Homo ex machina - teatër / 2019


P ë r m b a j t j a

I. Pantomima ose Të fshehta nga jeta e prijësve

I moshuari Pano Mima, - që shpesh paraqitet si “Armiku më i rrezikshëm, ose Ai që harrohet”, - hedh në gjyq shtetin për mospërfillje, kur zbulon se dosja e tij prej shtetasi ende gjallë nuk ka më tepër se tri fletë. Njëra faqe përmban një jetëshkrim që ia kishin kërkuar kur e merrnin në punë. Aq. Asnjeri nuk e kish ndjekur, asnjeri nuk e kish spiunuar, asgjë. Sikur të mos qe pjellë kurrë. Këto fletë janë njëra pjesë e dëshmisë sime, tha, ndërsa pjesa tjetër jam unë. Peshojeni vetë çështjen: më një anë tri fletë, më anën tjetër unë... Jam gjallë, i kam kaluar të shtatëdhjetat, jam i martuar, kam grua e fëmijë tashmë të rritur, nipër, mbesa; kam komshinj prej një jete, kunetër, kunata, baxhanakë, ish-shokë shkolle e pune, disa smirëzinj (por as këta nuk më kanë paditur për gjësendi) dhe ca miq që, njëlloj si armiqtë, nuk kanë shkruar asgjë kundër, apo pro meje...
Pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh, Pano Mima e fiton gjyqin dhe duhet të marrë një dëmshpërblim prej 300 mijë eurosh. Por atij nuk i duhen të hollat. Pas bisedash të fshehta, bie në ujdi me zyrtarët që, në vend të parave, t’i plotësohet dosja. Për këtë zgjidhet Rrok Tupana, një shkrimtar mesatar, që dikur hartonte kujtimet e udhëheqësve dhe të veteranëve me famë.
Gjatë plotësimit të dosjes përfshihen hap pas hapi, herë vullnetarisht e herë me mëditje, fqinjë, të njohur, të afërm, bashkëshortet, prindërit që kanë ndërruar jetë dhe e dashura e parë e Pano Mimës.
Nuk dihet sa ditënetë a vite kalojnë, mes mëdyshjesh e hamendjesh, derisa protagonistët kuptojnë se sa peshë ka arritur të ketë fjala dhe se sa e ç’fjalë ka në këto kohëra pesha e ngjarjeve, emrave, njerëzve. Pjesa e padukëshme e fjalëve i ndihmon të mos vdesin më “të paditur se kaq”, por jo më të ditur nga sa duhet.


II. Pakica
[Ngjarje me 15 pamje dhe me disa lloje perdesh]

Një grup pleqsh me prejardhje shqiptare, shpërngulur prej brezash në dhé të huaj, vendosin të mësojnë gjuhën amtare, të cilën e kanë harruar, ose nuk e kanë folur kurrë. Mësuesi i gjuhës është një i ri që ka mërguar në fillim të viteve '90 dhe që merret me studimin e poezisë ballkanike. Orët zhvillohen në selinë e Bashkësisë. Një mbrëmje, për të fituar kohë dhe për t’ua lehtësuar mundimet, Mësuesi vendos të përdorë kryevepra poetike shqiptare. Me atë rast nxënësve u vjen një ide e thjeshtë, por të papërdorur më parë, e cila besojnë se do t’i shquajë qartë nga pakicat e tjera kombëtare, por edhe nga shumica. Mirpo askush nuk parandjen se, pasi të lexojnë e të përkthejnë, - bashkërisht, por edhe secili më vete, - „Vdekjen e Nositit”, ngjarja do të shkasë në(n) ca hapësira të panjohura, ku pakkush arrin ta njohë veten dhe të tjerët.

Skenat: I. Buk(ë)uri... / II. Me qëllim që kafkat tona... / III. Zanore, bashkëtingëllore, aroma / IV. Uni-versum / V. Mbiemra zogjsh / VI. Kocka & ëmbëlsira / VII. Le-gjen-da / VIII. Dhe lashë një pikë gjak nga gjaku im... / IX. Minim minimorum / X. Thjesht / XI. Shpirti i atij poetit / XII. Dita e Shpalljes së Poezisë / XIII. Me ti, jo me ju / XIV. Sine ira et studio / XV. Të gjitha perdet


III. Një si piano

Për Lirën, mbarimi i fakultetit të kimisë përkoi me dy vegime-sprova që mund t’i kushtojnë jetën, ose ta degdisin në harresë: një libër i jashtëzakonshëm, sipas saj, - të cilin ka nisur ta shkruajë qysh në fëmini, por që tani beson me gjithë shpirt se do ta përfundojë, - dhe banesa e trashëguar nga Tezja. Pinjolle e një familjeje të fisme shqiptare, që tashmë është shpërndarë nëpër botë, përdhunuar në pleqëri nga një plehëraxhi i dashuruar befas e marrëzisht pas saj, Tezja vdes në kohën e duhur dhe nuk është gjallë atëhere kur duhet. I ka lënë trashëgimi të mbesës “pianon e fisit dhe një shtëpi”. Mes dy grave, herë në hije e herë jashtë saj, por jo medoemos në dritë, endet Floríu (disa e quajnë Bankieri). E ka nisur rrugën e ngadhnjimit si plehëraxhi i thjeshtë. Nuk është pronari i ndonjë banke të hollash, por në këtë botë nuk ka vetëm banka të hollash. Kuptoi shpejt se, jo rrallë, gati krejt ajo që mbetet jashtë plehërave nuk ka ndonjë vlerë më të madhe se sa plehërat, sidomos kur njerëzit shpenzojnë e shfrytëzojnë gati gjithçka vetëm që marrëdhëniet e rëndomta t’i paraqitin si dashuri të epërme e të papërsëritshme.

Skenat: I. Gjueti / II. Ujë, gjak dhe pyetje të tjera / III. Përshpirtje / IV. Muzg & Muzikë / V. Dorë-shkrim / VI. Mrekullia dhe gjoba / VII. Pa mure / VIII. Vallja e kokave / IX. Pakti / X. –kthim.

Së shpejti onLine