë nga udha e minave?
Zyberi
Siç u njoftua
karvani. Ky merhumi rrezikon të kalbet udhëve, ti qan hallin e Kallauzit.
Kallauzi është gjallë, përndryshe do kish sosur në kohë.
Vasili
Mirpo bashkë me
Kallauzin na vjen djali nga kurbeti.
Hasani
Si të jetë kismeti
tani.
Zyberi
Lëre, mor, se e vret
djali vdekjen me atë stekën që i bëre dhuratë.
Presori
(Me pëllëmbët
mbledhur si bori para gojës, me zë të lartë)
Po Kallauzin ua zuri
syri gjëkundi-i-i, o trima-a-a?
Një zë burri nga karvani
Ëhë-ë!
Presori
Ku-u? Nga po
shkonte-e-e?
Zëri i burrit
Nuk dë-gjoj, se ka ca
shpërthi-i-ime.
Presori
Po kur s’dëgjon, pse
përgjigje-e-esh?
Zëri i burrit
Si-i-i the-e-e?
Presori
Siç nuk dëgjove-e.
Një zë tjetër
Kallauzi i ra nga ana
tje-e-e-etër.
Zyberi
Vetë qe, apo me
njeri-i-i?
Zëri
Vetë, ve-e-etë-ë!
Presori
Vetë-ë… Tani me
gjithë mend hymë në një tjetër soj gjeografie.
Hasani
Hajt, mor, se nuk e
gjen gjë Kallauzin. S’ha mortja bakllava!
Zyberi
Po mos na e ka
shfarosur baruti atë heroin që presim.
Presori
Do të qe dëgjuar
ndonjë shpërthim nga ata plot copa mishi e kocka. Në mos sot, mbrëmë, pas
mesnate, në të gdhirë.
Zyberi
S’paske vënë gjumë në
sy, byrazer, ë? Të ka ngarkuar Sekretari i Partive ndonjë mision ndërplanetar
nga ata që ka për zemër?!
Hasani
Mund të ketë qenë
ndonjë shpërthim me zhurmë të kufizuar, si puna e ca shirave. Se, për shembull,
ai që fliste thosh se nuk na dëgjon. Kurse ne nuk dëgjonim përse nuk dëgjonte
ai.
Vasili
Hyre në të thella,
byrazer. Mos mbytesh.
Kalon karvani
mortnor. I njëjti. Sërish koka e të vdekurit lidhur me fjongo, burrat që e
mbajnë, gratë shamizeza, të afërmit. Pleqtë ngrihen prapë në këmbë, heqin
shapkat dhe nderojnë me dorë në zemër, ose me përkulje koke.
Hyn Borizani
Borizani
(I ngeshëm, duke i
fryrë borisë së prapthi, për ta pastruar)
Kinezi është milet me
një okë tru, byrazerë. Të dënoj të jetosh kohëra interesante, tha. Aq. Kinezi i
ka llafet me kursim të madh.
Hasani
Ke ndonjë ftesë që të
njoftosh edhe vdekjet e kinezëve, a si?
Borizani
Ncuk. E kisha llafin
tek kohërat dhe tek mençuria kineze.
Presori
Si është puna,
Borizan? Mos na mbaj si vezën në xhezve tani.
Borizani
Shkurt llafi: na zuri
ndëshkimi i kinezit. Unë vetëm po jua them me dy llafe, pastaj gjykoni
vetë.
Zyberi
Po nxirre, pra, të
shkretën, se nuk të paguan njeri për rrëfenja. Fol!
Borizani
Miri erdhi. Bashkë me
një yllkë që duhet të jetë e shoqja. Kjo e ka barkun gjer te goja. Mos më
ndërprisni, se më ik frymëzimi! Erdhi. Kallauzi as që arriti ta priste në
stacion, se u detyrua të kthehej mbrapsht. Kanë minuar udhëkryqin! Kanë minuar
udhëkryqin!
Presori
Udhë-kqyrin?!
Hasani
Këtë do na njoftoje,
mor humbameno?!
Borizani
E dinit?
Presori
Po këtu thashethemet
rrjedhin sikur të mos ketë vdekur askush. Sikur të mos ketë ikur e ardhur
njeri. Kaq kishe?!
Borizani
Jo, jo. Miri erdhi
shëndoshë e mirë bashkë me të shoqen.
Zyberi
Që e paska barkun
gjer te goja.
Hasani
Tha ndonjë gjë barku,
apo goja e saj?
Borizani
Miri ka ndryshuar sa
s’thuhet. Zor ta njohin edhe të vetët.
Hasani
Të vetët janë bërë
poçe balti kaherë.
Borizani
Miri dora vetë e
ndaloi karvanin tek udhëkryqi. E pashë me këta sy kur kapërceu udhëkryqin e
minuar dhe ndaloi te kryet e merhumit. E kaptoi si me qenë hije, si mos me pasë
pikë peshe, për besë. Mos na e ka bërë fantazmë dheu i huaj, more, klitha unë
me vete.
Zyberi
Pastaj të doli gjumi.
Borizani
Mos paça fëmijët: e
pashë me këta sy. E kaptoi sheshin jo sikur të qe mbjellë me mina, po me qeska
floriri.
Zyberi
Epo ndofta minat
mbajnë brenda qeska me flori.
Hasani
Qeskat nuk fshihen në
mina.
Zyberi
Që të mos i vjedhë
kush, bre!
Vasili
Po pse e ndali Miri
karvanin? Çudi e madhe…
Borizani
Që të sqarohej me
varrtarët. S’e mbajta dot veten dhe u afrova. Iu hodha në qafë, më njohu me të
parën. Më falenderoi që vdekjet e prindërve të tij i pata lajmëruar unë. E
dinte. Nuk di si e qysh, por e dinte. Pastaj iu kthye të vdekurit. Pyeti cili
ishte, pse kish vdekur, në ç’rrethana…
Zyberi
E ditke fjalën
„rrethana”?! Urime!
Borizani
Pyeti për rrethanat
mëse pesë herë. S’ka rëndësi cili ishte e është, i tha gruas së merhumit,
por si dha shpirt. E sidomos kush ju njoftoi. E veçanërisht
si jua dha gjëmën. Në ç’rrethana e morët gjëmën? Po jua rrëfej
ngjarjen pikë për pikë…
Fanitet Miri
Mërgimtari me Ketty-n për krahu. Të gjithë ngrihen dhe nguten ta përqafojnë, e
prekin, i ledhatojnë flokët, mëngët e këmishës, kopsat, kravatën, si për t’u
bindur se nuk ndodhen rreth një fantazme.
Miri Mërgimtari
Erdh’ sahati të
takohemi, më në fund. Zoti ju dhashtë jetë e miq, burra!
Hasani
O, bir,
mirse-na-erdhe! Na kish grirë malli për ty, o bir, na dukej qyteza e shkretuar
pa ty.
Miri Mërgimtari
Xha Hysen, mbaje
veten, se s’kam vdekur me gjithë mend…
Zyberi
Po prandaj mori flakë
xha Hasani, se s’ke vdekur. Po të kishe lënë kockat në kurbet, të vajtonte
ndryshe… Po morëm vesh se kaptove udhëkryqin e minuar dhe…
Hasani
Mos ma vini re,
byrazerë, por e kam zemrën plot. Na iku rinia udhëve të botës, ra skllave e
zuzarëve të huaj, nën zgjedhë të deledashëve e trurrjedhurve, kurse ne…
Zyberi
Po paske ngrënë mirë
në kurbet të paktën, o trim, ë?
Hasani
Me gjithë mend, sa
kile je tani, o bir?
Miri Mërgimtari
Kurbeti të shëndosh,
xhaxha. Që të mos lëpijë gishtat mortja, po të mori.
Presori
Kjo mortja e këtushme
është përjetë e uritur…
Hasani
Po kjo yllka këtu
cila është? Jot shoqe, mor bir?
Miri Mërgimtari
Po. Ketty e quajnë.
Njihemi prej vitesh, por tani vonë bëmë martesën. (I drejtohet Ketty-t, në
gjuhën që nënkuptohet si e huaj). Zemra, këtu katër xhaxhi nga im vend
lind… Xhaxhi Hysan, xhaxhi Zyber, Xhaxhi Vasil… Ok. Xhaxhi Presor ish im
mësues…
Ketty
Oh, gëzim shum, gëzim
madh njoh ju. Miri fletur plot për ty të gjith.
Miri Mërgimtari
Ish im mësus
gjeografia, por jashtë mase kultur. Kultur letra, kultur historia, kultur
dituria natyra… Por jo vetëm kultur, por edhe shum shpirt. Shpirt si për dhjet
burr. Respekt madh për të unë.
Presori
Jam i nderuar, Miri,
që s’më paske harruar. Zoti ta shpërbleftë.
Hasani
Edhe zonjën ma paske
si mëshqerrë, mashallah. Vërtet s’e ka pjellë ndonjë nga nënat tona?
Miri Mërgimtari
Për fat të keq, jo
vetëm nënat tona pjellin, xha Hysen. Pas rënies së komunizmit, morën shembull
nga tonat dhe nisën të pjellin edhe të huajat. Kurse tonat u lodhën duke na
pjellë neve.
Hasani
Ama si tonat s’pjell
dot njeri.
Presori
Më saktë: s’pjell dot
njeri ç’pjellin tonat.
Miri Mërgimtari
Më saktë!
Vjen Kallauzi duke
fshirë djersët me një shami të kuqërremtë. Duket i rraskapitur. I këqyr të
gjithë me radhë, e prek Miri Mërgimtarin në kokë, në gjoks, në duar.
Kallauzi
Kanë minuar
udhëkryqin, vëllezër! Mos iu raftë rruga andej, se edhe të vdekurit duhet të
kthehen e të rrotullojnë qytezën, që të sosin në varre.
Zyberi
Punë malli, byrazer.
Nuk u shqitet shpirti nga bukuritë e kësaj qyteze. Po ulu, ulu, merr frymë
njëherë.
Kallauzi
Mina sa për një shtet
të tërë kanë mbjellë. Apo s’më dëgjuat mirë? Nuk dihet kush dhe ç’kërkon si
shpërblim…
Vasili
Apo dëmshpërblim?
(...)